GJENERATORË TË ABUZIMIT

Para ca ditësh një vajzë e re vrau veten në Tiranë, në rrethana të paqarta. Ngjarja e rëndë u përcoll gjerësisht nga mediat, edhe pse në mënyrë shumë të cekët, sikurse pritet.

Një vajzë e re e vret veten për një traumë shpirtërore, depresioni ose një çrregullim tjetër mendor, fundja edhe një situatë që së ndierës i është dukur pa rrugëdalje.

Nëse publikut i tërhiqet vëmendja për këtë ngjarje, në vetvete shumë të hidhur për familjarët dhe miqtë e viktimës, arsyeja për këtë do të ishte, të themi, për një kritikë ndaj vetmisë së të rinjve në një qytet të madh, ose në epokën e miqësive dhe lidhjeve virtuale të rrjeteve sociale; ose një kritikë ndaj faktit që personat me probleme mendore ndihen të braktisur nga shoqëria për shkak të stigmës që i përcjell këto probleme; ose fundja edhe për të denoncuar presionin, ndaj individit, të një modeli politik, ekonomik dhe social që hiqet si i mbështetur mbi individualizmin, por në fakt individit ia merr frymën të parit, duke ia kufizuar lirinë në emër të konformizmit total. Temë tjetër kjo, gjithsesi.

Nuk pres nga mediat shqip që të merren me analiza të tilla – u mungon edhe kapaciteti intelektual, edhe interesi editorial, edhe besimi se ashtu mund të tërheqin publikun dhe të lumturojnë pronarët, sponsorët dhe stakeholder-ët e tyre.

Megjithatë, pres prej tyre një fije njerëzillëku, nuk po them mëshire, ndaj një viktime e cila, pa dëshirën e saj, përfundoi në qendër të vorbullës së vëmendjes mediatike.

Imazhi më poshtë është klipuar nga faqja online e një gazete nga më kryesoret në Tiranë. Vizitorit i ofrohen tri foto të ndryshme të viktimës, ndoshta të marra dhe të përdorura pa lejen e familjarëve.

smut

Imazhe të pranëvëna vajzash të pashme – ku tjetër jemi mësuar t’i shohim këto?

Natyrisht, në rubrikat “soft”, të cilat kapin një pjesë të madhe të faqeve ueb të mediave shqip; dhe ku estetika e selfie-t dhe e fotos me një pozë plastike lehtësisht erotike kërkon të funksionojë si karrem, për vizitorin e faqes.

Kjo teknikë pranëvënieje ose e ndërtimit të një sintagme fotogramatike, që përndryshe mbizotëron në seksionet soft-porn të këtyre sajteve, vjen e bëhet ofensive deri në agresivitet, kur vjen puna për t’i treguar vizitorit portretin – në fakt të panevojshëm – të një vajze tashmë të vetëvrarë.

Për më tepër, efekte të tilla sot nuk përftohen më si rezultat i një vendimi editorial, të themi, të një kastraveci; ose të një personi që nuk e kupton se një vajzë e bukur e vdekur nuk mund të trajtohet në lajm me të njëjtën teknikë dhe stil si moshatarja e saj ende e gjallë, por e zhveshur (gjysmë-)lakuriq. Ato i detyrohen, përkundrazi, vetë mënyrës si funksionon faqja.

Dhe pikërisht, kombinimit – këtë herë djallëzor – të dy teknikave që veç e veç mund të duken të pafajshme: e para, që çdo lajm duhet të shoqërohet doemos me një foto ilustruese, e cila shpesh nuk i shton asgjë lajmit përveçse të kushtëzojë lexuesin; dhe e dyta, që në fund të një lajmi, softueri i faqes zgjedh dhe rendit dy tre lajme ose shkrime me temë të ngjashme.

Që vajza e vetëvrarë ishte edhe e bukur, kjo kushedi mund të ketë pasur lidhje me vendimin e saj fatal; bukuria, veçanërisht në moshë të re, më shumë duhet përballuar si stres i një lloji të veçantë, sesa shijuar, si një fitore në lotarinë e gjeneve: dhe ja një temë për t’u trajtuar në mediat; sepse tregu dhe këmbëngulja për t’i themeluar modelet sociale mbi look-un i mëshon pikërisht asaj pabarazie gjenetike, ndër vajzat por edhe ndër djemtë, e cila nuk mund të zhbëhet; duke e dënuar modestinë në pamje me heshtje, hije dhe – në rastet e bullizmit – nëpërkëmbje.

Por mediat sot, dhe veçanërisht ato të Tiranës, e përdorin madje abuzojnë bukurinë fizike femërore – të fytyrës, të trupit, të look-ut – si një lloj ornamenti, për t’ia bërë ditën më të këndshme vizitorit klikues; dhe e bëjnë këtë mu nën hundën e institucioneve dhe të watchdogs gjithfarësh, përfshi këtu edhe OJQ të mirë-financuara, me synime të deklaruara për të çuar përpara kauzën feministe mes shqiptarëve.

Deri këtu, gjëra që dihen. Por ja që ndodh edhe që mekanizmi “logjik” i funksionimit të një faqeje ueb dështon në mënyrë spektakulare, dhe arrin të bashkojë, në një varg të vetëm fotogramatik, erotofilinë trash me nekrofilinë, po aq trash, të mediave në ueb; dhe ta bëjë këtë praktikisht pa ndërhyrjen e një njeriu të gjallë, të një redaktori, të një “avokati të publikut” – ose edhe thjesht të një faktori që merr parasysh njerëzillëkun, ose decencën.

Çfarë për mua është provë se sistemi i komunikimit mas-mediatik online, sa i përket sferës shqip, nuk mund të shpëtohet më – meqë tani është softueri i përdorur vetë që prodhon trash edhe pa bashkëfajësinë e idiotëve ose inkompetentëve të radhës.

5 Comments

  1. “Çfarë për mua është provë se sistemi i komunikimit mas-mediatik online, sa i përket sferës shqip, nuk mund të shpëtohet më – meqë tani është softueri i përdorur vetë që prodhon trash edhe pa bashkëfajësinë e idiotëve ose inkompetentëve të radhës”.

    Besoj se kjo duhet te sherbeje si standard definitiv, intelektual, moral, por edhe profesional per doreheqjen nga referimi ndaj ketyre mediave, qofte edhe ne menyre te nenkuptuar. Perndryshe si mund t’i referohesh dhe t’i japesh rendesi asaj qe ndodh ne koshin e plehrave?
    Them se ky kordon sanitar, i hequr publikisht edhe nga te tjere, ne shume raste me premisa krejt hipokrite, do te duhet te promovohet deri ne shkeputjen e hallkes qe sot lidh ngjarjen, keqtrajtimin gazetaresk te saj, emfatizmin e pseudolajmit me etiken e munguar. Ndoshta ka ardhur koha e nje “elysium” ne komunikimin shqip ku thellesia e infektimit eshte e tille qe e shmang akuzen pwr arrogance apo elitizem. Do shpetonte te gjithe nga nje gjykim reciprok pa produkt dhe sfilites sa kohe merret ekskluzivisht me produktin dhe jo me procesin.

    1. E ke gabim.

      Çfarë ndodh në koshin e plehrave mund të qelbë dhe të infektojë gjithë dynjanë – madje mënyra si i trajton plehrat një komunitet mund të shërbejë si bazë për të matur shkallën e qytetërimit atje.

      Edhe shtazët relativisht të ulëta, p.sh. brejtësit, kujdesen që ta mbajnë pastër folenë; sepse e dinë se pastërtia është në interes të species, ndihmon mbijetesën – jo vetëm të individit por të krejt grupit.

      Meraku im është qytetar. Nuk besoj që gazetarët që i drejtojnë këto media, disa prej të cilëve i njoh personalisht, të mos jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë materialesh toksike janë duke shpërndarë anembanë Internetit shqip.

      E dinë. Prandaj enigma që më mundon është pse vazhdojnë ta bëjnë – sepse nuk i japin ndonjë valencë etike punës së tyre, sepse nuk kanë bukë të hanë, apo thjesht ngaqë kanë ngrënë dikur atë lugën proverbiale me çorbë të prishur.

      Në fakt, nuk më interesojnë motivet e tyre. Më intereson efekti i tyre ndaj konsumatorit të mediave. Më intereson lidhja që mund të ekzistojë midis një vetëvrasjeje të një vajze të re dhe kultit objektifikues të femrës vulgare, të cilit i përkushtohen shumë media.

      Më intereson edhe të kuptoj se si ndodhi që me lirinë e fituar e fjalës – unë e kam kaluar gjysmën e jetës në një mjedis social ku liria e fjalës më mungonte – të abuzohet në këtë mënyrë. Ty të japin një gazetë, një televizion, një faqe ku të komunikosh me publikun, dhe ti gjëja më e parë që shkon të bësh, është të vendosësh atje një palë bœthë?

      Për këtë le të flasim. Apo, nëse dëshiron, le të flasim edhe për letrën e Mark Zuckerbergut, që mbyti një Internet të tërë, dhe nuk mbeti qyqar pa e festuar këtë arritje tjetër të shqiptarëve! Si ndodhi kështu? Gazetarët që njoh unë janë njerëz të mençëm, që s’ua ha qeni shkopin (qeni!): pse ky infantilizëm, kjo lypësi ndaj efektit sentimental, kjo mani për të gudulisur sqetulla nga më të mykurat?

      Ose le të pyesim, të dy bashkë, ti dhe unë, nëse kanë ndonjë mision etik mediat e sotme elektronike – që nga portalet e deri te sportelet pornografike të gazetave. E kam fjalën, kur drejtuesi i një faqeje të tillë kthehet në darkë në shtëpi, dhe i del përpara fëmija dhe i thotë, babi çfarë bëre sot – si do t’i përgjigjet ky? Që ja, e dekriptova edhe telefonin e Encës, ose kopjova një lajm nga Daily Mail të përkthyer me Google Translate, ose vendosa në faqe një video virale, ku femra lesbike prekin penisin për herë të parë, ose përhapa një thashethem për një këngëtare tashmë në pension, që edhe unë e di se është më i rremë se dhëmbët e Berlusconi-t?

      Le të diskutojmë, pra, etikën e gazetarisë, njëlloj sikurse do të diskutonim etikën e lolos në oborrin e mbretit, ose të lypsarit, ose të valltares së strip-tease ose edhe të prostitutës; edhe pse këtë lloj diskutimi gazetaria shqip duhet ta bëjë me veten. Aq më tepër që gazetarët vetë, me pak përjashtime që vërtetojnë rregullën, janë sot po aq proletarë të punës mendore sa edhe mësuesit.

      Ka një libër të Böll-it, “Nderi i humbur i Katerina Blumit.” Mbase e njeh, mbase jo; ekziston edhe në një përkthim shqip. Vitet e fundit, gjithnjë kam menduar se duhej të ish imponuar si lexim jashtë klase për të gjithë “punëtorët e mediave”. Ja një gjë e mirë, që mund të bëhet pa vonesë – mjafton dëshira.

      1. Me perjashtim te nja dy fjalive, mund te them se kjo eshte fjale per funeralin e mediave. Pse jo mund te hapet nje faqe tjeter, qe te sherbeje si landfilli i pare i plehrave te perbera nga fjale dhe imazhe.
        Ose mund te ishte nje parathenie per librin e zi te medias shqiptare. Shoh edhe nje peshtyme ne shami punetoret e medias si dhe drejtuesit e mencem, keta biba te lirise se fjales.
        Personalisht nuk shoh asgje dramatike ketu, por dua te them se nuk ka cfare te diskutosh.
        Komenti im i mesiperm, edhe pse me dyshime per ta hedhur a jo, i referohej mbylljes se shkrimit qe e sheh te pashprese situaten. Nga kjo pikepamje them se eshte e padobishme qe te vijohet me kritika per mungese etike kur ajo konsiderohet e vdekur, apo e pamundur ne kete mjedis.

      2. E kam humbur shpresën te mediat, ashtu si paraqiten sot. Nuk e kam humbur shpresën te gazetarët, që mund të themelojnë media alternative dhe të bëhen murgj të informacionit. Njoh shumë prej këtyre që mund ta bënin këtë – me kusht që të rishikonin prioritetet.

  2. Një tjetër shans i humbur për këtë soj media të mobilizojë ekspertët e saj për të qëmtuar një fenomen social siç është depresioni tek të rinjtë (Jugenddepresion). Kështu do të sensibilizonte publikun, ndër ta prindër e mësues, për ndoshta formën më të pabesë të depresionit. S’ka fort rëndësi nëse vërtet bëhej fjala për depresion në këtë rast, se e vërteta ndoshta s’del kurrë, por ky do ishte njëlloj hulumtimi për t’u marrë me një realitet që rëndon shpesh mbi rininë, dhe që shumë shpesh superohet me ndihmën e duhur. Është rol edhe i mediave ta ngrejë diskursin nga rasti i veçantë te problemi social. Groteske pastaj të gërshetosh ndjesinë instinktive të shikuesve – dyshoj se këto media i drejtohen lexuesve – për ta mëshiruar vdekjen falë vlerës tregtare të bukurisë. Kjo është të bësh biznes “over her dead body”. Rrënon edhe një farë sensi etik kundrejt jetës së ikur që shikuesi, në origjinë, me siguri e ka.

Comments are closed.