FLAMENGOJA E SKËNDERBEUT

Jo pak herë më ka rastisur të lexoj ose dëgjoj në media të dhëna nga bota e muzikës që janë përkthyer ose përshtatur jo si duhet, të tilla që shpesh të bëjnë të qeshësh.

Fjala vjen: në një dokumentar televiziv, emri i kompozitorit të muzikës barok Handel (George Frederick Handel) shqiptohej Handèli; që Va pensiero, sipas një gazetari radiofonik, qenka një këngë e kompozuar nga Zuchero Fornaciari apo që Luciano Pavarotti këndoi këngën e famshme Nessun dorma në ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike dimërore të Torinos (2006).

Nuk është e thënë që një person duhet domosdoshmërisht të dijë se Nessun dorma apo Va pensiero nuk janë këngë dhe që vijnë nga muzika operistike (e para, arie nga opera Turandot e Puccini-t ndërsa e dyta, korale e skllevërve nga Nabuko e Verdi-t). “Gabime” të tilla kanë, edhe ato, lezetin e tyre. Mirëpo, varet kush i bën dhe çfarë ndodh kur e kalojnë cakun e padijes naive dhe tregojnë injorancë. Krijohen disa situata që nuk të lënë të bësh veshin e shurdhët.

Në gazetën Shqip lexova një titull të tillë: “Muzikë flamengo në oborrin e Skënderbeut”.

Bëhej fjalë për një të dhënë të shkruar nga një kodik i shek. XV, te i cili përmendet një instrumentist venencian që ka luajtur muzikë në Lezhë, në oborrin e Skënderbeut. Shkrimi në fakt është një koment pas komenti. Citohej si burim kryesor një status në Facebook i Matteo Mandala-së, i cili e kish marrë këtë të dhënë nga muzikologu Ivano Cavallini. Krahas tij, përmendej reagimi entuziast i Ledi Shamkut, marrë po nga Facebook-u, në lidhje me çështjen.

Pa dashur të ul euforinë për ngjarjen dhe duke mirëbesuar te kjo e dhënë e sjellë nga dy studies seriozë, njëri prej të cilëve muzikolog, gjëja që më bëri përshtypje më shumë ishte lloji i muzikës për të cilën flitej: flamengo.  Mendova se do ishte një gabim në titull, por edhe pasi lexova tekstin, vura re se mërtimi ishte po i njëjti. Nuk e di sesa i mirëinformuar mund të jetë një lexues i zakonshëm, por në momentin kur e lexon, termi të adreson te flamenco-ja e Spanjës. Por, a mund të përfytyrohet që në një oborr mesjetar të 1400, të interpretohej një muzikë e rrugës, cigane, për më tepër, që do dilte nga getot dhe do afirmohej në botën kulturore spanjolle disa shekuj më vonë? Bëhet fjalë për muzikën flamande e cila u zhvillua pikërisht në atë periudhë dhe krahas arteve figurative e bëri të njohur hapësirën gjeografike të Flandrës edhe si “shkollë artesh”.

flamingoNdërkohë, qoftë Mandala dhe qoftë Shamku nuk kishin shkruar për “flamengo” në komentet e tyre. Mandala komentonte çështjen në italisht, duke përmendur “melodie fiamminghe” që do të përktheheshin si “melodie flamande”. Mandala bënte kujdes në mënyrën sesi t’i përshkruante të dhënat që kish marrë nga kolegu i tij. Kjo, duke marrë parasysh kontekstin historik të muzikës, vendin e situatat e interpretimit të saj.  Shamku e përkthente si “muzikë flaminge”, drejtpërdrejt me sa duket nga italishtja. Në literaturën muzikologjike shqiptare, në fakt, periudha në fjalë është shqipëruar si “muzikë flamande” ose “shkolla flamande”, por me sa duket kjo i përket një lexuesi më të specializuar. Gjithsesi, nga “melodie fiamminghe” dhe “muzikë flaminge”, të shkosh te “flamengo” është pak larg dhe nuk ka se si të mos na kujtojë lojën me telefon të prishur.

Tej shakasë, përshtypja ime nga e gjithë kjo është se nuk ka fort rëndësi për artikullshkruesin se çfarë ishte kjo muzikë, sesa aspekti sensacional që Skënderbeu nuk ishte thjesht strateg, por edhe një njeri “fisnik, shijehollë”, “mecenat i artit”, “përhapës e mbështetës i pararojës muzikore, i më të mirës bashkëkohore, këtu në dheun e Arbnit” (citim sipas gazetës në fjalë).

Të kuptohemi, kjo e dhënë ka shumë rëndësi për të hulumtuar praktikat muzikore që bëheshin “në dheun e Arbnit” dhe që nuk mund të jenë të rëndësishme vetëm sepse lidhen me figurën e Skënderbeut. Po kështu nuk mund të mjaftohemi nga një e dhënë e vetme për të arritur në përfundimin sesa mbështetës i pararojës muzikore europiane ka qenë Skënderbeu. Ka vlerë, mbi të gjitha sepse referon elementë dokumentare dhe jo të dhëna imagjinare.

Kështu, zgjodha të mos qesh e ta shpërfill këtë “telefon të prishur” të gazetës për dy arsye: së pari, për të qartësuar faktin se në oborrin e Skënderbeu nuk mund të jetë luajtur “muzikë flamengo” dhe së dyti, për respekt të punës së atyre autorëve që prej kohësh kanë përshtatur dhe shqipëruar një arsenal terminologjik të muzikës.  Prej këtij arsenali kemi mësuar vetë dhe vazhdojmë t’i mësojmë ata që duan të merren me këto gjëra në mënyrë ekuilibruar dhe jo thjesht për bujë mediatike.

(c) Autorja.

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

4 Komente

  1. Yep! Përgëzime, Mika!
    Diku aty ka edhe një shaptilograf të prishur, tek fraza “në oborrin mbretëror të Gjergj Kastriotit në Lezhë (në versionin anglez emri i qytetit është transkriptuar Lesha)”. Nuk e marr dot vesh kush është auktori i kësaj fraze, se është shumë lesh arapi teksti, por më bën përshtypje këmbëngulja për ta emërtuar “Lezhë” që në shek. XIV atë koloni të Dionisit të Parë të Sirakuzës, e cila deri vonë, në kapërcyell të Luftës II Botërore, nga vendasit quhej “Lesh”, kurse më i hershmi toponim i njihet si Λισσός prej themeluesve, për romakët Lissos, kurse për turqit, thjesht, Lesh. “Gabimin” e ka “ay” i shek. XIV, me siguri!

    1. Pa folur pastaj që nuk ka pasur kurrë oborr të Skënderbeut në “Lesha”, sepse “Lesha” ka qenë aso kohe zotërim i Venedikut dhe Skënderbeu kur shkonte atje, shkonte si mysafir. Vec mos e ka pasur fjalën për oborrin e shtëpisë, kullës, hanit a kuvendit ku bunte kryezoti i Arbrit atëherë.

  2. Jo vetëm që nuk ishte domen i Skënderbeut, por nuk dihet se kur ka qenë domen “arbnor”, siç pandeh Znj. Shamku. Për të ardhur keq që persona publikë, me reputacion dhe kontribut akademik, spekulojnë në këtë mënyrë, duke ia këput më shumë se kot. Mes të tjerash, të vret syrin koncepti ‘bajato-nacionalist’ i atribuuar shkollës së regjimit, sikur na paska ofruar një Hero nacionalist, ndërkohë që dy edicionet e para të ‘Historia e Shqipërisë’ (që në titull e reduktuar) nuk përdorin asnjëherë fjalën komb kur i referohen periudhës së Skënderbeut, madje Heroi paraqitet si panballkanik. Në vend që të diskutohet për histori, shfrytëzohet çdo mundësi, sado qesharake dhe me një arsyetim akoma më grotesk, për të tregtuar teorinë e ‘përplasjes së qytetërimeve’, kësaj here nëpërmjet trombës e xhanit të Lalit.

  3. Bëra një kërkim të shkurtër në Google – nuk e kisha pritur që lajmi për këtë muzikant “në oborrin e Skënderbeut” në Lesha, të kish marrë këtë përhapje virale.

    Sikurse nuk e besova, në krye, që njoftimi vetë të kish dalë nga dora e Mandalà-së – por pastaj kërkova të më dërgojnë dhe e verifikova vetë postin e tij në FB, dhe më duhet të them se jam akoma perplessu.

    Aty flitet për “lajmin e mirë” që ia paska dhënë profesorit arbëresh miku muzikolog Ivano Cavallini – dhe pikërisht që në një dorëshkrim të periudhës përmendet një trombetier venecian, që ka luajtur melodi flamande në Lesha…[deri këtu në rregull]… ku kish selinë oborri i Gjergj Kastriotit Skënderbeut (dove aveva sede la corte di Giorgio Castriota Scanderbeg).

    Meqë “Lesha” ka qenë e Vendikut në kohën e Skënderbeut, sikurse edhe më përpara, nuk është e qartë se çfarë është ky “corte” i Skënderbeut atje. Nëse yni do të kish një të tillë, do të duhej ta kishte në Krujë, jo në Lezhë – për të njëjtën arsye që mbreti Alfons i Napolit “corte”-n e vet e kishte në Napoli, jo në Firenze.

    Dhe kjo ka rëndësi – meqë një gjë është që një muzikant venecian të shkojë në një qytet zotërim venecian – në këtë rast Lesha-n, dhe atje të luajë muzikë në një dhomë a sallë ku qëllon të ketë qenë edhe Gjergji ynë, si i ftuar a vizitor; dhe tjetër gjë kur një muzikant venecian luan “në oborrin e Gjergj Kastriotit.”

    Këtu ka dy çështje që nuk më janë të qarta: (1) oborri i Kastriotit nuk mund të ketë qenë në Lesha; dhe (2) a ka pasur vallë oborr Kastrioti gjëkundi?

    Dhe gjithsesi, unë nuk shoh si, nga lajmi i përcjellë prej muzikologut Cavallini, mund të nxirret përfundimi, siç bën Mandalà-ja, se “Skënderbeu ishte edhe një entuziast i muzikës dhe organizonte koncerte “nella sua Lezha.” Sërish, Lezha nuk ka qenë ndonjëherë e Gjergjit; madje ka qenë më tepër e këtij trombetierit, Xorxi, sesa e Giorgio-s sonë.

    Ironik përfundimi i Mandalà-së:

    Bella notizia davvero, nel giorno dell’anniversario della sua morte. Vogliamo ancora discutere di “mito”?

    Në fakt, pikërisht ky “rindërtim” i Skënderbeut si të apasionuar pas muzikës flamande që luhej “në oborrin e tij” është tipik për mitin; madje mbi interpolime të tilla ngrihen zakonisht mitet.

    Pikëpyetja më e madhe imja është kjo: Mandalà-ja i di të gjitha këto më mirë se unë. Atëherë ç’e shtyn vallë të shprehet kështu? Ç’e bën të flasë për “corte di Giorgio Kastriota Skanderbeg” në Lesha – ose edhe thjesht të citojë atë dorëshkrimin që ka gjetur miku i tij, pa vërejtur se pikërisht ky cilësim tregon se autori i dorëshkrimit fliste “me të dëgjuar” dhe nuk ishte i informuar mirë për Skënderbeun?

    Hipotezë: po i flet publikut të vet në FB, që ia kërkon këtë lloj diskursi. He is playing for the audience.

    Që Skënderbeu pastaj mund t’i ketë dhënë këtij Xorxit një honorar të mirë (“lautissimo compenso”), edhe këtu nuk ka gjë për t’u çuditur – por mbase këtë ia kërkonte statusi i tij, si mysafir i shquar, në një qytet që i përkiste po atij Venediku, nga ku vinte muzikanti.

    Nuk e kuptoj. Në raste të ngjashme, unë do të kisha hapur ndonjë libër edhe të Mandalà-së, për t’u konsultuar. Prandaj mbetem akoma me shpresë se kjo punë do të sqarohet nga ndonjë njohës i mirë i fushës.

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2016/01/status-mandala.jpg

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin