SI T’I FESTOJMË VIZAT

Tani që vizat për në Evropë do të liberalizohen së shpejti, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për festimet e rastit. Komiteti për Festimin e Vizave të shqiptarëve (KFVSH), i porsa themeluar me dekret të posaçëm, është në pritje të ideve më të mira ceremoniale. Ndërkohë, grupi i ngritur për këtë rast ka hapur tender ceremonish, duke i kategorizuar propozimet festive sipas modeleve përkatëse. Zgjedhja midis tyre do të bëhet me komision ekspertësh. Ja modelet kryesore.

Modeli VITI I RI

Një natë para liberalizimit do të programohen festime në sheshin qendror të Tiranës. Shkollat, lulishtet, hotelet, ministritë, sheshet, etj. do të zbukurohen me lule artificiale, kristale bore të stilizuara, parulla për lirinë e lëvizjes. Nëpër pemë do të hidhen copa pambuku si imitim i flokëve të borës. Do të varen nëpër degë edhe pasaporta të kuqërremta. Siç kuptohet qartë nga emërtimi, festimet do të përfundojnë me fishekzjarre, të cilat do të blihen, në mënyrë simbolike, nga një vend evropian, dhe jo nga Kina siç bëhet normalisht në të gjithë botën. Ky model rezulton mjaft i përshtatshëm, sepse i shkon për shtat periudhës dimërore. Nga ana ekonomike, modeli është i leverdishëm, pasi respekton formulën “me një gur vras dy zogj”, meqë qytetarët mund ta festojnë si Vitin e Ri, ashtu edhe Liberalizimin e Vizave.

Modeli ANGLOSAKSON ose FISHKËLLIMË INDIFERENTE

Nuk do të planifikohet asnjë kremtim për rastin e vizave. Nuk dihet mirë përse modeli në fjalë ka marrë këtë emërtim, por ka gjasa që dikush të ketë evokuar karakterin flegmatik të anglezëve, të cilët nuk gëzojnë hareshëm si mesdhetarët, por e mbajnë përbrenda. Sipas këtij modeli qytetarët shqiptarë mund të dalin nëpër sheshet qendrore, por pa simbole nëpër duar; ata mund të shëtisin edhe në grup, por duke fishkëllyer me indiferencë, sikur po mendojnë për diçka tjetër. Ky qëndrim duket politikisht korrekt meqë Evropa ka frikë nga dyndjet masive të shqiptarëve. Modeli i lartpërmendur parashikon edhe anulimin e të gjitha biletave të avionëve, trageteve, autobusëve, duke i treguar botës mbanë se vetëkontrolli i shqiptarëve është legjendar. Në shtëpi e në intimitet është e lejueshme çdo gjë.

Modeli 1 MAJI

Festimet do të zhvillohen sipas skemës së vjetër të 1 Majit. I vetmi problem është gjetja e punëtorëve, meqë fabrikat e dikurshme nuk ekzistojnë më, por ata që do të angazhohen, do të pajisen me lule shumëngjyrëshe artificiale, petalet e të cilave nuk do të jenë plastike, por prej letre të ngjyrosur me bojë biologjike, të padëmshme. Ngjyrat e luleve mund të zgjidhen sipas kredos politike (të kuqe ose blu), ose sipas përkatësisë etnike (kuqezi). Ky model parashikon edhe ndërtimin e një tribune përballë Kryeministrisë, por tribuntarët do të caktohen me dekret presidencial. Udhëheqja do të përshëndesë me buzëqeshje, me dorë, por pa gishta. Fëmijët e vegjël që do të shkojnë në tribunë për t’i çuar udhëheqjes lule të freskëta nga Evropa, do të vishen nga firma “Fortes”, kurse veshjet e politikanëve do të firmosen nga stilisti “Princ”.

Qytetarët do të brohorasin pa e tepruar e do të kenë kujdes kur të shikojnë nga telekamerat e huaja. Kremtimet do të sponsorizohen nga prodhuesi i bezes që do të mbulojë tribunën: ngjyrë rozë e blu.

Modeli NËNTORI

Festimet do të kenë karakter kombëtar. Vetë mospërcaktimi i datës që në model (pra as 28 Nëntori, as 29 Nëntori) dëshmon frymën mbarëkombëtare e gjithëkombëtare të festimeve të parashikuara. Ky model i ngjason disi modelit të mëparshëm, por ka disa ndryshime në parakalimet përballë tribunës. Kjo e fundit do të jetë kuqezi, parakaluesit do të jenë anëtarë të forcave të rendit, por edhe buxhetorë të ndryshëm, që mund të tundin nëpër duar hareshëm pasaportën shqiptare. Faksimilja e vizës Shengen, e zmadhuar në pankartë gjigante, do të firmoset nga parullat: “Lamtumirë Vizë!”, “Mirëserdhe Evropë!” dhe “E duam Evropën si gjithë Shqipëria!”. Ambasadorëve të akredituar në Shqipëri do t’u dhurohet nga një orë dore si ajo e Bushit, për t’i dëshmuar mirëbesimin shqiptar.

Modeli EKSODI ose SHAMIA E BEQARIT

Ky model parashikon festime siç bëjnë beqarët para martese. Shthurja do të vazhdojë gjithë natën, do të pihet birrë ose verë pa hesap, por pa i përzier bashkë. Në fund, mund të pihet raki manaferre e bërë në shtëpi. Festimet sipas planit të mësipërm do të kurorëzohen me verë franceze e italiane, për të treguar simbolikisht heqjen e vizave. Poterja do të përfundojë në mëngjes, gjithsesi duke respektuar oraret e trageteve, avionëve dhe autobusëve që nisen jashtë shtetit. Do të lejohen edhe automjetet private për të kaluar kufirin. Po kështu gomonet e fshehura nëpër garazhe klandestine: do të dalin në det, por fillimisht do të vajosen nga polica e kufirit. Të gjithë qytetarët duhet të jenë gati për ta kaluar kufirin në mëngjes, natyrisht pasi të kenë kaluar kontrollin e alkoolmatësit. Nëpërmjet përfaqësive shqiptare në botë, do të vihen në gatishmëri të gjithë kameramanët e botës, për të parë eksodin e ligjshëm shqiptar; do të përgatiten gjithashtu stadiumet më të mëdha e më të rehatshme. Kësaj radhe spektakli do të jetë i organizuar mirë, nuk do të lejohen improvizime.

Modeli KALI I TROJËS

Përfaqësitë diplomatike shqiptare do t’i njoftojnë qeveritë perëndimore me notë verbale se shqiptarët, edhe pse falënderojnë nga zemra, heqin dorë nga vizat për në Evropë. Qytetarët shqiptarë do të ftohen të futen në shtëpi për të ndjekur në Tv me saçe festimet perëndimore pas lajmit të mësipërm. Vera do të derdhet lumë nëpër rrugët e kryeqyteteve evropiane. Edhe nëpër qytete të tjera do të festohet rëndshëm. Qeveria shqiptare do të dërgojë disa kamionë plot me konjak Skënderbegu.

Në agim do të bjerë heshtja si në Perëndim, ashtu edhe në Shqipëri. Do të dëgjohen vetëm motorët e zisave të mbuluar, që do të shpien në portet detare të gjithë qytetarët shqiptarë vullnetarisht të zgjedhur. Këta do të fshihen pa u zbardhur dita nëpër barqet e trageteve dhe anijeve. Do të rrinë atje derisa lundrueset të prekin bregun tjetër. Do të dalin heshtazi natën e mëpasshme e do të futen në territorin perëndimor pa u ndjerë. E njëjta metodologji duhet ndjekur nga ata që zgjedhin mjete të tjera transporti. Në rastin e automjeteve e të avionëve duhen shfrytëzuar hapësirat e bagazhit. Pasi të jenë në tokën e huaj mund të bëjnë ç’të duan, me konjakun e mbetur.

Modeli BALLISTË/PARTIZANË ose TË NDARË NË SHTËPI

Dy ditë përpara se të liberalizohen vizat, do të jepen kokteje tematike (me kostume popullore, me qeleshe, me tirqe, me fustanella, etj.) nga të gjitha institucionet shqiptare. Orari do të jetë i njëjtë, që të mos kuptohet se Presidenti nuk dëshiron të shkojë as tek Kryeministri, as tek Kryetari i opozitës, as tek zyra e lagjes, por as Kryeministri nuk dëshiron të shkojë as tek Presidenti, as tek Kryetari i opozitës, as tek zyra e lagjes, dhe as Kryetari i opozitës nuk dëshiron të shkojë as tek Presidenti, as tek kryeministri, as tek zyra e lagjes. Gjithsesi, festat do të bëhet si në pallate, ashtu edhe në çadra të ngritura për rastin e vizave. Në Teatrin e Valleve do të jepen spektakle humoristike për policët e dikurshëm të kufirit, që do të paraqiten me vula gjigante në dorë me shkrimin “Bye, bye, baby!”. Nuk do të lejohen gjeste të shëmtuara me gishta. Shfaqjet do të jepen paradite për opozitën e pasdite për pozitën. Kjo zgjedhje nuk do të vërë askënd në pozitë të vështirë. Në darkën e vigjiljes do të jepet koncert muzikor nga grupi “Na bashkuan vizat”.

Komiteti për Festimin e Vizave të shqiptarëve (KFVSH) njofton se tenderi për ceremonitë e vizave do të mbetet i hapur për idetë më të mira deri një ditë pas liberalizimit të hyrjes në Evropë. Komiteti mirëpret propozime edhe në faqet e këtij blogu. Fituesi do të shpallet menjëherë pas dhënies së ryshfetit të fundit. E rëndësishme është të dalim faqebardhë.

Nuk ka komente

  1. Nejse, nese konkuron ti P. Zh, s’besoj që dikush tjeter mund ta fitojë këtë tender, madje edhe nese jep ryshfet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin