TË KESH FRIKË NGA VAKSINA

Një lajm që më zuri syri kalimthi në një gazetë italiane, për tre njëmbëdhjetë të vdekur pas gjase për shkak të vaksinës kundër gripit, më bëri të mendoj për dilemat që i shoqërohen kësaj vaksine dhe imunizimit në përgjithësi, në mendjen time si qytetar i kujdesshëm për shëndetin.

Çdo herë që afrohet stina e dimrit, këtu në ShBA të zë frymën nga të gjitha anët trysnia për t’u vaksinuar kundër gripit. Një pjesë e madhe e nxitjes kushedi financohet edhe me fonde publike, por edhe kompanitë farmaceutike që e prodhojnë, në sasi të mëdha, kanë interes që t’ua shesin produktin e tyre konsumatorëve (bëhet fjalë për 150 milion doza çdo vit, pak a shumë).

Çështja është: ta bësh, apo jo vaksinën? Nga njëra anë, dëgjon statistika për dëmet që shkakton gripi anembanë dhe numrin e madh të amerikanëve që vdesin çdo vit prej kësaj sëmundjeje ngjitëse dhe ndërlikimeve të saj; nga ana tjetër, vetë vaksina nuk është fare pa rrezik dhe, për më tepër, nuk garanton mbrojtje nga virusi që do të shkaktojë gripin këtë vit.

Të gjitha autoritetet publike – që nga mjekët vetë, administrata shëndetësore dhe qeveria – e këshillojnë vaksinën (ja një material tipik i CDC-së këtu). Ajo shpëton jetë, dëgjon të thuhet; edhe pse vacs-save-lives-kjo, të paktën për vaksinën anti-grip, nuk është provuar. Pyes veten: sa i përgatitur jam unë që të rrezikoj shëndetin, qoftë edhe minimalisht (p.sh. duke iu ekspozuar rrezikut për sindromën Guillain-Barré), me shpresën (dhe shpërblimin moral) se vaksinimi im i kombinuar me miliona të tjerë njëfarësoj do të vlejnë për ta shpëtuar atë jetë abstrakte?

Do të më thonë: ajo jetë mund të ishte jotja ose një të afërmi tënd. Argumenti qëndron, po të mos vepronte një efekt psikologjik që ka të bëjë me dallimin midis ngjarjes dhe veprimit: vaksinën ti e bën me vullnetin tënd (ose me detyrim nga autoriteti, në disa raste); ndërsa sëmundja thjesht të prek. Që këtej, mund të rebelohesh kundër vaksinimit, por s’mund të rebelohesh kundër gripit.

Pranueshmëria e vaksinave varet nga shumë faktorë; mes të cilëve dua të veçoj (1) besimin tek autoriteti që e imponon dhe tek autoriteti që e ofron vaksinën; dhe (2) informacionin në dispozicion të publikut.

Një regjim totalitar e ka relativisht të lehtë të vaksinojë në masë; sepse mund ta bëjë këtë me detyrim (shtrëngim), duke mobilizuar qytetarët si për çdo aksion tjetër masiv; duke kontrolluar, nga ana tjetër, informacionin për efektet e padëshiruara të vaksinës. Nëse vaksina është defektoze, vret njerëz ose dëmton shëndetin, qytetari nuk ka nga ta marrë vesh, përveçse po të bjerë ai vetë viktimë, ose ndonjë i afërm (çdo informacion tjetër stigmatizohet si thashethem). I vetmi informacion që disponohet është ai zyrtarisht i miratuar, për avantazhet e vaksinimit; së bashku me kërkesën që vjen nga autoriteti politik, për t’iu nënshtruar procedurës.

Nga ana tjetër, në një sistem pluralist, mediat nuk kanë ndonjë detyrim të ndjekin udhëzimet e politikës ose të korporatave farmaceutike; dhe nuk ngurrojnë t’ia përcjellin publikut çdo lajm “të keq” në lidhje me imunizimin; jo sepse kanë gjë kundër procedurës, as sepse duan me çdo kusht t’i shërbejnë këtij publiku si vigilantes të informacionit, por para së gjithash sepse lajme të tilla kanë efekt të madh psikologjik te lexuesi; ato shesin.

Aq e vërtetë është kjo, sa sot në vendet e zhvilluara rrezikon të gjesh më shumë njerëz që kanë frikë vaksinat, se njerëz që kanë frikë sëmundjet prej të cilave këto vaksina supozohet të mbrojnë.

Nëse një fushatë vaksinimi kundër gripit shpëton jetë njerëzish vetëm në ShBA, kjo nuk përbën gjë lajm; nëse vaksina e gripit vret 2-3 vetë, atëherë këtë të gjithë e marrin vesh nga televizioni, gazetat dhe Interneti, dhe frikësohen në mënyrë irracionale (një vaksinë që vret është imazhi i botës së kthyer përmbys, ose apokalips në miniaturë).

Tani për tani, të paktën në ShBA, askush nuk është i detyruar të vaksinohet kundër gripit – me përjashtim të pak kategorive të ekspozuara, si punonjësit e shërbimit shëndetësor. Ndryshon puna me vaksina të tjera, si ato që u administrohen fëmijëve, sepse në këtë rast vaksinimi përcaktohet, me ligj, si pjesë e socializimit publik të fëmijës.

Kjo do të thotë se prindët janë praktikisht të detyruar t’i vaksinojnë fëmijët e tyre; edhe pse, nga njëra anë, lexojnë shpesh, në mediat, lajme për dëmet dhe efektet e padëshiruara të vaksinave (përfshi edhe autizmin); dhe sidomos, edhe pse nuk janë të bindur për dobinë e këtyre vaksinave.

Çfarë shpie drejtpërdrejt te një paradoks: demotivimi për t’i vaksinuar fëmijët kundër një sëmundjeje të caktuar, të themi difterisë ose kollës së mirë ose shytave, i ka rrënjët te suksesi i fushatave imunizuese përkatëse në të kaluarën, të cilat praktikisht e kanë çrrënjosur sëmundjen.

Nëse vaksinimi kundër difterisë në një komunitet të dhënë ka pasur sukses të madh, në kuptimin që të gjithë fëmijët janë imunizuar dhe askush nuk është prekur nga kjo sëmundje për një kohë të gjatë, atëherë prindët nuk e dinë më se për çfarë po e vaksinojnë fëmijën. Një akt deri dje jetik për shëndetin, shndërrohet në ritual shënjues të marrëdhënieve të qytetarit me autoritetin.

Natyrshëm do të ketë prindër që, të lemerisur edhe nga psikoza anti-vaksinë që qarkullon lirisht në mediat, do të kërkojnë që të mos e imunizojnë fëmijën e tyre, sepse do t’u duket sikur rreziqet që sjell me vete vaksinimi janë më të mëdha se rreziku që fëmija të preket nga sëmundja në fjalë.

Një pjesë e familjeve, në këto rrethana, mund të tundohen të adoptojnë një qëndrim prej free loaders; ose të mos i imunizojnë fëmijët kundër sëmundjes A, me shpresën se shumica e fëmijëve të tjerë në komunitet do ta kenë bërë vaksinën në fjalë gjithsesi; dhe sëmundja A nuk do të ketë, gjithsesi, terren për t’u përhapur.

Mirëpo, nëse një shumicë kritike vendos të veprojë kështu, atëherë fëmijët në komunitet do t’i ekspozohen sërish sëmundjes A, e cila do të kthehet për të shkaktuar viktima dhe gjymtime gjithfarësh.

Me fjalë të tjera, që familjet brenda një komuniteti të marrin përfitim maksimal nga vendimi për të mos i vaksinuar fëmijët e tyre, duhet që këto të jenë gjithnjë një pakicë; dhe shumica e familjeve në komunitet të kenë vendosur ndryshe: situatë që vetvetiu do të çonte në çfarë e kanë quajtur tragedy of the commons.

Informacioni i bollshëm dhe kontradiktor ua bën edhe më të vështirë familjeve për të vendosur, të paktën për rastet kur ekziston një liri e tillë; dhe një sërë faktorësh të tjerë kanë përhapur në komunitetet bindjen se autoritetet imunizuese nuk janë të sinqerta në përpjekjet e tyre.

Kjo vlen veçanërisht për vendet e Botës së Tretë p.sh. në Afrikë, ku reaksioni negativ ndaj imunizimit duhet parë si një kombinim pervers i supersticionit lokal, ksenofobisë dhe i neglizhencës kriminale nga ana e autoriteteve vaksinuese (vaksina defektoze, eksperimentale, etj.).

Edhe në vendet e zhvilluara, të paktë janë ata që arrijnë të përshkruajnë, bie fjala, dëmet që shkakton poliomieliti: cili prej nesh ka parë, kohët e fundit, një të sëmurë me poliomielit? Cilit prej nesh i është sëmurur fëmija nga kjo sëmundje? Natyrisht, kjo i detyrohet në masë të madhe suksesit të vaksinës; por suksesi nuk përbën lajm, sepse prej vaksinës pritet të ketë sukses. Prandaj sapo lajmërohet, bie fjala, se një batch i kësaj vaksine ka pasur papastërti ose toksicitet, miliona vetë do të alarmohen për fëmijët e tyre.

Mes reagimeve ndaj aksidentit të fundit me vaksinën e gripit në Itali, zërat e arsyeshëm ishin si gjithmonë të paktë; dhe sidomos dyshimi se, para se të akuzojmë vaksinën, duhet të sigurohemi që vdekjet i ka shkaktuar pikërisht imunizimi. Nga ana tjetër, një mjek komentoi kështu: “Vaksina mbron kundër gripit, jo kundër vdekjes.” E kuptoj çfarë ka dashur të thotë; pa çka se këto fjalë mishërojnë pikërisht atë çfarë nuk shkon, me mjekësinë e sotme në Perëndim; mes të tjerash, edhe atë që të vdekurit nuk i zë gripi.

Shënim: dy fjalë për ndonjë paranojak të trishtuar, që mund ta marrë shkrimin më lart si propagandë anti-vaksinë: f*ck off.

Nuk ka komente

  1. Vaksinat shtojnë sëmundjet autoimune dhe alergjitë, sa më shpesh dhe sa më shumë vaksina, aq më i madh risku. Risku për tu sëmurur pas vaksinimit është më i madh tek fëmijët e kequshqyer, të trajtuar së fundmi me antibiotikë, të sëmurur së fundmi, me prirje gjenetike për autoimunitet ose alergji etj. Hipervaksinimi dihet që shkakton kancer tek qentë e macet. Prandaj çdo vaksinë e re që futet në sistemin e imunizimit duhet të jetë e peshuar mirë. Në maternitet vaksinojnë kundër hepatitit kur hepatiti që mbron ajo vaksinë zë kryesisht homot dhe mjekët. Atëhere përse kjo vaksinë me detyrim për të gjithë, sapo lindin? Vaksinojnë në Shqipëri foshnje 4 muajshe me 7 vaksina njëherësh pa e pyetur nënën a ka qenë fëmija i sëmurë së fundmi? A ka alergji fëmija? Nëna të cilës i sëmuret fëmija pas vaksinimit, nuk ka se ku të raportojë për sëmundjen. Pra në Shqipëri nuk ka asnjë regjistër ku të regjistrohen pasojat e mundshme të vaksinave. Pas vaksinimit djalit tim ju acarua shumë ekzema, por vaksinuesja nuk pranoi ta regjistronte rastin tim në librat e saj. Ajo nuk e di dhe nuk do që të dijë se çfarë ndodh me këta fëmijë.

  2. Numri që jepte fillimisht Xhaxhai, i të vdekurve sipas gjasës nga vaksina e gripit, erdhi duke u rritur dita ditës, së bashku edhe me temperaturën e alarmizmit. Edhe rritja graduale e numrit, një lloj boletini tragjik i trumbetuar nga mediat italiane, ka pasur rolin e vet në tronditjen e opinionit publik. Lajmi, si të thuash, u pompua me art. Ndoshta edhe thjesht në mirëbesim, sipas mekanizmit të mediave.

    Megjithatë, një farë shqetësimi të vjen. Vjehërria ime e bëri vaksinën para ca ditësh, por e mbajtëm veten pa iu shtuar masave të panikut dhe as që e morëm në telefon mjeken për të pyetur nëse vaksina bënte pjesë tek partitë e inkriminuara. Na ndihmoi edhe fakti se tashmë kishin kaluar 48 orët e rrezikshme. Mirëpo, pashë deklaratën e një mjeku tjetër i cili thoshte se duhet të kalojnë 30 ditë për t’u deklaruar jashtë rreziku. Këtu del një problem tjetër: si gjithnjë specialistët ndahen në dy kampe.

    Aksesi i informacionit është thelbësor. Dikur ose sot në Shqipëri vaksinat ishin e janë, për një pjesë të popullsisë, pothuajse ritual. Bëri gjilpërën, thoshin shumë vetë. Nuk e dinin as llojin e vaksinës që bënin. Po për kushtet e ruajtjes dhe cilësinë e vaksinave kush fliste? Po sot a a informacion?

    Për fat të keq, e nuk e kam fjalën për këtë rast, paniku mediatik shkaktohet nga interesa shpeshherë të errëta. Para pak vitesh, saktësisht në vitin 2010, u alarmuan të gjithë për gripin e derrit (A-H1N1). Shtetet, nën trysninë e mediave dhe opinionit publik, blenë në mënyrë paraprake me miliona dozë vaksinash që realisht nuk shërbyen. Cilat ishin interesat pas atij paniku kolektiv?

    Tashti, t’i ngatërrojmë të gjitha punët me rolin e vaksinës nuk është mirë. As t’i japim asaj forcë të mbinatyrshme. Në fakt kur të vaksinojnë nga gripi edhe ta thonë ndonjëherë: nuk do të thotë se nuk do të mbërthejë. Dje një koleg më tha se qëkur nuk ia bën mamasë vaksinën, ajo e ndjen veten më mirë në dimër. Po kush e siguron se nuk do të ishte më mirë ose njëlloj sikur ta kishte bërë vaksinën?

    Së fundi, nuk e teproj sikur të them se edhe vetë gripi është një lloj vaksine. Në fakt, pasi e kalon, nuk të kap më.

  3. Sapo doli lajmi nëpër agjensi se analizat toksikologjike të bëra nga Ministria e Shëndetësisë italiane kanë dalë negative. Tek vaksinat nuk ka pasur ndotje. Ndërkohë është vënë re një ulje e madhe e numrit të atyre që vaksinohen, çka tregon se paniku ka bërë të vetën. Dëmin do t’ia shohim më vonë e kushedi çfarë qëndrimi do të mbajnë mediat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin