TEATRI I FJALËS SË LIRË

Sulmi terrorist kundër revistës satirike Charlie Hebdo e solli në qendër të vëmendjes debatin për lirinë e fjalës, si të drejtë të njeriut dhe si vlerë të qytetërimit Perëndimor.

Një atentat javën që shkoi në Kopenhagen, kundër një “debati për fjalën e lirë” ku merrte pjesë edhe karikaturisti suedez Lars Vilks, mund të shihet, kësisoj, edhe si përpjekje, nga një palë që e konsideron dhunën fizike si formë të pranueshme komunikimi, për t’u përfshirë edhe ajo në këtë debat – tek e fundit, edhe terrorizmi ka nevojë për lirinë e fjalës, që ta kryejë misionin e vet terrorizues.

Në fakt Lars Vilks ka fituar një farë emri globalisht, si autor karikaturash që e paraqitin profetin Muhamet si qen rrugësh.

Pas ngjarjes së rëndë në Kopenhagen, u hodha një sy veprave kontroversiale të Vilks-it; më duhet të them se ky është një nga karikaturistët më të këqinj që kam parë ndonjëherë; pa kurrfarë talenti për të vizatuar.

Kjo, edhe pse kolegët e tij të Charlie Hebdo nuk mbeteshin mbrapa, për nga niveli i dobët i vizatimeve.

Për mendimin tim – detyrimisht modest – një person që ngul këmbë ta paraqitë profetin e një feje tjetër si qen, duhet rekomanduar për vlerësim psikiatrik; aq më tepër duke pasur parasysh edhe zhgarravinat që nxjerr nga dora.

Karikatura mund të arrijë forcë shprehëse të mrekullueshme – në duar të talentuara dhe të mençme; çfarë nuk mund të thuhet për gjepurat kontroversiale që kemi parë, të cilat disa edhe i kanë paguar me kokë.

Nga ana tjetër, çfarë ndodhi në Paris dhe tani në Kopenhagen po i shndërron redaksitë e revistave satirike në bastione të “fjalës së lirë” dhe karikaturistët – përfshi edhe Vilks-in – në heronj të vlerave të qytetërimit Perëndimor.

Mirëpo kjo liri fjale, për t’u shprehur në mënyrë të tillë që disave, përfshi këtu edhe besimtarët myslimanë, mund t’u tingëllojë jashtëzakonisht fyese, duhet parë në kontekstin më të gjerë të tabuve, prej të cilave as qytetërimi ynë laik dhe i iluminuar nuk mund të pretendojë se është çliruar përfundimisht.

Pikërisht sot më qëlloi të lexoja, te Repubblica.it, për një deklaratë të diskutueshme të trajnerit të mirënjohur italian të futbollit, Arrigo Sacchi, i cili – duke ilustruar një shqetësim të vetin në lidhje me të ardhmen e fubollit italian – tha se “ka shumë të zinj në skuadrat tona të të rinjve.” Reagimi ndaj këtyre fjalëve ishte i menjëhershëm dhe ngjethës: nuk mbeti i larë dhe i palarë pa u distancuar nga “racizmi” i Sacchi-t.

Dhe kur lexoja për këtë konformizëm kaq të shpëlarë – sepse nuk ka gjë më të lehtë se të shkruash dy rreshta në Twitter “kundër racizmit” – thashë me vete se kushedi Sacchi duhej ta kish shprehur idenë e vet nëpërmjet një karikature; aq më tepër që, me siguri di të vizatojë më mirë se Lars Vilks-i.

Po sot më ra në sy një karikaturë e botuar në gazetën partiake të Syriza-s, dhe që vë në shënjestër ministrin gjerman Schäuble, i cili paraqitet me uniformë naziste dhe thotë:

Die Verhandlung hat begonnen: Wir bestehen darauf, Seife aus eurem Fett zu machen… wir diskutieren nur über Düngemittel aus eurer Asche.

[E kemi vendosur që të prodhojmë sapun nga dhjami juaj; tani po diskutojmë që ta përdorim hirin tuaj si pleh.]

133007769-4ba4557c-6032-4ee9-9959-db67b927d9d6

Të thumbosh gjermanët, për shkak të së kaluarës së tyre naziste: sa vjeç duhet të jesh vallë, që kjo të të duket diçka origjinale dhe e mençme?

Edhe karikatura e Syrizës do parë – tek e fundit – si një kremtim i fjalës së lirë; pa çka se argumenti i sjellë është infantil; po aq infantil sa edhe paraqitja e Muhametit si qen, ose të tjera provokime që ka bërë Charlie Hebdo në të kaluarën.

Dhe këtu njeriut të arsyeshëm duhet të fillojnë t’i lindin dyshime, për cilësinë e kësaj “fjale të lirë”, e cila nuk është se fisnikërohet gjë, edhe kur shkakton reagime të dhunshme, si në rastin e terrorit fondamentalist islamik.

Sepse mund të pyetet nëse e përballon dot karikatura, aq më tepër në nivelin e zhgarravinës, rolin prej protagonisteje në debatin e tanishëm midis Perëndimit me Islamit, vizionin islamik të shoqërisë dhe të drejtave të njeriut dhe për vetë rolin e dhunës në rregullimin social; debat i cili – le të mos harrojmë – sot çohet përpara edhe me bomba “inteligjente”, prerje kokash live (të transmetuara përmes YouTube), dronë që ndonjëherë shfarosin gabimisht dasmorë dhe anije me refugjatë të vdekur urie, që ushqejnë peshqit në Mesdhe.

Fuqizimi i rrjeteve sociale, si aktorë në komunikimin global, i ka dhënë hapësirë të madhe indinjatës (outrage), e cila i përshtatet veçanërisht mirë psikologjisë së turmës.

Perëndimi e shprehu kështu indinjatën, për dhunën kundër karikaturistëve në Paris; sikurse e shpreh tani indinjatën – duke ruajtur përpjesëtimet – me deklaratën kinse “raciste” të Sacchi-t. Nuk ka gjest më të lehtë, më konformist, më të zbrazur nga kuptimi (në mos thjesht hipokrit), sesa të thuash “je suis Charlie” nga rehatia e kolltukut tënd.

Njëlloj do ta ketë shprehur indinjatën edhe bota myslimane, për karikaturat kundër profetit të tyre; pa çka se ne këtej nuk na mbërrin temperatura e lartë e reagimeve të atjeshme.

Perëndimi do të tregonte vlerat e veta “të epërme” jo duke vënë në piedestal provokimin; por duke kërkuar një ekuilibër, aq të domosdoshëm, midis lirisë së fjalës dhe indinjatës – në të gjitha frontet.

Dhe meqë flasim për liri të fjalës, këtu nuk lë dot pa përmendur një koncept pak orwellian të zonave të fjalës së lirë (anglisht free speech zones), të cilat u popullarizuan veçanërisht gjatë presidencës së trishtuar të George W. Bush-it.

Vetë praktika e këtyre zonave parakupton se “fjala e lirë” nuk lejohet të praktikohet gjetiu; çka përfton një kontradiktë; por kontradikta thjesht dëshmon se vetëm e drejta e fjalës, e shkëputur nga konteksti i të drejtave dhe detyrimeve të tjera qytetare, e humbet kuptimin.

E solla këtë shembull, sepse karikatura – për nga mënyra si po praktikohet dhe sidomos si po përdoret ndonjëherë në Perëndim – ka marrë trajtat e një zone të tillë të privilegjuar të fjalës së lirë; në kuptimin që qytetarët t’ua delegojnë karikaturistëve këtë të drejtë absolute për të sulmuar tabutë dhe për t’ia përfolur deri në përdhosje vlerat Tjetrit (me T të madhe).

court-jesterMirëpo ky, pikërisht ky, është një rol që nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut; por me një model hierarkik të komunikimit social, të sunduar jo nga liria, por nga tabutë; sepse e drejta e talljes, pa kufi, e ka burimin nga roli dhe figura e lolos, në oborret mbretërore të Mesjetës.

Dhe statusi i lolos, në oborrin mbretëror, nuk mund të krahasohet me atë të qytetarit në shoqërinë moderne, pluraliste dhe demokratike; lolos i lejohej tallja me gjithçka dhe përgojimi i tabuve pikërisht ngaqë konsiderohej si sub-human, ose jashtë sferës ku vepronte morali, nderi dhe rendi hierarkik; pra si i pandëshkueshëm.

Dua të them: vetë roli që luante loloja mundësohej nga ekzistenca e tabuve të forta, të cilat rregullonin jetën e të tjerëve; ose të njerëzve të përgjegjshëm – ligjërisht, etikisht, fetarisht të përgjegjshëm.

Dhe ky rol ishte po aq tabu, ose i paprekshëm, sa edhe tabutë me të cilat tallej loloja.

Të gjithë ata që zukatin për “lirinë e fjalës”, duke e shndërruar një provokator të patalentuar si Lars Viks-i në kalorës të qytetërimit Perëndimor, duhet ta kuptojnë se janë duke glorifikuar një model jo iluminist, por feudal-mesjetar, të karakterizuar nga një ndërthurje rreptësisht e rregulluar, e së drejtës së fjalës me gjithfarë tabush dhe ndalesash, të vjetra dhe të reja.

Aq më tepër, në kushtet e sotme, kur opinioni publik ndikohet lehtë dhe njëlloj lehtë mund të reagojë në kor, nëpërmjet teknikave përftuese të konsensus-it dhe të konformimit të tilla si rrjetet sociale, tabutë janë shndërruar në strumbullarë të komuniteteve, veçanërisht të komuniteteve virtuale.

Dhe liria e fjalës, kjo arritje kaq e mrekullueshme e iluminizmit, është tepër e vyer, për t’u shpërdoruar me gjithfarë zhgarravinash.

Perëndimi ka nevojë për debate të arsyetuara rreth tabuve – duke filluar nga tabutë e veta, ku shprehet vullneti i elitave në pushtet; dhe pastaj edhe të së tjerëve, të cilët i ka pranuar si pjesë të vetat, falë parimit njëlloj të shenjtë, të pluralizmit.

Dhe, e kotë ta shtoj, karikaturat si këto për të cilat deri edhe është derdhur gjak i pafajshëm, nuk kanë ç’të kontribuojnë në debate kaq të rëndësishme dhe kritike për të ardhmen e Europës dhe jo vetëm.

[Shënim: ky shkrim është pronë intelektuale e autorit dhe e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht marrja dhe përdorimi i tij nga mediat pa lejen eksplicite të autorit.]

Nuk ka komente

  1. Shkrimi me pelqeu shume, por sinqerisht nuk arrita te kuptoj se c’pune ka deklarata e Sacchit ketu, e cila, duhet thene, ishte e tmerrshme. Ndryshe do ishte puna nese do kishte thene qe skuadrat italiane kane shume jo-italiane, por te zinj ? Nuk mund te kete italian te zi ? Racizem i paster fare me duket mua, pa thonjeza, dhe i pajustifikueshem. Nuk e kuptoj perse e quan te diskutueshme si deklarate.

    1. Falemnderit për vlerësimin.

      Në Itali ka një problem me futbollin te brezat e rinj: dikur kalamajtë atje e nisnin dhe e mbyllnin ditën në rrugë, duke luajtur (si te ne në Shqipëri xhanëm); sot nuk po luajnë më. Për pasojë, skuadrat nuk kanë më talent italian dhe, sa më lart të ngjitesh në hierarkitë, aq më shumë i sheh të mbushura me të huaj. Mirëpo një skuadër e mbushur me të huaj nuk përfaqëson sa duhet në nivelin lokal: nuk po flas për Juven dhe Interin, por për skuadra të kategorive më të ulëta: për Pavia-n, Benevento-n, Pistoiese-n, Juve Stabia-n. Publiku nuk shkon t’i shohë, të ardhurat bien. Vetë skuadrat kërkojnë të dëshpëruara talente në Argjentinë dhe në Brazil dhe anembanë botës, duke hyrë në borxhe të papara. Krijohet një rreth vicioz me pasoja fatale për ekonominë dhe mirëqenien e një sporti që deri dje ishte më popullori në vend.

      Tani, një person që afrohet të shohë një skuadër ‘primavera’ kur bën stërvitje, nuk ka si të dallojë ashtu nga jashtë se kush është fëmijë emigrantësh rumunë, shqiptarë dhe bullgarë, dhe kush italian; por zezakët dallohen menjëherë: sepse janë të zinj. Dhe vërtet mund të ketë zezak që është po aq italian sa Del Piero-ja, por në përgjithësi italianët nuk janë zezakë. Përqindja e zezakëve në këto skuadra kalamajsh është shumë më e lartë se ç’është në popullsinë italiane; dhe kjo i shërben një vrojtuesi nga jashtë si provë që këto skuadra “primavera” nuk po frekuentohen më nga italianët, nga vendësit. Jo se përbën problem zezaku si i tillë, por sepse zezaku është indikator i lehtë i të huajit.

      Këtë tha Sacchi dhe kishte të drejtë. Sacchi nuk ka folur si racist, por si ekspert dhe autoritet i shqetësuar për të ardhmen e futbollit në Itali. Me deklaratën e tij nuk ka thënë që të dëbohen zezakët nga skuadrat e kalamajve, por vetëm ka tërhequr vëmendjen për një fakt shumë serioz: që fëmijtë italianë (jo fëmijët e emigrantëve) nuk po luajnë më futboll. Zezakët i solli si shembull dhe ilustrim të shqetësimit të vet, jo si problem për t’u zgjidhur. Indinjata kundër Sacchi-t në mediat sociale është e njëjtë, për nga cektësia dhe hipokrizia, me parullën “say no to racism”, që e sheh poshtë e lart stadiumeve në Europë. Sa herë që e shoh, veç më kujtohet ajo “më shpejt, më lart, më larg”, në stadiumet e Shqipërisë së para-1990-ës.

  2. Nuk jam dakort. Ketu nuk eshte problemi nese Sacchi vete eshte apo jo racist, por te ajo qe e flet Sacchin. Qendron qe, ne nje impresion te pare, informacionin per te “huajin” ta marresh prej ngjyres. Qendron edhe qe i “huaji” te shihet si nje problem ne zhvillimin e futbollit vendas, edhe pse kjo ha debat gjithsesi, per sa kohe i huaji ndikon gjithashtu edhe per te t’a rritur nivelin. Sikurse ha debat nese numri i italianeve me ngjyre ne futboll duhet medeomos te jete i perafert me ate te italianeve me ngjyre ne pergjithesi (nese i paragjykojne ne futboll, gjasat jane qe t’i paragjykojne shume me teper kur vjen puna ne mjekesi apo sistemin bankar po them). Cfare nuk qendron, eshte qe ky proces ta transferoje problemin nga i huaji te ngjyra. Ketu ka nje problem ne komunikim, dhe Sacchin e tradhetoi vetja pikerisht ketu.

    1. Prandaj edhe e quajta “të diskutueshme” deklaratën e Sacchi-t. Nuk më pëlqeu shpejtësia dhe zelli me të cilën u denoncua si raciste – sepse racizmi është gjë tjetër. Ky farë relativizmi nuk ndihmon asfare në edukimin kundër racizmit; sepse ia zgjeron kaq shumë kuptimin, sa e bën beninj. Aq më tepër që ata menaxherë futbolli që blejnë vend e pa vend lojtarë të huaj nuk është se po e bëjnë për të luftuar racizmin, as mund të merren si shembull i virtytit anti-racist. Kur individë dhe komunitete të ndryshëm mes tyre bien në kontakt, jo çdo reagim refuzues mund të quhet racizëm. Njeriu është natyrshëm i prirur të afrohet më parë me të ngjashmin, dhe më pas me të pangjashmin. Një skuadër futbolli italiane e kategorisë së tretë, me formacionin e mëposhtëm: Ngkogo, Al-Khuraiwi, Kiribame, Zeqiri, Mugisma, Preobrazhenski, Kam’gba, Turgut, U’bu, Ikeba, Sabadakashvili si zor të fitojë zemrat e publikut të vet, edhe pse mund të fitojë ndonjë grant nga OKB-ja ose UEFA. Qëllimi i futbollit, si aktivitet, është të zbavitë masat e gjera, jo të kultivojë multi-kulturalizmin.

      1. Sacchi duhet të ketë më kujdes kur flet. Mund të përdorte fjalë tjetër, ta zëmë “të huaj”, ose “jo komunitarë”, jo për të përdorur eufemizëm, por për të shmangur keqinterpretime, në rast se e ka pasur sinqerisht me kuptim tjetër. Ai e di më mirë se kushdo që në futboll veçanërisht ekziston një racizëm i rrezikshëm që e nxjerr kokën herë pas here edhe nga shkallët e stadiumit.

        1. Nuk di sa racizëm ka në futboll, sikurse nuk them dot që është “i rrezikshëm”. Ka racizëm mes tifozëve – por mes tifozëve ka edhe shumë patologji të tjera, sepse tifozët, me përkufizim, nuk shquhen për virtyte të larta sociale. Por them se është gabim të ngatërrojmë racizmin folklorik të tifozëve, të cilët janë vrima e fundit e kavallit, me çfarë ndodh në futboll, si aktivitet i organizuar brenda një sheti. Sepse nga ky aspekt, futbolli s’është fare racist – ua ka hapur dyert të gjitha racave dhe diferencave; në bazë të meritokracisë. Me përjashtim ndoshta të artit pop, asgjëkundi tjetër nuk bëjnë kaq përpara afrikanët, bie fjala, sa në futboll. Dhe Sacchi foli nga pozitat e trajnerit dhe ekspertit, jo të tifozit – duke qortuar praktikën e shumë klubeve që shkojnë dhe blejnë kalamaj në Togo dhe në Guinenë Ekuatoriale, në vend që të kujdesen për ta kultivuar futbollin – këtë sport masiv par excellence – në territor. Të mos kemi dyshim: zezakët që ka parë Sacchi në skuadrat primavera nuk janë atje për shkak të veleiteteve multikulturale të pronarëve të klubit, por si investim për të fituar miliona më vonë. Dhe gjithsesi, racizmi i italianit që nuk pajtohet kur skuadra e vet fut në fushë 9 të huaj dhe vetëm 3 italianë, është fare i pafajshëm, në krahasim me racizmin e atij italianit tjetër, që shkon dhe i prodhon jeans-et në Vietnam dhe në Kamboxhia, sepse ashtu mund t’u paguajë vendasve një rrogë ditore që në Itali nuk del as për një kafe; të pasurohet e të bëjë miliona duke lënë edhe një lukuni italianë pa punë; dhe pastaj të blejë një yll futbolli zezak për ekipin e futbollit që ka si pronë, dhe të vërë në krah fashën “say no to racism.” Madje gjithë kjo histeri për racizmin e Sacchi-t dhe të tifozëve te bari i lagjes shërben për bukuri për të fshehur racizmin e mirëfilltë, të kapitalizmit të braktisur në instinktet e veta.

          1. E kuptoj shqetësimin e Sacchi-t. Pak a shumë mund të përmblidhet kështu: dikur futbolli ishte kulturë, sot është bërë vetëm biznes. Prandaj edhe futbollistët afrikanë blihen nga skuadrat sikur të ishin aksione në bursë, pra merren si investim. Mirëpo Sacchi meqë është pjesë e klasës drejtuese e meqë shumë e shikojnë si idhull, duhet të ketë më kujdes kur hap gojën. Se nuk është faji i lojtarëve zezakë që futbolli italian është tjetërsuar.
            Racizmi ekziston kudo, edhe në shkallët e stadiumit. Dossier Statistico Immigrazione, botimi më serioz për imigracionin, çdo vit i kushton një kapitull të veçantë racizmit në futbollin italian. Që pastaj vetë lojtarët me ngjyrë kthehen në idhuj është çështje tjetër. Sepse ka nga ata që yllin e futbollit me ngjyrë e shikojnë me adhurim, se ka Ferrari, por vëllait të tij që mbledh domate në pikë të diellit nuk e denjojnë as me një shikim.

            1. Po edhe unë këtë të thashë: Sacchi nuk flet nga pozitat e tifozit që ulet në shkallët e stadiumit, por të një figure nga më të nderuarat e futbollit italian; dhe flet sepse i dhimbset e ardhmja e futbollit në vendin e vet.

              Sipërmarrësit dhe impresariot e futbollit në Itali, si kudo gjetiu, nuk pyesin fare për racizëm; po të luajë mirë një lojtar, e marrin pavarësisht nga ngjyra, dhëmbët, flokët dhe forma e kërthizës. Jo vetëm e marrin por edhe e mbulojnë me miliona.

              Por kjo praktikë e ka rrënuar futbollin në Itali, si dukuri sociale; krahas legalizimit të basteve dhe heqjes së barrierave të punësimit të lojtarëve. Një shembull edhe më flagrant të këtij pisllëku, këtë herë me xhiro të shpejtuara, e sheh në Shqipëri.

              Kjo s’ka lidhje me racizmin fare, sepse buron e tëra nga filozofia e deregulation. Unë mbetem i bindur se zhurma kundër racizmit në futboll nxitet kryesisht për të mbuluar sëmundjet e tjera të këtij biznesi multi-miliardash.

              (Në qoftë se ka racizëm te mbledhja e domateve, le të luftohet racizmi te mbledhja e domateve!)

              Deri në vitet 1970, skuadrat kanë pasur limite për numrin e lojtarëve jo-italianë që mund të futnin në fushë. Nuk është rastësi që pikërisht në 1978 dhe 1982 ekipi kombëtar italian shkëlqeu si kurrë ndonjëherë – në Argjentinë dhe pastaj në Spanjë, ku mori titullin kampion i botës, pasi mundi radhazi Argjentinën, Brazilin dhe në finale Gjermaninë.

              Ky është futbolli që i dhimbset Sacchi-t; sepse ai e di që me nëntë lojtarë të huaj në fushë, futbolli italian nuk ka asnjë shpresë që ta marrë veten – meqë i huaji si investim afatgjatë do të kushtojë gjithnjë më lirë sesa ai tjetri, që vjen si produkt i vivaio-s lokale. Dhe lojtarët e huaj nuk është se po ndihmojnë shumë edhe skuadrat italiane vetë – mjaft të shihet si po heqin këmbët zvarrë në Europë, që të gjitha.

              Madje Sacchi ka aq të drejtë, sa kushedi as vetë nuk e di; nuk është fjala thjesht për futbollin, por për jetën e komuniteteve, të cilat e ruajnë kohezionin edhe falë këtyre aktiviteteve sportive masive. Flasim për shëndetin e një shoqërie të tërë, të një shteti dhe të një kombi – i cili vihet në rrezik nga grykësia prej reptilësh e këtyre turbo-kapitalistëve (ju kujton gjë Parma?), që duan të monetizojnë gjithcka; dhe që do të shitblejnë një ditë edhe vetë Papën.

              Dhe është pikërisht ky shëndet social i munguar, ose ky depresion kapilar dhe i ngjethshëm, që po ia merr frymën Italisë sot dhe nuk e lë të dalë nga kriza.

              Shkruan:

              nuk është faji i lojtarëve zezakë që futbolli italian është tjetërsuar.

              Po doemos. Faji është i atyre që shitblejnë lojtarë zezakë dhe të tjerë të huaj, duke krijuar qark të shkurtër në përzgjedhjen dhe kultivimin e talenteve dhe njëkohësisht duke i futur klubet në borxhe të papara. Askush nuk i bën me faj zezakët këtu, madje as racisti më i tërbuar, besoj; dhe gjithsesi jo Sacchi; madje edhe ata që e kritikuan për racizëm, nuk e bënë këtë ngaqë e akuzuan se po bënte me faj zezakët. Prandaj nuk po të marr vesh fare.

            2. Nuk u shpjegova mirë. Desha të them se Sacchi flet për pasojat, jo për shkaqet. Arsyetimin e tij e tëndin e kuptoj fare mirë. Por ai duhet të shprehet më mirë, ta shpjegoje më qartë mendimin, se ka qenë dhe është pjesë e sistemit. E atij sistemi që ka krijuar si efekt praninë e tepërt të të huajve në futbollin italian, sport që dikur ka qenë shumë popullor e më pak i krimbur me interesa të dyshimta.

            3. Sot Parma – një skuadër jo pa emër në Serie A – nuk e luajti ndeshjen e radhës për kampionatin, ngaqë është duke falimentuar, mes të tjerash edhe ngaqë nuk është të gjendje të paguajë rrogat astronomike të tre lojtarëve të vet.

              Për herë të parë në historinë e futbollit italian, një skuadër mund të tërhiqet nga gara në mes të kampionatit.

              Kryetari i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio, foli gjatë për këtë problem, gjatë punimeve të një mbledhjeje në Firenze. Tema e mbledhjes: racizmi.

              Për ta përmbledhur: një skuadër futbolli, me tradita dhe emër, është duke vdekur; dhe kryetari i federatës italiane të futbollit shkon në një mbledhje kundër racizmit!

              Racizmi duhet dënuar kur shfaqet – por skuadra si Parma nuk po falimentojnë ngaqë janë raciste.

              Përkundrazi, po falimentojnë ngaqë sistemi i sotëm financiar i futbollit është i krimbur; dhe të gjitha skuadrat, kushedi me përjashtim të Realit të Madridit dhe Laçit, po japin shpirt në këtë rat’s race ku janë përfshirë.

              Dhe – për mendimin tim – fajtorët kryesorë për këtë krim ndaj sportit më popullor në Europë janë pikërisht ata që e ngrenë më shumë zërin kundër racizmit: a ka gjë më të lehtë se kjo? Say no to racism! Të gjithë në kor: say no to racism!

  3. Lexova diku se loloja i dikurshëm lejohej të fliste vetëm në oborr të mbretit ose të princit. Në rast se do ta kishte bërë jashtë tij, do të ishte varur në mes të sheshit. Liria e lolos pra kishte kufizim hapësinor, pak a shumë si kufizimi tjetër, ai i karnevaleve, por që kishte karakter kohor dhe ishte më popullor. Në atë hapësirë e në atë kohë loloja ishte i paprekshëm.
    Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se loloja paguhej e mbahej nga padroni i tij, ndërsa anëtarët e oborrit kishin një farë kënaqësie kur e shikonin lolon qesharak e të shtrembër, sepse u jepte mundësinë të ndiheshin superiorë.
    Ende nuk e kam shumë të qartë nëse lolot mesjetarë talleshin vetëm me personat (mbretin, princin, oborrtarët, etj.), apo edhe me tabutë tradicionale, përfshirë edhe fenë.
    Liria e fjalës nuk duhet ngatërruar me shpërdorimin e saj. Debati kulturor nuk përmirësohet duke bërë vetëm provokime. Pastaj satira e vërtetë nuk përdor hanxhar, por armë më delikate.
    Gjithsesi, krahasimi midis lolos mesjetar dhe karikaturës së sotme është i gjetur, sepse në këtë mënyrë dalin në pah edhe dallimet mes tyre në kuadrin e tabuve sociale.

    1. Do të ishte për të ardhur keq, pra, sikur liria e fjalës në vendet Perëndimore të shndërrohej në profesion – ose t’u besohej vetëm pak profesionistëve; p.sh. karikaturistëve.

      1. Nese mund te shtoja dy mendime rreth rastit te Sakit. Natyrshem qe duhet te shprehej me diplomatikisht por nga intervista dukej qe qe nje moment dobesie, dicka qe nuk mund ta mbante dot. Por problemi i medias sot eshte kudondodhja dhe gjitheshperndarja. Si te thuash, media-teknologjike eshte kthyer ne nje lloj Big Brother-i qe nuk te le hapesire per gabosh. Momentet e dobesise sot jane nje luks. Dhe me e tmerrshmja ka gjithnje njerez qe do te kapitalizojne ate qe s’duhet apo qe nuk ishte qellim.

        Se dyti, Sakit i ka shkuar pikerisht gjuha tek zezaket ne fillim. Kjo nuk eshte e rastesishme mendoj une (dhe s’ka te beje me racizmit gjithashtu). Pse pikerisht tek lojtaret zezake? Sepse pergjithesisht ata pershtaten me pak me menyren e lojes italiane. Te talentuar jane padiskutim por karakteristikat e lojtareve zezake jane kryesisht atletike ndersa karakteristikat e futbollit italian jane kryesisht taktike. Rrallehere gjen lojtare zezake “inteligjente” ne kuptimin taktik (me ndonje perjashtim is Eto apo Jaja Ture). Nderkohe Italia ka ngritur nje tradite te tere mbi lojen taktike. Duket sikur Saki thote: Jo vetem qe s’po vazhdojme traditen por jemi teresisht jashte loje me kete alternative zevendesuese.

  4. “Perëndimi do të tregonte vlerat e veta “të epërme” jo duke vënë në piedestal provokimin; por duke kërkuar një ekuilibër, aq të domosdoshëm, midis lirisë së fjalës dhe indinjatës – në të gjitha frontet.”— Xha Xhai
    Këto janë fjalë të arta, më bukur prishet.

    Ndërsa, Xha Xha, përsa i përket analizës së rolit të karikaturës, mendoj se jemi pikërisht në brazdat e iluminizmit. Karikatura merr hov gjatë shekullit të XVIII dhe penetron pikëpamje fetare, politike, domestike, tregtare, nuk i trembet syri të kritikojë aristokracinë, monarkët e gjeneralët, vendasit, të huajt, pra, merr përsipër rolin e lolos, por tashmë një lolo si të thuash pa zot (shumë më afër satyrëve që vizitonin spektatorët e Atenës gjatë intermexove të pjesëve teatrale). Dhe është tepër e pëlqyer dhe e ndjekur nga publiku, që konsumon një pjesë të mirë të saj nëpër gazetat e kafeneve, kulturë të cilën Juergen Habermas e barazon me lindjen e hapësirës publike (public sphere). S’është rastësi dosido që kafeneja del protagoniste në skenarin e Kopenhagenit. Shpërndarja, të cilën edhe ti e problematizon nëpërmjet shabllonit të huazuar “Je suis Charlie” është ajo që bëri ndryshimin gjatë iluminizmit sa edhe sot. Atëherë (po lexoj këto ditë The Cosmopolitan Ideal të Thomas J. Schlereth, nga i cili citoj), B. Franklin i shkruante një mikut të tij britanik “The ancient Roman and Greek orators could only speak to the number of citizens capable of being assembled within the reach of their voice. Their writing had little effect, because the bulk of people could not read. Now, by the press, we can speak to nations” (p. 17). Sot masa e njerëzve (the bulk) është e pamatshme, shpërndarja e përshpejtuar, por mbi të gjitha përgjigja përmbytëse e kësaj mase nuk ka preçedent në histori. Loloja feudal mund të thyente tabu, brenda zonës që i lejohej, por nuk mund të priste jehonë e solidaritet nga masa, gjë që ndodh me karikaturën iluministe, sidomos gjatë Revolucionit Frëng. Ndaj korri i protestave “Je suis Charlie” nuk më duket se u delegon thyerjen e tabuve karikaturës, përkundrazi çdo filan fistek, aq i patalentuar sa Larsi ose edhe më keq, kur thotë “Je suis Charlie”, nuk shpreh veç solidaritet me viktimat, por edhe vetë-deklarohet si një tabuthyerës i mundshëm, qoftë kjo nëpërmjet karikaturës, apo një forme tjetër. Mirëpo, kjo përgjigje për shkak të shpërndarjes, vjen kaq automatike, kaq e shabllonuar, sa do thoja se kemi hyrë një fazë hiper-iluministe, ose instantaneous enlightenment që mungon shenjën, duke mos nxitur refleksion por vetëm reaksion ose imitacion (s’di kush është më keq). Pra, duket sikur po ecim drejt limitit të iluminizmit, që paradoksalisht shpërndan idera, pa çuar drejt emancipimit. Dhe këtu jam dakort me ty, që fjala e lirë, e automatizuar dhe kondicinuar në këtë farë feje, nuk është më e lirë, sepse nuk është produkt i reflektimit vetjak, por i trysnisë dhe joshjes së turmës.

  5. Kur Jyllands-Posten botoi karikaturat e Kurt Westergaard-it u bë një gurgule në mbarë botën. Ky vetë dikur u shpreh, se nuk e kishte llogaritur, që ato do të perceptoheshin në mënyrë kaq kontraversale, gjë që të lë të kuptosh, se kur i bëri, nuk e ka ditur mirë se ç’ish duke bërë. Deri këtu jemi në rregull. Ai artisti krijoi, shtypi e publikoi, opinioni publik i përkrahu jo edhe aq për përmbajtjen, se sa për nevojën e mbrojtjes së lirisë së fjalës, shtypit e kështu me radhë. Për mua këtu duhej të kishte mbaruar edhe historia dhe gjithçka e ndodhur më pas është pjesë e një provokimi reciprok midis radikalëve.

    Fatkeqësisht në radhët e tyre mund të numërosh pa problem figura politike me një peshë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ja për shembull, Westergaard-it ju dha për ato karikatura, për të cilat pak a shumë i kishte “shkarë” dora një goxha çmim në Gjermani në vitin 2010. Është fjala as më shumë e as më pak se për çmimin “M100 Medienpreis”, që jepet nga kryeredaktorët më në zë të gazetave dhe revistave evropiane, që sipas revistës “der Spiegel” është “clube of Rome” në fushën e gazetarisë. Tani (edhe atëherë) unë nuk e kuptova, se pse një çmim kaq domethënës t’i jepet nga një juri po kaq domethënëse dikujt, i cili me një akt të vetëm futi në sherr një dynja të tërë, pa folur pastaj, që përmbajtja e krijimit të tij nuk rezulton gjë veçanërisht progresive, apo rrethanat në të cilët ai krijoi dhe publikoi ishin nga ato më banalet në perëndim. Pa qenë paranojak është ashiqare që konfrontimin e kërkojnë të dyja palët. Po mirë edhe deri këtu. Po (edhe atëherë) edhe sot akoma unë nuk e kuptoj, se pse laudation e rastit ta mbajnë jo më pak e jo më shumë, se kancelaria gjermane Angela Merkel dhe intelektuali publik Joachim Gauck, i cili tre orë më parë ishte në diskutim të zgjidhej President Federal i Gjermanisë, gjë që ndodhi tre orë më vonë. Janë njerëz publikë, të cilët nuk reagojnë në mënyrë impulsive, pasi janë shumë të rëndësishëm ta bëjnë këtë. Ata këshillohen nga të tjerë, mbrojnë interesa të grupimeve të caktuara dhe në fund të fundit kur bëjnë një veprim publik, e bëjnë në emër të funksionit qeverisës që kanë.

    Ja ku keni diçka nga ai festivitet:

    http://goo.gl/R5kCcO

    Po ja mirë që Gauck, presidenti në pritje i Gjermanisë në vitin 2010, mund të thuhet se ishte akoma person privat, po ç’e gjeti tjetër dje kur aktin terrorist në Danimarkë të para disa ditëve e vuri menjëherë në kontekstin e sulmit kundër lirisë së shtypit? Po për ç’liri shtypi e kanë fjalën këta njerëz? Nëse një njeri e gjen oportune të pikturojë profetin e një feje (Muhametin) duke kryer marrëdhënie seksuale orale me një profet të një feje tjetër (Krishtin) ndërkohë që një Zot i një feje të trete (Buda) në të njëjtën kohë e penetron në rrugë anale të parin me organin e tij gjenital, dhe një fanatik e gjen të arsyeshme t’i shkrepë autorit koburen në kokë, kjo nuk ka të bëjë fare me lirinë e shtypit e as me mua, qytetarin normal, i cili për këto maskarallëqe nuk ka asnjë mëndim tjetër veçse, që të gjithë këta nuk janë duke u shprehur në emër të një gjëje të shenjtë, por janë duke kërkuar atë që meritojnë nga njëri – tjetri, pra një hundë të përgjakur.

    Ç’presin na unë akoma, që kur të vriten ndër vete Banditos me Hells Angels të dalim rrugëve me pankarta: “Je suis Banditos!”

    Konfrontimi i filluar po i imponohet me një dhunë psikologjike të gjithëve pa përjashtim. Po nuk u shprehe që je me Charlie-in, je menjëherë kundër rendit normal të gjërave, je subversiv, je armik. Mirsevijmë në mesjetë. Sa absurde që është kjo? Ky konflikt fatal ka dy palë, të cilët janë duke e kërkuar, duke e ndjellur, duke e lakmuar. Fatkeqësia është, se këtë e bëjnë në hapësirën publike, ku jetoj unë.

    Dhe këtu fillon dalëngadalë e gjithë kjo mizerje, që do t’i shoqërojë fatkeqësisht njerëzit për shumë kohë.

  6. S’më rezulton që “Po nuk u shprehe që je me Charlie-in, je menjëherë kundër rendit normal të gjërave, je subversiv, je armik. Mirsevijmë në mesjetë.”

    Menjëherë pas Charlie-t, doli “Je suis Ahmed”, në përkujtim të policit të vrarë, e më pas lumenj me “je ne suis pas Charlie”, e versione parodike deri tek një fotomodele kanadeze e quajtur Charlie, e cila bënte reklamë për një kompani uji të pijshëm (dhe për hiret e saj femërore) me një T-shirt të bardhë të lagur (!) ku lexohej “je suis charlie”.

    Të jesh apo mos të jesh Charlie po diskutohet, ja disa linke me shpërndarje të gjerë, pra jo “elitärische Delikatessen”, që tematizojnë automatizmin e sloganit. Them se jemi larg diktatit feudal, përkundrazi, në mes të sferës publike ku, në shumicën dërrmuese të rasteve, përplasen mendimet pa të kushtuar kokën:

    http://www.faz.net/aktuell/politik/gastbeitrag-warum-ich-nicht-charlie-bin-13374816.html
    http://www.theguardian.com/world/2015/jan/08/ahmed-merabet-mourned-charlie-hebdo-paris-attack
    http://www.theguardian.com/commentisfree/2015/jan/12/je-ne-suis-pas-charlie-nuance-groupthink
    http://www.telegraph.co.uk/news/worldnews/europe/france/11359732/Le-Monde-hacked-Je-ne-suis-pas-Charlie-writes-Syrian-Electronic-Army.html
    http://www.theweek.co.uk/world-news/charlie-hebdo/62060/seven-reasons-why-people-are-saying-je-ne-suis-pas-charlie
    http://www.thecatholicthing.org/2015/01/09/je-ne-suis-pas-charlie/
    http://observer.com/2015/01/sorry-youre-not-charlie-and-youre-not-ahmed-either/
    http://www.huffingtonpost.com/michael-brenner/je-ne-suis-pas-charlie-hebdo_b_6693386.html

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin