KRIM ME VETËM VIKTIMA

Të fut në mendime lajmi për arrestimin e një imigranti shqiptar në Itali, të akuzuar se ka abuzuar seksualisht me djalin e vet pesëvjeçar, duke ia puthur organin gjenital.

Gjykata italiane, në Reggio Emilia, e paska regjistruar aktin me anë kamerash të instaluara në apartamentin e të pandehurit, pasi vetë fëmija u kishte rrëfyer edukatoreve, në kopsht, për zakonin e të atit.

Lidhja e imigrantëve shqiptarë në Itali dhe banorë të zonës nga e ka prejardhjen i pandehuri kanë protestuar me forcë ndaj arrestimit, duke e shpjeguar puthjen e përsëritur të penisit fëminor si gjest sa të pafajshëm, aq edhe tradicional, i cili vetëm dëshmon “dashurinë e veçantë për fëmijën mashkull në familjet shqiptare”.

Kanë doemos të drejtë të gjithë ata që e lexojnë një incident të tillë si keqkuptim ose përplasje kulturash; dhe nuk besojnë se ky pater familias nga Dukati,  burrë përndryshe i respektuar, të ketë abuzuar seksualisht me të birin.

Më anë tjetër, t’i puthësh një fëmije, qoftë edhe fëmijës tënd, organin gjenital, nuk është nga ato gjeste që mund të shpërfillen vetvetiu si folklorike, ose tradicionale; dhe t’u lihen në dorë etnografëve dhe specialistëve, jo forcave të rendit e të ndihmës sociale.

Vite më parë, një çift shqiptarësh me banim në ShBA u përndoqën ligjërisht për diçka të ngjashme; ose mënyrën e papranueshme (për amerikanët) si e kishin trajtuar fëmijën e tyre të mitur në publik. Nuk di si përfundoi ligjërisht atëherë ajo çështje, por mbaj mend që opinioni vendës i dha menjëherë përparësi nevojës për mbrojtje të fëmijës ndaj argumentit etnografik dhe ekzotizues, që ofruan prindërit nëpërmjet avokatit të tyre.

Në përgjithësi, dihet se imigrantët i bartin me vete zakonet kur shtegtojnë nga një vend në tjetrin si pjesë të identitetit të tyre dhe të mënyrës si e përjetojnë botën; madje edhe kur këto zakone, tradita dhe rituale bien ndesh me ligjin ekzistues në vendet mikpritëse.

Shtetet, nga ana e tyre, nuk kanë ndonjë detyrim të respektojnë ose “të mirëkuptojnë” të gjitha zakonet, ritualet dhe besëtytnitë e ardhësve; por vetëm t’u kërkojnë këtyre të njohin dhe të ndjekin ligjin dhe rregullat e bashkëjetesës në vendet ku kanë zgjedhur të jetojnë.

Për më tepër, çfarë akuzohet se ka bërë imigranti Nexhip Qepi është moralisht, në mos ligjërisht e papranueshme jo vetëm në Itali e kudo gjetiu në Perëndim, por edhe në Shqipëri vetë.

Prandaj të theksosh, me protestuesit, se “nuk kishte asgjë të gabuar në veprimin e babait, i cili i lumtur në vazhdimësinë e familjes, ashtu siç shihet roli i djalit në familje, e ka puthur të birin pikërisht në shenjë të këtij gëzimi,” është e pasaktë, është e gabuar dhe është njëlloj e dënueshme.

Të puthësh një fëmijë të vogël në organin gjenital nuk përbën ndonjë traditë mbarëshqiptare, as ndonjë tipar konstitutiv të shqiptarisë. Nëse zakoni ekziston ende në ndonjë katund, është koha për ta lënë pas, madje për ta stigmatizuar me forcë, së bashku me shumë zakone të tjera arkaike dhe absurde, mbeturina të një vizioni për jetën që s’ka gjë të përbashkët me modernitetin, as me dinjitetin e njeriut dhe të vetë fëmijës.

Është njëlloj kundërprodhuese të mbrosh prapambetjen e një kategorie bashkatdhetarësh dhe refuzimin e tyre për t’u përshtatur disi me mjedisin ku gjenden me argumente që veç ekzotizojnë disa nga aspektet më mjerane të traditës dhe të patriarkalizmit.

Sot e bëjmë këtë me babain që ia puth penisin të birit, nesër do ta bëjmë me një tjetër bashkatdhetar burrë zamani por që e kalb të shoqen në dru për hiçgjë, pasnesër me një tjetër patriot safí, por trushpëlarë, që vret një njeri krejt të pafajshëm në zbatim të Kanunit. Shpresojmë se, duke ia shpjeguar Europës shqiptarinë me terma etnografikë, duke e ekzotizuar çdo sjellje kriminale e duke ia faturuar çdo brutalitet e brutalizim traditës, do të përligjim mangësitë, dështimet dhe shëmtitë që na ndjekin nga pas kur shtegtojmë.

Në vend që të reflektojmë bashkërisht pse ndodhin këto konflikte e pse shkaktohen këto trauma, duam që Europa të na këqyrë si të ishim shtazë të rralla të zbritura nga mali, të denja për vëmendje zoologjike.

Edhe vetë kultura jonë reflekse po e ushqen obsesivisht këtë vizion, duke i mëshuar të çuditshmes, ekzotikes, të rrallës, shokueses, ose gjithçkaje që mund t’i tërheqë vëmendjen Perëndimorit të nginjur dhe indiferent.

I ziu Nexhip Qepi është më shumë viktimë, sesa fajtor; viktimë e të gjitha atyre proceseve ekonomike, politike dhe kulturore që e shkulën nga Dukati në majë të malit, për ta katapultuar në Reggio Emilia; atë vetë, por edhe bagazhin e tij etnografik, folklorik dhe mesjetar, për faj të të cilit tani ka përfunduar në qeli të burgut.

Të solidarizohemi me të, meqë ia kuptojmë jetërsimin që ka provuar, në përballje shpesh dramatike me një kulturë së cilës nuk i përket, nuk do të thotë që edhe t’ia natyralizojmë gjestin, në emër të një shqiptarie folklorike dhe ekzotike, e cila në thelb nuk ekziston më përveçse si pretekst i inferioritetit tonë.

Shumica e shqiptarëve, anembanë botës, i kanë lënë pas këto zakone, ose i kanë ritualizuar e formalizuar deri sa këto ta humbin impaktin në jetën dhe psikologjinë e “viktimave”. Nuk ka arsye pse të identifikohemi, automatikisht, me gjestin e veçuar të një qyqari, i cili nuk e kuptonte dëmin që po i shkaktonte fëmijës, me rrëmbushjet e veta sa atërore, aq edhe të papërshtatshme.

Ndër bashkatdhetarët tanë ka ende shumë prapambetje, padije, vrazhdësi, mesjetë dhe besëtytni; por nuk janë këto vlerat që na përfaqësojnë dhe që duhet të na përfaqësojnë. Vetë shqiptaria nuk është klub ekskluziv as skuadër futbolli, por projekt dhe program për t’u siguruar shqiptarëve lirinë, mbrothësinë dhe lumturinë, kudo që gjenden.

Shteti shqiptar ka për detyrë t’i dalë krah imigrantit Nexhip Qepi, që ky të mos dënohet kot për një krim a kundërvajtje të cilin nuk e ka kryer aq ai, sa prapambetja e tij dhe e shoqërisë nga ka ardhur; ta ndihmojë me ekspertizë ligjore dhe profesionale.

Për ne të tjerët, incidenti në fjalë ndoshta do të shërbejë si përkujtesë se fëmijët, pikërisht ngaqë i kemi aq të shtrenjtë, meritojnë veç dashurisë edhe respekt e kujdes; dhe sidomos mbrojtje totale nga dhuna, shpesh e stërholluar dhe e sublimuar në mijëra forma, së cilës i ekspozohen brenda katër mureve të shtëpisë; e që kurrsesi nuk mund të ofrohet si alternativë e pranueshme ndaj pedofilisë.

Shënim: botimi i parë në ResPublica; botimi i dytë në Shekulli.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin