PRISNI E SHPRESONI

Si ta kuptosh se çfarë i shtyn pikërisht, me dhjetëra mijëra qytetarë të Shqipërisë të trokasin në dyert e Gjermanisë, për të kërkuar “azil”? Çfarë procesesh mendore, çfarë bindjesh, çfarë arsyetimesh, në kushtet kur mediat lajmërojnë rregullisht dhe me të madhe, se Gjermania dhe krejt BE-ja nuk do të pranojnë kërkesa të tilla?

Përgjigjja më e thjeshtë është: dëshpërimi; fjalë që, në analizë të fundit, rrjedh nga latinishtja de-sperare, të humbësh shpresën. A thua se të humbësh shpresën për të jetuar normalisht në vendin tënd, e rrit vetvetiu dhe përtej kufijve të arsyes shpresën se mund të jetosh disi më mirë në Gjermani ose kudo gjetiu.

Shpresë e humbur nga njëra anë, shpresë e fituar nga tjetra. Dhe nëse kjo e fundit është e paarsyeshme, sa e arsyeshme do të jetë e para?

Ambasadori gjerman në Tiranë, Hoffman, tha tani së fundi se vetëm në qershor të vitit 2015 rreth gjashtë mijë qytetarë të Shqipërisë kanë kërkuar azil në vendin e tij. Mund të supozojmë se një pjesë e këtyre e kanë ditur që Gjermania nuk do t’i pranojë – sa kohë që e kanë gjetur rrugën deri atje. E megjithatë.

Kalimi nga dëshira për të jetuar andej te bindja se kjo disi edhe mund të realizohet duhet shkoqitur nga ana psikologjike; sepse kështu në vështrim të parë nuk mund të shpjegohet, meqë nuk është rezultat i ndonjë procesi planifikimi logjik.

Dhe pikërisht në këtë kontekst, m’u kujtua një pasazh i vogël që pata lexuar dikur, nxjerrë nga romani Sense and Sensibility i Jane Austin, ku autorja përshkruan një “huq” të dy personazheve të saj:

“Çfarë Marianne dhe e ëma imagjinonin për një moment, do ta besonin momentin tjetër – për to të dëshiroje ishte të shpresoje, dhe të shpresoje ishte të prisje që të ndodhte.”

Përkthimi nuk e përcjell dot forcën e origjinalit, prandaj po e risjell citatin, këtë herë në anglisht:

“What Marianne and her mother conjectured one moment, they believed the next, – with them to wish was to hope, and to hope was to expect.”

Vështirësia për ta përkthyer këtë pasazh ka të bëjë me dallimet e holla kuptimore midis foljeve to conjecture, to hope dhe to expectto conjecture është “të formosh një opinion ose supozim në bazë të informacionit të pamjaftueshëm”; ndërsa dallimi midis to hope dhe to expect lidhet me aftësinë për të vlerësuar probabilitetin e diçkaje që do të ndodhë; dhe që mund të jetë edhe fare i ulët në rastin e hope por relativisht i lartë në rastin e expect; përndryshe duhet të dyshojmë për IQ-në e subjektit përkatës ose shkallën e informacionit që ky zotëron.

Në shqipe expect shpesh e ngatërrojmë me wait – duke e përkthyer në të dy herët si “pres.” Natyrisht, nuk mund të bësh me faj poliseminë për gabime logjike elementare; por fakt është që polisemia ia çel rrugën gabimit.

Ata që nisen drejt Gjermanisë kanë shpresë se mund të përfitojnë azil: la speranza è l’ultima a morire. Kjo shpresë, që nuk ka nevojë të jetë racionale, përfundon njëfarësoj në expectation – duke ia rritur probabilitetin një ngjarjeje të pagjasë.

Dhe këtu nuk është se po dua të fajësoj gjuhën; por edhe mangësitë leksikore, edhe mangësitë në arsyetim sugjerojnë të njëjtin shpjegim – që nocioni i pritmërisë (expectation) nuk ka zënë rrënjë.

Ka një shprehje popullore, që e dëgjon shpesh në Tiranë: në mos qoftë u sajoftë; barasvlera shqip e asaj që socio-psikologët dhe antropologët e quajnë wishful thinking. Megjithatë, shprehja shqip bart në sipërfaqe kontradiktën midis analizës racionale të një situate (“në mos qoftë”) dhe besimin se diçka e mirë mund të ndodhë (“u sajoftë”) – duke shtënë në punë dëshiroren.

hope_by_wlop-d7qrt1eAntropologu anglez Don Lepan (The Cognitive Revolution in Western Culture, Vol. I, The Birth of Expectation) e konsideron këtë paaftësi për të vlerësuar probabilitetin gjatë planifikimit të së ardhmes si karakteristikë të shoqërive në Europën e Mesjetës.

Në rrafshin irracional, së ardhmes mund t’i qasemi me lutje Zotit, sikurse mund t’i qasemi me magji ose duke konsultuar burime të privilegjiuara (orakullin), ose me profeci. Veçanërisht në shqipe, e ardhmja si kohë e foljes përftohet masivisht me anë të pjesëzës do dhe formave të lidhores; ku tashmë pjesëza do i ruan ende lidhjet dhe jo vetëm etimologjike me foljen dua (e ardhmja volitive; krahas së ardhmes tjetër, të tipit kam me shkue).

Aq sa mund të thuhet se subjekti që do në format e vetës së parë dhe të dytë: do të vij, do të vish etj. nuk mund të jetë veçse një entitet i mbinatyrshëm, që e sjell të ardhmen në ekzistencë (kush do? Ai): ose vetë Zoti. Kombinim i përkryer i wishful thinking me fatalizmin!

Për t’u kthyer tani te pasazhi nga Jane Austin – ajo çfarë u ndodh dy personazheve atje, na ndodh njëfarësoj të gjithëve, herë pas here. Megjithatë, nga një subjekt racional presim (expect) që ta ndërtojë marrëdhënien e vet me të ardhmen mbi baza të probabilitetit, jo të dëshirave.

Dhe për këtë arsye shpresa (hope) dhe pritmëria (expectation) vijnë dhe i kundërvihen njëra-tjetrës.

Kush e ka lexuar Kontin e Montekristos, do t’i kujtojë fjalët e fundit të Dantes-it, me të cilat mbyllet romani: attendre et esperer!, çka në shqipe është kthyer si prisni e shpresoni! Kësaj këshille i kanë dhënë gjithfarë interpretimesh; unë këtu po mjaftohem të them se, çfarë mungon atje, është pikërisht ftesa për veprim. Në kuptimin që veprimi nuk mund të themelohet mbi shpresën vetëm; ka nevojë edhe për arsyen; ndërsa shpresa jo.

Natyrisht, atyre që nisen drejt Gjermanisë, me shpresën se njëfarësoj atje do të sistemohen dhe do ta nisin jetën nga e para, nuk mund t’u thuash që të lexojnë paragrafin e fundit të romanit të Dumas-it. Vuajtjet e tyre janë reale; dhe reale duhet të jetë edhe përgjigjja – e shtetit, e shoqërisë civile dhe e qytetarëve.

Por kjo nuk e përjashton reflektimin ndaj dukurisë; dhe reflektimi të sugjeron ekzistencën, brenda shoqërisë bashkëkohore shqiptare, të një kategorie njerëzish që jetojnë mendërisht në të ardhmen dhe veç në të ardhmen; duke e fshirë forcërisht të sotmen (e tyre) nga tabloja e ekzistencës; ngaqë e sotmja e tyre është thjesht pritje (prisni!) dhe shpresë (shpresoni!).

Dhe kur e sotmja nuk ekziston, zhduket edhe nevoja për të marrë parasysh gjasat (probabilitetet) që dëshirat të realizohen; meqë këto dëshira njëfarësoj janë realizuar që në momentin kur kanë lindur.

[imazhi (c) Hope by wlop, Deviant Art]

Nuk ka komente

  1. Ikin se ky diell ketu nuk i ngroh dot te gjithe. Ikin nga varferia po e po, por ikin sidomos larg njeri-tjetrit. Une mendoj se brenda popullit shqiptar, gjallon ne menyre virulente kombesia e hajduteve. Hajdute me aftesi leniniste ne vezhgim, ne kontroll, loje nervash, mohim, mbulim, fshehje, korruptim, prapaskene. Dhe kjo nuk ka te beje me kasten e tanishme. Duket se e kemi patur kete problem shume heret. Na thone se ne shqiptaret jemi nder kombesite e vogla ne Ballkan. Por po te shikosh me vemendje nuk rezulton keshtu: pervec Shqiperise, Kosoves e Malit te Zi, ka Serbia Jugore, ka Greqia shqiptare e arvanitas, ka Italia arbereshet,mkamedhe Turqia shqiptare qe jane ndoshta brezi i trete aty. Pra emigrim ne vijimesi. Emigrim, me premisa Ikjen qe ketej.
    “Por kjo nuk e përjashton reflektimin ndaj dukurisë; dhe reflektimi të sugjeron ekzistencën, brenda shoqërisë bashkëkohore shqiptare, të një kategorie njerëzish që jetojnë mendërisht në të ardhmen dhe veç në të ardhmen; duke e fshirë forcërisht të sotmen (e tyre) nga tabloja e ekzistencës; ngaqë e sotmja e tyre është thjesht pritje (prisni!) dhe shpresë (shpresoni!).”

    E ardhme qe vjen nga e kaluara per t’u riprodhuar vazhdimisht ne nje te sotme qe ka humbur kuptimin. Katastrofa misherohet ne fjalen: Ik, te behesh njeri. Nje menstruim periodik i nje vendi qe edhe vizualisht ne harte duket sikur e perligj sekretimin e vazhdueshem.

  2. Ikin pasi s’kane asgje per te humbur, vec shpreses, iluzionit. Madje, nqs do te rrinin do te humbnin. Dicka te papercaktuar shprehimisht, por do te ndiheshin te humbur ne vetvete. Behet fjale per individe te paqellimte, gjethe, shkarpa a guralece te marre perhumbur nga rrjedha e jetes.
    Perditshmeria e tyre eshte gati, gati fatale.
    Individe qe gjallojne ne menyre te papergjegjshme.
    Gjermania per ata nuk eshte as mjet e as qellim. Eshte kaq i parendesishem si pikemberritje, saqe per te mberritur atje shkojne e kaptojne lumejte e Greqise. Madje edhe vdesin ndersa e bejne kete.
    Nuk eshte nje destinacion gjeografik. Ne mendje kane harten e thesarit. Me vete ngarkuar kane vec shpirtrat e hutuar. Aventura eshte motivimi i brendshem, ndonese duket cinike ta quash keshtu. Po fundja, a nuk jane ata vete me se shumti – e kam fjalen per ardhjen e tyre ne jete, produkte te nje sjelljeje te papergjegjshme nga prinderit e tyre biologjike? Per sa kohe njeriu qe te jetoje do te kerkoje, qofte edhe ne menyre te pavetedijshme nje qellim, shtyse, motiv, Eldoradoja, edhe ne mos qofte, u sajofte.

    1. Pseudonimngahalli, në qoftë se po flet në mënyrë figurative, ironikisht, sikur të fliste pushteti ndaj atyre njerëzve, është një gjë; por nëse e ke seriozisht fjalët e tua më tronditin. Si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, le të kujtojmë se janë njerëz, si unë, ti, ai; dhe kanë dinjitetin e tyre, atë dinjitet që u nëpërkëmbet çdo ditë në rrugët me ose pa asfalt të Shqipërisë.

      1. Nuk jane fjalet qe te trondisin, i dashur Pishak, jane fjalet e mia – keqkuptim i vjeter ky tashme dhe, mbi te gjitha, te trondit fotoja e paretushuar…
        Dinjiteti njerezor, natyrisht!
        S’di, a ka degjuar kush per dinjitet shtazor? E, meqe jemi ne boten e ideve, perse te mos fantazojme edhe per dinjitet te bimesise…
        Pse njeriu duhet te jete kaq i vecante, i lindur me dinjitet, madje i paralindur, per te qene korrekt me literaturen e fushes?
        Apo sepse Zoti e krijoi te ngjashem me veten! Zoti! Zoti?
        Njeriu, kafsha, bima, te gjithe produkte te natyres, rastesisht te perzgjedhur e te permiresuar ne shekuj. C’behej me dinjitetin – koracen tone moderne – ndersa vdisnim me mijera nga murtaja a urija?
        Jam i vetedijshem per litarin e holle neper te cilin po eci, pasi mjaft te me rreshkase pak arsyetimi dhe e di qe me pret kampi i perqendrimit dhe furrat e shfarosjes ne mase, por kendveshtrimi im, ku edhe dua t’ju terheq eshte natyrsheria e gjithe kesaj qe po ndodh, ka ndodhur e do te ndodhe; ne kufijte e Ballkanit apo brigjet e Libise.
        Nuk eshte ceshtje dinjiteti, ndaj te lutem le ta leme me kaq. Toka nuk mund te na ushqeje pafundesisht. Ne jemi gjallesa si gjithe te tjerat, packa se ne ditet tona te iluminuara perkujdesemi te jemi dinjitoze, ndonese ne thelb, cdo gje qe bejme eshte perpjejke per mbijetese. Dhe e bejme kete duke u ushqyer, shumuar, kuruar, pushuar, lexuar e, madje edhe kur perballim intelektualisht te ngjashmit me veten ne blogje on line. Holle, holle eshte lufte, per mbijetesen e species. Edhe ketu, tani: une apo ti…
        Ata ikanaket, jane vertete si une, ti, ai, ne dukje po, te pakten. Ne betejen tone te pandalshme per te mbijetuar (pse jo, jetuar ne menyre dinjitoze), ne perballemi me kufizimet qe natyra, permes burimeve te fundme por edhe krijesave te ngjashme a te ndryshme, na perball. Ti ece ne udhen tende. I afte por edhe fatlum, ia ke dale te jetosh nje jete te atille, qe te lejon dhe drejton tek dinjiteti. Une gjithashtu. Me sa duket, ai jo. Dinjiteti? Po? Jo?
        E shtyjme per ca mijera vjet me pas kete debat, do te kemi me shume argumente per t’i dhene shije debatit. Ne mos nje lufte e trete boterore na jep ndonje shanc me heret, nese do t’ia dalim te ruajme ekzistencen individuale. Me dinjitetin qe na karakterizon per shkak te lindjes NJERI, natyrisht.
        Dhe mos me konsidero te pandjeshem te lutem. Me beso kur te them se, eshte nje realizem qe me ka ndihmuar te bej mire pa u perhumbur ne iluzione.

        1. Më duket sikur ka shumë hidhërim, zhgënjim, rasenjim ku mesazhi yt. E ndoshta edhe një shtresë cinizmi të nikeluar me realizëm. Ose e kundërta. Por po e pranoj ftesën tënde që ta “lëmë me kaq” e “ta shtyjmë për ca mijëra vjet” (a nuk është ca si vonë?) këtë bisedë virtuale që fsheh travaje shekullore. E nuk të paragjykoj, natyrisht, nga pak radhë në blog.

          Mirëpo, më lejo të shtoj se dinjiteti njerëzor – burimi i të cilit mund të vijë ja nga shëmbëlltyra me Zotin, ja nga barazia mes qenieve njerëzore, ja nga përkatësia në një klasë të caktuar, ja nga pragmatizmi social – nuk duhet t’i mohohet askujt. Në kuptimin që njerëzve edhe në mjerim të skajshëm, edhe në injorancë të thellë, edhe në prag të vdekjes, duhet t’u ruhet dinjiteti, sepse ata janë ne që ishim dje, ose ne që do të jemi nesër.

          Për t’iu kthyer çështjes së azilkërkuesve, dua të shtoj vetëm se për mua ata janë VIKTIMA, në kuptimin e plotë të fjalës. Madje janë viktima edhe kur nuk e kuptojnë se janë të tillë, edhe që do t’i kthejnë në vendlindje. Janë viktima të një sistemi pervers që ka dështuar tërësisht. Por kjo nuk na lejon t’i “fyejmë” në dinjitet, madje është pikërisht statusi i tyre si viktima, që duhet t’i mbrojë (të na mbrojë) nga nëpërkëmbja.

  3. 0.4% e azilkerkuesve shqiptar, nder 20 000 e kusur, kane marre azil politik ne Gjermani. Atehere ka nje probabilitet relativisht te larte, me i larte se ai i llotarise kombetare. Eshte nje arsyetim logjik. Persiatjet mbi shpresen dhe pritshmerite nuk e pershijne kete lloj gjykimi racional.

    Te ikin, nga syte kembet. Sic thosh nje djale i intervistuar, te ikim qe ta qeverisin Shqiperine rehat, pa njerez.

    Me tej, vini re sesi eshte paraqitur ne media – njerezit nuk kane marre sinjale te qarta edhe nga politika. Vete Rama diskutoi ne nje menyre shume te vagellt mbi ceshtjen me Merkel, duke trazuar me shume sesa sqaruar.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: