REPUBLIKA PËR NESËR

I vetëdijshëm se kriza e tanishme politike në Tiranë i ngjan një ajsbergu, pse më shumë e padukshme se e dukshme, ende po lejohem të them se ajo i ka dëshmuar tashmë disa mangësi tronditëse të sistemit politik të tanishëm, ose në daçi, edhe të kësaj republike.

Duke filluar nga pluralizmi politik disa-partish, i cili thjesht nuk funksionon, sepse palët jo vetëm nuk kanë dëshirë të komunikojnë me njëra-tjetrën atje ku ua cakton Kushtetuta – ose në Parlament – por edhe nuk dallojnë mes tyre përveçse nga liderat që kanë dhe karshillëqet përkatëse. Dashur pa dashur, kjo bën që partitë politike të vijnë e t’u ngjajnë organizatave për qëllim fitimi, të cilat ashtu e përdorin edhe pushtetin.

Mënyra e shtrembër, në mos perverse, si i organizon dhe i manipulon zgjedhjet partitokracia është në rrënjë edhe të protestës dhe të bojkotit të sotëm nga opozita – e cila po e sheh veprimtarinë jashtë-parlamentare si të vetmen ku mund të mbijetojë. Nëse PD-ja gjatë këtij procesi përfundon në një forcë politike irrelevante, kjo nuk do të shënjonte gjë fundin e demokracisë shqiptare; por mungesa e një opozite alternative ndaj PD-së duhet marrë shumë seriozisht.

Duke vazhduar pastaj me injorimin që i bëhet jo aq kushtetutës, sa rëndësisë që ka Kushtetuta, pikërisht për të shmangur kriza të tilla, që kanë kosto të lartë jo vetëm politike, por edhe ekonomike dhe sociale. Në fakt, me sa duket, partitë politike e shohin Kushtetutën si një dokument, rëndësia e të cilit ka të bëjë kryesisht me faktin që mund të ndryshohet sipas rastit; çfarë e kthen Kushtetutën vetë kokëposhtë.

Më tej akoma, as parimi i ndarjes së pushteteve nuk funksionon, sa kohë që një nga pushtetet – gjyqësori – po paraqitet si shkaku kryesor i katrahurës së përgjithshme, çfarë nuk është veçse një pozë populiste, për t’ia faturuar një pjese fajet e së tërës; dhe figurën institucionale që do të garantonte të paktën këtë balancë mes pushteteve, ose Presidentin e Republikës, e kanë katandisur në një kukull prej kashte.

Më në fund, gjatë këtyre muajve sërish të huajt janë ftuar të ndërmjetësojnë – ose të arbitrojnë – mes palëve, duke kompensuar për paaftësinë e këtyre palëve që të komunikojnë mes tyre. Kjo tregon, mes të tjerash, se Shqipëria jo vetëm që nuk është vend sovran, por edhe që elita e saj politike nuk e dëshiron sovranitetin – sa kohë që ky vjen me përgjegjësi para qytetarëve.

Përkundrazi, çfarë kërkon dhe synon kjo elitë është që, në mos të jetë, së paku të perceptohet si përfaqësuese e interesave të Perandorisë; duke e marrë forcën jo nga legjitimimi që i bëhet nëpërmjet votës, por nga favoritizmi që i vjen nga jashtë: SHBA, BE, dhe çfarëdo autoriteti tjetër që nuk është pjesë e sistemit politik konsitucional.

Nëse këta të huaj – ambasadorë, ministra, të dërguar e kështu me radhë – janë tani shpresa e vetme për t’i ulur palët në tryeza dhe për t’i bërë të bien dakord, atëherë edhe zgjedhjet vetë katandisen në një ritual.

Opozita mund të jetë vërtet më e dobëta dhe intelektualisht më e varfra që ka pasur ndonjëherë Shqipëria këto 25 vjet, por të paktën në një pikë ka të drejtë: vendi ka nevojë për një republikë të re dhe një kushtetutë të re, e cila të kufizojë pushtetin e partive, të garantojë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e pandërmjetësuar të qytetarëve në politikë dhe të sigurojë mjetet për ruajtjen e balancës mes pushteteve. Vetëm në këtë kontekst të ripërtëritur vetting-u aq i përfolur do të mund të zbatohej dhe të funksiononte mirëfilli.

Një asamble kushtetuese do të mund të ishte i vetmi produkt i arsyeshëm dhe i mirëpritur, në mos afatshkurtër së paku afatmesëm, i krizës së tanishme.

3 Komente

  1. Jam dakord qe republika shqiptare nuk funksionon, por “Republika per neser” do te vinte nga nje asamble kushtetuese? Ne c’kuptim nje asamble kushtetuese do te ishte e ndyshme nga parlamenti i sotem, ku supozohet se te zgjedhurit aty jane perfaqesuesit e popullit (pavaresisht te shremberimit qe sjell sistemi proporcinal)? Une mendoj se te zgjedhurit ne kohe ne gjithe legjislaturat e parlamentit shqiptare (edhe ne sistemin mazhoritar) nuk kane perfaqesuar ndonjehere interesat e popullit. Nuk di, nese klases tone politike i ka kaluar ndonjehere neper mend ideja se perfaqeson popullin, interesat, vullnetin apo deshirat e e atyre qe e votojne? Por si mund te ndryshohet kjo: Thjesht duke pranuar nje republike te re si emer, por me aktoret e vjeter? Duke ndryshuar perseri kushtetuten me argumentin se eshte faji i saj?! Mendjet persverse te pseudo-politikaneve tane do te arrinin te prodhonin interpretime per te bere lemsh gjithe kushtetutat e botes. Kjo krize po tregon se po vendosi nje klase politike te mos zbatoje ligjin/kushtetuten, per fat te keq ne Shqiperi mund t’ja dale, sepse mekanizmat kontrollues jane me shume sesa te kontrolluar prej politikaneve. Une nuk e di nese opozita e sotme ka vertet si qellim te shmange vettingun me cdo kusht, por di se kane arsye te tremben nga menyra sesi jane hartuar ligjet e reformes, sepse mendoj se ato kane vertet baze per te ngritur nje gjyqesor te pavarur. Dhe e vetmja menyre qe shoh si mundesi per te kontrolluar delirimin korruptiv (dhe si rrjedhim edhe politik) te politikaneve tane eshte nje gjykate e pavarur prej tyre, qe t’ju kujtoje se pushteti vjen me pergjegjesi me vete.

    1. Zgjedhjet për këtë asamble kushtetuese (hipotetike) do të ndiqnin një formulë tjetër – për t’i shpëtuar kllapës së partitokracisë. Për shembull, mund të parashikohej zgjedhja e drejtpërdrejtë e anëtarëve të asamblesë nga qytetarët (jo sipas listave të hartuara prej Partive); në mos totalisht, së paku pjesërisht.

      Kjo asamble mund të vendoste për ta kthyer Shqipërinë në një republikë presidenciale, meqë republika parlamentare tek ne NUK funksionon. Mund edhe të pastronte kushtetutën nga arnat që i janë vënë këto vite, për ta bërë më të zbatueshme. Mund të ndryshonte formulën për kriteret e referendumit, për ta bërë këtë të fundit më lehtësisht të praktikueshëm.

      Për të gjitha këto duhet një “seed”, ose një forcë politike – nuk ka nevojë që të jetë madhore – për t’i iniciuar këto ndryshime, qoftë edhe nëpërmjet organizimit të një referendumi. Partitë politike kryesore nuk do ta bëjnë këtë, sa kohë që sistemi i tanishëm u siguron supremacinë. Por një parti e vogël mund të bëjë atë që nuk bëjnë dot të mëdhatë: nga eksperienca politike italiane, po përmend arritjet e radikalëve dje, dhe të 5 stelle sot, të cilat e nisën rrugën drejt suksesit me një blog.

  2. Nuk e deshiron sovranitetin por e ka edhe frike, se me te vijne pergjegjesi qe dikur do puqen me parimet apo me ligjerimin. Dhe kjo nuk mund te kuptohet nga elita qe jane farketuar ne holle hotelesh. Nuk eshte fjala vetem per ata te politikes, por edhe per mediat, apo “intelektualet” qe paketojne si kontribute per stabilitetin, deklarata ambasadoresh dhe cuditerisht pranojne te ulen ne dreka informative mbi situaten me keta ambasadore.

    “Po tani?” ishte titulli i nje opinioni para disa ditesh kur u refuzua nje pakete propozimi? Ne fakt kjo pyetje nuk ka kuptim pasi demokracia e ka rrugen: dialog, marreveshje, proteste dhe zgjedhje. Te gjitha shmangin ate endrren e keqe te destabilizimit qe ne fakt eshte false dhe sugjeron nje rol po kaq fals te predikuesve televizive. Partitokracia ketu eshte pasoje edhe e ketij cedimi qe nje pjese e aktoreve publike i kane bere kauzave publike, apo angazhimit per to. Nuk mundet qe ceshtja e zgjedhjeve te lira te jete monopol diskutimi i opozitave te radhes qe veteshpiken si te tilla per shkak te krizes se plote te identitetit. Eshte po keshtu pergjegjesi e te gjitheve qe tema te tilla organizohen si anekse te debatit mes partive, nderkohe qe duhet te zgjeroheshin si interes i vertete publik, ne te cilin partite jane vetem nje pale.

    Eshte po keshtu per te ardhur keq me pushtetin e tanishem, PS-ne sidomos, qe ndonese ka te dhena te besueshme per nje mbeshtetje te madhe ndaj saj ne krahasim me kompanine e shpartalluar qe quhet PD, nuk heq dore nga genjeshtra e perditshme dhe nga e njejta loje qe u tregon gogolin e radhes shqiptareve. Nuk jane vetem rregullat ato qe normalizojne nje gjendje apo i japin jete nje procesi, duhet edhe nje cike vullnet dhe largpamesi. Ne kete kuptim, PD-ja po demton vendin me pafuqine dhe kaosin e vet, pa folur per trashegimine, kurse PS-ja eshte ne fakt korruptuesja me e madhe e debatit publik me genjeshtra dhe mashtrime qe jane kthyer ne maktriksin politik i denoncueshem deri diku vetem nga kriza ekonomike.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin