NGA VERIU NË JUG (I)

Emrat e disa mëhallëve, në fshatrat e Kurveleshit, tërheqin vëmendjen: Gjokgjin, Bardhgjin, Zhupgjin dhe Qurgjin (në Kuç); Gjokon, Gjëzes, Mërtigjin, Misërgjon e Qesëraj (Kallarat); Gjofterraj, Gjolleshi dhe Gjozenika (Fterrë); Gjikhilaj, Gjimëneshaj (Çorraj); Nikecaj (Nivicë); Rexhpalaj, Dukgjinaj, Pargjinaj (Gusmar); Gjinukaj, Misërdukaj (Golëm); Gjinovafaj, Kekneshaj (Kolonjë): nuk duhet ekspertizë onomastike, për t’i parë si përngjitje emrash si Gjok Gjini, Mërtir Gjini, Gjon Lleshi, Gjon Zef Nika, Gjik Hila, Gjin Mëneshi, Dukë Gjini, Pa(l) Gjini, Gjin Uka, Gjin Va(r)fi, të cilat të çojnë sakaq te onomastika tipike e malësisë katolike shqiptare. Ali Dhrimoja dhe Rami Memushaj[1] kanë mbledhur me qindra emërtime të tilla, që dalin si llagape ose në mikrotoponimi, por që gjithsesi u referohen banorëve të hershëm të zonës: A. Dhrimoja përmend: Dedeçal, Dedenika, Dedeleke-t, Dedekuç, Dedegjin, Dukhil, Gjigjone-t, Gjikduke-t, Gjimërtire-t, Gjinik, Gjipjetër, Gjodede, Gjokvarfe, Gjomëhille, Gjozenik, Kohile, Kopale, Lekdush, Lekgjone, Lekmisre, Lekpeta, Lleshmërtir, Memogjon. Janë të panumërta dëshmitë e përdorimit, në Kurvelesh e gjetiu në Labëri, të emrave vetjakë si Gjin, Gjokë, Gjikë, Mërtir, Lekë; por edhe të emrave me “tingëllim” më verior, si Hilë, Mëhill, Llesh, Dedë, Zef, veçanërisht në kompozita.[2]

Përdorimi, në Breg, në Labëri dhe në Çamëri i një shtrese emrash “më të vjetër” të shqipes, si Lekë, Gjin, Gjon, Pal, Gjikë, Gjokë, Nikë, Mërtir, Ndre, nuk duhet ngatërruar, megjithatë, me shfaqjen e elementeve dhe strukturave tipike për antroponiminë e Veriut të Shqipërisë, si ato që përmendëm më lart (me mbiemra si Gjidede, Gjoleka, Gjoliku, Gjovarfi, Gjomema, Gjodede, Gjipali, Ndrenika, Kogjini dhe toponimet përkatëse). Madje prania paralele e formave Lekë dhe Llesh, të dyja si hipokoristikë të Aleks(andër) tregon se kemi të bëjmë me procese të ndryshme. Problem më vete përbën edhe statusi i emrave të tipit Lekë, Gjin, Gjon, etj. brenda rregullave dhe rregullsive onomastike të kishës në Jug – pavarësisht nëse e krishterë ortodokse, e kombinuar apo mirëfilli katolike.

Në zonën e Bregut, por edhe në Labëri, ka shumë fshatra dhe fise që besojnë se kanë zbritur nga Veriu.[3] Në një vepër të hershme, Për gjenezën e literaturës shqipe (“Hylli i dritës”, 1939, 13 dhe 84-45), Çabej shkruante se bashkëpërkimet mes Labërisë (në kuptim të gjerë) dhe Veriut të Shqipërisë mund të shpjegohen “pjesërisht me shtegtime të fiseve gege në Jugë”. Edhe Ali Dhrimoja e pranon – të paktën për Kurveleshin – një infiltracion të elementit verior në krahinë, por e gjykon të vështirë përcaktimin e saktë të periudhës kur mund të ketë ndodhur kjo dhe të shkaqeve të këtyre zhvendosjeve. Ai anon nga hipoteza se zbritja e elementit verior në trojet jug-perëndimore të Shqipërisë (së sotme) “ka më tepër gjasë të ketë ndodhur vetëm pas vdekjes së… Skënderbeut”.

Një mundësi tjetër skicohet nga Çabej, në shkrimin e cituar: bashkëpërkimet mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë i detyrohen ruajtjes (konservimit) të tipareve edhe onomastike, duke u ndodhur të dyja zonat në “periferi” të arealit shqip, në një kohë që i njëjti shqiptarizëm i moçëm u zhduk pjesërisht në Shqipërinë e mesme, për shkak të proceseve të inovimit (kjo hipotezë me premisa esencialiste mbështetet edhe në parimet e gjeografisë gjuhësore; do ta diskutoj në pjesën e dytë të këtyre shënimeve).

Prova historike për zbritjen e elementit verior në zonat e Bregut, të Labërisë dhe të Çamërisë nuk ka. A. Dhrimoja vëren se “në të folmet e Kurveleshit bien në sy disa konkordanca gjuhësore me të folme të ndryshme veriore… si gjatësia e zanoreve, disa forma foljore, përemërore si edhe mjaft leksema të veçanta.” Por këto konkordanca janë kaq të pakta, sa mund të shpjegohen kënaqshëm me metodat e gjeografisë gjuhësore (si dukuri të ruajtjes në periferitë e arealit të shqipes). R. Memushaj nuk gjen gjurmë të fonetikës së gegnishtes në onomastikën e Kurveleshit; edhe për gjurmët e emrave tripjesësh (si Dedegjivesh nga Dedë Gjin Veshi) ky studiues pajtohet me Çabejn i cili shkruan se “këto emëra tripjesësh të peronave që i kanë së bashku si Veriu dhe Jugu i Shqipërisë janë gjurma të lashta të njësisë së dikurshme shqiptare…” (te vepra e lartcituar).

Për t’u shënuar edhe se zonat ku ndeshet kjo anomali onomastike janë quajtur prej banorëve dhe fqinjëve të tyre tradicionalisht Arbëri, siç e ftillon me hollësi Memushaj, te Histori e Kurveleshit (vep. cit.), veçanërisht te sythi Arbëria i Kreut II (Kurveleshi në lashtësi).

Teksa historia, etnografia dhe dialektologjia nuk japin shpjegime bindëse për për këto dukuri “veriore” të paktën në Labëri (dhe Kurvelesh), një ndihmesë mund ta japin studimet gjenetike. Faqja rrënjët.com, që prezantohet si “projekti shqiptar i ADN-së”, thotë për krahinën e Labërisë se “treva është ndër më të testuarat deri tani” dhe gjen aty një identitet gjenetik të spikatur, me një numër fshatrash të themeluara si bashkësi fisnore, duke konkluduar se “shpërndarja e deritanishme e linjave atërore në Labëri ka karakter lokal më shumë se krahinor” dhe se “formimi i identitetit të përbashkët krahinor lab ka qenë më shumë pasojë e proceseve kulturore apo ekonomike/shoqërore, se sa si zgjerim i disa fiseve kryesore, sic mund të ketë ndodhur në disa zona të veriut.”

Për temën tonë, ka rëndësi përfundimi tjetër i tyre se

Labëria shfaq ngjashmëri të kufizuar me linjat atërore të gegëve. Në fakt, shumë ndër fshatrat e Labërisë kanë gojëdhëna për prejardhje nga veriu, për verifikimin e të cilave nevojiten teste me cilësi të lartë. Nga rezultatet e deritanishme, mund të themi se një numër i kufizuar i të testuarve mund të ketë prejardhje veriore […]  Duhet theksuar se edhe pse ka gjasa që prejardhja e tyre të jetë nga veriu: 1- kjo duhet verifikuar me teste me rezolucion më të lartë; 2- deri tani nuk ka prova që lidhin rezultate nga Labëria me rezultate veriore në afërsi nën 500 vjet; 3- shumica dërrmuese e linjave atërore labe nuk shfaqin afërsi të dukshme me linja veriore.”[4]

Do të dallojmë të paktën tri shtresa të onomastikës në zonën e Labërisë dhe të Bregut, duke lënë jashtë emrat me origjinë Islame: (1) një shtresë emrash të përhapur anembanë shqipes, si Lekë, Gjon, Gjin, Gjokë, Gjergj, Pal, të cilët dalin në emrat edhe të njerëzve edhe të vendeve, por që rrënjët i kanë në antroponimi; (2) një shtresë me përhapje më të kufizuar emrash që duken si me prejardhje nga veriu, në vetvete por edhe nga struktura e përngjitjes Gjoleka, Gjipali, Ndrenika dhe ajo tripjesëshe si Konjivarfje (Kol Gjin Varfi), Gjozenika (Gjon Zef Nika), Gjoniklagji (Gjon Nik Lagji) etj., të cilat duket se, brenda arealit të labërishtes, janë të përqendruara në brendatokë (Kurvelesh), edhe pse ua gjen ndonjë gjurmë edhe në zonën e Bregut; (3) një shtresë emrash më të rinj, ku ndikimi grek dhe i kishës greke-ortodokse është më i spikatur, si Dhimo, Kosta, Marko, Thanas, Thoma, Spiro, Jorgo, etj.

Emrat e grupit të parë, Sh. Demiraj i sheh si “dëshmi e qartë për burimin e përbashkët të këtyre emrave ndër stërgjyshët e shqiptarëve pas përhapjes së hershme të krishterimit ndër ta” (Tek Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Infbotues Tiranë 2008, f. 140).

Emrat e grupit të dytë, që tashmë janë ruajtur kryesisht në (mikro)toponimi dhe në emra familjesh (llagape), vështirë se mund të shpjegohen si thjesht dëshmi të unitetit të dikurshëm të arealit shqip, meqë i përkasin një zone relativisht të vogël dhe i referohen fort strukturave onomastike të Veriut të këtij areali. Prandaj edhe mund të pranojmë, me Ali Dhrimon, mundësinë e një infiltrimi të drejtpërdrejtë të arbërve nga Veriu, në Labërinë dhe në zonën e Bregut gjatë Mesjetës paraosmane, veçanërisht në Kurvelesh. Për natyrën e këtij infiltrimi, në mungesë të dëshmive të mirëfillta, veç mund dhe duhet të diskutohet (do ta vazhdoj diskutimin me një shkrim pasues).

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] E falënderoj Rami Memushajn, që më vuri në dispozicion disa materiale për këtë shkrim dhe më informoi gojarisht për të tjera.

[2] Këtu dhe më poshtë, jam referuar kryesisht në artikullin e Ali Dhrimos Një vështrim gjuhësor mbi toponiminë e Kurveleshit, botuar në Studime Filologjike, 1974, 3; dhe në monografinë Histori e Kurveleshit, nga Rami Memushaj, Toena, Tiranë 2004.

[3] Shkruan Gj. Kola te (pseudonimi i Gjush Sheldijes, ish mësues në Himarë) te Hylli i Dritës, 8-10 1939, 1939, f. 417: “Kemi lagjen Gjin-Lekë të katundit Dhormi [sic], mâ e vjetra e atij katundi, që thotë gojdhana se janë t’ardhun prej Krujet, kur percollne Gjonin e II Skanderbè, at-herë kur mori mergimin per n’Italí, e tuj mos pasë vend të mjaftueshem nder barkë, u drejtuen per ket krahinë, e u ndalen në Dhermi ku ngulen cak. Medjè kto janë kryenaltë per ket gjâ. Disa duen me thanë se janë edhè t’ardhun prej Kelmendit, kraninë në Malet e Gegnís.”

[4] Megjithatë, një nga haplogrupet, I1-M253, “në Labëri mbërrin përqindje më të lartë se në gjithë trevat e tjera shqiptare me përjashtim të Pukës, ku gjithashtu ka përqindje shumë të lartë.” Këtë haplogrup zakonisht e lidhin me ekspansionin gjermanik në Ballkan gjatë Mesjetës së hershme. Shihni edhe këtu, për një konfirmim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin