QYTETARË NË MËSYMJE (I)

Këto ditë lexova librin me kujtime “Guri i fundit i dominos[ë]”, nga Ilir Demalia (Botimet Barleti, 2015), ku rrëfehen – nga këndvështrimi i një pjesëmarrësi aktiv dhe ndonjëherë protagonisti – ngjarjet e turbullta në gjysmën e parë të 1990-ës, të cilat u mbyllën pastaj me krizën e ashtuquajtur “të ambasadave”, në qershor-korrik të atij viti.

Ky dokument i çmuar, të cilit i rritet edhe më tej vlera ngaqë autori nuk më rezulton të ketë pretenduar as të ketë synuar më pas të luajë ndonjë rol në jetën politike në Shqipëri, është shtjellim i një libri më të hershëm, “Drejt Perëndimit”, të botuar në vitin 1995. Nuk i vjen lexuesit si apologji, as si mburrje auto-biografike post factum, por si dëshmi nga ato që duhen treguar patjetër, për një periudhë nga më kritiket në kapërcyellin midis shtetit diktatorial të Alisë dhe Shqipërisë që erdhi më pas.

Për shkak të stanjacionit dhe degradimit ekonomik dhe social, vështirësive të gjithanshme të popullsisë dhe paaftësisë së lidershipit komunist për të ofruar zgjidhje dhe perspektiva; por edhe sidomos në kontekstin e rënies së njëpasnjëshme të regjimeve komuniste të Lindjes europiane gjatë vitit 1989, ishte krijuar në Shqipëri një situatë eferveshente, ku të gjithë prisnin që të ndodhte diçka radikale dhe përmbysëse, por ku subversioni i organizuar praktikisht mungonte.

Autori Demalia bënte pjesë, në atë kohë, në një shtresë të rinjsh kryeqytetas antikomunistë të bindur dhe me sy të kthyer nga Perëndimi, të cilët nuk po i druheshin më si më parë represionit brutal nga regjimi. Më shumë se lider i ndonjë lëvizjeje ose zëdhënës i saj, ai funksiononte si termometër i motit politik në Tiranë – duke regjistruar të gjitha lëvizjet e temperaturës sociale.

Me të drejtë, ai shënon në libër se qytetarët politikisht të angazhuar në Shqipëri mund të ndaheshin në tri grupe të mëdha: (1) konservatorët, e përfaqësuar nga garda e vjetër e udhëheqjes dhe komunistët në bazë, të cilët nuk pranonin asnjë lloj reforme dhe distancimi nga vija totalitare; (2) reformistët, ku bënin pjesë një numër i madh intelektualësh, artistësh dhe kuadrosh të Partisë dhe të pushtetit, të cilët për arsye thjesht oportuniste ose ngaqë kërkonin të ruanin pushtetin ose ngaqë e kishin kuptuar se regjimi ekzistues nuk kishte të ardhme, kërkonin kryerjen e shpejtë të reformave, në çdo fushë të jetës publike, sipas udhëzimeve që vinin nga Perëndimi – duke filluar nga njohja e pluralizmit dhe e të drejtave dhe lirive të individit; ky grup i dytë në atë kohë kish shpresa të mëdha tek Presidenti Alia dhe vija e tij “e butë”; (3) antikomunistët, të cilët kërkonin përmbysjen radikale të regjimit dhe të enverizmit dhe denoncimin e menjëhershëm të krimeve të tij të pashembullta, me bindjen se politika e reformistëve nuk synonte veçse të shpëtonte atë çka mund të shpëtohej, duke ua ruajtur pushtetin kastës komuniste të legjitimuar në krye të vendit që pas Luftës II Botërore.

Meqë forca politike më aktive, më kompakte dhe më e organizuar, aso kohe, ishte Sigurimi i Shtetit me degëzimet e veta gjithfarësh dhe praninë kapilare anembanë Shqipërisë, fatet e trazirave politike në vend do të vendoseshin nga strategjia që do të zgjidhte Sigurimi për të reaguar: nëse do të kishte përpjekje të armatosur dhe masakra kundër anti-komunistëve, kjo në analizë të fundit do t’i sillte këta në pushtet, edhe pse me kosto të lartë jetësh; nëse, përkundrazi, Sigurimi do të rreshtohej me reformistët, atëherë do të ishin këta të fundit që do të merrnin pushtetin, siç edhe ndodhi realisht.

Megjithatë, Tirana politike e fillimvitit 1990, siç e përshkruan mirë Demalia, u përkiste ende turmave: njerëzve që dilnin në rrugë, njerëzve që shëtisnin në rrugë, njerëzve që rrinin në rrugë, njerëzve që vinin në rrugë. Vetë prania publike e turmave përfaqësonte një lloj shqiptimi politik vërtet të paartikuluar, por deri atëherë të pashembullt. Këto ishin turma spontane, pa regji dhe drejtim, pa kërkesa të qarta, por me një vetëdije kolektive që po u kristalizohej. Ishin krejt e kundërta e masave të disiplinuara me të cilat ishte mësuar regjimi – ose ato të mitingjeve, tubimeve politike publike, manifestimeve, marshimeve, paradave në Bulevard, koncerteve festive. Sigurimi i Shtetit e kish të vështirë t’i kontrollonte, sepse këto masa njerëzish nuk kishin liderë dhe program, por vetëm një dëshirë “për të bërë diçka”, ose “për të qenë atje, kur kjo diçka të ndodhte.”

Kish një eferveshencë magjike, në Tiranën e muajve të para të 1990-ës, e cila vinte e bëhej edhe më e ndjeshme, përballë heshtjes prej manastiri të institucioneve të pushtetit.

Demalia me të drejtë zgjedh të ndalet te një ngjarje absurde, në kufi të një incidenti surrealist – te ajo demonstratë proteste, që thuhej se pritej të ndodhte në mbrëmjen e 28 janarit 1990 – dhe që për disa mund edhe të shënjonte fillimin e fundit, ose zbythjen totale të regjimit Alia. Megjithëse autori lëviz me lehtësi të madhe nëpër Tiranë, duke kërkuar informacion për ngjarjen e lajmëruar, nuk arrin dot të mësojë asgjë, veç “thuhet, thuhet, thuhet.” Ironikisht, konfirmimin për manifestimin e japin organet e pushtetit, nëpërmjet përfaqësuesve lokalë të “Frontit”, të cilët trokasin derë më derë dhe lajmërojnë familjet që të mos i lejojnë fëmijët të dalin në rrugë, të dielën e 28 janarit 1990, në orën gjashtë të mbrëmjes; duket sikur vetëm Sigurimi i Shtetit ka dijeni për këtë demonstratë, madje sikur këtë edhe synon – të nxjerrë në shesh elementin më të guximshëm, më subversiv, më armiqësor ndaj pushtetit, për ta neutralizuar.

Kjo që përshkruan Demalia, ishte akoma Tirana qytetare, që kishte, te Bulevardi i Madh, aortën e vet; dhe ku xhiroja e mbrëmjes ende funksiononte si procesion i ritualizuar, ku banorët e kryeqytetit dilnin për të parë dhe për t’u parë, dhe tek e fundit për të riprodhuar lidhjet e tyre të qytetarisë, përtej hierarkive politike dhe kastave të imponuara nga regjimi. Në teatrin e madh të qytetit, roli i xhiros ishte edhe të kundërpeshonte, duke ua hequr ngarkesën politike, paradat e mëdha festive, koreografitë e sforcuara të së cilave synonin riprodhimin e pushtetit totalitar. Këtë herë, dukej sikur nga i njëjti material njerëzor, kërkohej diçka e re – protesta e hapur, masive, kundër regjimit, ose zëvendësimi i paradës me anti-paradën.

Për fat – të keq apo të mirë? – asgjë nuk ndodhi; të dy palët studiuan njëra-tjetrën, si në ndeshjen e parë të një turneu të gjatë, por pa rrezikuar gjë, përtej skërmitjeve dhe kërcënimeve.

[vijon]

11 Komente

  1. Ide mjaft e mire paraqitja e nje libri te tille,ne nje kohe si sot kur eshte krijuar pershtypja se gjithnje ka qene keshtu, u ngrysem nen komunizem dhe te nesermen u gdhime me te drejten per te folur e ulerire sipas qejftit. Eshte e vertete, pa ngjarjet e Lindjes asgje nuk do te ndodhte te ne, por megjithate, nuk ishte pune aq e thjeshte.

    Nuk e kam lexuar librin, por nga paraqitja me terheq vemendjen nje fraze per ngjarjen e 28 janarit:
    Ironikisht, konfirmimin për manifestimin e japin organet e pushtetit, nëpërmjet përfaqësuesve lokalë të “Frontit”, të cilët trokasin derë më derë dhe lajmërojnë familjet që të mos i lejojnë fëmijët të dalin në rrugë, të dielën e 28 janarit 1990…

    Ne te vertete (nen rezerven se ka detaje te tjera ne liber) kjo eshte nje ngjarje e rendesishme, per te cilen kam shenimet e mia te po asaj dite dhe eshte njohur si demostrata e heshtur.

    Nuk duhet harruar se kjo ndodhi pas demonstrates se 14 janarit ne Shkoder, qe perfundoi me arrestime te medha sepse ndonese kishte formen e nje manifestimi te heshtur ne nje çast te caktuar u tentua shembja e bustit te Stalinit.
    E verteta eshte se organizat e partise neper lagje dhe perfaqesuesit e Frontit u futen ne loje vetem me pas per te pergenjeshtruar dhe ndaluar daljen ne shesh te popullit te Tiranes sepse qe njoftuar qe te gjithe te dilnin sepse … do te kishte nje koncert te nje dirigjenti turk. Pra njerzit qene lajmeruar te dilnin ne ate qe do te ishte paralajmeruar si nje lloj testi a demonstrate e heshtur, por e duke perligjur para rrezikut per reprezalje me idene se do te shkonin te shihnin koncertin e turkut.

    Keshtu ndodhi qe organizatet e partise ne lagje dhe antaret miltante te frontit te futeshin ne pune e te lajmeronin se ne shesh nuk do te kishte ndonje koncert dirigjeni turk.

    Dolen rreth 3 mije vete (sipas vlersimit tim), por veç Kadarese dhe te shoqes dhe nje numri aktoresh, ra na sy mungesa e intelektualve dhe artisteve te njohur.

    Per mua kjo ngjarje ka qene ajo qe e nxorri friken nga barku i popullit dhe e futi ne ate te pushtetit. Dikur, nga viti 1992 bera edhe nje perpjekje per te gjetur organizuesit e saj dhe madje identifikova edhe disa emra…

    Po ashtu, ne vigjilje te demonstrates se 28 janarit ne Tirane pati shume arrestime (me duket N. Dhalesi e mjaft te tjere) dhe u bastisen nje numer i madh shtepish.

    U zgjata, por ia vlente meqe jemi prane 28 janarit.

  2. Demalia me të drejtë zgjedh të ndalet te një ngjarje absurde, në kufi të një incidenti surrealist… shkruan

    Nëse do të më lejohej, do të kontestoja cilësimet “absurde” dhe “surrealiste”, pavarësisht se e kam të qartë që nuk i ke përdorur me konotacione negative, por thjesht letrareske, meqë nuk është se u derdh gjak a pati përleshje atë pasdite.

    Do i kontestoja ato cilësime, pasi nëse absurditetit është e vështirë t’i gjesh ndonjë “cilësi”, atë mbrëmje duhej sidoqoftë një e tillë: guximi, gatishmëria për t’u kacafytur me policinë, qoftë kjo edhe si energji potenciale, parë që nuk ndodhi asnjë incident.

    Kam qenë vetë aty, me tre shokë të mi, ulur te shatërvani asokohe te sheshi Skënderbej, nga ora 18.00 e deri më 21.00, pak a shumë, e më kujtohet si tani atmosfera e nderë aty, prania e padukshme rreth e përqark e forcave speciale, gati për të mësyrë sapo të ndodhte gjëja më e vogël, si edhe Iliri (Demaliaj), “Syçi”, si ç’e kishte nofkën, kur iu drejtua Kadaresë me zë të lartë, që kaloi edhe ai nga ora 20.00 aty nëpër shesh, kinse për të bërë “xhiron” e përmbrëmshme, ndoshta për të marrë pjesë njëfarësoj edhe ai; vështirë të ftillohet kjo, me fjalët: “Shumë vonë zoti Kadare!”, e kjo më ngjau atëherë e më ngjan edhe sot ca e pahijshme, së pari sepse tjetri po shkonte në punë të tij dhe, për më tepër, në një farë mënyre, po merrte pjesë edhe ai në atë tubim të paralajmëruar, ndonëse dy orë me vonesë.

    Më kujtohet, ca muaj më vonë tani, “Syçi” sërish në ambasadën gjermane, tek identifikohej thuajse vetiu me rolin e protagonistit të 2 korrikut, – tek u bë, pa ia kërkuar njeri ndoshta dhe ca zhurmshëm, – ai që media sot e quan këtë: “fytyra” e atyre ngjarjeve, “strumbullari” si të thuash, fenomen që për ata kërkojnë në histori heroizmin patetik ngjall emocione të ngjashme me përkujtimin e protestave të studentëve në “listat” e pjesëmarrësve, bie fjala, ndërsa për të tjerë, më të esëllt, ku e kam llogaritur gjithnjë edhe veten, që qëmtojnë absurditetin pikërisht në dëshirën për të “udhëhequr” në talentin e lindur të heronjve për të qenë të tillë, ngjall një buzagaz qesëndisës, ndonëse miqësor.

    Pjesëmarrja aktive në ato ngjarje nënkuptonte vetvetiu antikomunizëm, i cili nga ana e tij nuk ka pse të shndërrohet në dashuri për të kundërtën e vet, në pro-kapitalizëm të shfrenuar; ky përskajim ndoshta mund të vihej re te Demalia, ndonëse librin nuk e kam lexuar dhe, natyrisht, e përshëndes.

    Dhe një farë naiviteti në qëmtimin e historisë ndoshta, – e them këtë nisur nga ca intervista tij, të para në ekran, – që, nisur nga mungesa e protagonizmit të mëvonshëm, e deheroizimit të personazhit, si të thuash, – të cilin nuk kam aspak pse ta qëmtoj edhe më hollë, përkundrazi.

    1. …“Syçi”, si ç’e kishte nofkën, kur iu drejtua Kadaresë me zë të lartë, që kaloi edhe ai nga ora 20.00 aty nëpër shesh, kinse për të bërë “xhiron” e përmbrëmshme, ndoshta për të marrë pjesë njëfarësoj edhe ai; vështirë të ftillohet kjo, me fjalët: “Shumë vonë zoti Kadare!”

      Arb, do te qe gjynah ta reduktonim edhe kete teme te Kadareja, por nuk di si arriti Suçi ne ate perfundim, mbase ajo ka qene xhiroja e tij e trete, sepse ne ora 18.15 ai ka kaluar se pari perpara Galerise se Arteve dhe per kete kam deshmitare te pakten nja pese gjashte vete.
      E verteta eshte se prania e tij entuziazmoi shume vete dhe i siguroi se ajo qe mendonin ata se brendeshmi nuk qe diçka e keqe,se ashtu mendonin edhe plot te tjere, se ashtu mendonte edhe nje e personalitet i tille si Kadareja. Duhet t’i vendsim gjerat ne kohe, per t’i kuptuar me mire.
      Nese termi komunion ka nje kuptim shpirteror, mendoj se ne ate dite ka ndodhur diçka e tille, qe nuk u perserit me.

      1. Kadarenë nuk e përmenda për hir të atij vetë, të kuptohemi, por për të përshkruar autorin e librit dhe qëndrimin e tij asokohe, meqë analiza e Xhaxhait i kushtohet librit të “Syçit”. Episodi, por edhe intervista të mëvonshme të Ilirit, tregon/jnë se këndvështrimi i tij nuk përputhet patjetër me atë të gjithë pjesëmarrësve, siç e shoh që edhe nuk përpuqet me tëndin.

  3. Arrestime dhe rapresalje të tjera mund të ketë pasur, pas 28 janarit – por fakti mbetet, nga sa kam kuptuar prej librit dhe dëshmive të tjera – se askush nuk i ka dalë zot asaj proteste të heshtur; askush nuk ka thënë “po, e organizuam ne, për këtë qëllim”; dhe se të gjithë e kishin dëgjuar këtë punë nga dikush tjetër dhe se, po t’i ndiqje këto fjalë të përcjella dora-dorës, burimi do të rezultonte po ai – punëtorët e Frontit, ose vetë Sigurimi i Shtetit. Prandaj nuk mund të përjashtohet mundësia që Sigurimi vetë të ketë hapur fjalë për këtë demonstratë, për të identifikuar dhe goditur elementin rebel dhe subversiv në Tiranë. Shumë njerëz dolën atëherë në shesh nga kurioziteti, për të parë se çfarë do të ndodhte pikërisht – dhe në fakt nuk ndodhi asgjë. Të thuash se ky ishte efekti i dëshiruar nga protestuesit është si t’i shtosh një notë surreale ngjarjes; ekuivalente me kompozimin 4:33 të John Cage, ku nuk luhet asgjë. E them këtë sepse sheshi Skënderbej, në orën kur thuhej se do të organizohej protesta, ishte zakonisht me njerëz, madje edhe në pikë të dimrit; dhe se nuk kish nevojë të organizohej ndonjë dalje, në një vend ku të gjithë dilnin. Prandaj unë dyshoj fort se ajo protestë që nuk ndodhi ka qenë e kurdisur – dhe se i vetmi gjest spontan, i qytetarëve të Tiranës, ka qenë që nuk ranë në kurth.

    1. Nuk ndaj të njëjtin mendim me ty që “nuk ndodhi asgjë”.

      Ndodhi diçka, pavarësisht se nuk pati incidente. Ndodhi diçka në një rrafsh tjetër, në atë të kurajës, të treguarit e muskujve, si të thuash. Dhe nuk është se nuk kishte plan: plani ishte të rrëzohej ndonjë statujë a bust, kësaj radhe në Tiranë, meqë diçka e tillë kishte ngjarë edhe në Shkodër. Mungesa e organizimit nuk dëshmon doemos të kundërtën e tij, sajimin, si ç’nënkupton ti të kësaj ngjarje pa ndodhi, nga organet e Sigurimit; kjo më ngjan vetëm një hipotezë e mundshme, po aq e pavërtetueshme sa edhe organizimi nga pala e kundërt. Nëse do të kishte qenë ashtu, e organizuar vërtet nga hafijet, ma do mendja se do e kishim hasur si të tillë në dossier-ët e në kujtimet e pafund të Ramiz Alisë, Hekuran Isait, Simon Stefanit e gjithë Pilatëve të kësaj bote.

      Vetë do e krahasoja ndoshta me peshimin e boksierëve para një ndeshjeje; palët paraqiten në publik e megjithatë nuk ndodh asgjë në kuptimin e kacafytjes, përleshjes, por e tëra është sidoqoftë një “event”, ndonëse kundërshtarët nuk rrihen me njëri-tjetrin; është konferenca për shtyp, si të thuash.

      Përndryshe nuk ka se si të shpjegohet mbresa në kujtesën kolektive e kësaj “pangjarjeje”, gjë që nuk mund të thuhet për kompozimin e Cage-t, i cili nuk lë të tilla, përshtypje pra e nuk ka, në këtë sens, impakt; është dehistorik për nga vetë natyra e tij.

      Ndaj edhe nuk do të përdorja cilësimin “surreal”, veç në qoftë se jeta ime, burgu potencial, rrahja me policinë, pavarësisht se të munguara do të kishin qenë të tilla, surreale pra, e kjo do të më kishte ngjarë cinike, po të kishte ndodhur vërtet ashtu e të emërtohej ashtu në një kohë të dytë.

    2. ….burimi do të rezultonte po ai – punëtorët e Frontit, ose vetë Sigurimi i Shtetit…

      Xhaxha eshte viti ’90, Çaushesku eshte shkuar ne plumb dhe Berlini ka rene.Sigurimi nuk eshte me ne pozicion force qe te beje sprova te tilla. Ne origjine te kesaj pune ishte nje dore djemsh nga ata qe disa i quanin “alabake”, por vetem ata ishin gati te rrezikonin ne ate kohe. Te tjeret as hunden nuk e nxorren ate dite, qe duhet kujtuar se ishte janar dhe zakonisht nuk kishte me “xhiro” por aty ketu endeshin grupe te ralla te rinjsh. Ate dite gjithçka ndryshoi, u be xhiro, por nuk qe e veshtire te shihje midis njerzve edhe individe me kostume gri qu u vareshin te shpatullat, kobure mbas bythes, qe as perpiqeshin ta fshihnin dhe me kepuce ushtarake ne kembe. Ishte nje dite me te vertete e jashzakoneshme, plot eferveshence, pasion e shprese qe ngrinte koken sepse deri ate çast lajmet e tjera kishin te benin me ekzekutime te verteta te rinjsh qe perpiqeshin te kalonin kufirin.

  4. Natyrisht, kur them që “nuk ndodhi asgjë” kam parasysh vetë protestën e organizuar – jo rapresaljet që kish ndërmend të bënte Sigurimi dhe që i bëri.

    U mblodhën disa njerëz në një vend ku njerëz ka pasur gjithnjë; nuk pati as parulla as fjalime as konfrontime të mëdha me policinë; pati një përqendrim të forcave të rendit, sikurse ishte lajmëruar më parë.

    Edhe Kadareja që u shfaq aty, nuk përbën lajm, sepse Kadareja me të shoqen e bënin çdo natë xhiron në Tiranë, dhe kalonin pikërisht te sheshi, për t’u kthyer në shtëpi.

    Tani, nëse të kuptoj mirë, ti thua që qytetarët e sfiduan “porosinë” e Sigurimit për të mos dalë në shesh, dhe kjo në vetvete ishte diçka. Unë mendoj se kaq nuk mjafton.

    Sa për ata që u arrestuan më pas, këtë Sigurimi dhe Pushteti do ta kenë pasur në plan – dhe plani i tyre ishte që gjithnjë ta mbanin zemërimin e njerëzve në kontroll, duke neutralizuar më të pabindurit, ose duke u dhënë shembuj të tjerëve.

    Gjithnjë besoj se kjo ishte edhe arsyeja e “organizimit” psy-op të asaj proteste, në një Tiranë që ziente prej javësh dhe që e kërkonte protestën.

    Ideja në këtë rast do të ketë qenë: më mirë ta bëjmë NE, se ta bëjnë ATA.

    Unë e kuptoj se ti ke një këndështrim tjetër për këtë ngjarje, meqë e ke provuar dhunën e Sigurimit në kurriz. Por, ngaqë edhe kanë kaluar shumë vjet, më lejo të të kujtoj një tregim të Borgesit: “El jardín de senderos que se bifurcan”, ku një person e vrasin vetëm e vetëm ngaqë ai quhej Albert – nëse nuk më ka lënë kujtesa – dhe që lajmi se u vra një Albert të dilte në gazetë, për t’u treguar britanikëve se ku gjendej një repart artilerie…

    Disa gjeste, dua të them, kanë natyrë ekzemplare dhe vetëm ashtu mund të kuptohen.

    1. Ka të ngjarë që të jetë ashtu si ç’thua ti, por ma do mendja se duke sjellë me vete cilësinë e dëshmitarit, të jem më autentik në bindjen time, ndërkohë që ti operon nga pozita të tjera.

      Sidoqoftë do të vija bast që ose nuk ke qenë atëbotë në Tiranë, ose nuk je i mirëinformuar për “atmosferën” e asaj kohe, e cila, nga ana tjetër, është vështirë të përshkruhet kësisoj, pasi ka qenë eterike e goxha e fragmentuar.

      Po kontestoja thjesht mëshimin nga ana jote të një hipoteze të pavërtetueshme, të pavërtetuar, ndërkohë që ndjesitë e jo arsyeja më sugjerojnë fort që ka qenë pikërisht e kundërta, hipoteza e përkundërt me një fjalë; që qenë të pakënaqurit me regjimin që e organizuan, si të thuash, pa e organizuar atë protestë.

      Ndërsa për Kadarenë; ashtu siç ma vërteton Lyss ca më sipër, duke qenë se asokohe të tëra “figurat”, personalitetet, e bënin edhe ata shëtitjen e mbrëmjes dhe u binte të kalonin pak a shumë të kalonin aty, të gjendeshin, – ose më mirë: po të donin mund të ishin shfaqur në njëfarë mënyre, por ja që nuk e bënë, – me një logjikë të thjeshtë edhe ky me të shoqen do të kishin patur goxha alibi për të mos kaluar aty, se sa për të kaluar. Nëse kaluan rastësisht a me qëllim, apo u binte rruga andej, unë këtë nuk e di dhe fundja nuk është se më intereson medoemos ta vërtetoj pas kaq kohësh, megjithëse mund të përmendja këtu ikjen e atij vetë pas ca muajsh si argument.

      Ka patur shumë nga ata intelektualë, që më vonë, pasi e pati ngrënë qeni qepën, u bënë papritur demokratë të flaktë, porse edhe analistë pas të vjelave, që në të vërtetë thjesht nuk treguan këllqe, nuk ua mbante, porse prisnin që gështenjat t’i nxirrnin nga zjarri të tjerët. Këtu nuk ka asgjë për të qortuar, pasi guximin për t’u rrahur e për të përfunduar ndoshta qelive, nuk ke se si e kërkon nga të tjerët pa ia provuar vetes më parë.

      Tjetër gjë është të qëmtosh rrafshet estetike borhesiane e shumë më ndryshe leximi i dhimbjes së shkruar me shkop gome në kurriz; sheshi nuk është bibliotekë e as biblioteka shesh.

      Borhesi ka shkruar edhe për të burgosur e tigra, por hajde t’ia tregosh leximin e larave të lëkurës dikujt që ka qenë në Burrel; të lexosh e të vuash nuk është e njëjta gjë.

      Nuk është me patjetër kjo që po thoje ti, por po e përmend thjesht në vazhdë të bisedës si një konotacion më shumë, asgjë tjetër.

      1. Atë natë kam qenë në Tiranë – isha nisur për të dalë në shesh, kur mu tek ambasada e Kubës takova një shokun tim, G.Ç., i cili po kthehej që andej, me vajzën e vogël kalaqafë; dhe na tha, mos shkoni kot se nuk ia vlen, atje nuk ka asgjë. Me kaq u ezaurua për mua ai moment.

        Sa për Borges-in që përmenda – një nga funksionet e letërsisë dhe të artit në përgjithësi është të na ndihmojnë për të kuptuar botën; dhe aq më e fortë është kjo për mua, që nuk u thërres ndonjëherë për ndihmë shkrimeve të shenjta.

        Dhe ta solla si shembull, sepse mund të ketë ndodhur që ty të të kenë rrahur kot, ose sa për t’u dhënë një shembull të tjerëve, ose edhe të të ketë rrahur një polic, për t’u dukur para shefit të vet… Gjërat që na ndodhin janë historike për ne, por mund të jenë thjesht metafora për dikë tjetër. Dhe më ndje, nëse po tregohem shpirtkazmë këtu: por e vërteta është se kështu mendoj.

        Madje ka qenë tipike, për totalitarizmin, që ta ushtronte dhunën në mënyrë të tillë, ekzemplare, simbolike – ose të shpërpjesëtuar me “fajin”; siç u veprua në Tiranë me pushkatimet për bombën në ambasadën sovjetike, dhe me dhjetëra e qindra herë të tjera më pas.

        Një nga shprehjet më zakonshme ka qenë aso kohe: “iku për dhjamë qeni”, ose “e hëngri kot.” Kjo është pikërisht situata që e algjebrizon, në mënyrë perfekte, tregimi i Borges-it.

        1. Mua nuk më ka rrahur njeri, por kam të njohur e të panjohur që janë telendisur si mos më keq.
          Nuk mund të nisesh nga fiksioni, mendoj, për të shpjeguar historinë; ndoshta mund të ishte kjo vetë një pikënisje për të qëmtuar fiksionin historik, por për këtë nuk jam i sigurt.

          Dua të them se nëse ti ulesh e shkruan letërsi për këtë ngjarje e ma rrëfen kësisoj, që kinse Sigurimi e paska organizuar vetë atë grumbullim, do të kishte shumë të ngjarë të të përgëzoja. Gjë që nuk mund ta bëj për një ngjarje historike.

          Kam përshtypjen pra se ti ngatërron rrafshet, megjithëse të shkruarit për librin e Demaliajt është në vetvete njëfarë fiksioni, meqenëse bëhet fjalë për tretësirën e një tretësire tjetër, hollim dyfarësh, si të thuash, diçka si homëopati.

          Mirëpo me të tilla tretësira nuk mund të kurohen plagë të tilla historike si diktatura, aq më tepër që ajo nuk mbyllur ende si ç’duhet, nuk është tharë akoma.

          Më ngjan gjithashtu – e kjo më bëhet se është pika, nyja për të cilën po flasim kithët, – se ti e shikon historinë si të tillë si forcë racionale, të llogaritshme e të analizueshme kësisoj; vetë e shoh ndryshe.

          Në këtë sens, duke e përftuar si të rrokshme, ti nisesh pikërisht nga aksioma profetike, ndonëse po flasim për diçka që tashmë ka ndodhur, për post-profeci, si të thuash.

          Vetë e shoh rezultanten historike si një forcë të verbër, vullneti i së cilës nuk mund mposhtet vetëm me logjikë e fiksion, përndryshe do të mund të parashihnim (passhihnim) edhe çdo përplasje të mundshme si luftrat e katastrofat, bie fjala.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin