ISLAMIZIM?

Lexoj tani se sekretari privat i Papës Benedikt XVI, Monsignor Georg Gaenswein, në një intervistë botuar sot në Sueddeutsche Magazine, paska thënë, ndër të tjera se

“Përpjekjet për islamizim të Perëndimit nuk mund të mohohen. Rreziku që i kanoset identitetit të Evropës nuk duhet shpërfillur në emër të një respekti të keqkuptuar…”

(Nuk kam pasur kohë e këllqe të lexoj intervistën në origjinalin gjermanisht, por e mora vesh prej këtij burimi; gjithashtu edhe këtu).

Se ç’synon të arrijë Vatikani me këto deklarata gjithnjë pak të nxituara, të keqkuptuara e më pas të përgënjeshtruara, nuk më takon mua ta zbuloj; por nuk është e para herë që thuhen këto gjëra, prandaj më duket se ka vend për reflektim. Natyrisht, Gaenswein ia drejton kritikat e veta kryesisht politikave tepër liberale të qeverive evropiano-perëndimore, të cilat pak shqetësohen për të mbrojtur traditat e krishtera, e sidomos katolike, të një pjese të madhe të Evropës; siç edhe u komentua tashmë nga një numër vëzhguesish. Megjithatë, unë kam një problem me vetë konceptin e islamizimit si të tillë.

Normalisht, me islamizim do të kuptoja një ndërrim feje, ose konversion nga një fe tjetër ose nga ndonjë formë ateizmi ose agnosticizmi, në Islam; dhe ka të dhëna se numri i evropianëve që konvertohen në fenë e re po vjen dita-ditës duke u shtuar, për arsye të ndryshme (shih edhe këtë faqe (PDF), për një trajtim më tërësor). Megjithatë, nuk më besohet që konvertimi i drejtpërdrejtë të përbëjë ndonjë rrezik real për themelet e Evropës së krishterë; të cilat nuk janë as kanë qenë ndonjëherë thjesht spirituale; sepse Islami në Perëndim vetvetiu përkufizohet dhe riprodhohet si fe e një pakice (sikurse, bie fjala, Budizmi). Prandaj ky lloj islamizimi, sado aktivitet statistikor të tregojë këto vite, mbetet një kuriozitet, për të cilin shkruajnë gazetat; sepse për shumicën dërrmuese të evropianëve “safi” përkatësia fetare është më tepër çështje përkatësie në një kulturë e në një traditë, sesa e përqafimit të një botëkuptimi shpirtëror total.

Shqetësim ngjall edhe shtimi numerik dhe sidomos demografik i imigrantëve të fesë islame në vendet e Evropës perëndimore, përkundrejt krizës demografike të popullsive vendëse. Këtu është fjala jo vetëm e thjesht për imigrantë ekonomikë, por për breza të dytë e të tretë familjesh të këtyre imigrantëve, të cilët janë qytetarë të Bashkimit Evropian, por që e ruajnë dhe e ripërtërijnë fenë Islame, madje në forma më radikale e fondamentaliste se prindët e tyre. Evropa Perëndimore ka një problem të madh me këtë masë njerëzish që madje as dëshiron të asimilohet në kulturën e në traditat e kontinentit, e aq më pak të konvertohet në Krishtërim.

Megjithatë, këtë problem Evropa e ka krijuar vetë – së pari me politika të gabuara të imigracionit e sidomos me politikat e veta sociale të mbështetura në multikulturalizëm; së dyti, duke mos gjetur dot mënyra për të nxitur riprodhimin e natyrshëm të popullsive vendase, të cilat po nuk duan më të bëjnë fëmijë; as e ndiejnë veten mirë në rolet tradicionale të prindërve e të familjarëve. Imigrantët e fesë islame nuk mund të bëhen me faj vetëm ngaqë duan të ndjekin fenë dhe traditat e tyre, sa kohë që jetojnë në Evropë legalisht dhe vendet pritëse përnjimend kanë nevojë, ose të paktën kanë pasur nevojë, për punën dhe shërbimet e tyre.

Në këtë kontekst, islamizimi i Evropës mund të ndodhë edhe nëpërmjet martesave ndërfetare; dhe qytetarët e fesë Islame të vijnë duke e sunduar numerikisht popullsinë evropiane, sado ngadalë e në kohë. Ky është skenari që i alarmon të gjithë ata, paranojakë, demagogë, provokatorë, përfitues ose budallenj qofshin, që kanë filluar ta quajnë Evropën Perëndimore Eurabia, dhe të denoncojnë të ashtuquajturin komplot të elitave evropiane për të sjellë Islamin në Evropë, i cili komplot tashmë po vepron edhe duke imponuar qëndrime pro-arabe në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Vatikani, edhe pse nuk di të ketë kërcënuar ndonjëherë drejtpërdrejt me gogolin Eurabia, i referohet të njëjtit skenar.

Vetë mendoj se asgjë e mirë nuk i ka ardhur Evropës nga multikulturalizmi; sikurse mendoj edhe se nuk ka asnjë arsye që të krahasohet Islami i sotëm në Perëndim, me Krishtërimin e hershëm që ia theu gjunjët Romës. Eurocentrikët do të kenë të drejtë të nisin të shqetësohen seriozisht vetëm që nga momenti kur të fillojnë konvertimet në masë drejt Islamit – po mua një mundësi e tillë më duket një çikë si spekulative, për ta thënë me një eufemizëm çfarëdo. Përndryshe, rreziku i një konfrontimi të kotë e absurd midis Evropës tradicionale e konservatore nga njëra anë, dhe krahut radikal të Islamit në Evropë është ku e ku më i madh se rreziku demografik i plakjes dhe vyshkjes së Krishtërimit në kontinent.

7 Komente

  1. Të jenë myslymanët që i bllokojnë besimtarët kristianë që të hyjnë në kisha?!
    Mbaj mënd që ka qënë shtruar edhe në Komunitetin Europian ky problem (që në statusin e tij, të theksohej prejardhja kristiane e Europës (Le radici cristiane dell’Europa))
    Interesant (për mendimin tim) analiza e të shkuarës dhe previzioni për të ardhmen që bën Myriam Castelli (http://www.villa-europa.it/le_radici_cristiane_dell.htm), dhe gjithçka që ajo thotë është e vërtetë dhe qëndron, por pikërisht, dyshimin tim (pyetja që bëja në fillim) as që merr në konsideratë.
    Sepse më parë se të gjënden justifikime për rreziqe të mundëshme që mund t’i kanosen Europës në një të afërme të afërt ose të largët, duhet të gjenden shkaqet dhe arsyet se përse sot njerëzit (europianët) e kanë harruar derën e Zotit, dhe këtu vlen të përmëndet analiza që i bën Ajo Europës së sotëme: Finiti i blocchi contrapposti l’Europa si ritrova a dover fronteggiare situazioni e fenomeni inediti quali il relativismo, il secolarismo, l’edonismo, il nichilismo, l’individualismo, e il diffuso benessere che rende insensibile l’uomo. Siamo un popolo che, dimenticando la propria identità e le proprie tradizioni, sta svanendo.

    La nostra è l’epoca del post-moderno, dove i popoli sembrano sparire: cento popoli e cento religioni senza più punti di riferimento e certezze. È quanto sta succedendo oggi con la mondializzazione della cultura e dell’economia. Nell’immenso mercato mondiale, dove dominano poteri lontani e colossi della comunicazione, í popoli sembrano sparire. La cultura, la musica, le innovazioni tecnologiche, perfino le religioni ci arrivano dall’esterno. Con Internet navighiamo in un oceano di relazioni. Tutto sembra possibile come al Prometeo onnipotente, e tutto arbitrario. Questa libertà è eccitante e gli individui si sono ubriacati di se stessi, del proprio benessere: per questo non fanno più figli, per non avere freni e doveri. , nga ku bëj dhe unë konsiderimet e mija:
    – Në atë epokë post-moderne rrojnë dhe vëndet islamike tashmë (internet e jeta moderne tashmë është në ç’do cep të botës) por jo për këtë ndjekin të njëjtën modë të europianëve që të mos frekuentojnë kishat dhe ti largohen fjalës së Zotit
    – “shkatërrimin nuk ja u solla unë, atë e gjeta midis jush”… me këto fjalë ashtu si Skënderbeu, dhe islamizmi mund ti drejtohej këtyre personave që në emër të rimëkëmbjes së vlerave të asaj prejardhje kristjane, kërkojnë që të demonizojnë islamin.

    P.s: I lindur dhe rritur në një Shqipëri pa kisha dhe xhami dhe i edukuar me materializmin dialektik (ku ‘përse’-ve të mija ja u gjej përgjigjen pa shkuar jashtë materiales), jam ateist (e bëj këtë premesë për të evituar diskutime të kota rreth përkatësisë time fetare)

  2. Edhe mua me duket se Xha Xhai ka te drejte per alarmizmin e tepruar ne kete ceshtje, te cilen prirem ta shikoj si frut konsideratash politike. Deklarata e Monsignor Gaenswein eshte ne te njejten hulli si ajo e Papes para do kohesh, qe ngjalli aq shume protesta nder myslimanet: nje politizim i skajshem per te ardhur keq. Dihet se Amerikes, sidomos te djathtes amerikane ne pushtet, i duhet nje demonizim i tille i Islamit e pastaj edhe i Evropes per arsye politike, dhe Vatikani ka kohe qe po perzihet ne ato kulisa. S’duhet harruar angazhimi total i Kishes ne favor te se djathtes ekstreme ne politiken amerikane, ku aborti eshte bere lakmus testi absolut, qe eklipson gjithshka tjeter(!) Shto ketu edhe shqetesimin per pjellshmerine e madhe te grave islame, dhe kuptohet se Kisha nuk ndihet mire per perspektivat e krishterimit. Personalisht s’me pelqen fare kjo nderthurje e fese me politiken (sa ka vuajtur Evropa nga kjo), por me sa duket njerezit jane te destinuar te perserisin te njejtat gabime.
    Sa per Eurabine, ajo fjale po behet e kudogjendur ne fjalorin e elitave politike amerikane te spektrit te djathte, qe e shohin tashme Evropen si nje te semure pa shprese.

  3. Vatikani tashme eshte ne pozion kundersulmi dhe ndoshta ne grahmat e fundit para vdekjes. Kunder-reformacioni i dyte sapo ka nisur me ‘demaskimin’ e Keshillit te Dyte te Vatikanit qe u rrek ta sjelle Katolicizmin ne sinkroni me ‘kohen’. Duhet te presim te tjera deklarata te tilla, madje edhe me spektakolare. Ky Pape nuk eshte nga ata qe i frikesohen konfrontimeve.

    Sa per Eurabine, te rekomandoj librin e Mark Steyn “America Alone” per nje perspektive racionale, interesante dhe njekohesisht me humor te holle.

    http://www.peshkupauje.com/mark-steyn-europa-ka-marre-fund/2006/11/14/

  4. Kreshnik, unë kam jetuar gjatë në Evropë, dhe pastaj e kam vizituar poshtë e lart; prandaj më duket i pamundur rreziku që evropianët të nisin të konvertohen në masë në Islam. Sot për sot, është e vërtetë që më shumë evropianë po bëhen myslimanë, sesa myslimanë po bëhen të krishterë, por kjo është një dukuri skajesh, nuk ka të bëjë me qendrën e jetës sociale të Evropës. Për ta kuptuar më mirë këtë, mjaft të shohësh dinamikën e konvertimeve në Islam në SHBA dhe në Kanada. Islami është fe e shenjuar, përkundrejt krishtërimit që, nga perspektiva perëndimore, paraqitet si i pashenjuar, ose default. Njerëzit që konvertohen atje e bëjnë sepse i tërheq pasioni i besimtarisë, ose mesazhi i Kuranit, ose edhe admirimi për vendosmërinë e disa islamikëve, fundamentalistë ose jo. Por këta, me përkufizim, u përkasin skajeve të Evropës si komunitet kulturor. Nga ana tjetër, për ta vazhduar analogjinë me krishterimin në kohë të Romës, qoftë edhe thjesht për spekulim, edhe kur t’i vijë dita Islamit të përhapet në Evropë për arsye demografike, ky do të jetë një Islam i evropianizuar, njëlloj sikurse krishterimi në Evropë pushoi së qeni një sekt i hebraizmit, për t’u shndërruar, në thelb, në një degëzim të kulturës helenistike (ungjijtë). Tek e fundit, të gjithë ata që merren me studimin e krahasuar të këtyre feve, më thonë që anët e tyre të përbashkëta janë më të rëndësishme se dallimet mes tyre; pavarësisht nga ngjyrosja politike e konfliktit fetar sot në Lindjen e Mesme e gjetiu. Katolicizmi, Papa dhe Vatikani, në vend që t’u bëjnë jehonë doktrinave dinake të neokonëve, do të bënin mirë të punonin, së bashku me Islamin, për t’u gjetur një zgjidhje konflikteve në Lindjen e Mesme, sidomos krizës palestineze… Në këtë kontekst, unë edhe skandalin e pedofilisë së klerit katolik amerikan jam i prirur ta shoh si një lloj shantazhi strategjik ndaj pozitës globale të Vatikanit. Por megjithatë e vlerësoj shumë opinionin tënd, sepse ti gjithnjë i ke ndjekur me kujdes këto punë.

  5. Xhaxha, eshte teper e qarte qe Vatikani nuk shqetesohet nga ‘konvertimet’ e te Krishtereve ne Myslimane, por nga mitrat e femrave Turko-Marokene-Pakistaneze, dhe shterpesia e vullnetshme e Europianeve qe kane humbur tashme ate qe quhet “Beteja e Vullnetit”.

    Myslimanet e Evropes shtohen vete. Nuk ia kane nevojen shume ‘konverteve’.

  6. Per me teper mbi shqetesimin e Vatikanit

    In Europe, skylines reflect the rise of Islam
    http://www.csmonitor.com/2007/0726/p01s08-woeu.html?page=3

    Mosque projects

    Amsterdam: In May, the city council threatened to block construction of what would be the Netherlands’ biggest mosque, which was on the verge of being built after a decade of struggle.

    Cologne, Germany: The Turkish Islamic Union has plans for a mosque that would hold 2,000 worshipers. Roughly half of residents are opposed, and some worry it will overshadow the nearby Cologne Cathedral, a World Heritage Site and renowned religious landmark.

    London: Plans for an 18-acre mosque complex near the 2012 Olympic stadium site call for a school, community center, and a mosque that – with space for 40,000 worshipers – would be the largest in Europe. The Islamic revivalist group behind it, Tablighi Jamaat, has been linked by some to those accused of terrorist activities. Family members of suspects in the recent Glasgow car-bombing attempt say the suspects were radicalized by the group. Tablighi Jamaat insists it is a peaceful organization.

    Seville, Spain: Last month the city council announced that it would block plans to build a 65,000-square-foot mosque in the largely Moroccan neighborhood of Los Bermejales. This project, too, would be larger than any mosque in Europe today

  7. Ju lutem komentuesve të mos sjellin në komentet tekste në gjuhë të ndryshme nga shqipja.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: