KTHEHET GREBLLESHI I HARRUAR

Nesër, më 15 Maj në gjashtë e gjysmë të mbrëmjes, një javë para ditës kur mbushen 31 vjet prej vdekjes krejt banale të Mustafa Greblleshit që në harresë s’bëzante, të një shkrimtari që tinëzisht ia prenë rrugën, shkrimin dhe jetën me një maskë mospërgjegjësie të paqme e të pafajshme si vetëm regjimet totalitare ia dalin të mbajnë, promovohet në Sallën e Pritjes të Hotel Dajtit, libri “Kujtime ’39 – ’44”, pjesë e gjerdanit libror Verba Mundi të Botimeve Çabej.

31 vjet pas një jete të nisur aq bukur, por ndërprerë nga vuajtje që s’i lypi e as i meritoi, botuesja Brikena Çabej që u rrit me të si mik shtëpie, dhe Anna Shkreli që drejtoi e u përkujdes për botimin me zemër dhe duke tejkaluar çfarë i kërkonte detyra, e çojnë për dy orë veprën e Greblleshit në famëmirin e famëkeqin Hotel Dajti. Grand Hotel Dajti ku Greblleshi kaloi ditë të bukura letrash, arti e miqësish të një rinie krenare e liberale që po përgatitej të kthente për së mbari vendin e vet, e pret sot Greblleshin në rrënojat e veta aspak grand, por që ironikisht jehojnë një fat të ngjashëm, për t’i rikthyer tragjikes një dimension të prekshëm nëpërmjet vizualiteteve elektronike dhe fotos historike. Njeriu, i paepur, nuk i pranon ndërprerjet e padrejta, dhe në shterpësi e rrëmet kërkon ringjalljen e lëngut të jetës që rridhte dikur.

Do doja të isha atje jo veç se besoj të jetë një aktivitet i thurur me finesë e respekt, jo sepse njihja autorin, jo sepse ka diçka që ma lidh autorin me Tiranën e vjetër gjithashtu të mohuar, por se ndihem në borxh ndaj një jete e një shkrimtari të këputur. Kam ndjesinë se ndaj me botuesen dhe kuruesen e librit të njejtën peshë borxhi e faji shoqëror, ndaj ua di për nder si lexuese, tiranase dhe shqiptare punën për të risjellë intelektualin e mohuar të cilit deshën t’i heqin penën nga dora, si dhe buzëqeshjen; që mund të kishte qenë shumë ndryshe dhe që me pasion deshi të ishte ndryshe.

Absurdi i Hotel Dajtit me gërshetime simbolikash politike e kulturore hutueshëm kundërshtuese, jehohet në linja bardhëezi e hijedritë minimaliste të godinës së njohur dhe burrit të pashëm para një makine ballë hotelit, kapur me zhdërvjelltësi prej artistit vizual Simone Massoni në kopertinën e librit. Ka një përkim rastësor e fatlum në jetën e Greblleshit që e bën të pranishme Italinë jashtë kllapave neokolonialiste – përkundrazi kritike, progresive e moderne.

Është për mua ky botim, një akt lirie e çlirimi, akt kthimi tek njeriu dhe fjala.

 

Ps: Nesër vjen në Peizazhe të Fjalës një qasje analitike më konkrete ndaj librit dhe autorit të tij.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin