NGA VERIU NË JUG (II)

Vazhdim. Pjesën e parë e gjeni këtu.

Të dhënat onomastike nga Kurveleshi (dhe Labëria dhe, pjesërisht edhe Bregu i detit) janë të vështira për t’u shpjeguar – sepse nga njëra anë kemi emra vendesh dhe njerëzish (patronime, mbiemra) që ndjekin modelet e popullsive gege katolike të Veriut, nga ana tjetër mungojnë të dhënat dokumentare për zbritje fisesh dhe bashkësish nga Veriu në Jug, të tilla që të kenë lënë gjurmë kaq të ndjeshme në onomastikën lokale. Çfarë mund të ketë ndodhur?

Hipoteza 1

Por ne as nuk dimë me siguri se ç’fise jetonin në Kurvelesh gjatë shekujve para-osmanë, çfarë dialekti (ose xhanëm edhe gjuhe) flisnin dhe si jetonin dhe çfarë ekonomie kishin (për sllavët dimë më shumë, sepse kanë lënë gjurmë në toponimi). Përkundrazi, mund të verifikojmë që popullsia e sotme ka vijueshmëri gjenetike me Bregun, me Çamërinë, me arbëreshët e Greqisë dhe të Italisë dhe nuk ka asgjë në profilin e saj “gjenetik” që të na bëjë të dyshojë se janë të ndërkallur atje ku jetojnë tani.

Analizat gjenetike nuk kanë gjetur përkime specifike të rëndësishme mes kësaj popullsie dhe asaj të Veriut të Shqipërisë. Kjo mund të interpretohet kështu (me kusht që të ketë pasur zbritje): ose të zbriturit kanë qenë fare të paktë në numër dhe nuk kanë lënë gjurmë në pellgun gjenetik të zonës; ose – dhe kjo më duket me rëndësi – të zbriturit e dikurshëm nga Veriu nuk kanë sjellë me vete ato karakteristika gjenetike të cilat sot i gjen në popullsitë e Veriut. Pra, jo vetëm ka pasur një infiltrim të Kurveleshit dhe të zonave të afërta nga Veriu, por edhe të infiltruarit kanë qenë gjenetikisht të ndryshëm nga Veriorët sot, pavarësisht se mund të ndajnë me ta karakteristika të tilla si strukturat onomastike.

Në fakt, gojëdhëna për zhvendosje të popullsisë dhe origjina të katundeve dhe të ngulimeve ekzistojnë edhe në Veri; gojëdhëna sipas të cilave banorët e sotëm e kanë origjinën në zona edhe më në Veri, dhe janë zhvendosur drejt Jugut (të tyre), me gjasë edhe për t’u vendosur në trojet e liruara nga ata që ndërkohë ishin zhvendosur drejt Jugut. Po të besojmë pastaj se popullsia shqiptare në Ballkan ka përjetuar një “bottleneck” në Mesjetën e hershme, atëherë mund të supozojmë edhe se një Gjon Lekë Dushaj që ka zbritur në Mesjetë dhe është vendosur në Kurvelesh jo vetëm ka qenë gjenetikisht i ndryshëm nga një Gjon Lekë Dushaj sot në Veri të Shqipërisë, por edhe ka qenë gjenetikisht më i afërt se adashi i tij modern, me popullsinë vendëse të Kurveleshit. Për arsye të ngjashme, njëlloj mund të supozojmë se popullsia e Kurveleshit në Mesjetë mund të ketë qenë gjenetikisht më e afërt me atë të Veriut të Shqipërisë, për shkak edhe të infiltrimeve të tjera dhe të mëhershme nga Veriu, të cilat nuk janë regjistruar gjëkundi.

Të gjitha këto mund t’i ndriçojë më mirë arkeologjia e zonës, sikurse mund t’i ndriçojë historia e Krishterimit në hinterlandin e Bregut, historia e pronësisë në zonë dhe gjurmimet etnologjike në përgjithësi; sidomos po të kemi parasysh marrëdhënien e ngushtë mes akteve të emërtimit dhe marrëdhënieve të pronësisë, por edhe praktikave fetare. Unë nuk e kam të qartë qëndrimin që ka mbajtur kisha – edhe katolike edhe ortodokse – ndaj emrave të tillë si Lekë, Nikë, Gjon, Gjin, Dedë, Mërtir, Mëhill në Jug të Shqipërisë në Mesjetë; edhe pse kam parë që studiuesit e deftereve osmane i kanë gjetur rëndom këta emra në të gjitha zonat e Jugut, përfshi edhe Dropullin edhe Çamërinë. Në periudhën kur hipotezohet zbritja e popullsive nga Veriu (shekujt XIV-XV) hinterlandi i Bregut sikurse vetë Bregu i përkisnin patrikanës së Ohrit, por me interferenca të forta nga Roma katolike (përfshi këtu edhe Himarën). Në Labëri dhe në Kurvelesh ka shumë rrënoja kishash dhe dëshmi onomastike për shumë të tjera, por këto nuk më rezulton të jenë studiuar mirë. Për fat të keq, për malësitë e Shqipërisë së Jugut ka munguar interesi kulturor dhe historik përndryshe aq i gjallë për malësitë e Shqipërisë së Veriut – ky i fundit, i ushqyer fort nga interesat politike austro-hungareze dhe e ashtuquajtura “albanologji gjermane” e kohës, por edhe nga priftërinjtë katolikë. Çfarë krishterimi të kenë pasur arbrit e Hinterlandit përtej përkatësive administrative dhe nominale? Si i ka absorbuar kisha lokale të ardhurit – e supozuar – nga Veriu katolik?

Përhapja relativisht e madhe, në Kurvelesh, e emërtimeve që i referohen kulturës së Shqipërisë së Veriut do të tregonte edhe se të ardhurit – pavarësisht se nuk lanë ndonjë gjurmë në gjuhën lokale dhe, me gjasë, as në pellgun gjenetik – kanë pasur pushtet të konsiderueshëm ndaj truallit: kështu do të shpjegohen emrat e mëhallëve në fshatrat, por edhe elemente të tjera të mikrotoponimisë; dhe shfaqja e onomastikës “veriore” në patronimi dhe në përgjithësi në antroponimi. Mund t’i përfytyronim këta të ardhur si një aristokraci ushtarake, me tradita të jetesës së ngulitur në territor (sedentare), e cila i është imponuar një popullsie vendëse me tradita të tjera (p.sh. barinj shtegtarë), ose të dëmtuar nga ndonjë epidemi shfarosëse (p.sh. murtaja). Kjo aristokraci ushtarake, që mund të ketë gëzuar përkrahje edhe nga pushteti qendror, u ka dhënë emra vendeve, lagjeve dhe familjeve, por pa ndikuar dot në karakteristika më të plogëta të komuniteteve, siç mund të jenë gjuha (dialekti) ose identiteti gjenetik.

Hipoteza 2

Te studimi i hershëm Për gjenezën e literaturës shqipe, pasi përmend disa ngjashmëri mes Veriut dhe Jugut të trojeve shqiptare, Çabej shkruan:

Këto përkime (konkordanca) midis Veriut e Jugut mund t’i spiegonim pjesërisht me shtegtime të fiseve gege në Jugë… Këtij faktori i duhet shtuar dhe një element konservues i vëndit vetë, i pamvarur nga shtegtimet: Thelbi i thjeshtë i shqiptarizmit të moçëm, i cili në Shqipërinë e mesme pjesërisht u zhduk, në malet anësore të Veriut e të Jugut i mbeti besnik vetvetes…

Është pra e mundshme, në parim, që elementet “gege” në onomastikën e Kurveleshit dhe më tej të Bregut e të brendatokës së Bregut (Labërisë) të jenë në fakt mbijetoja të një periudhe të lashtë kur i njëjti “thelb i shqiptarizmit” shprehej si në Veri ashtu edhe në Jug të vendit. Për këtë duhet diskutuar, para së gjithash, nëse vetë koncepti i “thelbit të thjeshtë të shqiptarizmit të moçëm” ka ndonjë kuptim, përtej esencializmit etnik që ishte tipik për periudhën kur i shkroi ato fjalë Çabej. Kjo, sepse ashtu do të pranonim edhe që arbrit, ose shqiptarët e hershëm, ishin më homogjenë, madje mjaft më homogjenë se të sotmit; dhe ndoshta edhe që arbrit në Mesjetë përjetuan një ekspansion demografik të pashembullt (teza e Stadtmüller-it). Me këtë lidhet edhe teza tjetër – sërish e pranuar nga Çabej – diferencat mes dialekteve të shqipes nuk janë dhe aq të vjetra. Pra, ka pasur një bërthamë etnike që është ruajtur në mesjetën e hershme, duke u shpëtuar dyndjeve barbare dhe rrënimit të Perandorisë Romake, dhe pastaj kjo bërthamë ka përjetuar një shpërthim demografik, që me kohë i çoi arbrit deri në ishujt e Egjeut. Sipas kësaj hipoteze, emrat tripjesësh, të tipit Pal Ndre Nika do t’i përkisnin atij thelbi të përbashkët, prandaj edhe në Mesjetë shfaqen në periferitë e arealit shqip, ose “në malet anësore” për ta thënë me Çabejn; në Kurvelesh nuk ka zbritur ndonjë fis a popullsi veriore, por emrat për të cilët flasim janë vendës dhe të trashëguar; ndërsa rrëgjimi i tyre dhe ndërrimi i strukturave të emërtimit ka ndodhur më pas, kushedi – do të shtonim ne – si pasojë e normalizimit të imponuar nga kisha ortodokse.

Emrat tripjesësh nuk janë të huaj për Jugun: mjaft të kujtojmë Gjin Bua Shpatën; mbetet për t’u parë sa të përhapur kanë qenë[1]. Për Kurveleshin nuk dimë, megjithatë, nëse ka pasur ndonjë shtresë emrash – vendi ose njerëzish – që i paraprin asaj të tipit “verior” me tri pjesë; njëlloj mund të përsiatim, në mungesë provash, se krejt krahina u popullua, pas krizës së madhe të Mesjetës së hershme, me popullsi të ardhur valë-valë nga Veriu.

Tek i njëjti shkrim i cituar më lart, kur flet llojet e të kënduarit në Toskëri, Çabej thotë:

Është interesant që kënga e Çamëvet të fundit jugor të Shqipërisë u përngjajnë (sic) këngëve të Toskëve [në kuptimin e ngushtë të termit, duke pasur parasysh me toskë ata që jetojnë në anën e djathtë të Vjosës, A.V.]… Kësaj konkordance duket t’i kundërshtojë fakti që Toskë e Çamër sot nuk banojnë më në një afërsi kontakti me njeri-tjetrin. Po ky kundërshtim zhduket historikisht, sepse në një periodë të caktuar të historisë shqiptare fiset labe duket të jenë futur si një pykë në midis dhe të kenë ndarë kështu një njësi të hershme më dysh.

Por Çabej nuk e diskuton më tutje këtë mundësi, që dikur në Mesjetë fiset labe të jenë zhvendosur brenda arealit shqip në mënyrë të tillë, që t’i kenë ndarë çamët prej toskëve, duke u futur në mes tyre (por nga të kenë ardhur vallë?). Ashtu siç sillet, argumenti ka natyrë muzikologjike (etnografike). Dhe, në çdo rast, ky punim i hershëm i Çabejt niset nga premisa problematike, sidomos për shkak të esencializmit që e përshkon, dhe idesë për një thelb të shqiptarisë së moçme që ka ardhur duke u diferencuar madje holluar në rrjedhë të shekujve.

Nga ana tjetër, tema e elementeve “veriore” në onomastikën e Labërisë, Kurveleshit dhe të Bregut është e tillë që mund të ndriçohet mirë vetëm në atë masë që sqarohen karakteristikat fetare të zonës; sepse gjithnjë bëhet fjalë për emra njerëzish, të cilët u përdorën pastaj edhe si emra vendesh. Pyetja mbetet: cilës fe i kanë përkitur pikërisht emra si Gjonika, Gjoniklagji, Gjonikolli, Gjovogli, Dedenika, Gjimërtiri, Lekgjoni, Lekpeta, Dedegjika, Gjozenika, e kështu me radhë?

Këtyre u duhen shtuar edhe disa emërtime vendesh sipas emrit të ndonjë shenjtori, që dalin në Kurvelesh, si Shëmërtiri, Shëmitri, Shëmria, Shnagjëri, Shëndëlliu, Shënkolla, Shënepremtja, Shëmëhilli, të cilat gjithashtu mund të ndihmojnë për t’i bashkëlidhur dhe bashkërenduar praktikat emër-vënëse me ato fetare në përgjithësi.

Citoj tani nga Memushaj:

Pas shkëputjes në fillim të shek. VIII të trevave jugore të vendit nga autoriteti i papës së Romës dhe përfshirjes së tyre në zonën e ortodoksisë, peshkopata e Himarës, e quajtur në dokumentet mesjetare edhe Akrokeraunia, u vu nën autoritetin e kishës së Lindjes, me qendër në Konstantinopol, po duke mbetur si më parë në varësi të mitropolisë së Durrësit. Me krijimin më 1019 të kryepeshkopatës së Ohrit, peshkopata e Himarës u vu nën varësinë e kësaj dhe mbeti kështu gjer në vitin 1767, kur kryepeshkopata e Ohrit u suprimua nga Patrikana e Stambollit. Nga ajo kohë e këtej, peshkopata e Himarës u vu sërish nën juridiksionin e patrikanës së Stambollit, duke u varur nga mitropolia e Gjirokastrës. Me gjithë ndarjen fetare mes Romës katolike dhe Bizantit ortodoks, krahina e Himarës për një kohë të gjatë ruajti katolicizmin, në kundërvënie ndaj Bizantit dhe pastaj ndaj bullgarëve e sërbëve. Lidhjet me Romën u gjallëruan që nga zbarkimi i normanëve dhe sundimi anzhuin, po sidomos në kohën e Skënderbeut, kur himarjotët vijonin të praktikonin ritin latin. Këto lidhje u forcuan gjatë misionit të murgjve bazilianë në shek. XVI-XVIII, të cilët në raportet e tyre shkruajnë se himarjotët janë të gjithë katolikë të ritit grek. Edhe kur u vunë nën varësinë e kishës së Lindjes, kjo nuk ndikoi fare as në ndjenjat dhe as në lidhjet e kësaj krahine me katolikët e Shqipërisë së veriut dhe të brigjeve të përkundërta. Por antagonizmi midis klerikëve ortodoksë grekë dhe klerikëve latinë në fshatrat e krahinës dhe suprimimi i kryepeshkopatës së Ohrit e lidhja e peshkopatës së Himarës me kishën greke ndikuan në zbehjen e ndjenjave fetare kristiane të kurveleshasve, të cilët qenë ndër të fundit në Labëri që e lanë këtë besim të lashtë.

Tabloja e pikturuar nga Memushaj, duke iu referuar burimeve historike autoritare, lë të kuptohet se, për një kohë të gjatë, zona e Bregut me brendatokën kanë qenë truall kishërisht i kontestuar mes Lindjes dhe Perëndimit, madje brenda kishës së Lindjes, mes Durrësit dhe Ohrit; për zona të tilla kemi të drejtë të paravendojmë një zbrazëti administrative-fetare, ose të paktën dobësim të pushtetit të Kishës, çfarë ka ndodhur edhe gjetiu në trojet shqiptare. Nëse ky dobësim është reflektuar pastaj edhe në dukuritë onomastike për të cilat po flasim, kjo mbetet për t’u sqaruar, madje edhe në kontekstin e diskutimit për përhapjen ose edhe thjesht strehimin (strukjen) e ndonjë herezie, sidomos në brendatokë, çfarë edhe do të shpjegonte më mirë “vrimën e zezë” në dokumente.

 

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Për t’u pasur parasysh edhe se struktura tripjesëshe nuk kufizohet vetëm me emra katolikë (ose të krishterë); le të përmend emra si Gjeto Basho Muji dhe Gjergj Elez Alia, në Ciklin e Kreshnikëve, ku shfaqen edhe elemente myslimane. Edhe në strukturat onomastike arkaike të Kurveleshit janë integruar elemente myslimane, p.sh., nga artikulli i A. Dhrimos, citoj Hitogjoni, Memorexhepi, Muçoduka, të cilat e kanë trashëguar përngjitjen e emrave më të hershëm.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin