Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Muzikë

ORKESTRA E KËQYRUR NGA BRENDA

Lexova sot një ese personale, nga një instrumentist – klarinetist – që kish luajtur për disa dekada në orkestrat simfonike italiane, por e kish lënë punën para kohe, sepse nuk po e përballonte dot poshtërimin e përditshëm.

Instrumentistit klasik i mohohet liria, ngado që të kthehet, shkruante ai. Nga njëra anë, partitura, prej së cilës nuk mund të largohet; nga tjetra diktati i hekurt i dirigjentit të orkestrës, i cili i kërkon të luajë në një mënyrë të caktuar. Shto këtu edhe pamundësinë – absolute – për të zgjedhur se ç’pjesë të luajë dhe nga cili kompozitor.

Ne që u biem veglave në orkestra simfonike, shkruante, nuk jemi artistë, por teknikë. Na jepet një detyrë dhe e kryejmë, në mënyrë mekanike; nuk na kërkohet të jemi krijues, por përkundrazi, të bindemi. Dhe sidomos, t’i bindemi autoritetit total të dirigjentit.

Orkestrën simfonike e quajnë si një nga majat e qytetërimit perëndimor; por është kushtëzimi dhe kufizimi i lirisë individuale të muzikantëve artistë, që e bën të tillë – të funksionojë “si një trup i vetëm”. Identiteti personal i muzikantit – me pak përjashtime, si violina e parë – vuan edhe më fort, se ai i një koristi ose i një balerini çfarëdo ose i një aktori.

Nëse orkestra simfonike përfaqëson arritje aq madhore të kulturës, këtë e bën duke sakrifikuar lirinë e muzikantëve që e përbëjnë. Jo sepse kjo ia lehtëson punën dirigjentit apo i përshtatet temperamentit të tij autoritar; por sepse orkestra vetëm ashtu mund të jetë orkestër, duke ua anuluar vullnetin e lirë orkestrantëve individualë, në emër të sinkronizimit të plotë.

Më shumë se një grupi artistësh që krijojnë a bëjnë art, orkestra simfonike i ngjan një formacioni ushtarak që parakalon nën ritmin dhe diktatin e komandës.

Edhe vetë muzika konvencionale është autoritare – kompozitori përcakton jo vetëm melodinë, harmoninë dhe ritmin, por edhe instrumentet që do të luajnë dhe forcën me të cilën do të prodhohet tingulli dhe tempon. Ato që lë mangët kompozitori, i plotëson dirigjenti, i cili e “personalizon” ekzekutimin, me nuanca të shijes së vet.

Orkestra klasike është përpjekje kolektive, madje shumë më kolektive se loja e një skuadre futbolli.

Kjo nuk ndodh me muzikën jazz, ku instrumentistët, edhe në ansamble më të mëdha se trioja ose kuarteti, shpesh inkurajohen që të kombinojnë disiplinën me improvizimin dhe të individualizohen para publikut.

Krahasuar me jazz-istët ose edhe me instrumentistët në një bandë rock-u ose pop-i, muzikantët e orkestrës simfonike janë më shumë punëtorë se artistë; nuk ka gjë mirëfilli artistike në aftësinë teknike për të shndërruar në melodi partiturën e shkruar për klarinetë, fagot ose kontrabas; aftësi e cila mësohet dhe përsoset në shkollë.

Natyrisht, një instrumentist që i bie, për shembull, flautit gjatë ekzekutimit të një simfonie të Beethoven-it njëherazi dëgjon edhe kolegët e vet dhe, në përgjithësi, e ndjek lojën e orkestrës, për ta shijuar rezultatin – nëse mundet, pas kaq e kaq provash sfilitëse. Edhe pse mund të ndihet krenar, që është pjesë e këtij akti krijues kolektiv, ai nuk e pëlqen megjithatë tingullin që i lëshon viola ose tromboni i vet, të shkëputur nga çfarë luan krejt orkestra. E shijon, pra, muzikën si të jetë edhe ai pjesë e një publiku “të fshehtë”.

Çfarë i kërkohet instrumentistit është disiplinimi total, ose nënshtrimi i pakushtëzuar ndaj autoritetit teknik të dirigjentit. Por ky lloj interpretimi nuk ka shumë të bëjë me lojën e një solisti, i cili mund ta shprehë individualitetin edhe me pjesë të shtangëta, si ato të muzikës së hershme, që nuk i lënë shumë hapësirë muzikantit; pa folur pastaj për një solist në jazz ose në muzikën rock a pop, i cili mund të improvizojë lirisht.

Deri nga fundi i shekullit XIX, raporti i individit me muzikën “serioze” në Perëndim – me përjashtime të spikatura – manifestohej në aftësinë për të riprodhuar me saktësi përmbajtjen e një partiture. Prej vajzave që i binin pianos në një sallon rus, aristokratik a borgjez, pritej që nëpërmjet muzikës që luajnë të sendërgjonin imazhin harmonik të vetvetes – teksa e kërkonin perfeksionin te përsëritja e çdo note, çdo pauze, çdo akordi, madje edhe e çdo kadence. Teknika e zotëruar mirë nuk ishte gjë tjetër, veçse teknikë për të riprodhuar në hollësi.

Ky rol që i besohej muzikës në jetën e përditshme të shtresave të larta ndoshta u fut në krizë, me shpikjen dhe përhapjen e teknologjisë së riprodhimit të tingullit – duke filluar nga gramafoni dhe radioja. Ashtu edhe, brezat e ardhshëm të vajzave nga këto familje erdhën e u zëvendësuan nga makinat përkatëse, të cilat nuk mundeshin veç të përsëritnin një interpretim a ekzekutim standard, pavarësisht nga kush ishte duke dëgjuar.

Muzika, edhe ajo folk, ka gjithnjë nevojë për përsëritjen, që gjithnjë është edhe refuzim i lirisë – interpretative. Një këngë popullore, edhe e kënduar nga dasmorët, i referohet gjithnjë një modeli fiks, edhe në melodi edhe në tekst; dhe shumë prej nesh e shijojnë muzikën kur e dëgjojnë të përsëritur; madje edhe prej muzikantëve më të suksesshëm, p.sh. këngëtarëve pop, presim që të përsëritin vetveten, duke na e konfirmojnë imazhin që kemi krijuar tashmë për ta.

Por instrumentisti në një orkestër simfonike – të paktën autori i esesë për të cilën flas – nuk arrin më ta shijojë këtë përsëritje, madje edhe sikur pjesa e luajtur prej tij, në bashkëpunim me kolegët nën drejtimin/diktatin e dirigjentit, të jetë objektivisht kryevepër; dhe arsyeja kryesore për këtë “mpirje” është se, në rastin e tij, perfeksioni përkon me heqjen dorë – me imponim – nga liria dhe improvizimi.

Ndoshta orkestra simfonike – si praktikë dhe si simbol kulturor – nuk po i përshtatet më asaj mendësie bashkëkohore ku individi priret ta gjejë vetveten jo në ritualet kolektive dhe në veprimet korale nën një diktat vertikal, por në hapësira horizontale, ku mund të artikulohet më lirisht jashtë imponimit nga një autoritet. Të jesh anëtar i një orkestre profesionale, me një dirigjent kompetent dhe që performon për një publik të apasionuar është gjithnjë privilegj – por jo më shumë se privilegji që ka inxhinieri që drejton një uzinë avionësh ose kimisti që mbikëqyr procesin e prodhimit të chip-ave; ose, për t’iu afruar temës, specialisti i drurit në një fabrikë violinash. Edhe inxhinieri përjeton kënaqësi, kur avionët e uzinës së tij ecin mirë në treg; sikurse çdo specialist tjetër kur merr vesh se çfarë del nga dora ose nga mendja e tij po performon siç pritej që të performonte; por kjo nuk është kënaqësi prej artisti dhe as ka të bëjë me lirinë e krijimit artistik.

Do të na duhet ta rishikojmë edhe përkufizimin e artistit; si dikush që krijon art, jo si dikush që merr pjesë në një proces kolektiv të krijimit të artit. Klarinetisti autor i esesë së cilës i referohem e vuante të përditshmen e vet në orkestër ngaqë e përjetonte identitetin e vet si artist; mbase edhe ngaqë ish diplomuar në një konservator (shkollë arti), ku studentë si ai trajnohen si solistë. Me vonesë e kish kuptuar se ka forma arti – si muzika orkestrale – që nuk do të ekzistonin dot jashtë skemave të autoritetit; paçka se arti nën diktat nuk mund të jetë yti, por e shumta i kujt e ushtron diktatin.

Kush i bie ndonjë vegle muzikore, qoftë edhe amatorisht, e ka provuar kënaqësinë e të luajturit në grup, që nuk është megjithatë e njëjtë me kënaqësinë e soloistit. Bashkërendimi dhe sinkronizimi shpesh konvivial, mes muzikantëve, për të përftuar një tingull kompleks që është më shumë se shuma e tingujve të përftuar individualisht nga çdo muzikant janë edhe ato eksperienca artistike që mund të përjetohen vetëm në grup. Orkestra simfonike, si praktikë dhe si simbol kulturor, rrjedh nga ky lloj të luajturi në grup, që mundëson polifoni dhe harmoni dhe pasuri timbrike të pamundura për një muzikant solo. Vetëm se orkestra, në rrjedhë të procesit evolutiv, e ka projektuar identitetin kolektiv te një vetëdije në thelb e shkëputur, që është ajo e dirigjentit[1]; i cili nuk luan më ndonjë instrument (e shumta, tund shkopin), por vetëm sa bashkërendon dhe sinkronizon në mënyrë që të përfshijë në “lojë” një numër sa më të madh instrumentesh; çfarë e shndërron vetë orkestrën në një instrument muzikor sui generis, të “luajtur” prej dirigjentit.

Çdo art performativ kolektiv mbase përfiton nga një mendje individuale që ta bashkërendojë dhe sinkronizojë produksionin skenik – por në muzikë shfaqet, më mirë se kudo tjetër, nayra autokratike e këtij roli, që, për t’u realizuar, ka nevojë për nënshtrimin e plotë të egove të muzikantëve të orkestrës. Nga kjo pikëpamje, orkestrat e mëdha mund t’i krahasojmë, nga ana tipologjike, me ushtritë e mëdha dhe shtetet diktatoriale, madje despotike, që funksionojnë si zgjatime të liderit të tyre autoritar.

Në fakt, orkestrat dhe ushtritë i mbivendosen njëra-tjetrës te banda ushtarake, e cila prodhon muzikë që u shërben drejtpërdrejt nevojave ushtarake – organizative dhe simbolike; nëpërmjet instrumenteve të tunxhit dhe perkusionit që shpesh u referohen veglave ceremoniale, sinjalizuese dhe të betejës. Por ngjashmëritë mes këtyre formacioneve kolektive shtrihen edhe te njësimi i uniformave dhe sinkronizimi i lëvizjeve mes pjesëtarëve, si shenja ikonike të disiplinës dhe të kohezionit.

Shtojcë pak si teorike

Që në 1938, Theodor Adorno e pat lidhur – haptazi – dirigjentin maestro me liderin politik autoritar dhe karizmatik (Führer): publiku idolizon kontrollin absolut të këtij drejtuesi ndaj grupit të madh të muzikantëve që përbëjnë orkestrën, duke përjetuar një lloj pushteti vikar, që i përcillet nëpërmjet nënshtrimit (simbolik) të muzikantëve ndaj autoritetit të maestro-s.

Edhe në vepra të mëpasme, si  Introduction to the Sociology of Music, ky dijetar sheh te dirigjenti autoritar i shekujve XIX dhe XX imazhin e autoritarizmit fashist dhe totalitar. I hipur në podium dhe i veshur me frak, duke tundur shkopin e vet si kamxhik ose skeptër, dirigjenti vë në skenë një fantazi të dominimit absolut, duke poshtëruar dhe përulur publikisht dhjetëra muzikantë tejet ekspertë në mjeshtrinë e tyre ndaj vullnetit të vet individual – një spektakël i ritualizuar i sundimit, që pasqyron dinamikën që krijohet mes një diktatori dhe masave.

Në vend që t’u kushtojnë vëmendje tensioneve strukturore në një pjesë muzikore, audiencat borgjeze – shkruan Adornoja – fetishizojnë perfeksionin sipërfaqësor, kombinimin e rrjedhshëm të harqeve, gjestet dramatike të dirigjentit ose prestigjin e emrit të një orkestre të famshme. Për Adornon ky adhurim i eficiencës institucionale pasqyron admirimin që kanë qytetarët për precizionin e hapit të rregullt të ushtarëve në një paradë, gjithë duke zgjedhur ta shpërfillin dhunën implicite së cilës i bën jehonë ky spektakël.

Industria kulturore, shkruan Adorno, e trajnon publikun që të konsumojë personalitetin dhe gjestet fizike të dirigjentit si “figurë atërore”, shprehjet e tij të fytyrës dhe të trupit dhe “gjenialitetin” e tij, duke e kaluar veprën në plan të dytë. Nga ana tjetër, sa më precize, e standardizuar dhe e mekanizuar bëhet loja e orkestrës, aq më shumë mistifikohet imazhi publik i dirigjentit si “magjistar” apo “kryepastor” i artit. Vetë koreografia fizike që vjen nga podiumi maskon eficiencën e ftohtë, industriale që nevojitet, për të sinkronizuar orkestrën.

Njëlloj si Jacques Attali më vonë, edhe Adorno do të vërejë se instrumentistët që luajnë në një orkestër reduktohen në punëtorë të paguar, duke u jetërsuar prej muzikës që përftojnë. Ngaqë dirigjenti i monopolizon vendimet interpretative – shpesh duke i trajtuar muzikantët me përbuzje prej despoti – muzikantët katandisen në zbatues cinikë dhe mekanikë të urdhrave, shpesh duke ia bjerrë shfaqjes çdo lloj spontaneiteti kolektiv gjenuin.

Elias Canetti i kushton dirigjentit një seksion të veçantë veprës së vet Turma dhe pushteti. Për të, performanca publike e dirigjentit është manifestimi më i kulluar, më i dukshëm i pushtetit. Kjo dinamikë zakonisht kalon pa u vënë re, sepse edhe publiku edhe dirigjenti besojnë se gjithçka që ndodh i shërben muzikës dhe interpretimit të saj. Vetë dirigjenti e sheh veten si shërbëtorin e parë të muzikës, krejt i pavetëdijshëm për realitetin politik jo-muzikor që mishëron. Megjithatë, sjellja e tij nxjerr në dritë çdo atribut themelor të autoritetit.

Pushteti, shkruan Canetti, nis me pozën e trupit dhe organizimin e hapësirës. Dirigjenti është i vetmi person që rri në këmbë, në një podium të vendosur midis orkestrës që ka përpara, dhe publikut që i rri prapa. Duke përdorur vetëm lëvizje të vogla të duarve dhe të shkopit, ai ushtron pushtet ndaj jetës dhe vdekjes së instrumenteve, duke i sjellë në jetë ose duke i heshtur me vullnetin e vet. Orkestra, në diversitetin e saj, përfaqëson njerëzimin në tërësi; përmes gatishmërisë së muzikantëve për t’u bindur, dirigjenti i shkrin këta individë të veçantë në një trup të vetëm, të njësuar, që ai personifikon.

Brenda këtij lëmi, vazhdon Canetti, dirigjenti vepron si legjislator dhe gjykatës i gjithëditur. Teksa muzikantët individualë mbajnë vetëm partiturat përkatëse përpara, dirigjenti e ruan të gjithë pjesën në kokë, ose të paktën para syve. Ai e di, në çdo moment, se çfarë duhet të luajë secili nga muzikantët dhe çfarë është duke luajtur në realitet, dhe me sytë dhe veshët e vet vigjilentë pikas dhe ndëshkon menjëherë çdo shkelje të “ligjit” muzikor. Ngaqë ky kontroll absolut ushtrohet në sytë e të gjithëve, dirigjenti zhvillon me kohë një vetë-siguri të thellë dhe një varësi ndaj të qenit i shikuar prej të tjerëve.

Autoriteti i tij, vëren Canetti, njëlloj shtrihet ndaj publikut, duke ia imponuar këtij palëvizshmërinë dhe qetësinë totale, që nga momenti kur ngjitet në podium dhe ngre shkopin e vet. Energjia fizike e publikut dëgjues stimulohet nga muzika, e megjithatë mbetet e paçliruar deri në fund të pjesës, kur lejohet të shpërthejë në duartrokitje. Ky ovacion funksionon si një përshëndetje tradicionale (“Sieg Heil”) për një ngadhënjimtar ushtarak dhe krejt ekzistenca psikologjike e dirigjentit organizohet e gjitha rreth dikotomisë së fitores dhe të disfatës, matur me volumin e duartrokitjeve.

Në analizë të fundit, gjykon Canetti, dirigjenti udhëheq dy grupe njëkohësisht, përmes mekanizmave të ndryshëm. Për audiencën, është një përçues i palodhur – nuk ia shohin kurrë fytyrën, por vetëm shpinën dhe duart që çajnë rrugën përpara, përmes muzikës. Po të kthehej dirigjenti nga publiku, iluzioni do të shpërbëhej. Ndërkohë, për ushtrinë profesioniste të muzikantëve para tij, duart e tij dhe vështrimi depërtues lëshojnë komanda të pashmangshme. Meqë simfonia përkohësisht zëvendëson botën e jashtme për këdo që gjendet në sallë, dirigjenti shndërrohet në sundimtarin absolut të botës.

Në esenë Noise: The Political Economy of Music, dijetari Jacques Attali e ka parë orkestrën simfonike, veçanërisht atë të shekujve XVIII dhe XIX, jo thjesht si ansambël muzikor, sa si një model politik dhe ekonomik të shoqërisë industriale moderne. Sipas tij orkestra simfonike u shfaq krahas, në mos deri edhe i parapriu, ndarjes së punës në kapitalizmin industrial. Njëlloj si punëtorët në fabrikë shkëputen nga produkti përfundimtar dhe zbatojnë urdhra tejet specifikë dhe të përsëritshëm, edhe muzikantët janë punëtorë të specializuar që vetëm shohin dhe luajnë partiturat përkatëse.

Në të njëjtën kohë, vëren Attali, kristalizohet një figurë qendrore autoriteti, e nevojshme për të sinkronizuar “krahun e punës”: dirigjenti mishëron menaxherin kapitalist, teknokratin dhe shtetin modern, si figurë unike në zotërim të partiturës totale (njohjes totale), e cila ngjashëm me legjislacionin e një sistemi politik dikton tempon dhe imponon konformimin, pa prodhuar asnjë tingull ai vetë.

Vetë orkestra, vazhdon Attali, krijon një imazh të idealizuar të harmonisë sociale, duke sugjeruar se një kolektiv i madh, hierarkik individësh të specializuar mund të bashkëjetojnë paqësisht dhe produktivisht nën një autoritet legjitim të vetëm. Borgjezisë spektakli i orkestrës simfonike i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë për të konfirmuar që hierarkia e natyralizuar, disiplina dhe kontrolli i centralizuar mund të jenë burime të bukurisë, jo të shtypjes.

Njëlloj si muzikantët, thotë Attali, edhe publiku në sallë ruan disiplinën duke ndenjur në heshtje dhe pa lëvizur. Në vend që të marrë pjesë në muzikë-bërjen komunale, dëgjuesit shndërrohen në konsumatorë pasivë që kanë paguar biletën, për të ndjekur një simulim të inskenuar të rendit social, duke qenë të lejuar të shprehen vetëm përmes duatrokitjeve të ritualizuara në fund të shfaqjes.

(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Historikisht, dirigjenti ka dalë nga radhët e orkestrantëve; duke qenë në krye violina e parë, që i sinkronizonte të tjerët duke bërë lëvizje me kokë dhe me hark; ndonjëherë edhe kompozitori vetë e mbante ritmin duke goditur dyshemenë me bastun; teksa klavicembalisti ose organisti ndihmonin me ritmin harmonik (në kohët kur kompozitori ishte gjithnjë i pranishëm gjatë ekzekutimit të pjesës). Më pas, ky lloj drejtuesi u shkëput nga orkestra, çfarë e shndërroi orkestrën vetë në një “instrument” muzikor të dirigjentit, që mund të ishte kompozitori por gjithnjë e më shpesh thjesht “specialisti” që interpretonte kuptimin e kodit (partiturës). Për t’u shënuar se edhe shkopi i sotëm i dirigjentit e ka “origjinën” te harku i dikurshëm i violinës së parë.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading