FATI I TË PAEMËRVE

Mes shkrimtarëve italianë të ftuar në Tiranë për Festivalin Tirana Open, më i riu ishte Giuseppe Catozzella, autor i romanit të suksesshëm “Mos më thuaj që ke frikë” (i sjellë në shqip nga Adrian Beshaj): historia e trishtuar e një atleteje somaleze që ëndërron të marrë pjesë në Olimpiadën e Londrës të vitit 2012.

Nxjerrë nga një ngjarje e vërtetë, romani u botua edhe në Itali edhe këtu te ne, pikërisht kur mizëri refugjatësh, rrënjëdalësh dhe të ikurish të tjerë rreken të kapërcejnë Mesdheun, me lundra shkatërraqe, nga brigjet tashmë të pakontrolluara të një territori që dikur ishte shtet (Libisë) drejt brigjeve më të kontrolluara të një territori të Bashkimit Europian: Italisë.

Historitë e tmerrshme të këtyre kalimeve, lëngimeve, vdekjeve nga etja ose nga mbytja, por edhe të gjithë atyre të tjerëve, të mbijetuar, që u kanë paguar mijëra euro e dollarë trafikantëve, për të udhëtuar ndonjëherë që nga Eritreja e largët drejt viseve më të gjelbra të Tokës, këto histori pra i dëgjojmë dhe i lexojmë përditë në lajmet.

Një biznes shumë-milionësh, i kontrolluar kushedi se ku dhe nga kush, për këtë show televiziv makabër dhe kaq akuzues.

Atletja somaleze Samia Jusuf

Atletja somaleze Samia Jusuf

Edhe heroina afrikane e librit të Catozzella-s gjen vdekjen në ujërat e kripura të Mesdheut, pasi ka përjetuar peripecitë e një udhëtimi të zvargur, me vite, përmes Afrikës – nga Mogadishu drejt Tripolit.

Rrëfimin e përshkon, madje e tendos, kjo dialektikë elegante midis detit dhe shkretëtirës – hapësira të pafund, të njëtrajtshme dhe njëlloj armiqësore për udhëtarin; aq sa vdekja në fund e atletes nga Somalia, që vrapoi mes për mes Saharasë por nuk arriti dot ta bëjë këtë në pistën e atletikës në Londër, të duket e pashmangshme: nga rëra, nga uji, nga rëra dhe nga uji.

Një histori mbytjesh dramatike pat sjellë në Shqipëri edhe Alessandro Leogrande, me librin Mbytja e anijes (Il Naufragio), të botuar në 2012; edhe pse këtë herë ngjarja është ajo e Katrit të Radës, që u fundos në ujërat e ngushticës së Otrantos, pas përplasjes me korvetën Sibilla, të marinës ushtarake italiane, përplasje pas së cilës vdiqën midis 80 dhe 100 vetë (disave s’iu gjetën kurrë trupat).

E njëjta histori, këtë herë e vënë në skenë nga Cantieri Teatrali Coreja, me muzikë të Admir Shkurtajt, regji të Salvatore Tramacere dhe libret të vetë Leograndes; që u shfaq me sukses të merituar, në sallën e Universitetit të Arteve, Tiranë më 8 maj në mbrëmje.

Veç arritjeve mirëfilli artistike, është për t’u admiruar kjo gatishmëri e autorëve italianë, shkrimtarë dhe artistë të skenës, për t’u kushtuar vëmendje vdekjeve të detit – ose fatit të këtyre mijëra anonimëve, figurantë të sjellë me zor në skenë të historisë bashkëkohore, të cilët bëhen të dukshëm për sytë e Perëndimit vetëm atëherë kur zhvendosen.

Alessandro Leogrande

Alessandro Leogrande

Atë që ndodhi dikur me Katrin e Radës, e patëm përjetuar si fatkeqësi shqiptare, në ujërat e detit që (ende) ndan Shqipërinë nga Europa; por kalimet e tanishme nga Afrika drejt Lampedusa-s, lundrat dingas me trupa të sfilitur njëlloj si anijet tona të nisura nga portet e Adriatikut drejt Italisë në fillimvitet 1990; dhe veçanërisht mbytjet, ose sakrificat herë të pashmangshme, herë të qëllimshme, herë madje të nevojshme që i blatohen ujit dhe dheut, bëjnë që çfarë deri dje ishte shqiptare të marrë tani vlerë universale dhe historia e këtij cepi të Europës, që jemi, të përfundojë në metaforë të dramave planetare të katastrofës politike dhe sociale dhe dëshpërimit.

Flitet prej dekadash për fshatin global – si mrekulli teknologjike përftuese identitetesh të reja; dhe kur duam të sjellim në mend një imazh për t’ia ngjitur sipër konceptit, si etiketë, kushedi përfytyrojmë avionin ose satelitin gjeostacionar ose telefoninë celulare; dhe gjithsesi asnjëherë të mbyturin që gjen prehje në fund të detit; ose të shkrumbuarin nga etja, në mes të shkretëtirës.

E megjithatë, asgjë nuk është më shumë efekt i këtij globalizimi të përvojave kolektive, se kjo zhvendosje kolektive gjigante, biblike, drejt zonave më të qeta, më të lulëzuara, më të qytetëruara të planetit; ose kjo braktisje pikëllimtare e trojeve ancestrale nga ana e atyre të cilëve nuk ua dimë as ua dëgjojmë emrat, përveçse si popuj, si fise ose si palë në konflikte të përtejme.

Ne që jetojmë në mirëqenie ose që e kemi kompletuar tashmë shtegtimin, ose kapërcimin, i përjetojmë dyndjet e tanishme në mos si kërcënim, të paktën si efekte të entropisë; ose të vdekjes termike të universit tonë social, i cili objektivisht nuk mund ta përballojë këtë rishpërndarje të nevojave dhe të dëshirës për të jetuar, pa u transformuar edhe ai vetë në diçka për ne të pakëndshme.

Duhet të pyesim, megjithatë, se ç’mendim kanë për entropinë këta që zhvendosen duke u çapitur përmes detit dhe duke notuar në rërat e Saharasë.

Në romanin e Catozzella-s, lexuesi e vëren sakaq se shkaku i parë i shtegtimit të qyqarëve të Bririt të Afrikës nuk është varfëria në vetvete, por kolapsi jo thjesht i shoqërive post-koloniale dhe i shteteve të krijuara artificialisht por tashmë edhe i vetë strukturave tribale; indiferenca thuajse totale e të kamurve këtej ndaj të tjerëve andej; dhe fakti tjetër, sot kaq domethënës, që në shumë zona, përfshi edhe ato në Afrikë, zgjidhjet e mundshme marrin trajtat e integralizmit islamik. E megjithatë, asgjë nuk do ta nxiste dot shtegtimin biblik të afrikanëve drejt brigjeve të Mesdheut, sikur të mos ishte vetëdija e sigurt për ekzistencën e një El Dorado-je të arritshme; me mundime, sfilitje, shkatërrime familjesh dhe komunitetesh, kosto të lartë ekonomike dhe sociale, dhe jetë të sakrifikuara.

Samia, heroina e romanit që thjesht dëshiron të vrapojë, nuk kënaqet duke marrë pjesë në garat lokale; shteti somalez e dërgon në Olimpiadën e Pekinit, në 2008, ku ajo sheh se çfarë do të thotë të garosh në nivelin planetar; dhe pas kësaj jeta e kësaj atleteje ka vetëm një synim: të bëjë çmos, për të arritur në Olimpiadën e ardhshme, atë të Londrës në 2012. Asaj i hapen sytë – dhe si të mos i hapen? Çfarë mund të jetë më ngashënjyese për atletin, se pjesëmarrja në Olimpiadë?

Por bota Perëndimore nuk qenka ende gati për këtë. E ka përvetësuar tashmë artin e tundimit, por nuk e ka formuluar ende një protokoll njerëzor përgjigjesh, për të gjithë ata që u besojnë përnjëmend magjive të saj dhe nisen.

Ne, si shoqëri, nuk na pëlqen të kujtojmë fatkeqësitë tona; ndaj historisë që ka rrëfyer Leogrande-ja, më parë në libër dhe më pas me operën, do të parapëlqenim legjenda me heronj të pamposhtur. Më të lehtë do ta kishim të kremtonim bëmat e një krimineli shqiptar që revoltohet në burgjet greke, sesa mbytjen e dhjetëra bashkatdhetarëve, në ujërat e Adriatikut. Nuk ia dimë as ia pranojmë vlerën shëlbuese tragjedisë, madje kujtojmë me këmbëngulje se mburrja ka ndonjë farë valence edhe etike. Pa çka se kështu i lëmë pa kurrfarë kuptimi ato vdekje, dhe mbarë kalvarin e refugjatëve, ikanakëve, fëmijëve të trafikuar, vajzave të shitura si prostituta dhe vetë Hadesin e parakohshëm ku kanë ngecur të paemrit.

 

Nuk ka komente

  1. Por bota Perëndimore nuk qenka ende gati për këtë. E ka përvetësuar tashmë artin e tundimit, por nuk e ka formuluar ende një protokoll njerëzor përgjigjesh, për të gjithë ata që u besojnë përnjëmend magjive të saj dhe nisen.(2xha)

    Eshte nje statement ambivalent mendoj une. Sigurisht qe bota, Europa, nuk eshte strukturuar qe te perballoje nje dyndje biblike.

    Kontrasti midis dy boteve nuk mund te vazhdoje te funksionoje si nje akuze historike ndaj vendeve ish koloniale. Tundimi dhe kontrasti epik nuk ia zbeh fytyren njerezore BE.

  2. Fytyra njerëzore nuk përjashton edhe të kundërtën, çnjerëzoren, e anasjelltas. Por BE i përgjigjet Afrikës i ashtu si i përgjigjet të kaluarës kolonizatore, që është e pandashme nga struktura e sotme që ky komunitet mbron me pekule; sikur të kishte arritur githçka me djersën e saj; sikur të bëhej fjalë për mësymje të ET-ve, apo të vizitorëve të atij serialit “V”; sikur ta kishte defterin e marrëdhënieve me kontinentin afrikan të pashkruar. Në të vërtetë e ka të shkruar me gjak, dhe për këtë nuk i ka kërkuar as thellësitë e të zezave të saja, as përgjigjet dhe përgjegjësitë që i detyrohet shekujve kur sistematikisht e ka thithur të gjallë Afrikën. Fatkeqësitë që thotë Xha Xhai që “nuk na pëlqen të kujtojmë” janë mëkate në rradhë të parë. Ashtu si psh gjermanët nuk rreshtin së kërkuari hymnerat e krimit të holokaustit, do i përkiste ish-kolonizatorëve humanistë që i fryjnë ëndrrës evropiane, të bënin kundrejt Afrikës, dhe kjo s’duhet të marrë aspak formën e favorit të të madhit ndaj të voglit, të dorëdhënies së të bardhit ndaj të ziut, po shqeto fare: formën e larjes së borxhit kolosal kolonial katastrofik. Të tjera strategjira veç mbulojnë me lekoplast qelbin e historisë që kutërbon.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin