LOGJIKA E POSTBLLOKUT

Dy ditë më parë mediat elektronike dhe të shkruara dhanë deklaratën e Zv/Ministres së Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, gjatë inspektimit në pikën kufitare të Kakavijës, lidhur me numrin në rritje të azilkërkuesve shqiparë.

Zv/Ministrja Gjebrea, gjithnjë sipas mediave, u bëri apel qytetarëve që të mos ndërmarrin aventurë në Gjermani pasi të gjithë do të kthehen, sepse Gjermani nuk do t’ua japë të drejtën e azilit.

Kjo deklaratë vjen pas një sërë deklaratash fotokopje, pothuajse me të njëjtën përmbajtje. Të njëjtat gjëra u thanë nga fundi i korrikut, kur përveç drejtueses së lartë të Ministrisë ishte i pranishëm në Kakavijë edhe Ambasadori gjerman.

Duhet të pranojmë se Zv/Ministrja Gjebrea bën mirë punën e vet. Po kështu Ambasadori gjerman për sa u përket rregullave të hyrjes në vendin e tij. Këndvështrimi i Ministrisë së brendshme është ai i kontrollit, i respektimit të ligjit dhe i ndërhyrjes me autoritetin e tij. Sidomos kur bëhet fjalë për ata që spekulojnë për të fituar në kurriz të emigrantëve dhe azilkërkuesve. Pra asgjë për të thënë për punën e Ministrisë së brendshme.

Problemi lind kur qasja e një ministrie adoptohet si i vetmi qëndrim ndaj një nga fenomenet më të ndërlikuara të botës moderne. Siç edhe e kemi thënë pak kohë më parë, mjafton të shikojmë përvojën e emigracionit të shqiptarëve për të kuptuar se nuk janë apelet dhe vizitat në pikat kufitare ato që do t’i ndalojnë ikjet nga vendi. Mund t’i frenojnë, t’i kushtëzojnë, por jo t’i ndalojnë.

Nga ana tjetër, një fenomen me shumë aspekte si migracioni nuk mund të përballet e të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i policit (në kuptimin pozitiv të kontrolluesit). Deri tani kanë munguar qasje të tjera ndaj fenomenit, duke dëshmuar pikë së pari një mosnjohje të emigracionit dhe të ingranazheve të tij.

Po të huazonim një kategorizim klasik e disi të ngurtë të faktorëve të migracionit do ta kuptonim menjëherë se diçka nuk shkon. Në literaturën sociologjike të migracionit përmenden gjithnjë push factors dhe pull factors. Tek të parët hyjnë ata faktorë që i shtyjnë migrantët të ikin nga një vend. Këtu, sa për të dhënë disa shembuj, mund të përmendim luftën, konfliktet, diskriminimin fetar, gjendjen ekonomike, etj. Tek të dytët hyjnë faktorët e tërheqjes, pra ndryshe nga tjetri, kanë të bëjnë me vendin e mbërritjes. Mund të përmendet tregu i punës që mund të ketë kërkesa, gjendja e mirë socio-ekonomike, rendi demokratik, etj. Faktorët e mësipërm mund të veprojnë edhe së bashku, pra nga një anë të ketë shtytje për emigrim e nga tjetra tërheqje.

Çfarë bëjnë autoritetet shqiptare për të ndaluar fluksin e emigracionit drejt Gjermanisë? Veprojnë në mënyrë administrative vetëm ndaj faktorëve tërheqës (pull factors) duke u përpjekur t’u mbushin mendjen qytetarëve shqiptarë se zërat për azil janë thjesht pabaza. Që këtej edhe apele, deklarata, komunikata shtypi, reportazhe televizive. Po sikur kërkesa e azilit të jetë vetëm një nga faktorët e shumtë të tërheqjes? Ose një tentativë, një escamotage, një rrugë për t’u provuar?

Mirëpo, në këtë mënyrë harrohet pjesa tjetër, ose faktorët shtytës. Cilat janë arsyet që i detyrojnë shqiptarët të ikin jashtë shtetit dhe të kërkojnë azil edhe pse u thuhet e kundërta me të gjitha mjetet zyrtare? Përse mesazhi si ai i mësipërmi vijon të mos jetë i efektshëm pavarësisht nga format e përdorura?

Është e vërtetë që veprimi i parë është ai i dekurajimit të migracionit nëpërmjet informacionit, por ky aktivitet qeveritar po vazhdon pa efekt që nga viti i kaluar, ndërkohë që shifrat po bëhen gjithnjë e më alarmante. Ndoshta ka ardhur koha që kjo dukuri të analizohet në shumë plane e mbi të gjitha pa ndjekur politikën e strucit.

Nuk ka komente

  1. Disa shpjegime të mundshme (por jo përmbyllëse) për politikën e strucit kundrejt emigracionit mund të jenë:

    Emigracioni perceptohet si problem personal i atyre që ikin dhe, më së shumti si problem i vendit ku ata shkojnë, në këtë rast i Gjermanisë, por jo si problem shtetëror, shoqëror dhe kombëtar i Shqipërisë, që po i arratisen qytetarët
    Klasa politike dhe strukturat shtetërore shqiptare janë të ndërgjegjshme që, dhe po të duan ato, nuk mund të bëjnë gjë për t’u ofruar atyre që ikin, ato të mira për të cilat ata ikin: punë, mirëqenie, perspektivë ne vendin e vet
    Methodë pune, sipas motos cinike: kur na kanë interesuar ata, që të na interesojnë tani që po ikin…

    1. Të gjitha këto shpjegime që dhatë, nëse të konfirmuara, janë arsye bindëse që klasa politike shqiptare të japë in toto dorëheqjen. Ndërsa shprehjen “dhe po të duan ato, nuk mund…” unë do ta mendoja ndryshe. Ngaqë mendoj se klasa drejtuese shqiptare mund të bëjë diçka për qytetarët, zhvillimet nuk janë të gjitha jashtë vullnetit të saj.

      1. Ok, në një lexim të dytë të komentit, formulimi çalon vërtet; natyrisht që, ku më shumë e ku më pak, strukturat shtetërore kanë gjithmonë hapësira dhe mundësi për të reaguar, edhe pse në gjendjen e shtetit shqiptar sot dhe me krizën që kapur vendin, këto hapësira duhet të jenë modeste. Ç’ka na nxjerrë te: “po të duan ato”, të paktën këto mundësi duhet të përdoren (më pak muzeume, më shumë vende pune), ose më tutje te: “po të donin ato”, nuk kishte vajtur puna deri këtu.

  2. Duhet te ikin edhe 650 mije shqiptare. Ky eshte mesazhi qe vjen de facto nga kjo qeveri. Prizem thjesht ekonomik: nuk ka pune dhe mundesi. Prizmi politik e social: Te qerrohen pocaqite. Ky vend eshte i yni.
    Prizmi kryesor: Te ikin, ose ky uje i ndenjur do konvertohet ne kriminalitet, eksponenciali i te cilit con ne denatyrimin total te sistemit aktual. Te ikin ose formula “do bejme shtet” mund te rezultoje ne sharre qe pret edhe trungun e vet.

  3. Mbase e kane thene dhe te tjeret, por problemi nuk eshte “emigracioni” i paligjshem “per se”. Ky emigracion, individual, bubrrues, bej c’te mundesh, kap ndonje lek, pastro ndonje shtepi, laj ndonje plak gjerman, nuk shkakton as reagime negative tek vendi prites, as thirrje per rivenje vizash.
    Eshte shtimi i kerkesave per azil qe i ka hequr gremcin carkut mediatik dhe politik gjerman.
    Eshte pafytyresia e shqiptarit te sotshem qe nuk shkon t’a haje hekurin me dhembe e te punoje ne te zeze si ai i para njezet vjeteve, por drejt e ne polici per azil. Azil i themi per inerci, sepse ne te vertete duhet ti themi kerkese per leke. Kerkese per shtepi, dhe kerkese per linje ekspres per sistemim me letra e me dokumenta.
    Le te fillojme t’i themi gjerat sic jane, me emrin e tyre te vertete.

    1. Këtu ku jetoj, në NYC, ka shumë varfëri. Megjithatë, është një kategori e caktuar njerëzish që të ndalojnë rregullisht në rrugë, për të kërkuar para. Këta kushedi nuk janë as më të varfrit, as më të dëshpëruarit – por thjesht viktima të një sistemi social që jo vetëm i ka varfëruar, por edhe i ka degraduar aq sa të besojnë, përnjëmend, se është e drejta e tyre që t’u kërkojnë para kalimtarëve. Disa prej tyre duken në gjendje të mirë fizike, ca palloshë dhe ca azganë, aq sa të kallin datën; por nuk mund të punojnë më, sepse e kanë kapërcyer atë fazë kur njeriu beson se mund të mbijetojë me djersën e ballit. Tashmë kujtojnë se të tjerët, ata “që kanë”, janë moralisht të detyruar t’i mbajnë me para. Kështu edhe ndihen të titulluar për të lypur. Kjo nuk është lypa, siç jemi mësuar me romët në Shqipëri dhe gjetiu; nuk është lypa si traditë kulturore, si profesion, si stil jetese. Është diçka tjetër: lypa si afirmim i një të drejte qytetare “legjitime.” E cila ndjek pak a shumë këtë arsyetim: meqë unë jam katandisur kështu, pa asnjë shpresë dhe pa asnjë “buffer” social midis meje dhe fundit të kazanit, atëherë për këtë doemos e ka fajin dikush tjetër, dhe pikërisht ai që ka dhe që kujton se është i titulluar që të ketë. Vras mendjen mos është ky mekanizëm i ngjashëm me çfarë i motivon azilantët tanë sot, që harxhojnë energji materiale dhe shpirtërore të jashtëzakonshme, për të fituar një mbijetesë që kushedi, në rrethana më normale, do ta kishin siguruar në vendin e tyre, madje edhe me më pak energji të shpenzuar a të shpërdoruar.

      1. Xhaxha, edhe këtu ku jetoj unë, në Romë, gjen plot tipa të tillë. Alamet djemsh diva, ndonjëherë me atlete e xhinse, që të zgjasin dorën paturpësisht. Mendoj se ka lidhje së pari me pamundësinë për t’u punësuar rregullisht (e kam fjalën për migrantët), por edhe me kulturën, ndoshta edhe me karakterin. Por nuk e përjashtoj edhe leverdinë. Ndonjëherë merr më shumë duke lypur, në një rrugë qyteti, se sa të punosh në arë. Ose në punë merr pak më tepër, aq sa nuk ia vlen ta këmbesh me dorështrirjen.
        Sa herë shoh njerëz të tillë mendoj përse nuk shkojnë të mbledhin domate në fushë; punë shumë e lodhshme por e paguar me djersë balli. E megjithatë ka njerëz që preferojnë të zgjasin dorën. Hiq rastet kur ka kriminalitet të organizuar pas lypësve, sepse aty janë viktima për t’u mbrojtur, të tjerët e kanë çështje kulturore dhe psikologjike. Unë po flas për migrantët, se vendasit kërkojnë trajtim të veçantë. Midis këtyre, kanë gjetur edhe njerëz me shkollë të lartë, që dikur punonin në bankë. Viktima të një sistemi cinik.

    2. Vendettona,
      nuk duhet ta ngatërrojmë mjetin me qëllimin. Kërkesa për azil politik është vetëm rruga më e praktikueshme për të marrë letrat dhe për t’u vendosur jashtë shtetit. Që kjo mund t’u duket gjermanëve dhe specialistëve si dicka absurde nuk ka kurrfarë rëndësie. Fjala është hapur se përbën rrugën më të mirë për të marrë letrat. Në fakt, as Gjermania e as Anglia nuk kanë flukse të rregulta nga Shqipëria për arsye pune. Në mungesë të valvulës gjendet kjo e azilit. Që azili ka edhe një pjesë ndihmash në të holla kjo është cështje që ndihmon.
      Le ta shohim situatën në të kundërt. Po sikur Gjermania dhe vende të tjera të shpallnin që nesër se japin viza pune për shqiptarët? A nuk do të vërshonin të gjithë këta njerëz drejt zyrave përkatëse? Mendoj që po. Sepse synimi është të rregullohen zyrtarisht në vendet veriore të BE-së. A nuk keni pyetur veten vallë se përse nuk ka kërkesa të shumta për strehim politik në Greqi ose në Itali? Së pari sepse kushtet e vetë pritjes janë më të këqija, së dyti ngaqë perspektiva nuk është aq pozitive. Edhe emigrantët që zbarkojnë në brigjet siciliane synojnë vendet e veriut.
      Nuk përjashtoj përfitues të ndryshëm mes azilkërkuesve, por zakonisht të rrish në kampet e azilkërkuesve është dënim në vetvete. Natyrisht, ka edhe nga ata që kanë bërë para me ndihmat sociale në disa vende perëndimore dhe krekosen kur vijnë në Shqipëri. Por po flasim për pakica.
      Së fundi, nuk ka asgjë të keqe “të lash ndonjë plak gjerman”. Më duket punë e ndershme edhe pse me pak para. Ka milionerë në Shqipëri që i kanë bërë ndryshe paratë dhe nuk marrin rrugët e mërgimit.

      1. Paragrafi i fundit me le te kuptoj qe nuk e ke kuptuar fare cfare po thoja une.
        Une pikerisht ate dua, qe k’yni te shkoje te laje plakun gjerman pa u ndjere e te beje prokopi me djersen e ballit, jo te perplaset ne kamp, duke i prishur keshtu pune jo vetem vetes por te tere banoreve te Shqiperise qe duan akoma te gezojne lirine e sapofituar te te udhetuarit pa viza.
        Nejse.
        Nga mua keta njerez nuk do gezojne asnje lloj simpatie dhe mirekuptimi. Une do ti shoh si nje tufe dembelesh qe i prishin pune ish bashkeqytetareve te mi.
        Pse jane dembele tani keto, eshte nje teme krejt tjeter…

        1. Do t’ju lutesha ta shtjellonit më mirë mendimin tuaj. Ju mendoni se ata që kin sot nga Shqpëria janë një tufë dembelësh? E çfarë i dallon këta emigrantët e sotëm nga ata të djeshmit? Ndoshta nuk e kam kuptuar mirë komentin tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin