Fjala e mbajtur nga Leonard Cohen-i gjatë marrjes së vlerësimit “Princi i Asturias”
(21.10.2011)
I nderuar Madhëri,
Lartmadhnia Juaj,
Shkëlqesi,
Anëtarë të Jurisë,
Laureatë të Shquar,
Zonja dhe Zotërinj:
Ndihem tejét i nderuar që gjendem këtu sonte. Ndofta, si puna e mjeshtrit të madh Riccardo Muti, nuk qenkam mësuar të dal para gjindjes, pa orkestrën që më rri prapa shpine. Po sot ama, do jap më të mirën nga vetja, si artist solo.
Mbrëmë s’vura fare gjumë në sy sepse po vramendesha ç’do t’ju thosha tani. I përlava mirë-e-mirë tërë çokollatat e kikirikët e frigoriferit të vogël të dhomës së hotelit dhe pastaj i shkarravita nja dy-tri fjalë. Nuk besoj se ja vlen t’jua lexoj. Afërmendsh, më preku shumë marrja e këtij vlerësimi nga Fondacioni [lexo: Fondacioni i Princit të Asturias]. Por, sonte erdha t’ju kumtoj një përmasë tjetër të mirënjohjes – them se do më duheshin nja 3-4 minuta për ta shprehur, po e provoj.
Kur po bëja gati valixhen për të ardhur këtu nga Los Anxhelos-i, isha si mbi gjemba sepse çmimet e poezive si gjithmonë, më ndërdyshin. Poezia vjen nga një vend ku nuk komandon kurrkush dhe ku s’të mposht asnjeri. Ndaj, të pranuakam një çmim për një veprimtari të cilën s’e komandoj, më bën të ndihem si sharlatan. Thënë ndryshe, po ta dija burimin e Këngëve të Mira, do pija më shpesh atyre anëve.
Teksa po rrekesha për të bërë valixhen, vete të marr kitarën. Kam një kitarë “conde”, prodhuar në Spanjë, në punishten e famshme të Rrugës “Gravina”, Nr. 7. E kam blerë nja 40 vjet më parë. Sa instrument i bukur! E nxjerr nga këllëfi, e ngre si për ta peshuar dhe më duket jashtëzakonisht e lehtë, a thua ishte mbushur me helium! E afroj në fytyrë, vë hundën në trëndafilin erozetës të dizenjuar aq hijshëm. Më vjen aq e gjallë era e drurit! E dini besoj që druri nuk vdes kurrë…
Aroma e cedrës m’i mbushi mushkëritë me të njëjtën freski si në ditën kur e bleva kitarën. M’u bë sikur dëgjova një zë: -“u plake o burr’ i dheut dhe ende s’ke denjuar t’i falësh nderin tokës prej nga vjen kjo aromë!” Ndaj edhe jam këtu sonte: të falenderoj dhéun dhe shpirtin e njerëzve që më kanë dhënë kaq shumë, sepse e di, që siç njeriu nuk është karta e tij e identitetit, edhe një vend nuk është vlerësimi financiar që i bëhet.[1]
Siç e dini, me poetin Federico Garcia Lorca më lidh e më përbashkon shumëçka.
Kështu, kur isha djalë i ri, adoleshent i uritur në kërkim të zërit tim, lëçisja poetët anglezë, veprat e të cilëve i njihja mirë. Stilet i’a u kopjoja, por zërin tim s’e gjeja gjëkundi. Ekzistencën e zërit tim do ta zbuloja vetëm kur do të lexoja – paçka se të përkthyera –veprat e Lorkës. Jo se kopjoja zërin e Lorkës, nuk do guxoja ta bëja një gjë të tillë. Por Lorka më dha “leje” ta gjeja atë zërin tim, t’ia shquaja koordinatat. Domethënë munda të lokalizoja veten, atë vete, e cila nuk është asesi diçka fikse, por në sprovë për ekzistencën e saj.[2]
Me t’u rritur, kuptova që me anën e këtij zëri vinin edhe udhëzime. Ç’qenë këto udhëzime? Këto udhëzime s’qenë asnjëherë për ankesat e rastësishme. Sepse në do të shprehësh dhimbjen e humbjes së madhe dhe të pashmangshme që na pret të gjithëve pa përjashtim, duhet ta bësh brenda kufijve striktë të Dinjitetit dhe Bukurisë.
Pra zërin e gjeta, por s’kisha as instrumentin, as këngën.
Tani do t’u rrëfej shumë përmbledhtazi një histori se si u pajisa me këngën. Me moskokëçarjen që më karakterizonte, nuk mund të them që i bija kitarës, por që bëja zhurmë. Dija nja 2-3 akorde që më hynin në punë sa herë mblidheshim me shokët e universitetit. Pinim dhe këndonim këngët folklorike, apo këngët e famshme të kohës. Por, që ta shihja veten si këngëtar apo muzikant, nuk më shkonte fare ndërmend.
Ishin fillimvitet ’60 dhe një ditë i vajta për vizitë mamasë, e cila jetonte në Montreal. Shtëpinë e ka ngjitur me një park. Aty është edhe një fushë tenisi, ku venë jo pak njerëz për të parë lojën dhe sharmin e të rinjve e të rejave që luajnë tenis. Parkun në fjalë e njihja që kur isha fëmijë dhe në ecje e sipër e gjej veten para një djaloshi që po i binte kitarës. Po luante me një kitarë flamenkoje, rrethuar nga 2-3 vajza e djem që po e dëgjonin. E admirova atë mënyrë të luajturi, seç kishte diçka që më bëri për vete.
Ashtu doja të luaja edhe unë, ndonëse e dija që nuk do të isha kurrë në gjendje.
U ula edhe unë me grupin e dëgjuesve dhe kur ra heshtja – një heshtje e përshtatshme – i kërkova nëse mund të më jepte mësime kitare. Rioshi spanjoll nuk fliste anglisht dhe mundëm të merreshim vesh me frëngjishten e tij të çalë dhe frëngjishten time çalamane. Pranoi të më jepte mësime kitare. Ia tregova me gisht shtëpinë e nënës që dukej prej aty. Lamë një takim dhe ramë në ujdi për pagesën.
Ditën tjetër erdhi në shpinë e nënës dhe më thotë: -”dale të të dëgjoj njëherë të luash”. U përpoqa të luaj diçka. Më thotë – “s’ditke të luash!” I them – “jo, s’ia kam fare haberin”. Ma kthen – “dale ta akordoj njëçikë se dëgjohet si e çakërdisur”. E mori kitarën, e akordoi. Më thotë -“s’qenka e keqe”. S’ishte kitara konde, prapëseprapë ishte kitarë e mirë. Ma dha përsëri dhe më thotë: “bjeri tashi”. S’ndrita gjë. Më thotë “nëma të të mësoj ca akorde”. E merr kitarën dhe nxjerr ca tinguj – për kokë të tingujve – që s’m’i kishin zënë ndonjëherë veshët më parë. Luan një vijimësi akordesh në tremolo e më thotë – “e ke ti radhën tani”. I them “gjete kishë ku të falesh (!) s’luaj dot ashtu edhe në daça”. –“Ja, se t’i vendos gishtat unë në perde” dhe më nxit “hajde, jepi tani, luaj!”. S’po ja gjeja fillin gjësë. “Nesër më ke prapë këtu” më tha.
Të nesërmen erdhi përsëri. M’i vuri duart në kitarë dhe u kujdes të ma vendoste atë në prehër siç duhej. Dhe ja ku nisa sërish me ato gjashtë akorde, në progresionin e të cilave mbështetet shumica e këngëve flamenko.
Atë ditë isha një fije më mirë.
Dita III: kisha ecur disi dhe të paktën tashmë me akordet isha familjarizuar. Ndonëse s’e koordinoja dot gishtin e madh me gishtat e tjerë, që të nxirrja tingujt e sakta të tremolo-s, kisha arritur në pikën që akordet i njihja jo mirë, por shumë mirë.
Ditën tjetër s’erdhi. Nuk erdhi…
I kisha numrin e pensionit në Montreal. Telefonoj për të marrë vesh pse s’erdhi në takim dhe më thonë që ia kishte hequr vetes, që kishte vrarë veten! S’dija kurrgjë për këtë njeri. Nuk e dija nga ç’pjesë e Spanjës ishte. Nuk e dija pse kishte ardhur në Montreal. Nuk e dija pse po rrinte në pension. S’dija pse e kishin sjellë këmbët në fushën e tenisit atë ditë. Nuk e dija pse u vetëvra.
U trishtova shumë, sigurisht.
Por tani, dua t’ju zbuloj diçka që s’e kam thënë asnjëherë publikisht. Ishin pikërisht ato 6 akorde – ishte ajo mënyrë të luajturi e kitarës –, të cilat u bënë baza e të gjitha këngëve të mia dhe baza e krejt muzikës sime.
Tani mund të filloni të kuptoni përmasat e mirënjohjes që gëzoj për këtë vend. Çdo gjë që mund t’u ketë prekur telat nga ajo që bëj, e ka zanafillën nga ky vend. Çdo gjë, çdo gjë që u ka pëlqyer tek Këngët e mia dhe Poezia ime është frymëzuar prej këtij Dhéu.
Ju falënderoj shumë për mikpritjen e ngrohtë që keni treguar për Punën time, sepse me të vërtetë, është juaja dhe ju po më lejoni që të vë firmën në fund të faqes.
Ju falemnderit shumë, zonja dhe zotërinj!
Redaktoi: Xhoana PETRI
Përgatiti për botim dhe përktheu: Lazjon PETRI © 24.12.2021. Titulli i shkrimit është i redaksisë. Botohet me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së bardit kanadez. Materiali në origjinal (anglisht) i kësaj fjale gjendet tek libri The flame me autor Leonard Cohen-in, botuar më 2019 (post mortem), ff. 265-269.
Leonard Cohen’s Prince Of Asturias Speech – No Overdubbing – YouTube
[1] shënim i përkthyesit: fjala e Cohen-it është mbajtur në vitin 2011, kur tregjet financiare globale po zienin rreth temës së mospagimit të borxheve të mëdha të marra prej shteteve të grupimit me konotacion negativ PIGS, në të cilat bënin pjese Portugalia, Italia, Greqia dhe Spanja. Gjermania asokohe, i atribuonte vetes shembullin e një vendi me etikë të lartë pune duke nënkuptuar që vendet e grupimit PIGS ishin dembele dhe hajdute. Ndaj, mirënjohja e Cohen-it (lexo: një tjetër shtysë motivuese e tij për të ardhur në Spanjë ishte për ta shprehur këtë mirënjohje) ndoshta duhet parë edhe me këtë sy: për të shëlbuar disi ato që po kalonin spanjollët duke e nxjerrë shpirtin e tyre njerëzor në një dritë tjetër nga ajo e akullit të bankave.
[2] Shënim i përkthyesit: në ka njeri dyshimin rreth shënjimit që i ka lënë Lorka Leonardit, po ju themi që vajza e tij quhet Lorca.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.