FAKE, BUT FUN

Mediat e Tiranës, portalet dhe gjithfarë burime të tjera lajmesh botuan këto ditë një “artikull” a “intervistë” e cila i atribuohej z. Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së shtetit të New York-ut, ku ngrihej alarmi për blerjen e mass mediave në Ballkan nga Rusia.

Pas protestës që pritej nga ana e ambasadës ruse në Tiranë, ia behu edhe përgënjeshtrimi i zotit Gjonaj, i cili lajmëroi botërisht se nuk ka asnjë lidhje, as ai as stafi i tij, me artikullin e shpërndarë.

Dikush duhej të mbante përgjegjësi për këtë mashtrim; por kjo vështirë të ndodhë, në kohën kur mediat në Tiranë e kanë ulur kaq shumë stekën e profesionalizmit, sa të mos i dalin më zot asgjëje që publikojnë.

Artikulli kinse i Mark Gjonajt u shpërnda si FAKE NEWS, por do të ketë qenë edhe PSY-OP; me gjasë, Rusia si çdo fuqi tjetër e madhe në Ballkan kërkon të kontrollojë edhe ndonjë media.

Por publikun sërish e gënjyen; siç po e gënjejnë përditë gjatë kësaj fushate elektorale dhe siç e kanë gënjyer sistematikisht edhe më parë. Publiku në fakt po dëshiron të gënjehet, sepse është mësuar t’i përdorë mediat në mënyrë “terapeutike” ose “rekreacionale”.

Disa nga mediat që morën pjesë në përhapjen e lajmit të rremë, sot kishin lajmëruar edhe për përgënjeshtrimin: pa e shmangur dot paradoksin. Tek e fundit, nëse ti ke gënjyer dje, pse duhet të të besojmë sot? Po sikur të jetë edhe përgënjeshtrimi FAKE NEWS?

Pa çka se është në interes të gazetarëve vetë – që kanë mbijetuar, që do të kenë mbijetuar – që të kërkojnë identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve për këtë fiasko.

Një mënyrë si të arrihet kjo, është që t’u kërkohet mediave të deklarojnë çdo herë BURIMIN e një lajmi që japin; dhe nëse e kanë gjetur lajmin me mjetet e veta, t’i dalin zot po aq botërisht; të thonë se këtë lajm E KEMI VERIFIKUAR NE VETË.

Sot për sot, mediat ia vjedhin lirisht lajmet njëra-tjetrës, aq sa lexuesi e ka praktikisht të pamundur të marrë vesh se nga vjen ky apo ai informacion. Deklarimi i burimit, në këtë kontekst, nuk është shkelje e privatësisë, por shenjë serioziteti dhe profesionalizmi; sa kohë që një lajm nga agjencia Reuters ka më shumë besueshmëri se një lajm i dëgjuar në kafenenë “Reuters.”

Ka burime lajmesh që i dalin zot informacionit që shpërndajnë, dhe ashtu edhe ndërtojnë një reputacion besueshmërie. Nëse këtë qëndrim e adoptojnë edhe mediat në Tiranë, ky do të ishte një hap i parë drejt diferencimit të tyre, sipas seriozitetit të raportit që vendosin me publikun.

Deklarimi i detyrueshëm i burimit ndoshta do t’i vinte fre edhe shtegtimit të lirshëm të lajmeve (dhe të artikujve) nga një media në tjetrën dhe nga një portal në tjetrin; duke i shërbyer edhe mbrojtjes të së drejtës së autorit.

Kjo mund t’u kërkohej mediave me ligj, brenda logjikës së copyright-it dhe në frymën e legjislacionit përkatës; por mediat mund edhe t’ia impononin vetes, në kuadrin e etikës profesionale.

Turpi që sapo ndodhi me lajmin për z. Mark Gjonaj kushedi do të harrohet shpejt nga fajtorët; por kjo nuk e bën më pak të rëndë ngjarjen. Pavarësisht nga pritmëritë e ulëta të publikut sot dhe nga statusi i ulët që kanë sot mediat, sa i përket profilit etik dhe besueshmërisë, unë sërish besoj se është e drejtë e përdoruesve të informacionit shqip që të mos gënjehen prej mediave publike.

Përndryshe, nëse vazhdojmë t’i trajtojmë mediat si burime argëtimi dhe për të konfirmuar fantazitë dhe paranojat që kemi, veç i ndihmojmë statu quo-së dhe sundimit të Tjetrit mbi mendjet tona.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin