BRIRËT E MOISIUT DHE MALLKIMI I PËRKTHIMEVE

Edhe pse jam mjaft i kthjellët për përmasën e naivitetit etnocentrik të çfarëdo lidhjeje të Shën Jeronimit të Stridonit (347-420) me kulturën ilire a arbërore e aq më pak atë shqiptare, përsëri ndjej një lloj parehatie kur ma sjell hera të kapërcej pragun e ndonjë salle diskutimi apo leksioni ku flitet për përkthimet.

Se zakoni e do që në një takim të organizuar mirë fare, në mos në fillim, diku nga mesi, por asnjëherë në fund, të sillen edhe shembujt jo fort të lavdishëm në fushën e përkthimeve.

Në jerarkinë e gabimeve në nivelet e larta të ekzegjezës biblike, vendin e nderit e zë Shën Jeronimi, ai që, pasi ka mbrojtur (ashtu si ka mundur) përkthyesit e vendeve të ndryshme të botës, së fundi ka filluar të përmendet, disi me druajtje, edhe si shenjti mbrojtës i përkthyesve shqiptarë. A fillon me të mallkimi i teksteve të sjella në shqip?

Historia nis me përkthimin e fjalës hebraishte qaran që fjalorët specialë e përkthejnë me rreze (për formën emërore të hebraishtes ) apo rrezatim (për formën foljore), por që Shën Jeronimi në Vulgatën e tij, latinisht pra, e ka përkthyer me cornu (bri).

Nuk mungojnë ata që thonë se aty ka diçka të qëllimshme, ai ka dashur të diabolizojë Moisiun, gjë që duket fort e çuditshme. Kur Papa Damasiusi i I-rë e ngarkoi në përkthimin e Biblës, ai qe fort i bindur në përshpirtjen e personit që kishte zgjedhur për një detyrë të tillë. Natyrisht, nuk është Jeronimi ai që bëri i pari përkthimin e teksteve të vjetra biblike e as atyre të rejave (ungjijtë). Prej kohësh ekzistonin ato që quhen Vetus latina (përkthimet e vjetra latine), por duket se kisha, për të shmangur një farë lloj konfuzioni, kishte nevojë për përkthime të autorizuara prej saj, të kryera nga njerëzit e saj.

Të tjerë e marrin punën më qetësisht, përshkruajnë një ditë pune të lodhshme të përkthyesit “tonë”, darka afrohet, dielli falet, kandili bën më shumë tym se dritë, ai ndjen se ka uri, por kujtohet se më parë duhet të ngrohë supën. Në nxitim e sipër kërkon të mbyllë edhe një frazë të fundit që ka në dorë, edhe pse sytë i djegin (syzet ende nuk janë shpikur). Dhe ja, fjalën qaran (rrezaton ) e merr për qeren (bri), mbase. E keqja është se kjo fjalë bën pjesë te fraza që përshkruan fytyrën e Moisiut, profetit biblik. Tani, në versionin e fundit latin, në vend që fytyra e Moisiut të shndrisë nga takimi me perëndinë, ajo paraqitet me bri, madje me dy bri.horns-of-Moses

Nganjëherë kam përshtypjen se kjo “lajthitje” do të qe harruar me kohë, po qe se përshkrimi i pasazhit biblik në fjalë (te Eksodi), nuk do të ishte marrë për bazë nga M. Buonaroti, për kompozimin e shtatores së Mosiut të lashtë. Natyrisht, nuk do të qe inekzistues si debat, se komentet e kundërshtimet për të kanë filluar që në gjallje të Shën Jeronimit, por mbase do të ishin harruar (?). Por ja, ndodhi që Mikelanxhoja ndërsa mori porosinë për varrin e Julit të II-të, vendosi që monumentin e tij mortor ta zbukurojë me një shtatore ulur të patriarkut biblik, një çast pasi ai ka zbritur nga mali Sinai me tabelat e Dhjetë Porosive në dorë, pra me Ligjin hebraik.

Pasi rregulloi disa detaje të mjekës së derdhur të njeriut që kishte guxuar të shohë perëndinë në sy, Mikelanxheloja iu ngjit kokës së tij plot lesh kaçurrel dhe me disa të rëna të daltës, i gdhendi edhe dy bri të bukur m’u në majë. E keqja qe bërë.

Ka mundësi që të gjithë nuk kanë qenë në një mendje me Mikelanxhelon, pra tërthorazi edhe me vetë Shën Jeronimin. G. Reni, disa dekada pas Buonarotit bën një kompozim madhështor në pikturë të Moisiut, por sikundër shihet, mbi kryet e tij nuk ka asnjë shenjë briri . Nuk kuptohet nëse kjo ka ndodhur për arsye teologjike apo estetike, por ai nuk ka pranuar t’i vërë brirë në kokë njeriut që komunikoi me Perëndinë.
Disa dekada pas veprës madhështore të Mikelanxhelos, kemi një portret interesant të spanjollit J. Ribera. Ai duket se do të ketë kaluar net të tëra pa gjumë, do të jetë torturuar duke iu kthyer vetë origjinalit të Biblës (me ndihmën e ndonjë fjalori, mbase), dhe ka arritur në përfundimit se ato që për Shën Jeronimin ishin brirë, për të nuk janë veçse dy rreze drite që shpërthejnë, po në atë vend ku paraardhësi tij gjenial kishte vënë dy brirë.Moises. J. Ribera

Mundet që e reja që sjell Ribera të jetë thjesht një shprehje e debatit të teologëve të kohës dhe e pakënaqësisë së tyre për përkthimin e gabuar të Shën jeronimit. Por tashmë për ta gjithçka mbetet në nivel diskutimesh, madje me zë të ulët, mundësisht. Koncili i Trentos tashmë ka vendosur që përkthimi i Shën Jeronimit (edhe pse nuk ra fare në sy në kohën kur u krye, madje Shën Agustini dhe Gregori i Madh nuk e pëlqenin fare), pra ky tekst të cilësohet si versioni zyrtar i Kishës. Rembrand, 1659

Më 1659 është Rembrandi që do të thotë fjalën e tij për këtë problem. Duke realizuar një portret me linja dramatike të patriarkut biblik, të duket sikur holandezi gjenial ( e i mbytur në borxhe, për të blerë shtëpinë e tij, atë që sot është muze) shpreh gjendjen e tij të trazuar dhe mëdyshjet e mëdha, por jo se nuk di çfarë t’i vërë në kokë Moisiut, edhe pse ato dy rrezet e dritës së Riberës i duken qesharake. Për t’i rënë shkurt, ai sajon dy si punë xhumbash mbi kokën e Moisiut, duke u kujdesur që të mos bien shumë në sy. Veçse zemërimi i tij, me dy pllakat e Ligjit të ngritura lart e gati për t’i thyer, mua më duket sikur thotë: Shikoni, ligji i ri doli dhe përsëri asgjë për honorarët tona të ulta! (Vëreni sa i ngjan portreti i Moisiut portretit të vetë artistit)

moses-receiving-the-tablets-of-law-Së fundi fare le të përmendim M. Shagallin, që duke luajtur si mjeshtër cirku midis dy përkthimeve të fjalës qaran, vendos që një nga veprat e tij me këtë temë ta emërojë: Moisiu me dy brirët rrezatues. (Personalisht e kuptoj fare mirë piktorin e madh që u bën qejfin të dy palëve për të mos rënë në kurthin rraskapitës të diskutimeve eskatologjike të linguistëve)

Së fundi (një risi e tillë më motivoi për këtë shkrim, se shekujt kalonin dhe nuk sillnin asgjë të re), pra së fundi kam kënaqësinë të përmend këtu se në këtë temë ka patur një farë jehone ndërhyrja e biblistit zviceran Thomas Römer. Fjalën e tij përuruese të pranimit si shef i katedrës së Biblës në College de Francë, ai, për çudi, ia kushton pikërisht kësaj teme. Me këtë rast ai shton nevojën e një qasjeje historike krahas asaj linguistike.

Pak rëndësi ka, thotë ai, nëse Moisiu ka ekzistuar apo jo, ajo që mund të pohohet është se pa të nuk do të kishte Bibël (ka të drejtë, ndryshe nuk do të kishte as punë për të). Por përse në shumë nga imazhet që i kushtohet ai paraqitet me brirë, pyet Römer? Përgjigja që zakonisht i jepet kësaj pyetjeje është se Jeromi, përkthyesi i Biblës ka gabuar. Fraza në hebraishte: « oumoshè lo yada ki qaran ‘or panaw » (Exode 34, 29) është përkthyer në latinisht me: « et ignorabat quod cornuta esset facies sua » = dhe nuk e dinte (Moisiu, pra) se lëkura e fytyrës së tij ishte ‘qaran’ (në origjinal e ka lënë kështu). Pothuaj të gjitha përkthimet, vijon arsyetimin e tij Römer, formën foljore qaran e japin rrezatues, rrezëllitës (pra, fytyra e Miosiut rrëzëllente nga takimi me perëndinë) siç e kishin bërë më parë përkthyesit grekë. Megjithatë, kjo formë verbale që del vetëm te Eksodi, me gjasa lidhet me një substantiv që del shpesh në trajtën qeren që në hebraishten biblike ka kuptimin “bri”. Pra, thotë ai, duket që përkthimi i Jeronimit të jetë më i miri dhe duhet rehabilituar, përkundër versioneve greke (mbajeni mend këtë), siriane dhe interpretimeve tradicionale çifute e të krishtera.

Më tej ai i qaset historikisht e antropologjikisht punës së brirëve dhe flet për simbolikën e tyre pozitive në kohët biblike, gjë që të lë disi të ftohtë, sepse çdo simbol pagan ishte rreptësisht i ndaluar në Torah e jo më t’i vihet në kokë Patriarkut.

Por nuk po shkojmë më tej në këtë arsyetim. Për ne që vijmë nga një botë aq e largët nga interpretimi biblik, do të qe sharlatanizëm i vërtetë të vihemi në rolin e arbitrit duke spekuluar me elementë escatologjikë e gjuhësorë. Pra duke i qëndruar larg një ideje të tillë lë të na lejohet të bëjmë ndonjë qasje të nivelit logjik. Këtu shtrohet problemi që si është e mundur që lidhja e këtij verbi dhe substantivi nuk u ka rënë në sy për pothuaj dy mijë e treqind vjet përkthyesve hebraikë e të krishterë, por më shumë të parëve që e kishin gjuhën e tyre se sa të dytëve?

Siç shihet nga fjalët e Römer-i që i sollëm më sipër në ligjëratë të drejtë, ka të ngjatë që gabimi i tij fillon kur flet për gabimin e “përkthyesve grekë” që qaran e kanë dhenë me rrezatim, rrezëllim.

Veçse, Septuaginta-n (versionin grek të Torah-s), nuk e kanë sjellë në greqisht grekët, por çifutët. Kësaj Römer-i i kalon anash. Kjo ka ndodhur rreth vitit 270 (p.K) dhe është zhvilluar në sy të historianëve. Flavius Joseph e raporton te vepra e tij Antikitete çifute. Aty del që Demetriosi i Phalere-ës, themeluesi i bibliotekës së Aleksandrisë i propozon Ptolemeut të II-ë përkthimin e teksteve fetare çifute, për t’i përfshirë në koleksionet e tij madhështorë. Të tjerë shtojnë se arsyeja e përkthimit ishte edhe fakti se nga pesë lagjet e Aleksandrisë, dy ishin të përbëra nga çifutët. Natyrshëm grekët kërkonin të njohin “urtësinë barbare”, thuhet në disa burime. Kështu ndodhi që administratorët grekë të projektit, iu drejtuan priftit të madh Eleazar dhe i kërkuan gjashtë vetë nga çdo tribu që do të përkthenin Torah-n në greqisht. Me t’u zgjedhur 72 burra (prandaj dhe vepra quhet Septuagintalat), mirdashë (teologë, interpretues) hebraikë dhe të pasionuar pas kulturës greke, u organizua një pritje paraprake nderimi nga faraoni Ptoleme i II-të, dhe pastaj ata u tërhoqën në një ishull (mendohet të jetë Pharos) ky kryen punën e tyre madhështore.

Më pas u tha se Ptolemeu kishte kërkuar që secili prej tyre të përkthente tekstin integral të të gjitha shkrimeve të vjetra çifute. Në përfundim , në prani të faraonit dhe të asamblesë çifute të Aleksandrisë u bë paraqitja publike e punës së secilit prej tyre dhe doli që të 72 versionet përputheshin në mënyrë të shkëlqyer.

Kjo është Septuaginta.

Ja pra se cilët janë “përkthyesit grekë” që për opinionin e Römer-it kanë gabuar duke mos i gjetur kuptimin e saktë fjalës qaran.

Shtojmë këtu se sipas biografëve të tij Jeronimi ishte njohës i mirë i latinishtes dhe greqishtes (madje si fillim punoi si përkthyes i papës Damasius i II-të), por ai nuk është njohës i mirë i hebraishtes. Madje nuk e njeh fare. Kjo gjuhë në atë kohë shihej si pa interes. Megjithatë, nuk i duhet mohuar një ndërgjegje profesionale e lartë, sepse kur shkoi të formonte një manastir në Betlehem, ai nuk mungoi të merrte leksione të hebraishtes nga rabini Bar Anima, ndërkohë që vazhdonte punën e përkthimit të Biblës (në fakt vetëm të një pjese të saj)

Edhe pse më duket prekëse kjo mënyrë e re pune, që e shoh si fillimin e një metode të re e moderne përkthimi, këtë vullnet për të qenë afër burimit (gjë që u kritikua fort nga bashkëkohësit sepse rrezikonte të forconte frymën hebraike të Shkrimeve të Shenjta në kurriz të atyre latine), megjithatë e kam të vështirë ta vë hebraishten e tij në një nivel me atë të shtatëdhjetë e dy përkthyesve të Septantës.

Pra, në këtë kuptim versioni i përkthimit të pasazhit të Eksodit që flet për rrezatimin e fytyrës së Moisiut (disa thonë se ishte e mbuluar me lavdi) nga takimi me zotin, pra ky version i mësipërm duket më afër të vërtetës si sa ai tjetri që thotë se Moisiu zbriti nga mali me bri në kokë.

Këtu nuk dua të zgjatem (se e ndjej fundin e durimit tuaj) e t’ju drejtoj te një sit çifut interneti me emrin Adath Shalom, për të cilin kujdeset rabini Rivon Krygier, doktor në teologji, i cili për komunitetin dhe ndjekësit e tij flet për episodin në fjalë dhe, fare pa u ngatërruar me versionet greqisht e anglisht, e përkthen atë drejtpërdrejtë nga hebraishtja e tij në frëngjisht, dy mijë vjet pas Jeronimit dhe kjo jep: …lëkura e fytyrës së  tij (Moisiut) shkëlqente.

Së fundi fare, më pëlqen shumë të përmend se deri vonë versioni zyrtar i biblës vatikanase nuk është pikë për pikë ai që ka përkthyer Shën Jeronimi ( i cili në atë kohë nuk ishte ende shenjt) por një version pak i retushuar aty- këtu e që cilësohet si Vulgata Sixto-Clementine (për nder të Clementit të VIII), ku cornatus është dhënë me –fytyra e tij rrezatonte (flasim gjithnjë për plakun Moisi).

Së fundi fare fare po i hedh një sy sitit të Vatikanit, konkretisht versionit zyrtar latin të Nuova Vulgata, pa dyshim versioni më zyrtari që mund të bëhet i Kishës katolike)) dhe po zbres të Libri i Eksodit. Për episodin në fjalë aty thuhet: (29) Cumque descenderet Moyses de monte Sinai, tenebat duas tabulas testimonii et ignorabat quod resplenderet cutis faciei suae ex consortio sermonis Domini

Pra, në një farë kuptimi, pavarsisht mbrojtjes disi të vonuar, por gjithnjë të respektueshme të Romer-it, Versionin e Shën Jeronimit (me gjithë brirët e tij) e ka braktisur edhe vetë porosidhënësi, Vatikani.

Le të kthehemi te pyetja e parë: A fillon me Shën Jeronimin mallkimi i përkthimeve tona?

Nga përvoja ime modeste si përkthyes, por nga një përvojë besoj e konsoliduar si lexues i mirë, nuk kam bindjen se cilësia e përkthimeve ka të bëje thjesht me saktësinë apo jo të sjelljes së një fjale në një gjuhë tjetër. Eshtë e rëndësishme që fryma e përgjithshme e veprës të na sjellë gjenden shpirtërore të autorin në çastin sublim të krijimit. Në këtë pikë Jeronimi i Stridonit është një pararendës mjaft i respektuar. Kur u nis në Betlehem, ai e kishte të qartë se nuk do të arrinte të përvetësonte në mënyrë magjistrale gjuhën hebraike, madje kurrë nuk flet për nivelin që arriti. Përkundrazi ai, duke iu përgjigjur kundërshtarëve të tij, thotë se mbi të gjitha është i nteresuar për Veritas hebraica. Ja një gjë e jashtë zakonshme, që duhet kuptuar drejt! Ai kërkon të kapë subtilitetet e shpirtit hebraik, si një element që do ta ndihmojë të kuptojë më mirë procesin e krijimi të një libri që flet për herë të parë për konceptimin e një zoti të vetëm, ndërkohë që shumë popuj aty rrotull, jetonin ende majë pemëve dhe u faleshin gurëve, erës, rrufeve etj.

Për ta ulur ca në tokë paragrafin e mësipërm, dua të besoj se sikur David Bellos të bënte ca përpjekje për të mësuar gjuhën shqipe, e aq më shumë të vinte ca vite në Shqipëri për të njohur “shpirtin shqiptar” (se mbase ka vërtet dhe na e gjen ai), lexuesit amerikanë dhe anglezë me siguri që do të kishin një vizion tjetër për veprën e I. Kadaresë.

Janë mosnjohja e thelbit të veprës dhe mungesa këlthitëse e përgatitjes letrare si dhe e krijimit të një vizioni personal të kontekstit letrar të veprës, pra mungesa e kërkimit të çdo vepër, ciladoqoftë, e një  “veritas hebraica” , në kuptimin më të gjërë, ajo që shpesh herë bën që edhe kryeveprat më të mira të shekullit të XX- të të përkthehen me nivelin e hartimeve plot letrarizma të shkollarëve shqiptarë, siç del nga ky shembull.

Pra, është e tepërt të themi se Jeronimi i Stridonit mbetet një referencë e gjithëkohëshme për përkthyesit, një titan i pa vlerësuar siç duhet për konceptin e ri të përkthimeve që solli,.Që nga koha e tij unë nuk di të ketë patur ndonjë tjetër risi në fushën e përkthimeve.

Nuk ka komente

  1. Siç kisha shkruar këtu në blog, në një kohë sa të largët aq edhe nostalgjike, Septuaginta nuk u përkthye nga 72 përkthyes. 72 ishin anëtarët e Këshillit Hebraik (Sanedrin – kjo prej gr. συνέδριον që aktualisht është perjudha kohore nga rikthimi prej robërisë Babilonase deri në shkatërimin e Jeruzalemit, pra vitet 556 p.K – 70), nën kujdesin e të cilit u krye përkthimi. Ky keqkuptim, se u përkthye nga 72 përkthyes e rrena të tjera filluan me autorin i njohur si Pseudaristea. Qëllimi i përkthimit ishte thjesht praktik, hebrejtë e Aleksandrisë edhe më gjerë ishin helenizuar në masë saqë ishte e veshtirë të kryenin ritet fetare të tyre në gjuhën amëtare.

    Ky gabim i Jeronimit është në fakt shumë i vogël në lidhje me kasaphanën që i ka bërë Biblës në reaste të tjera. Gabime të tjera të tij krijuan jo thjesht keqkuptime por sekte e herezi gjithfarësh.

  2. Lyss,

    shkrim i shkelqyer! Kam vetem dy gjera:

    Se pari, nje errata corrige: te ” …fytyra e lëkurës së tij (Moisiut) shkëlqente” meqe eshte fjala te gabimet e perkthimit, eshte gabim perkthimi i “La peau de son visage rayonnait” 🙂 🙂

    Se dyti, gjate leximit per dreq me lindi nje pyetje qe po e ndaj me ty, pa pretenduar doemos pergjigje prej teje:

    Nuk di hebraisht, por di se hebraishtja ka nje sistem shkrimi konsonantik, d.m.th. nuk i shenon grafikisht zanoret, por vetem bashketingelloret. Tani pyetja eshte: si i behet per te dalluar grafikisht dhe per te lexuar qarte ne hebraisht dy fjale si qaran dhe qeren, (perkatesisht ne hebraisht קָרַן dhe קָרַן) kur shenohen vetem bashketingelloret? Ç’faj ka Shen Jeronimi ketu? Pse u dashka lexuar ashtu e jo keshtu kur te dyja fjalet shkruhen njelloj?

    1. Relapso, te faleminderit. Te paren e korrigjova (keshtu eshte kur shkruan ne orar te punes:-))
      Per te dyten jam i tunduar te them se duhej ( çfare paturpesie t’i japesh atij keshilla!) t’i drejtohej “mjedisit” gjuhesor. Veçse nga i njejti “mjedis” ai arrin ne ate perfundim qe kemi, te tjere ne nje perfundim tjeter. Nuk di ç’te them, eshte e ditur se ne procesin e perkthimit kemi me shume se “kthim”!

  3. Së pari përgëzime për këtë shkrim të shkëlqyer.

    Lexuesi me emrin Relapso ka të drejtë. Hebraishtja e ditëve të Jeronimit shkruhej vetem me bashtingëllore, pra dorëshkrimet që Jeronimi kishte para syve nuk kishin as “karan” e as “keren”, por thjesht “krn” (qaran/qeren është për anglishtfolësit. Fjala “krn” fillon me shkronjën hebraike kof që tingëllon si “k-ja” shqipe apo “q-ja” angleze). Vetëm disa shekuj pas Jeronimit një grup skribësh të quajtur mazoretë vendosën t’i shënonin zanoret duke përdorur ca viza e pika që viheshin sipër apo posht bashtingëlloreve ekzistuese. Janë dorëshkrimet e mazoretëve që shënojnë “karan”, por këto dorëshkrime nuk ekzistonin ende në kohën e Jeronimit.

    Mjedisi gjuhësor është më i koklavitur. Pretendimi se përkthyesit e Septuagintës mund ta kenë ditur hebraishten më mirë, dhe se Jeronimi ka bërë një gabim të çuditshëm është paksa naiv. Përkthimi i Akuilit në greqisht i po asaj periudhe e bën Moisiun po me bri. Akuili njihet si një përkthyes i ngurt që, nën ndikimin e Rabinit Akib, u jepte përparësi formave hebraike duke e cunguar kështu gjuhën greke.

    Arsyeja pse Jeronimi dhe Akuili menduan ta lexonin “krn” si “keren” e jo “karan” nuk është e çuditshme kur kemi parasysh se: Së pari, fjala “karan” si folje rrëzëllim nuk del në asnjë vend tjetër në shkrimet hebraike. Për të shprehur të njëjtin mendim folja më e natyrshme do të kishte qenë “hoir”, ndrit (forma hifil e foljes “or”) që do të shkonte edhe më mirë me “lëkurën e fytyrës”. Ndoshta, përkthyesit tanë menduan se po ta përkthenin si rrëzëllim do të jepnin përshtypjen e gabuar se po shpiknin një fjalë të paqenë. Së dyti, simbolika e bririt në shkrimet hebraike njihej mjaft mirë. Briri paraqiste, lavdi, rëndësi, nder, fuqi, etj. P.sh kur Ana, nëna e Samuelit, lavdëron Perëndinë se u bë me fëmijë thotë: “U ngazëllua zemra im në Zotin, u ngrit briri im në Zotin.” Apo Jobi kur vajton thotë: “E kam qepur thesin për lëkurë, dhe e kam zhytur bririn tim në pluhur.” Në këto vargje nuk ka aspak dyshim se bëhet fjalë për bririn e jo për foljen rrëzëllim. Ndoshta përkthyesit tanë mund të kenë menduar se këtu bëhet fjalë për të njëjtën simbolikë apo shprehje frazologjike.

    Pra, këtu nuk bëhet fjalë për një gabim përkthimi, apo keqkuptim, por thjesht një mënyrë tjetër të lexuari të tekstit që deri diku është e lejueshme. Kontrastet mes tekstit mazoretik, Septuagintës dhe Vulgatës janë më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohen vetëm duke shtruar pyetjen se kush ishte njohësi apo përkthyesi më i mirë i hebraishtes.

    1. Akuili, jam krejtesisht ne nje mendje me ju, problemi eshte mjaft me i nderlikuar. Ne nje kuptim, arsyetimi juaj eshte ai i Romer-it qe kam sjelle ne tekst,si ne veshtrim gjuhesor ashtu edhe ne ate antropologjik, ne kuptimin me te gjere, ne kete rast sa i perket interpretimit te simbolikes se bririt ne shoqerine hebraike te kohes. Por me tej po te ishte siç thoni ju se “Pretendimi se përkthyesit e Septuagintës mund ta kenë ditur hebraishten më mirë, dhe se Jeronimi ka bërë një gabim të çuditshëm është paksa naiv”, atehere si shpjegohet qe ky naivitet vazhdon edhe pas 2.300 vjetesh dhe e shtyn teologun Rivon Krygier,hebre dhe njohes i thelle i hebraishtes se kohes, ta perktheje fjalen “qaran” me “rrezëllim” dhe Vatikani nga ana e tij te braktise braktise zyrtarisht versionin e Shen Jeromimit?
      Pra, hiç e thjeshte kjo pune. Te pakten jo aq e thjeshte sa t’i kalohet anash me nje “naivitet” te rastit, mendoj une.

      1. Lyss,
        Më bëhet qejfi që po përmend emra teologësh, veçse kam hall se po t’i futemi këtyre hollësive, një pjesë e mirë e lexuesve do të thonë se brirët i kemi ne e jo Moisiu 😉 Por për hir të muhabetit po përpiqem të të kthej një përgjigje. (Të lutem mos ma merr për keq!)

        Ja pse mendoj se është paksa naive ose më saktë artificiale ‘përplasja’ e versionit të Jeronimit me versionet e tjera, në këtë rast, sikur njëra të qenka gabim e të tjerat të sakta.

        Së pari, më duket se ju vetë mbroni tezën që gjatë përkthimit duhet kuptuar thelbi i një shkrimi dhe jo thjesht fjalët në vetvete. Megjithatë këtë privilegj ia keni mohuar Jeronimit duke i analizuar një fjalë përmes veprave të artit që zëjnë fill në mesjetë, duke lenë menjanë zërin e vetë autorit. Jeronimi përkthen “bri”, por me gjithë kontekstin simbolikë që kjo fjalë mbart në shkrimet e tjera, asnjëherë nuk shtrohet pyetja nëse “brirët” e Jeronimit duhen kuptuar si metaforë apo si brirë të vërtetë. E në qënkan të vërtetë, a me të vërtetë mendoka Jeronimi se çdo personazh tjetër biblik që flet për brirë, si p.sh Ana e Jobi paskan patur brirë në ballë? Nëse jo, cili është kuptimi i metaforës?

        Në një nga komentarët, Jeronimi thotë vetë se brirët janë një metaforë për të përshkruar “lavdinë” apo “përlëvdimin” e fytyrës së Moisiut:

        “Pas dyzet ditësh, turma me sytë të turbulluar nuk ishin në gjendje ta shikonin fytyrën e Moisiut, sepse ishte e përlëvduar, ose siç shprehet në hebraisht fytyra e Moisiut kishte brirë. (…non uidebat, quia glorificata erat, siue, ut in hebraico continetur, cornuta, facies Moysi)”

        Kur metafora e bririt kuptohet në këtë mënyrë, del se Jeronimi nuk ishte aq larg përkthimit të Septuagintës që flet për lavdi apo rrezëllimit të tekstit Mazoretik. Mangësia e vetme e Jeronimit është mos përkthimi i metaforës me një metaforë më të përshtatshme që lexuesi të mos lajthiste e të mendonte për brirë të vërtetë. Prandaj dhe ngul këmb se këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim përkthimi apo keqkuptim, por me një lexim tjetër të tekstit.

        Së dyti, është naive të arrish në një përfundim rreth epërsisë së një versioni duke u bazuar vetëm mbi një legjend. Nuk ka dyshim se Septuaginta zë një rol kryesorë, por kjo nuk ka lidhje me 72 përkthyesit e ashtuquajtur të Septuagintës. Të gjithë studiuesit e sotshëm e shohin këtë histori si legjend apo reklamë të asaj kohe. Septuaginta herë shkëlqen e herë çalon kur krahasohet me tekstin hebre apo me Vulgatën. Vlerësimi në këto raste duhet bërë në bazë të një analize gjuhësore dhe jo thjesht duke llogaritur numrin apo origjinën e përkthyesve sipas një legjendeje.

        Së fundi, kyçi i disktumit rreth “karan” apo “keren” qëndron tek raporti i tekstit Mazoretik si një tekst me zanore të caktuara me tekstet më të hershme ku zanoret mungonin. Citimet e telogëve që marrin si apriori rolin parësor të tekstit Mazoretik nuk luajnë asnjë rol në ketë diskutim, sepse nuk marrin parasysh degëzimet e ndryshme që ka pësuar teksti. Pyetja përse zanoret e mazoretëve janë më të sakta është thembra e Akilit? Thjesht të përdorësh si argument përkthimin e Rivon-it që merr për bazë tekstin Mazoretik nuk është e mjaftueshme, në mos paksa naive.

        Sa per Nova Vulgatën që doli vetëm në 1979 ka mjaft informacione online e nuk dua të zgjatem, por ndryshimet që paraqet, për mendimin tim, të paktën në këtë rast korrigjojnë mangësinë e lartpërmendur të Jeronimit pa cënuar kuptimin e metaforës.

        1. Akuili,

          se pari, te falenderoj qe iu pergjigje ne menyre shteruese pyetjes sime;

          Se dyti, edhe pse nuk jam ekspert i fushes, gjithmone me kane terhequr diskutimet ne lemin e eksegjezes dhe hermeneutikes biblike. Magjia e tyre per mua qendron ne faktin se ka me se dy mije vjet qe diskutohen dhe do te vazhdojne te diskutohen edhe per kushedi sa mijera vjet te tjere, pa iu gjendur kurre fundi.
          Mirepo kam pershtypjen se shkrimi i Lyssit nuk kishte per qellim te hapte nje diskutim eksegjeze, por te ilustronte, me ane te nje shembulli nga teksti biblik, natyren subjektive te perkthimit.

          1. Relapso, ke shumë të drejtë. Po merrem me gjurmët dhe jo me ujkun. Thelbi i shkrimit është shumë i goditur, ndaj dhe e uroj Lyssin sërisht. Shembulli si ilustrim, ama, lë për të dëshiruar, sepse nuk është aq subjektiv sa duket në pamje të parë. Nuk e di, po gjithë këto fjalë për një palë brirë, po më kujton filmin vizatimor “Kau dhe Ujku”

            Pa brirë ti je mbret, pa brirë ti je pasha, pa brirë është edhe moda.

            FUND

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin