NGA GJENDJA CIVILE NË EKZORCIZËM

Se kush ka qenë i pari që filloi ta quajë kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, dje kryetar të opozitës dhe më parë akoma kryebashkiak të Tiranës dhe dikur edhe ministër Kulture i qeverisë Nano – se kush e filloi i pari ta quajë Edvin Kristaq Rama, këtë unë s’e gjej dot, edhe pse intuita ma thotë që sajesa ka dalë nga e njëjta oficinë ku kanë dalë edhe marifete të tjera retorike, në adresë të këtij politikani – dhe pikërisht nga goja e kundërshtarit të tij epik, Sali Berishës.

Çfarë mund të them, përkundrazi, është se ky emër tri-pjesësh, që i kundërvihet emrit Edi Rama, atij me të cilin kryeministrin e njeh dhe e quan publiku, është shndërruar tashmë në një fjalë-kod a shibboleth, për një pjesë të diskursit agresiv të së djathtës populiste në Shqipëri dhe disa dajrexhinj të kësaj së djathte jashtë Shqipërisë; në kuptimin që do të mjaftojë përmendja e këtij emri, Edvin Kristaq Rama, nga një podium publik çfarëdo, për t’i identifikuar folësit a autorët si ndjekës të një politike të caktuar dhe ithtarë të një diskursi politik të caktuar, ku retorika – shpesh bajate – ia ka zënë vendin argumentit.

Fakt është se Sali Berisha vazhdon sot e kësaj dite ta përdorë këtë “armë” diskursive, siç mund ta verifikojë kushdo duke ia hedhur një sy faqes përkatëse në FB; dhe se një kërkim i thjeshtë në Google do të mjaftonte, për të parë se Berisha nuk është i vetmi që ende beson në fuqinë vrastare të kësaj arme. Që këtej edhe një përpjekje imja, në vijim, për të shpjeguar si funksion kjo figurë retorike, brenda ligjërimit politik shqip.

Nga EdiEdvin

Para edhe shndërrimit të një emri të zakonshëm dy-pjesësh, në një krijesë burokratike tri-segmentore, si Edvin Kristaq Rama (tash e tutje EKR), publikut i është hedhur për konsum shndërrimi tjetër, i formës familjare Edi, në një formë jo dhe aq familjare si Edvin.

Meqë Edi, si formë e shkurtuar e një emri të përveçëm, mund t’u përgjigjet disa emrave njëherësh, si Eduard, Edison, Edmond, etj., atëherë statusi i këtij shkurtimi vjen dhe bëhet i pavarur, aq sa të zëvendësojë formën e plotë; dhe në fakt shumë njerëz, sidomos ata që e kanë njohur Ramën që para se ky t’i futej politikës, gjithnjë e kanë njohur si Edi, shkurtim që sjell me vete dhe një mënyrë karakteristike të komunikimit me tjetrin, komunikim që lejon deri-diku familiaritetin, por edhe parakupton një lloj moderniteti në qenie, sa kohë që Edi nuk është emër tradicional shqiptar, as mund t’i bashkëlidhet lehtë ndonjë feje; por vjen dhe përfaqëson frymën e re, laike, të masave qytetare të periudhës së Pavarësisë dhe më pas asaj të Pasçlirimit.

Përkundrazi, roli i Edvin, në këtë proces zëvendësimi, është që ta jetërsojë Edi-n, duke sjellë me vete të panjohurën; pse Edvin është emër relativisht i rrallë, dhe për më tepër “i huaj”; dhe sidomos, sepse Edvin do të dëshmonte, për ata që e përmendin, se Edi ka dashur ta maskojë identitetin e vet, duke e mbuluar snobizmin e Edvin-it me familjaritetin e emrit të ri, të shkurtër dhe të pa-ankorueshëm.

Më tej akoma, duke u sjellë në diskursin politik si emër alternativ, Edvin-i vjen dhe shënjon Edi Ramën (tash e tutje ER) ashtu si i shfaqet ky së djathtës berishiane; madje ashtu si duhet t’i shfaqet ky kësaj së djathte; në kuptimin që, edhe te ndërrimi i thjeshtë nga EdiEdvin do të gjejmë një program politik, së paku taktik, të qasjes së berishizmit ndaj opozitës dhe figurave të saj; dhe që rrënjët i ka tek jetërsimi i këtyre të fundit, nëpërmjet edhe karikaturizimit retorik.

Është sikur ky lloj dikursi t’u thoshte kundërshtarëve: Edi është juaji dhe mbajeni fort; ne kemi zbuluar prapa tij Edvin-in, dhe ky është për ne ai “i vërteti”, ose ai që fshihet pas Edit

Dosjet, dhe jo vetëm të gjendjes civile

Të thirrurit e dikujt me një emër tri-pjesësh, duke ndërkallur atësinë midis emrit dhe mbiemrit, karakterizon diskursin formal burokratik të gjendjes civile, certifikatave, zyrave të kuadrit, dokumenteve të hetuesisë dhe të gjykatës dhe, më tej akoma, dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe të Arkivit të KQ të PPSh-së.

Emri tri-pjesësh shërben kështu jo vetëm si identifikues unik i një personi, ose si një letërnjoftim diskursiv, por edhe si shenjë dalluese e një diskursi burokratik, të themi edhe shtetëror; çka parakupton edhe një farë autoriteti ligjor, që i bashkëlidhet pashmangshëm personit që e përdor këtë emër, sidomos kur ky e ka tashmë një post të lartë në hierarkitë shtetërore.

Duke e thirrur kundërshtarin e vet politik me emrin tri-pjesësh, duke e shqiptuar sintagmën Edvin Kristaq Rama në mjediset politike publike dhe në kontekstet institucionale më të larta të shtetit, si në Parlament dhe në Këshillin e Ministrave, Sali Berisha (tash e tutje SB) dashur pa dashur e ka parë veten në rolin e gjykatësit, ose të priftit institucional publik, që i flet tjetrit nga lart poshtë dhe trupëzon, në diskursin e vet, diskursin e shtetit; duke lënë të kuptohet, qoftë edhe veç me intuitë, se personi që e quan ER-në kështu, është edhe personi që është njohur me dosjet e tij, certifikatat penale, deponimet dhe denoncimet; ose që e ka parë historinë e qytetarit ER nga pozicioni i privilegjiuar i atij që komandon të gjitha pasqyrat, dylbitë dhe teleskopët e panoptikon-it shtetëror.

Emri Edvin Kristaq Rama është ekuivalent i fotos që të bën policia në momentin e arrestimit, ose kur ti kalon nga hapësira e lirisë në hapësirën e robërimit: jo aq identifikues i personit, sesa dëshmi që personi në fjalë është përfshirë tashmë në mekanizmat hetuese dhe rend-ruajtëse të shtetit; duke sinjalizuar njëkohësisht se ata që e përdorin janë në dijeni të një informacioni ende privat, ende të rezervuar, por që një ditë mund të bëhet publik.

Emri i demonit

Ka edhe një aspekt tjetër, gati zbavitës, te entuziazmi me të cilin SB-ja e thërret kundërshtarin e vet në publik me emrin tri-pjesësh, të nxjerrë nga tekstet me natyrë dokumentare – pse ky është entuziazmi i kujt jo vetëm është në zotërim të informacionit sekret, të rezervuar, të ndaluar; por edhe në gjendje që ta bëjë këtë informacion publik, ose ta shkatërrojë dukjen duke e nxjerrë në dritë thelbin; njëlloj si ai ekzorcisti që e detyron demonin të shfaqet në krejt shëmtinë e vet të frikshme, duke e thirrur me emrin e vërtetë.

Në fakt, ka gjithnjë një element magjik, te kjo mani për të zbuluar të vërtetën duke gërmuar; i njëjti element që nxjerr krye në veprimtari që përndryshe pak gjë kanë të përbashkët mes tyre, si psikanaliza dhe kërkimi i thesareve; dhe ky element mbështetet në premisën që e vërteta është gjithnjë e fshehur dhe duhet zbuluar; dhe se ai që e zbulon këtë të vërtetë fiton vetvetiu pushtet ndaj kujt zbulohet, demaskohet dhe përfushet; ose kujt e humbet dukjen e vet.

Prandaj edhe, kur e sheh SB-në dhe ndjekësit e vet, të dalin në podiume dhe të shqiptojnë, jo pa një farë solemniteti, emrin Edvin Kristaq Rama, nuk e shmang dot përshtypjen se je i pranishëm në një akt ritual ekzorcizmi, që synon pastrimin e publikut tënd nga ndikimi i kobshëm i “atij tjetrit”, i atij që është ashtu siç nuk duket dhe që duket ashtu siç nuk është; dhe që, në analizë të fundit, nuk është veçse një metaforë, sado e artikuluar, për Qoftëlargun.

Ky është edhe komponenti thjesht magjik-religjioz, në diskursin politik të SB-së; i cili tipikisht shfaqet në forma paranoide, të mbështetura në lojën kinse dialektike midis thelbit dhe dukjes, së vërtetës dhe rrenës, emrit dhe sendit.

Patronimi

Përndryshe, peshën kryesore konotative në sintagmën Edvin Kristaq Rama e mban patronimi Kristaq – i cili i referohet babait të ER-së, skulptorit Kristaq Rama, përndryshe personazh i përhershëm i diatribave të përsëritura të SB-së, i paraqitur prej këtij të fundit si çelësi që shpjegon besnikëritë politike të kryeministrit të sotëm dhe lidhjet e tij të shumëfishta me nomenklaturën komuniste dhe “bllokun”.

Edhe pse i elitës kulturore të periudhës totalitare dhe i zgjedhur a i emëruar në një numër institucionesh me natyrë edhe politike, Kristaq Rama nuk ka qenë gjë i brendshëm i klikës politike të Hoxhës; nëse duam vërtet të merremi me kësi punësh, do të na duhet të konstatojmë, jo pa ironi, se SB-ja, si mjek i besuar i udhëheqjes i atashuar pranë Klinikës Speciale, ka qenë më i brendshëm se Rama senior; më shumë në kontakt me kupolën dhe më i komprometuar me të – qoftë edhe thjesht për shkak të prejardhjes së tij si “i jashtëm.”

Megjithatë, SB-ja ka treguar, vitet e fundit, një obsesion të çuditshëm me disa figura të së kaluarës së ER-së, duke përfshirë këtu edhe Spiro Kolekën, me të cilën kryeministri i tanishëm ka një lidhje familjare jo dhe aq të ngushtë; dhe brenda këtij obsesioni, Kristaq Rama zë vend qendror.

Arsyet e këtij budallallëku – sepse nuk e quan dot ndryshe – janë të shumëfishta. Kanë të bëjnë, mes të tjerash, me faktin që SB-ja me siguri do ta ketë njohur Kristaq Ramën në vitet 1980 dhe do ta ketë identifikuar, atëherë dhe më vonë, si të “brezit të vet”; çfarë do të thotë se, në marrëdhëniet me ER-në, ai e konstituon rolin e vet si të një brezi më të vjetër, të cilit i përkiste edhe babai i ER-së; pra duke i thënë kryeministrit të sotëm se “unë jam (fare mirë mund të isha) babai yt”[1], çka mund të tingëllojë qesharake madje edhe pak absurde, sikur të shpërfillnim faktin që duke e paraqitur veten si të shtresës së baballarëve, SB-ja vendos një marrëdhënie vertikale, ose hierarkike, me kundërshtarin e vet; gjithë duke i kujtuar atij, dhe krejt publikut që ia dëgjon fjalën, se SB-ja ishte pikërisht njeriu që “ia solli demokracinë Shqipërisë” duke e përmbysur pushtetin “komunist” të njerëzve të sërës së “Kristaqit”; pra duke i mëshuar fitores së tij, sado imagjinare, ndaj një brezi tashmë të perënduar; për të kundërpeshuar mundësinë, dhe më pas edhe realitetin, e disfatës së tij përballë bijve të “Kristaqit” – ose duke ia hapur vetë gropën vetes, metaforikisht.

SB-së kushedi i intereson veçanërisht edhe konotacioni specifik i emrit Kristaq, në sytë dhe në veshët e një segmenti të publikut brenda dhe jashtë Shqipërisë, publik që përbën edhe bazën elektorale dhe politike të pushtetit të SB-së vetë. Në fakt, Kristaq është emër haptazi i krishterë, që u referohet ortodoksisë shqiptare, Jugut të Shqipërisë, madje për disa edhe vllehëve ose “shqipfolësve” të kamufluar si shqiptarë safí dhe më në fund “grekut”, si armikun arketipal të shqiptarit; pra Kristaq, si patronim dhe pjesë e emrit që ka zbuluar SB-ja, do të shërbente si çelësi për të depërtuar në natyrën jo-mirëfilli-shqiptare (anti-shqiptare?) ose “tradhtare” të ER-së; sikurse e provon pastaj edhe mllefi i atyre falangave ekstreme, që ndjekin PD-në e SB-së brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe që nuk i konsiderojnë as ortodoksët shqiptarë, dhe ndonjëherë as toskët vetë, si pjesëmarrës me të drejta të plota të projektit kombëtar; madje ndonjëherë duke u shtyrë deri atje, sa të zbulojnë dorën joshqiptare të “vllahut” prapa krerëve të së majtës shqiptare dhe politikave përkatëse.

Kësisoj, në gojën publike të SB-së, Kristaq bën publike atë që emri Edi, i higjenizuar nëpërmjet shkurtimit nga të gjitha aluzionet e përkatësive lokale dhe sektare, do të kish dashur ta mbante të fshehtë; dhe pikërisht pjesshmërinë fisnore-krahinore të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, i cili nuk e ka kodin gjenetik “të denjë” për të përfaqësuar shqiptarinë – ose atë shqiptari që gjen te SB-ja flamurtarin dhe profetin.

Unë të psikanalizoj

Vështirë të thuash nëse SB-së dhe ideologëve dhe fjalim-shkruesve të tij i ka shkuar në mendje që Edi, si emër, mund të jetë edhe shkurtim i Edip; ose i një fjalëkyçi të psikanalizës, art ky të cilit shumë prej nesh, përfshi këtu edhe SB-në vetë, i janë qasur vonë dhe së jashtmi, në mos me dorë të rëndë.

Fakti është që, mes sulmeve të pahijshme, në ndonjë rast krejt të papranueshme, ndaj kundërshtarit të vet, SB-ja ka përmendur disa herë një konflikt të supozuar, me përmasa deri edhe gjyqësore (sërish një referim i kithtë ndaj dokumentacionit arkival dhe ligjor), midis kryeministrit të sotëm dhe të jatit Kristaq; konflikt që, sipas motorit diskursiv të PD-së, është njëkohësisht shkaku dhe pasoja e asaj që SB-ja vazhdon ta diagnostikojë si sëmundja psikike e ER-së: sipas rastit depresion ose skizofreni, dhe gjithnjë provë se të jesh mjek nga profesioni nuk të imunizon gjë ndaj qasjeve prej drumepré-je ndaj sëmundjes në përgjithësi, dhe sëmundjeve mendore në veçanti, sidomos kur është fjala për të mobilizuar llumin mes publikut tënd, që të voton dhe të brohoret.

Gjithsesi, nëpërmjet formës pseudo-burokratike Edvin Kristaq Rama, SB-ja mëton të përcjellë jo vetëm një emër dhe një identitet, por edhe kundërvëniet dhe tensionet diskredituese përkatëse, që arrijnë deri në patologji jo vetëm të personit, por edhe të kastës së cilës ky person i përket.

Figlio di papà

Aspekteve personale të politikës SB-ja gjithnjë u është qasur në mënyrë “gjenealogjike”, çfarë tradhton një farë determinizmi tradicional, në mos fshatarak, në leximin e Tjetrit; që mund të jetë edhe maskë e pamundësisë për t’u orientuar përballë reales.

Edhe përballë ER-së, SB-ja e ka parë më të lehtë, në mos edhe politikisht më të volitshme, që të mos përpiqet të kuptojë individin, por ta konsiderojë këtë si projeksion të historisë së vet familjare – çfarë e shembëllzon për bukuri edhe patronimi Kristaq, si le nom du père, ose babai simbolik i Lacan-it, që ndërmjetëson kalimin e subjektit nga familja në shoqëri.

Në këtë kuptim, trajektorja politike e ER-së do të rezultonte e përcaktuar që në momentin e lindjes; meqë individi nuk mundet veçse t’i shërbejë familjes, fisit dhe njerëzve “të vet”; dhe ER-ja është gati-gati i dënuar prej geneve të veta, që t’i shërbejë t’atit, ose të personit që ia kish ruajtur vendin dhe privilegjet gati mes elitave; dhe vetë emri Kristaq nuk është më veç i një njeriu tashmë të dalë nga skena, por i një ushtrie imagjinare, me të cilën i biri do të marrë pushtetin.

Nëse te kjo paranojë do të gjejmë edhe një simptomë të zilisë së parvenu-së SB, përballë dikujt të cilit nuk i është dashur ta nisë nga zeroja, si ER, këtë nuk e dimë dhe nuk duam ta dimë; por objektivisht, këmbëngulja e SB-së për ta paraqitur ER-në si “të privilegjiuar” dhe ndonjëherë edhe si “bllokmen”, u drejtohet të gjithë atyre që nuk kanë çfarë t’i kujtojnë së kaluarës, as kanë trashëguar gjë të vyer që andej; pra, edhe pse SB-në individ dhe self-made man nuk e psikologjisim dot, publikun e ligjëratës së tij mund dhe duhet ta psikologjisim.

Përfundime

Shkrimi më sipër i kushtohet një dukurie specifike, në idiolektin publik të një lideri specifik – Sali Berishës – dhe më pas të forcës politike përkatëse; por përftesa vetë, ose tëhuajzimi (estrangement) i Tjetrit nëpërmjet ri-emërtimit ose të thirrurit me një emër tjetër, më “të vërtetë”, ka marrë përmasa më të mëdha në shqipen publike, duke u shndërruar në rutinë të degradimit politik dhe njerëzor të kundërshtarit. Ironikisht, edhe Sali Berisha vetë, i cili mes liderëve politikë shqiptarë sot shquhet si abuzuesi kryesor dhe më i rëndësishëm me përftesën, ka rënë tani viktimë e përsëritur e saj, siç mund të konstatohet lehtë duke kërkuar për Sali Ram(ë) Berisha në Google; kërkim që do të na shpjerë në qindra, në mos mijëra faqe komentesh dhe forumesh diskutimesh dhe sociale, ku Berisha etiketohet edhe ai me një emër tri-pjesësh, për të arritur synime të ngjashme. Edhe pse shkrimi ynë dhe interpretimi që ia kemi bërë dukurisë nuk ka për objekt përftesat diskursive në rrjetet sociale dhe në kushtet e anonimatit, por ligjëratën me autor; nuk mund të rrimë, megjithatë, pa vërejtur se ky kalim – për ne i pritshëm – nga Edvin Kristaq RamaSali Ram(ë) Berisha konfirmon se disa karakteristika të dukshme dhe pikante të diskursit politik të liderëve rrjedhin, filtrojnë dhe kullojnë menjëherë në kanalet e ujërave të zeza të anonimatit në ueb; ku amplifikohen dhe shumëzohen, sipas instinkteve dhe interesave të atyre që i furnizojnë me lëndë të parë këto kanale; sikurse konfirmon se, sado që anonimati nuk ka nevojë për autorizimin nga lart, që të vandalizojë hapësirat e fjalës së lirë, ai ka megjithatë nevojë për leadership që të vihet në veprim, madje edhe thjesht sikur të jetë fjala për të goditur llambat me gurë; dhe në këtë pikë Sali Berisha e ka siguruar vendin në historinë e shqipes publike.


[1] Le të mos na shpëtojë, këtu, ironia që ER e mbart, në mbiemrin e vet Rama, emrin e babait të SB-së – meqë Edvin Kristaq Ramës i përgjigjet, në fakt, Sali Ramë Berisha. Babai dhe biri imagjinar ndërrojnë vendet, tamam si në inskenimet më naive të freudism-it.

3 Komente

  1. Une nuk besoj fare se Sali Berisha e referon Kristaqin per te “kompleksuar” te ky Lulishtari i Republikes nje origjine ortodokse apo toske. Sepse perndryshe do te kishin qe me pare Fatos Thanas Nano, apo edhe dikur ne inat e siper nje Fatos Todi Lubonja, ose edhe ca me keq Spartak KICO Ngjela. Kristaqi eshte etiketa e hipjes se Edvinit ne krye te partise, nenes sone te dashur, qe eshte aty prane nesh, kur “na thone nje fjale te mire, apo kur na lehtesohet nje dhimbje”, sic thote Timo Flloko. Brenda nje dite ne vitin 2005, Edi rrembeu partine nga duart e fatosisteve, me ca telefona dhe kuptohet me nje ndihme andej nga duhet. Por edhe me sponsorizim. Pa lene menjane faktin se ndonje i emeruar dikur ne 1991-in si biznesmen, e perfliste per kryetar qe ne vitin 2001. Keto nuk jane thashetheme, keto jane realitete politike te konsumuara brenda rraces se pashtershme te socialistit shqiptar, por qe nuk kane per t’u shkruajtur sepse kjo lloj rrace ka avantazhin strategjik qe e njeh mire felliqesine e vet. Ndaj edhe kjo e Kristaqit eshte vetem lidhja e Edit, si “cun Tirone, nga ata te vertetet” me vijimesine e nje linje te pushtetit, ndonese me lirine relative qe lustren e kohes ta shese per reforme mentaliteti dhe ndryshim gati subversiv. Per me teper qe vete Edi krenohet shume dhe publikisht me rrenjen e vet nga Kolombet e Shkodres, duke mos e fshehur dobesine per kryeqytetin e Veriut. Ka nje ironi historike te fakti qe edhe bashkimin e grupeve komuniste dikur e inicioi Zef Mala i Grupit te Shkodres, teksa edhe sot pajtimin e teorizon ne deviza propagandistike, pikerisht Fabrika e Ideve te ketij shkodrani te kunupizuar nder kohe poshte nga Durresi. Duhet te mbajme parasysh se biografia ne politike nuk eshte vetem nje kerkese e rrugacerise propagandistike shqiptare, por kriter i pergjithshem. Madje ky eshte me i rendesishem edhe sesa biografia e veprimeve personale. Mjafton ketu te kujtojme se nje nga argumentet qe u dhane kunder ketij BE-istit te ri, Juncker, ishte se “familja e tij ka qene e lidhur me nazistet”.

  2. Unë në mos qença I pari që e kam përdorur EDVIN KRISTAQ RAMA me kohë nëpër forume jam nga të parët dhe më ka erdhur në mënyrë fare të natyrshme, pa asnjë lloj shtytje nga nënvetëdia, apo se në atë moment më pickoi ndonjë grerëz. Nëse mund të jap një shpiegim racional të kësaj, përpos faktit që kjo nuk është as shpifje, as shpikje e ca më pak e pavërtetë mund të them se duke bërë një gjë të tillë nuk shpreh asnjë lloj simpatie për personazhin në fjalë, duke mos e thirrur me qëllim me shkurtimin Edi që përndryshe edhe në mos shpreh afërsi, shpreh njëlloj dëshire për ta krijuar këtë afërsi.
    Dua të shtoj këtu që po me të njëjtën lehtësi dhe dëshirë e po për të njëjtat arsye e kam thirrur tjetrin SALI BERISHA, dhe më vonë SALI RAM BERISHA, ngaqë e kam marrë vesh shumë vonë emrin e të atit të tij, padyshim shumë më pak I njohur se I ati I atij tjetrit.
    Po konfirmoj që asnjërin prej emrave nuk e kam marrë, dhe nuk besoj se egziston ndonjë nevojë për të marrë emra të vërtetë e të plotë, përfshirë edhe atësinë nga ndonjë ofiçinë e posaçme e kundështarëve reciprokë, sidomos po të kihet parasysh fakti që nuk është e detyrueshme të kesh ndonjë simpati të veçantë për cililndo prej tyresh. Këtu vlen të theksohet fakti që logjikisht simpatia për njërin e përjashton automatikisht simpatinë për tjetrin, ndërkaq antipatia dhe/ose ndjenja të tjera jo fisnike në drejtim të të dyve mund të bashkëekzistojnë pa ndonjë problem.
    Thirrja e këtyre personazheve me emrat e tyre zyrtarë, të plotë e me gjithë atësinë mund të ketë në themel ndonjë apo edhe të gjitha arsyet që përmenden më sipër, gjithësesi mbrojtja ndaj “akuzave” ështe fare e thjesht, e para sepse asnjëra nga ato nuk mund të vërtetohet, e dyta mbrojtja ndaj tyre (“akuzave” qe dalin nga analiza, a më mirë nga psikanaliza) është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, si emër është emër I plotë e I saktë e këtë nuk e luan as topi.
    Nga kjo pikpamje mbase më interesante do të ishte analiza e apelativave denigruese që të dyja palet I kanë perdorur me bollëk, madje edhe në fjalime publike, drejtpërdrejt dhe pa u bërë syri tërr (pra jo duke I prodhuar, e më pas duke lëshuar zagarët nëpër internet). Sa për kujtesë: “Doktor Rrumpalla” (në fakt kjo të bën për të qeshur me të vërtetë edhe sikur të jesh simpatizues I SRB), “Doktor Shurra” (referuar faktit qe SRB bridhte me shishet me shurrë të udhëheqjes komuniste në xhep) etj, apo “Piktori I Dështuar”, “Bojaxhiu”, Edushka, apo Eda ose Monda për EKR.

  3. Vetëm dje, arrita të lexoj këtë lajm në një sajt – sipas vetëidentifikimit si opozitar, dhe mendoj se është momenti, të bëhen të qarta disa gjëra.
    Si fillim, meqë përmendet më lart, le të shikojmë se çfarë thotë vetë Fatos Todi Lubonja për këtë çështje që shtron shkrimi; citoj nga një artikull botuar tek Panorama:
    I kaloi nëpër mend se kishte tre-katër vjet që shtypi dhe media e Berishës mbillte urrejtje kundër intelektualëve, që iu kundërvunë rrugës, që mori partia Demokratike pasi hipi në pushtet. Antishqiptarë, tradhtarë, spiunë, homoseksualë; qenë epitetet më të zakonshme të përdorura kundër tyre. Kishin krijuar posaçërisht për ta edhe disa epitete të reja, si “grekosllavoortodoksë”, që tregonte nacionalizmin dhe racizmin e një vulgu që nuk u mor vesh se si buthtoi aq shpejt në partinë e parë antikomuniste. Edi Rama kishte qenë një nga më të sulmuarit, për shkak të shkrimeve të tij. Tani që pushteti ndihej i kërcënuar, gjuha e urrejtjes po shndërrohej në dhunë direkte.
    Vazhdojmë më poshtë me një artikull tjetër, nga Gjergj Erëbara, tek gazeta Shqip. Kësaj rradhe subjekt i sulmeve ka qënë Genc Stefanaq Pollo.
    Megjithëse Pollo nuk kishte asnjë shans, fakti që ai kandidoi, siç duket, pa lejen e Berishës, mjaftoi që ai të shpallej armik. Gazetat militante të Berishës nisën një fushatë shpifjesh kundër tij, duke argumentuar mes të tjerash se ai, si ortodoks, qe armik, jo vetëm i Berishës, por i atdheut. U tha mes të tjerash se gjyshi i tij pati qenë andart grek.

    Një histori të ngjashme ka për të rrëfyer dhe një tjetër personazh politik i të djathtës, si Aleksandër Meksi. Agim Shehu, ish vartës i tij gjatë kohës kur ka qënë kryeministër, i ka bërë disa akuza, për të cilat Meksi e ka hedhur në gjyq. Citoj nga një temë në një forum virtual që flet për këtë çështje:
    Po kështu Shehu e ka akuzuar Meksin në intervistë se ka qenë bashkëpunëtor i grekëve dhe se babai i tij, Gabriel Meksi, në varr ka hyrë i mbështjellë me flamurin grek.

    Kësaj rradhe shkrimi që ka për autor Abdi Baletën, i bën një përmbledhje të gjithë fenomenit që po diskutohet:

    Ende nuk do te marre vesh Berisha se grekvet e grekofilise shqiptare kur kane ne politike Fatosin e Thanasit, Gramozin e Josifit, Gencin e Stefanaqit, Aleksandrin e Gabrielit nga “Vorio-Epiri” nuk u lypset shume Saliu i Rames nga Tropoja sado t’u lepihet atyre. Para disa kohesh Blerim Çela, qe gjithashtu duhet te dije shume per qeverine e Meksit, ne gazeten “Albania” u ankua se punet nuk po shkonin mire ne kryesine e PD-se, meqenese ketu kishte pak anetare nga jugu e ortodokse. Mos valle ka qene nje pergatitje terreni per marshimin e Aleksander Meksit ne politike nepemjet PD-se pas nje shplodhjeje 5-vjeçare?

    Problemi është, siç e shkruan dhe autori, se kemi të bëjmë me një fenomen, që nxitet nga lart. Problemi tjetër është, që ky fenomen i denigrimit të ortodoksëve brenda politikës shqiptare si grekë, grekofilë, nipër andartësh etj, është fenomen që vërehet në rradhët e të djathtës shqiptare. Po nuk mjaftojnë kaq shembuj, më bëni një zë se kam edhe të tjerë për të sjellë. Problemi tjetër është, – ashtu si e shkruan edhe Lubonja, se të tilla stigmatizime, kanë potencial të lartë për të krijuar konflikte që degradojnë prej dhunës verbale, në atë fizike.

    Ky fenomen i nxitjes së dhunës përmes denigrimit, është i njohu në mbarë Evropën së paku prej mesjetës, në formën e vet groteske përmes blood libel, akuzës ndaj hebrenjve.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin