Në vend që të shfrytëzohet në maksimum vala e luftës kundër atyre që nuk paguajnë energjinë elektrike, ka disa që merren me polemika shterpë për efektshmërinë ose jo të kësaj beteje për vendosjen e ligjit në Shqipëri.
Ideja erdhi ashtu befas, e shpejtë dhe e thjeshtë si çdo ide gjeniale. Metaforikisht mund të shprehet kështu: lufta për pagesat e energjisë është turbinë që prodhon energji. Idenë e prezantoi kryetari i shoqatës “Boll më”, dr. Dritan Llambaj, i cili rrëfeu edhe historinë se si kishte lindur projekti “Me poç të pastër”.
“Kur zhvilluam konferencën për ligjin e pagesën e dritave, pati nga ata që e kundërshtuan aksionin e qeverisë kundër mospaguesve të faturave. Përkundrazi, ne e mbështetëm hapur qeverinë në aksionin e vet kundër atyre që nuk paguajnë dritat”, tha dr. Dritan Llambaj. “Fakti që për mospagesën e energjisë u arrit të ndëshkohen edhe zyrtarë të lartë, tregon seriozitetin e kësaj qeverie për të luftuar kundër atyre që nuk respektojnë ligjin”.
Kryetari i shoqatës “Boll më” iu referua hapur shkarkimit nga posti të Zv/ministres së Ambientit, e cila nuk kishte shlyer faturën e shtëpisë në det. Shkarkimi i saj në vend, respektoi parimin “ndëshko një për të edukuar njëqind”, ose me fjalë më të thjeshta latine: Unum castigabis, centum emendabis. Nga ana tjetër, nuk mund të harrohen ndjekjet e ndryshme për ata që furnizojnë aktivitete private me korrentin që e marrin fshehurazi nga rrjeti.
Po kështu duhen kujtuar radhët pa fund për të paguar faturat, ose fenomeni i ri i parapagesave: njerëzit kanë filluar t’i paguajnë paraprakisht një vit para dritat nga frika se mos i pushojnë nga puna. Thonë se ka edhe një treg të zi ku faturat e dritave shiten si kambiale dhe disa ekonomistë mendojnë se shpejt do të përfundojnë në bursë nëpërmjet shoqërive që menaxhojnë kredi e letra të tjera me vlerë.
Projekti që iu prezantua si qeverisë ashtu edhe opinionit publik, nëpërmjet mediave joelektronike, është i thjeshtë, sepse e merr zanafillën nga historia e vonë. “Kush e njeh historinë amerikane e di mirë se krimineli i madh Al Capone, u kap dhe u akuzua jo për veprat penale si gangster por për evazion fiskal, pra se nuk kishte paguar taksat – theksoi Llambaj. Në qoftë se ne do ta zëvendësojmë evazionin fiskal me faturat e dritës, do të mund ta mposhtim kriminalitetin ordiner dhe atë të organizuar. Pra, nëse nuk e kap dot aksh kriminel që ka bërë ndonjë të pabërë, mjafton t’i kërkosh pagesën e faturës. Nuk është nevoja të harxhojmë me hetime, gjyqe, dokumente, avokatë, ryshfete”.
Projekti “Me poç të pastër”, shpjegoi ideatori i saj duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta nga gazetarët e shumtë, ka si qëllim vendosjen e ligjit në Shqipëri. “Poçi – shtoi ai – duhet të shihet si simboli i dritës dhe i rizgjimit të etikës qytetare”. Vetëm dy pyetje nuk morën përgjigje të saktë: “Si mund të kapet dikush që paguan dritat por që i fik për të përfituar nga errësira?” dhe “Ai që nuk paguan dritat, por ble hidrocentralin, duhet arrestuar?”.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Vetem humor qe nuk ishte! 🙁
Mbyllur me dy pyetje Shejkspiriane e shkruar nga një mendje që i ka fiksim emrat (ring a bell?) … dër. dër. Llambaj, a jo, dr. Dritan Llambaj — lampeggiante, Sig. Veleno!