NJË POET I MARRË

Ata prej nesh që ia kanë dëgjuar emrin poetit Ezra Pound – nuk po pretendoj që ta kenë lexuar – do ta dinë, të paktën, se ky poet i madh i shekullit XX, për disa më i madhi poet epik i shekullit, i pagoi shtrenjtë simpatitë e tij për fashizmin.

Më të paktë do të jenë ata që e dinë se Pound-in e gjeti fundi i Luftës II Botërore në Itali – në Rapallo, ku e arrestuan partizanët anti-fashistë dhe ua dorëzuan pastaj amerikanëve.

Në 24 maj 1945, Pound-in e çuan në një kamp të ushtrisë amerikane afër Pisa-s, ku e mbyllën në një kafaz çeliku në ajër të pastër, i cili ndriçohej natën me prozhektorë. E mbajtën atje tre javë, në izolim të plotë – derisa poetin e lëshuan nervat: “trapi u prish dhe më mbuluan ujërat”, do të shkruante ai pastaj.

Amerikanët kishin arsye ta trajtonin Pound-in si kolaboracionist – veç simpatisë për Mussolini-n, ky kish mbajtur, për vite me radhë, një emision propagandistik pro-fashist dhe anti-amerikan në Radio Roma. Nuk jam në gjendje të gjykoj nëse kjo e përligjte mbajtjen e tij në kafaz – edhe pse më duket veçanërisht çnjerëzore.

Një fragment dorëshkrim i Këngëve Pizane shkruar në letër higjienike

Një fragment dorëshkrim i Këngëve Pizane shkruar në letër higjienike

Arsyeja që më bëri t’i kujtoj këto fakte të mirënjohura, është se, kur ende i burgosur në Pisa, Pound-i filloi të kompozonte të mirënjohurat “Pisan Cantos”. Madje ka prova se poeti amerikan kish nisur t’i hartonte këto këngë qëkur ishte akoma i mbyllur në kafaz, duke i shkruar në letër higjienike.

Rastësisht, lexoja këto ditë disa përsiatje të Orwell-it për artin dhe letërsinë në totalitarizëm, ku autori i 1984-ës dhe një nga njohësit më të rafinuar të totalitarizmit “real”, vërente se artisti ka nevojë për lirinë e fjalës, që të krijojë.

“Regjimet totalitare kurrë nuk kanë nxjerrë mendimtarë të mëdhenj, as artistë të mëdhenj” shkruante ai, sepse “atmosfera e tyre është fatale për çdo prozator dhe poet,” dhe nuk ka dyshim që, në një shoqëri totalitare që do të zgjaste “për më shumë se dy breza” letërsia ashtu siç e njohim do të jepte shpirt” dhe mendja e intelektualit “do të reduktohej në statusin e gramafonit”; dhe më tej: “askush nuk ka shkruar libra të mirë për lavdinë e Inkuizicionit.”

Këto fjalë të nxjerra nga konteksti historik specifik, kur shumë intelektualë në Perëndim kishin rënë në dashuri me fashizmin, nazizmin dhe stalinizmin, po më tingëllojnë tani si truizma për shumë arsye – dhe shembullin e Pound-it më lart do ta krahasoja me ndonjë tjetër më të njohur për ne, p.sh. I. Kadarenë që veprat e veta më të mira i shkroi nën themrën e ankthit, madje të terrorit psikologjik.

E kundërta mund të pretendohet: se arti i madh mund të vijë edhe si reaksion ndaj shtypjes së madhe; dhe se pasioni edhe më sublim nuk garanton drejtësinë e kauzës që ka për objekt.

Orwell-it nuk duhej t’i kishte shpëtuar, pra, se vepra e artit mund të vijë në ekzistencë edhe si reagim terapeutik-magjik i individit krijues ndaj një neuroze ose psikoze kolektive; ose si përpjekje e individit krijues për të mbijetuar dhe ruajtur shëndetin mendor, në kushtet kur vetë shteti e humb arsyen dhe kontaktin me realitetin.

Në nëntor të vitit 1945 Pound-in e transferuan në ShBA, ku u tha se do të dilte në gjyq për “tradhti” ndaj atdheut; pastaj gjyqi nuk u mbajt kurrë, dhe Pound-i nga tradhtar u shndërrua në pacient për t’u mbyllur një St. Elizabeth’s Hospital – për ca kohë, edhe atje e mbyllën në çfarë njihej si “hell-hole”, në një ndërtesë pa dritare dhe një dhomë me një derë të trashë çeliku ku psikiatrit mund ta vrojtonin sjelljen e tij përmes nëntë vrimave.

Pas gjase, ishte avokati i Pound-it, një Julien Cornell, që ia arriti t’i bindë autoritetet për ta deklaruar poetin si “të paaftë mendërisht”, në mënyrë që ta shpëtonte nga burgu i përjetshëm.

Vite më pas – në 1958 – Pound-i do të lirohej nga spitali ku mbahej për mjekim të detyruar dhe do të kthehej sërish në Itali: njëlloj “i çmendur” dhe krejt i pareformuar.

Por ky trajtim psikiatrik i intelektualit “armik” nuk mund të mos na kujtojë çfarë do të ndodhte – dekada më vonë – në Bashkimin Sovjetik. Në fakt, Stalinit nuk i dridhej dora kur vinte puna për t’i pushkatuar kundërshtarët e vet, realë dhe të imagjinuar; ndërsa më pas psikiatria erdhi dhe u ofrua, në pajtim edhe me frymën e re të çtensionimit, si zgjidhje më “humane” për disidencën ideologjike.

Në një përsiatje të hershme për ligjërimin subversiv nën totalitarizëm, pata kujtuar si, në vitet 1970, qytetarit në Shqipëri i mungonte gjuha e nevojshme (më mirë: energjia elokutive) për t’iu kundërvënë regjimit publikisht; në kuptimin që dikush që do të fliste haptazi kundër pushtetit, për të thënë, bie fjala, se regjimi ishte kriminal, dhe se socializmi po e rripte shqiptarin për së gjalli, do të trajtohej automatikisht si “i çmendur” (kur nuk do të trajtohej si “provokator”).

Edhe në Shqipëri, njëlloj si në ShBA-në e Pasluftës, opsioni psikiatrik ishte një opsion i butë, në krahasim me çfarë i priste të gjithë ata që ishin ekspozuar si kundërshtarë të regjimit.

Edhe vetë të arrestuarit dhe të dënuarit në burgje, sikurse familjet e tyre, e dinin këtë dhe e kërkonin ndonjëherë me dëshpërim, diagnozën psikiatrike: qëndrimi në spital, madje edhe mjekimi farmakologjik, parapëlqehej ndaj regjimit të burgut dhe punës së detyruar.

(Kjo pavarësisht nga disa budallallëqe dhe spekulime që janë shfaqur në shtypin e Tiranës tani së fundi.)

Por, sërish për t’u shënuar: ky rekrutim i psikiatrisë si armë në luftën politike nuk e paska origjinën në praktikat sovjetike post-staliniane dhe, pas gjase, as në totalitarizëm; pse është përdorur, të paktën në rastin e bujshëm të Pound-it, edhe gjetiu.

Për spitalizimin e detyruar të këtij të fundit, kanë thënë se vetë këmbëngulja e tij, për të mos hequr dorë nga pikëpamjet që kish kultivuar në forma të ndryshme para dhe gjatë Luftës II Botërore shërbente si provë e marrëzisë – meqë duhej të ishe i marrë, që të mbroje Mussolini-n, fashizmin dhe nazizmin; ose të shpreheshe brutalisht haptazi kundër ShBA-ve, ose kundër hebrenjve, pas vitit 1945.

Argument që u rimor në Bashkimin Sovjetik të periudhës brezhnjeviane: sistemi i atjeshëm ishte kaq racional, sa duhej të kishe një dërrasë mangut, që t’i kundërviheshe.

Edhe pse se kjo qasje ndaj disidencës politike nuk duket të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me stigmën që i bashkëlidhet sëmundjes mendore, sërish një diagnozë psikiatrike vetvetiu do ta zhvishte qytetarin edhe nga disa të drejta, edhe nga disa detyra; duke e reduktuar në një version më të papërgjegjshëm të vetes.

Për t’u kthyer te Pound-i, po më duket ironike që ky e pësoi krizën e madhe nervore pasi e mbajtën me javë në kafaz, në qiell të hapur; pa çka se më vonë disidenca e tij dhe qëndrimet haptazi pro-fashiste, do t’i faturoheshin – mbase me një shkelje syri – patologjisë së tij mendore, ose marrëzisë.

Nuk ka komente

  1. Prej kohesh i kthehem here pas here intervistes qe ka bere me te Pasolini. Gjynah mos paça, por imazhi i tij me duket mjaft simpatik, ato qe thote mjaft koherente dhe faktin qe nuk diktoj ndonje “patologji”, ia detyroj asaj qe nuk jam specialist i kesaj fushe. Natyrisht, Pasolini i shmang pyetjet qe do te deshem t’i benim secili prej nesh, por te mua, ne fund nuk mbetet veçse simpatia per kete poet gjenial, qe per te mire a per te keq, i qendroi deri ne fund besnik bindjeve te tij.

  2. Une mendoj se ngaterrohet letersia e mire me shkrimtarin gjenial. Sepse nuk ndjekin domosdoshmerisht te njejten rregull. Shqiperia nuk ka pasur asnjehere letersi te mire. Kadareja nuk eshte gje tjeter vecse nje perjashtim i madh. Letersia e mire eshte frut i nje klime te mire kultivimi. Gjenialiteti eshte “dora e Zotit”. Dhe Zoti e hedh ku te doje. Tek Mozarti banal, Kadareja racist, apo Maradona rrugac. Nese eshte e vertete se regjimet totalitare nxjerrin shkrimtare te medhenj atehere pse nuk prodhon sot Koreja e Veriut, regjimi totalitar par excellence, nje te tille?

    Ndersa persa i perket pjeses se dyte te shkrimit, mendoj se eshte edhe me e koklavitur se e para. Sepse trajtimi si armik sidoqofte ka brenda njefare respekti ne hije por mbi te gjitha nuk arrin ta vdese plotesisht kauzen. Ndersa trajtimi psikiatrik, sado qe quhet si i bute, permban nje lloj degradimi te tjetrit dhe kauzes qe ai perfaqeson. Pra tjetri nuk ploteson as kushtet per te qene armik. Ai nuk eshte vecse nje i marre dhe ato qe thote marrina e jo kauze me te cilen ia vlen te merresh.

    1. Shkruan:

      Nese eshte e vertete se regjimet totalitare nxjerrin shkrimtare te medhenj atehere pse nuk prodhon sot Koreja e Veriut, regjimi totalitar par excellence, nje te tille?

      Ndoshta më mirë të themi “regjimet autoritare” nxjerrin shkrimtarë të mirë; sikurse nxjerr të tillë çatdhesimi, ose mërgimi.

      Sa për Korenë e Veriut, kushedi krahasimi duhet bërë me Korenë e Jugut. Kur ishte hera e fundit që lexuam një shkrimtar të mirë nga ky vend?

      Nuk dua të them se nuk ka të tillë; por vetëm të pranoj se nuk di asgjë për letërsinë koreane. Mbase ti di diçka më tepër?

      Sa për letërsinë shqiptare dje dhe sot, pyetja që më mundon mua, në raport edhe me çfarë ka thënë Orwelli është: pse kjo mizerje, pas rënies së komunizmit?

      Të ketë vetëm lidhje me kolapsin e një sistemi që i mbante me bukë ata shkrimtarë dhe artistë që u duheshin?

      Apo me kolapsin e komunikimit kulturor, i cili deri në 1990-ën ishte i qendërzuar dhe pak a shumë i kolauduar (krijime – kritikë – publik), ndërsa sot jo më?

      Por unë i druhem një shpjegimi tjetër: që çfarë e ka zëvendësuar regjimin komunist nuk është kapitalizmi, i atij lloji që ekziston në Perëndim; por një sistem i ri, i paprecedent, të cilin nuk mund ta interpretojmë si kopje të keqe të kapitalizmit perëndimor.

      Dhe kolapsi i komunikimit artistik dhe kulturor nuk është shenjë, por ndoshta provë se kemi të bëjmë me diçka të re, të panjohur dhe të errët. Një triumf i batakçillëkut, që nuk ka lidhje as me respektin për pronën private, as me lirinë e sipërmarrjes, as me të drejtat elementare të njeriut.

      Jam përpjekur ta karakterizoj këtë sistem të ri me një numër shkrimesh në rrjedhë të viteve këtu në blog, duke shquar mes të tjerash: (1) perandorinë zero; (2) kultin e kargove; (3) zombifikimin e institucioneve dhe të shoqërisë civile; (4) permanentizimin e instrumenteve të tranzicionit dhe (5) shndërrimin e free-loading dhe të kapacitetit për plaçkitje (looting) në virtyt kategorik. Një sistem kaq falimentar mund të mbijetojë vetëm nëpërmjet injektimit të vazhdueshëm të anti-entropisë nga jashtë; meqë përndryshe është i kapur në një status reanimacioni të pakthyeshëm.

      Dhe gjithsesi, aty nuk ka vend për art dhe kulturë. Qofsha i gabuar.

      1. E vertete. “Regjimet autoritare” do te ishte me e sakte. Nuk e njoh letersine e Korese se Jugut dhe nuk mund te jap pergjigje te plote por sidoqofte mendoj se letersia eshte disa here me e mire ne ate vend ne krahasim me Korene e Veriut ku letersia eshte katandisur ne elozhe te liderve. Pra liria ka nje avantazh ndaj mungeses totale te saj. Mirepo ndoshta edhe Koreja e Veriut nuk eshte shembulli i duhur per te “vertetuar” se nuk mund te krijohet ne totalitarizem. Ndoshta koreanet si popull kane prirje per forma te tjera te artit me shume se ne letersi. Psh ata kane nje kinematografi te zhvilluar si ne Korene e Jugut, ashtu edhe ne ate te Veriut. Por edhe ketu diferenca eshte e madhe ne favor te asaj te jugut.
        Natyrisht qe Oruelli e kishte me totalitarizmin por edhe demokracia e kapitalizmi kane kusuret e tyre. Nje nga keto eshte dhe konsumerizmi ose komercializmi ekstrem. Ky ka dekada qe ka gjunjezuar edhe kultura te medha sic eshte ajo japoneze apo edhe italiane. Pervec faktoreve qe permend ne koment dhe me te cilat pajtohem, mendoj se komercializmi i dhunshem po gjunjezon edhe kuturen shqiptare sot. Ne letersi ky fenomen sapo ka filluar por ne muzike psh eshte ulur kembekryq, aq sa ka vite qe nuk prodhohet brenda kufijve te Shqiperise qofte edhe nje kenge e bukur.

  3. 2xha: Por, sërish për t’u shënuar: ky rekrutim i psikiatrisë si armë në luftën politike nuk e paska origjinën në praktikat sovjetike post-staliniane dhe, pas gjase, as në totalitarizëm; pse është përdorur, të paktën në rastin e bujshëm të Pound-it, edhe gjetiu.

    Per gjykimin tim, ky percaktim, nuk i pergjigjet praktikave perendimore te trajtimit te kundershtareve politike. Aq me teper qe te konsiderohet si nje lloj analogjie me praktikat sovjetike, apo per me teper, madje me keq, si precedent i tyre.

    Ne rastin specifik, te Ezra Pound, ishte menyra me njerezore per te trajtuar ate, per ta shpetuar nga denimi kapital, sidomos kur mbi te do te vepronte “martial law”. Kur dihet qe perkonte me realitetin; Pound ishte nje rast i rendomte psikiatrik, nje poet i marre, sic e thote edhe titulli vete. Rasti i Pound eshte nje nga rastet pa precedent ne historine e nje njeriu te letrave dhe qe nuk njeh te perafert.

    Eshte interesante rasti i kafazit, dhe si te thuash vuri ne jete edhe nje lloj profecie te nje prej miqve te tij te dikurshem, Hemingueit. Mund te thuhet, se Heminguei zhvillimin si shkrimtar, suksesin e tij deri diku, ia dedikon, Ezras. Sic thote vete, Heminguei “une i mesova boksin, kurse Ezra, me mesoi si te shkruaj”.

    Ne 1943(dy vjet para se Ezra te arrestohej) kur Heminguei mesoi rreth transmetimeve radiofonike te Ezras, qe sic i quan vete “anti-american rants”, konfirmon se miku i tij, me te cilen nuk komunikonte prej nje dekade, kishte shfaqur shenjat e luhatjve psiqike, shume me heret, qe me fillimet e “cantove”(ku Pisas Cantos perfaqesojne edhe degradimin total psiqik te tij).

    Hemingway: “He is obviously crazy. I think you might prove he was crazy as far back as the latter Cantos. He deserves punishment and disgrace but what he really deserves most is ridicule. He should not be hanged and he should not be made a martyr of. He has a long history of generosity and unselfish aid to other artists and he is one of the greatest living poets. It is impossible to believe that anyone in his right mind could utter the vile, absolutely idiotic drivel he has broadcast. His friends who knew him and who watched the warpeing and twisting and decay of his mind and his judgement should defend him and explain him on that basis. It will be a completely unpopular but an absolutely necessary thing to do. I have had no correspondence with him for ten years and the last time I saw him was in 1933 when Joyce asked me to come to make it easier haveing Ezra at his house. Ezra was moderately whacky then. The broadcasts are absolutely balmy. I wish we could talk the whole damned thing over. But you can count on me for anything an honest man should do.

    Sic duket agjentet e sherbimit ushtarak amerikan, kishin parasysh keshillen e Hemingueit(…) per ta poshteruar Ezran, si nje lloj ndeshkimi per nje njeri intelektual te luajtur. Perndryshe varja do ta kthente ne martir, nje antiamerikan, hero fashist, etj. 🙂 Prandaj mund te tingelloje kafazi si nje “redicule” mizore, por mjafton te mendosh ne retro se si e trajtuan vete italianet udheheqesin e tyre, duke u tallur me trupat e varura kokeposhte te Musolinit (dhe te dashures, Petacit).

    Letra e Hemingueit, i jep nje perspektive tjeter gjykimit mbi Ezran, te cilin ai megjithese publikisht e nenvleftesonte si talent(gje qe e bente me te gjithe shoket e miqte e tij), si poet, por privatisht, kishte koleksionin me te pasur te veprave te tij, te cilat i lexonte me endje deri ne vdekje.

  4. Përdorimet e ndryshme që i bëjnë personazheve të njohura pas vdekjes së tyre i ndërlikojnë disi reflektimet për ta, për veprën e tyre e për raportet me regjimet e dikurshme. Në politikën aktuale italiane del herë pas here një grupim i së djathtës esktreme me emër CasaPound Italia. Disa vjet më parë mësuam nga shtypi se vajza e poetit Ezra i kishte hedhur në gjyq për keqpërdorim të emrit të të atit. Kuptohet që për ata që nuk e njohin poetin dhe jetën e tij përshoqërimi me veprimtarinë e sotme politike është automatik. Së bashku me pasojat eventuale.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin