GJUHA E KISHËS, KISHA E GJUHËS

mruwr7Sot në Peregrinus.al, dom Gjergj Meta i jep një përgjigje pyetjes publike të gjuhëtares Ledi Shamku-Shkreli, në lidhje me mundësinë që liturgjia katolike në shqip të ndjekë traditën e vet disa-shekullore dhe të përdorë gegnishten letrare, jo shqipen standard si deri më sot.

Më duket, ky i Gjergj Metës, një tekst me rëndësi të madhe, për të sqaruar, me argumente intelektuale jo pasion krahinist, pozicionin e kishës katolike ndaj këtij problemi shumë të diskutuar dhe shpesh të keqkuptuar.

Veçanërisht, thotë ai autor, “Kush kërkon sot nga meshtarët që të kultivojnë gjuhën apo letërsinë apo historinë, mendoj se bën një gabim ideologjik, sepse risjell një model të para 80 vjetëve në mënyrë akritike në kushtet e sotshme dhe kjo është pura ideologia, përveçse padrejtësi historiografike.”

Dhe kjo pikërisht ngaqë puna e meshtarëve katolikë me gjuhën, në vitet 1920 apo 1930, ka qenë diktuar nga rrethanat e kohës, të cilat sot nuk veprojnë më.

“Unë mendoj”, thotë Meta, se “kisha dhe liturgjia nuk janë tashmë vendi ku duhet kultivuar gjuha” dhe se “kisha katolike [nuk] duhet të marrë në liturgji gegnishten si standard të saj.”

“Thonë që Zoti shkruan drejt në vija të shtrembta, e pse nuk u lëvdoka e u lutka edhe me standardin e 72-shit?” pyet ai.

Më tej akoma, Meta kujdeset që ta ndajë, haptazi dhe qartë, gegnishten nga “zhargoni” katolik, duke vërejtur se “Kultivuesit e gegnishtes duhet të kenë paarsysh që gegnishtja nuk është vetëm ajo që flasin katolikët, por edhe ajo që flitet nga popullsitë myslimane nga Elbasani e sipër e po ashtu edhe ajo e dibranëve ortodoksë të Gollobordës, apo ortodoksëve të Shkodrës.”

Për këto arsye, autori deklaron se është “dakord me vendimin e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për marrjen e standardit të 1972-shit si gjuhën zyrtare të saj.”

Me interes të madh më duket shpjegimi se zgjedhja e një varianti letrar jo-standard, nga ana e kishës katolike për tekstet e saj liturgjike, do të binte ndesh me vetë misionin e kësaj kishe dhe me qëndrimin zyrtar të Vatikanit ndaj kësaj çështjeje; dhe se, nga ana tjetër, nuk mund t’u kërkosh meshtarëve që të merren me kultivimin e gjuhës dhe të historisë.

Jeni ju laikët, thekson dom Gjergj Meta, që i “keni këto sensibilitete ta çoni përpara kauzën e kulturës, e ne duhet të marrim prej jush.”

 

5 Comments

  1. Relapso, nuk di shume gjera per te por kam patur pershtypjen se ajo ka qene pak a shume ne linjen e A. Vehbiut per vendin dhe raportet e standardit me dialektet dhe versionet e tyre letrare. Te pakten keshtu me eshte dukur mua (dhe me siguri kete pershtypje e kam krijuar nga gjesendi e shkruar prej saj) dhe dua te besoj se nuk duhet pasur nje barre mend per te gjetur pozicionin me te pranueshem ne kete diskutim. Po qe se nuk eshte keshtu atehere duhet nxjerre perfundimi se shume vete nuk jane ne pozicionin qe duhet te ishin, se nje prift p.sh. mund t’i mbante nje leksion te mire akademise per çeshtjet e gjuhesise se sotme, por edhe se nje akademik (e) nuk do te ndihej keq duke ligjeruar me gjuhen e Buzukut pas nje altari modest ne Babrru.

    1. Lyss, une jam dakord me Dom Gjergjin dhe me Konferencen Ipeshkvnore te Shqiperise.

      Çudia ime mbi çudine tende ka te beje me faktin se nuk ka asgje te re ne qendrimin e Ledi Shamkut. Ajo vazhdon te jete koherente me ç’ka shkruar e ç’ka thene deri me sot. Me fjale te tjera, pershtypja jote mbi te eshte e gabuar.

Comments are closed.