Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Politikë

NË PLAN TË DYTË

Këto ditë faqet e para të gazetave shqiptare janë zënë nga çështja e Konsullatës së Milanos. Mediat na njoftuan se Ministria e Jashtme kishte depozituar kallëzim penal për ish-konsullen shqiptare në Milano, Nausika Spahia, për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë në tenderë. Kallëzimi lidhej me shërbimin telefonik që u ofrohej emigrantëve, që sipas akuzave ka qenë korruptiv e abuziv. Një ditë pas kallëzimit, kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, zhvilluan një vizitë në konsullatën shqiptare në Itali. Pikërisht gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati u shpreh:

Kemi bërë një gjë jashtëzakonisht të mirë që i dhamë fund Call Center-it, që i gërryente lekët shqiptarëve në mënyrë totalisht korruptive, totalisht të pamerituar.

Temën konkrete për të cilën folën këto ditë mediat, pra shërbimin telefonik në favor të emigrantëve, e patëm trajtuar në blog këtu e dy vjet më parë në shkrimin “Alo? Numri jeshil?”.

Mirëpo, kësaj radhe çështja duket e koklavitur sidomos pas përgjigjes së sotme të ish-konsulles Spahia, e cila e komentoi sot (Shqiptarja, 2 shkurt 2014) tejet ashpër kallëzimin kundër saj:

Jam e detyruar të reagoj për atë që mund ta quaj një fushatë shpifjesh e mashtrimesh në lidhje me aktivitetin e Konsullatës së Shqipërisë në Milano. Kryeministri dhe Ministri gënjejnë në mënyrë të paskrupullt kur shprehen për abuzime me shërbimin call center.  Si për çdo veprim tjetër, ashtu edhe në këtë rast, MPJ ka qenë e informuar në detaje gjatë gjithë kohës. Marrja e vendimit për menaxhimin e situatës emergjente dhe kritike në momentin e daljes jashtë përdorimit të pasapartave të vjetra, është bërë në koordinim të plotë me kabinetin e Ministrit Haxhinasto, i cili ka dhënë aprovimin dhe udhëzimin që përveç ‘call center’, të ofrohet shërbimi edhe nëpërmjet platformës elektronike (e-mail).

Siç shikohet fare qartë, përgjigjja e Nausika Spahisë është shumë e prerë, madje përmban kundërakuza shumë të rënda në adresë të Kryeministrit dhe Ministrit shqiptar. Rreziku është që të kalohet nga kallëzimi në kallëzim, nga akuza në kundërakuza, nga polemika në polemikë. Që shërbimi i dikurshëm telefonik në Konsullatën në Milano ishte i diskutueshëm nuk kishte pikë dyshimi që në atë kohë, por aktualisht jemi në fushën e akuzave penale, çka kërkon përthellime të mëtejshme nga organet përkatëse, por edhe nga vetë Ministria e jashtme shqiptare, e cila futet në lojë nga e akuzuara meqë kabineti i atëhershëm “ka dhënë aprovimin” e vet. Situata paraqitet komplekse, gjithashtu për arsyen se çështja u fut dyfish në politikë, meqë akuzat u cilësuan si politike (Ish-konsullja në News24: Akuzat, politike. Cdo veprim u krye me ‘Ok’ të Haxhinastos), pra si sulm i paramenduar; dhe ngaqë Ministër i atëhershëm i jashtëm është edhe sot anëtar qeverie, por i një partie tjetër, i cili u fut në valle nga deklarata e ish konsulles.

Nuk është e vështirë ta dallosh se replikat për abuzimet e supozuara me shërbimin telefonik e monopolizuan vëmendjen e publikut, duke kaluar të paktën dy çështje shumë të rëndësishme në plan të dytë. Vizita e Kryeministrit Rama në Konsullatën e Milanos, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, nuk mund të rreshtohet në vizitat rutinë, qoftë për faktin se nuk janë të shpeshta. Pavarësisht nga kjo, nga pikëpamja politike vizita e Kryeministrit shqiptar duhet marrë në konsideratë, veçanërisht për mesazhin që kërkoi t’i dërgonte emigrantëve nëpërmjet kësaj vizite. Ja fjalët e Edi Ramës, siç i raportuan mediat:

Ne do të fokusohemi shumë fort tek shërbimet për qytetarët, të cilat kanë trashëguar një histori korrupsioni, një histori arrogance dhe një histori banaliteti që praktikisht nuk i bën nder jo shtetit, por nuk i bën nder askujt. Duhet të bëjmë sa më shpejt spostimin në një vend ku të mund të përballohet ky fluks, duke pasur parasysh që fluksi do të jetë edhe më i madh, për shkak se në të njëjtën hapësirë do të ofrojë shërbimet e veta dhe konsulli dhe stafi i konsullit të Kosovës, gjë që ne kemi rënë dakord dhe do të aktivizohet shumë shpejt. Kështu që praktikisht konsullata e Milanos do të jetë konsullata e shqiptarëve, e të gjithë shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës. I siguroj të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në Itali dhe që kanë të bëjnë me këtë konsullatë apo me konsullatat e tjera, se në një kohë të arsyeshme, por jo të gjatë, do të shohin vetë një ndryshim rrënjësor në mikpritje, në trajtim dhe në dhënien e shërbimit ndaj tyre.

Në mënyrë të sintetizuar dy janë mesazhet politike të Kryeministrit: shërbim më të mirë ndaj emigrantëve dhe bashkim i selisë së Konsullatës së Shqipërisë me atë të Kosovës në Milano. Nga pikëpamja institucionale e politike mesazhet janë të rëndësishme. I pari lidhet me angazhimin në favor të qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit, çka nënkupton së pari njohjen e rëndësisë që ata kanë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. I dyti ka të bëjë me bashkëpunimin, edhe ky kuptimplotë, me institucionet kosovare.

Pa dashur ta minimizojmë rëndësinë e padiskutueshme të vizitës dhe deklaratën e Kryeministrit shqiptar në Konsullatën e Milanos, nuk mund të harrojmë se jemi ende në fushën e premtimeve. Në përgjithësi mund të themi se politika e anunçimeve, sa për ta thënë me një huazim të shëmtuar, nuk mund të pijë ujë për shumë kohë, sikundër nuk mund të vijohet gjatë me krahasimin e qeverisë së mëparshme. Edhe për pak kohë, opinioni publik, përfshirë emigrantët, mund t’i pranojnë premtimet e ndryshimit, gjithashtu stigmatizimin e fortë të ndarjes nga e kaluara, siç bëri Kryeministri me deklaratën e mësipërme, duke nënvizuar hapjen e një historie të re. Mirëpo këto premtime e rrisin edhe më shumë pritshmërinë e qytetarëve ndaj qeverisë së sotme, e cila nuk humbet rastin për ta theksuar thyerjen me të kaluarën, porse ndonjëherë tradhton një farë ankthi e stresi për përmbushjen e premtimeve.

Kushedi, është ky ankth për të vërtetuar shkëputjen nga e kaluara që i zhvendos qëllimet në llucën e politikës, ku balta nuk të lë ta dallosh të mirën nga e keqja, premtimin nga realizimi, faktin nga opinioni. Rreziku është që edhe kësaj radhe emigrantët dhe roli i tyre i jashtëzakonshëm në favor të Shqipërisë, sikurse projektet e bashkëpunimit me Kosovën, të kalojnë në plan të dytë, praktikisht në sfondin e polemikave që mund të ishin zgjidhur në kohë e mënyra të ndryshme. Shqipëria është nga ato vende që nuk mund t’ia lejojnë vetes t’i varrakatë problemet e veta, sidomos nuk mund t’i harrojë përparësitë si shoqëri, ku emigracioni zë pa dyshim një vend parësor.

Pa Komente

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin