MUZIKË NË TERR

Thonë se jetojmë në kohë kur muzika e mirë – e kam fjalën për rock-un – ka marrë fund; në fakt, vetëm sa janë dëmtuar, në mos përmbysur hierarkitë.

Dhe ashtu qëllon që një album i shkëlqyer të kalojë gati pa u vënë re, teksa po merreshim me antikat më të fundit të Lady Gaga-s a të Miley Cyrus-it.

Ne që jemi mësuar me kritere dhe standarde të tjera – tek e fundit unë mbaj mend deri edhe ditën kur “Let It Be” e Beatles-ve u ngjit në krye të Hit Parade-t të RAI-t – e kemi të vështirë tani të kërkojmë, edhe më të vështirë të gjejmë.

Por pastaj të del përpara – serendipitisht – një kryevepër, si Walking on a Flashlight Beam, një album nga Lunatic Soul, projekt solo i polakut Mariusz Duda, përndryshe i njohur si anëtar i grupit Riverside.

beksinskiPër nga zhanri, albumi i përket prog rock: në varësi të shijeve dhe bagazhit muzikor, disa dëgjues do të gjejnë atje ngjashmëri me Porcupine Tree, të tjerë me King Crimson. Nga ana tjetër, Lunatic Soul është pak më soft se Riverside; dhe, më në fund, referencat ndaj Pink Floyd janë të pashmangshme, qoftë edhe si tribute.

Edhe pse i kënduar, albumi shkëlqen sidomos në pjesët instrumentale: kitarë akustike, piano, electronica dhe veçanërisht basi në “Gutter” – që të merr frymën; dhe që të kujton, çuditërisht, Radiohead.

Duda ka shpjeguar se albumi i është frymëzuar, mes të tjerash, nga filozofia e tërheqjes së qëllimshme prej botës, e mishëruar mes të tjerash edhe në patologjinë sociale japoneze të hikikomori-t; dhe nga vepra e artistit polak Zdzisław Beksińsky.

Në YouTube mund të gjenden praktikisht të gjitha këngët e ndryshme të albumit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: