TRENI I ËNDRRAVE

Kam bindjen se, herë pas here, në media shfaqen lajme që vijnë, ose nga e kaluara, ose nga e ardhmja. Në kuptimin që vijnë nga një realitet i mëparshëm, ta zëmë 100 vjet para, ose i mëpasshëm, ta zëmë 100 mbrapa. Përndryshe në ditët e sotme, disa njoftime nuk kanë kurrfarë kuptimi.

Para pak kohësh, u botua lajmi për daljen nga shinat e një treni në Shqipëri. Shkaku? Amortizimi i hekurudhës. Lajmi u shoqërua me fotografi elokuente, por që nuk e bindën lexuesin për aktualitetin e lajmit. Përkundrazi, përforcuan bindjen se lajmi vinte ose nga e kaluara e largët, ose nga e ardhmja, për sa kohë disa dinamika janë të pashpjegueshme e kontradiktore.

Titulli “Del nga shinat treni Shkodër-Tiranë shkak, amortizimi i hekurudhës” (Shqiptarja, 5 mars 2016) e befason lexuesin. Paska linjë hekurudhore sot në Shqipëri? Shkodra qenka e lidhur me Tiranën me rrjet hekurudhor? Fotografitë flasin qartë: ose është linjë e shekujve të kaluar, ose është linjë e muzeifikuar, nga ato trenat që përdoren për turistët, për të përjetuar të kaluarën e largët. Si gjithnjë paralel me trenin parahistorik udhëton si shigjetë treni i llojit Maglev, pa binarë, pa prekur shinat, me levitacion magnetik.

treni-shqiptar

Treni që doli nga shinat – Foto “Shqiptarja”, 5 mars 2016

Pyetja tjetër nuk ka kohë t’i vijë ndër mend lexuesit, sepse përgjigjen e gjen në rreshtat vijuese. “Treni i pasagjereve që vinte nga Shkodra dhe udhëtonte në drejtim të Tiranës, ka dalë sot nga shinat”, thotë shkrimi. D.m.th. nuk paska qenë tren mallrash, por udhëtarësh. Po pse, paska udhëtarë sot që përdorin linjën hekurudhore për t’u zhvendosur nga një qytet në tjetrin? E pabesueshme. Mos është lajm nga vitet gjashtëdhjetë? Apo nga vitet tremijë?

Më tej gazetari njofton se ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Laç dhe fatmirësisht nuk paska pasur persona të plagosur. Lexuesi e përfytyron stacionin e Laçit me drita vezulluese, të mbushur me shitore moderne, restorante, lokale dhe ekrane ultra të sheshta, që transmetojnë vazhdimisht reklama joshëse. Biznesmenë me kostum firmato e vajza me fustan firmato, të gjithë me valixhe firmato, që lëvizin me hap shpejtë mes kioskash me gazeta e bizhuteri, ndërkohë që makinat luksoze i presin me padurim jashtë stacionit. Tabelat supermoderne e orareve të trenave, me drita Led të këndshme, lëvizin me shpejtësi duke i dhënë ritmin pasagjerëve dhe trenave njëkohësisht.

Altoparlantët modernë kërkojnë, me cilësi të lartë zëri, madje në shumë gjuhë, ndjesë për “problemin teknik” të porsa ndodhur në linjën super të shpejtë Vermosh-Konispol. “Si pasojë e daljes nga shinat,  gjatë gjithë ditës kjo linjë hekurudhore ka mbetur e bllokuar dhe nuk ka lëvizur asnjë lloj treni, pasagjerësh apo mallrash”. Lexuesi përfytyron sërish mijëra trenat që presin të heshtur nëpër platforma me arkitekturë futuriste, ose mes pllajash me lule shumëngjyrëshe të pazbuluara ende. Pasagjerët kontrollojnë ethshëm itineraret alternative ose kanalet televizive personale nga celularët hiperinteligjentë.

Lexuesi mëson se në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e hekurudhave. E kap një qetësi e brendshme e llojit zen. Kanë ardhur të gjithë në vendngjarje, me shpejtësi supersonike. Drejtori rajonal dhe i përgjithshëm i hekurudhave. I kanë hipur trenit të parë dhe kanë ardhur në vendin e aksidentit. Efiçencë maksimale. “Gjatë gjithë ditës – thotë gazetari – ka vazhduar puna për vendosjen e trenit në shina një punë kjo mjaft e vështire për arsye të peshës së madhe të lokomotivës si dhe amortizimit të tejskajshëm të linjës hekurudhore”.

Dy janë mundësitë. Ose ky lajm vjen me vonesë dhjetëra vjeçare, sepse nuk ka mundësi që lokomotiva e trena të tillë të jenë në qarkullim sot, e nuk ka mundësi gjithashtu që pesha e lokomotivës të konsiderohet si problem, aq më tepër i pakapërcyeshëm. (Po pse me krahë e ngrenë lokomotivën?). Në këtë rast ka tipa të zellshëm, që përveshin mëngët, por ka edhe nga ata që i fusin duart në xhep dhe japin leksione: “Kape tek rrota, futi levën poshtë, ngrije pak… Duhet vinç…”. Por është edhe ai që gjen momentin për të bërë batutën më idiote: “Iu shfrynë gomat trenit!” dhe qesh me zë të trashë. Pastaj del drejtuesi i trenit, i cili pasi hedh bishtin e cigares në tokë, thotë:  “Çuna, zbrisni pak se ka dalë nga shinat, ta ngremë e ta zhvendosim pak. Hopa!”.

Përndryshe mbetet mundësia tjetër, pra që lajmi vjen shumë dekada më shpejt. Pas një restaurimi disavjeçar u rregullua hekurudha e shekullit XIX dhe një lokomotivë që funksionon ende me naftë, karburant që nuk përdoret prej dhjetëvjeçarësh për arsye mjedisore. Treni do të përdoret për arsye didaktike e turistike. Nxënësit do të mësojnë historinë e dikurshme, kurse turistët do të provojnë drithërimat emotive të udhëtimit me 8 km në orë mbi një tren që prek shinat.

Lexuesi i pranon të gjitha mundësitë, por jo që treni i lajmit të jetë në qarkullim në Shqipërinë e sotme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin