ME KËTË RAST KURRË MË

Sa herë që kalendari shënjon 28 e 29 nëntor, si shqiptar i diasporës pyes veten se si mund të bëhem më vetëdijshëm pjesë e ndërgjegjes kombëtare që aktivizojnë këto ditë, duke më kujtuar se kaq e aq vite më parë diçka e memorueshme ndodhi në vendlindjen time, diçka e pajetuar prej meje, por e rrënjëzuar në identitetin tim.

Ndaj kur më mbërriti ftesa e Ambasadës Shqiptare në Zvicër për një “pritje-koncert” të organizuar nën kujdesin e Mira Bregut, vendosëm sëbashku me bashkëatdhetarë të mi t’i përgjigjeshim ftesës. Pas një orë e gjysmë udhëtim me tren, hulumtime mes trafikut të harlisur të së premtes në kërkim të adresës në një lagje të largët të Bernës, arritëm në 7.20 të lehtësuar që ishim në kohë, sepse cili qytetar do ishte aq i pagdhendur e mosmirënjohës sa të ndërpriste një koncert përvjetor?

image 1Me sa treguan minutat e ardhshme, skrupujt tanë qenë tepër të hollë për organizatorët e këtij eventi. Në fakt ishte e pamundur të kuptoje kush na kishte ftuar, askush s’na përshëndeti, askush s’u prezantua, as në hyrje, as në sallë. Kur këmbanat e kishës ranë 7.30 – ora e afishuar në ftesë – asnjë s’e mori fjalën, askush nuk dukej gati, përveç të ftuarve të ulur në karrige ende të rregullt e me sy kureshtarë nga skena. Por në skenë, edhe kur ora kishte vajtur 7.45, Elina Duni (dikush pranë meje tha se ishte ajo) rregullonte mikrofonat, kontrollonte lidhjet me kompjuterin, ndërsa nga ky rënkonte një medley tip Për mëmëdhenë vraponi burra se s’ka me prit e të tjera të kësaj gjinie, asnjëra prej tyre e çuar deri në fund për shkak të provave teknike që qenë lënë për t’u bërë para veshëve e syve të spektatorëve. Ndërkohë ca zyrtarë krekoseshin për fotografi, pa hedhur sy nga kopeja e radhitur nëpër karrige e në pritje të barit.

Pasi kishte kaluar një gjysëm ore nga fillimi i koncertit pa asnjë zhvillim, ca të rinj nxorrën kufjet e celularëve të mërzitur, çiliminjtë nisën të lëvrinin e të konkurronin me potere kërcënimet e nënave, burrat nisën të krahasonin gjoksfryrë kravatat kuqezi, tek-tuk dikush zhvishej të nxirrte në pah t-shirtin Autochthonouos, gratë kundronin këpucët, po ashtu kuqezi, ndërsa dera pillte herë pas herë shtëllunga njerëzish që si duket s’ishin aq delikatë sa të merreshin me orare, sepse e dinin me kë kishin të bënin. Në orën tetë, ndërsa medley i sakatuar po jepte shpirt nën trysninë e zërave të turmës, e cila tani e kishte kuptuar se kjo mbledhje kooperative do niste atëherë kur të thonin të Mëdhenjtë dhe jo ftesa zyrtare, ca djem zunë të shtronin një qilim në skenë e të hamendnin se ç’pozicion përshtatej më mirë me kabllot e mikrofonave e të kompjuterit që Elina Duni sapo kishte ftilluar.

A ka nevojë të shkoj më tutje? Unë dhe bashkatdhetarët e mi gjetëm vetëm një bekim këtë 28 nëntor: që i kishim lënë partnerët zviceranë në shtëpi të kujdeseshin për fëmijët, meqë fëmijët tanë kanë orare më të përpikta gjumi se koncertet ambasadoriale shqiptare. Por në fakt këtë vendim e kishim marrë pasi ishim turpëruar dy vite më parë me përrallisjet e Kryebashkiakut të Tiranës gjatë 100-vjetorit të Pavarësisë në Rapperswil, ku Zvicrës iu sugjerua të merrte shembull nga modeli ekonomik shqiptar. Thamë se e kishim parë më të keqen me sy pas këtij festimi, por jo, i djeshmi vërtetoi se e keqja, ashtu si edhe mira, nuk kanë fund.

Nuk ka komente

  1. Problemin e keni ju, jo organizatorët e eventit. Jeni integruar pak si shumë, me sa duket. Pastaj nuk është faji i organizatorëve që keni marrë fiksimin e orareve si zviceranët. Ora 19.30 do të thotë pak a shumë, rreth asaj ore, breda asaj dite, gjatë mbrëmjes… E nuk është çështje orari, as respekti për të ardhurit ose bashkëatdhetarët. Këtu hyn filozofia në mes, pra si e kuptojmë, si e jetojmë dhe si e ndërtojmë jetën. Promovuesit e nismës kulturore p.sh. e marrin jetën pa stres, me filozofi pra. Gëzojuni këtij mësimi. Ja që nuk jeni kthyer duarbosh. 🙂

    1. Eh, vërtetë Pishak, grupi ynë kishte kohë pa qenë në hiret e kësaj filozofie, uroj shkrimi dhe komentet t’ia përhapin famën e mirrë.

  2. Ju paskeni shkuar tek koncerti i ambasades si te shkoje tek gjyshja ime te shtunave paradite kur lante rroba e ngrinte qilima, po ajo, grua zonje, as te ftonte as te priste gjate ketij rituali. Ju keshilloj te mos merreni me me ta e mos ta kujtoni veten me pak atdhetar duke iu qendruar larg sajesava tona kulturore shkel e shko. A s’po flisnim per diçka te ngjashme ne rastin e inicitiaves teatrale te kursit per drejtshkrim?

  3. Me ne fund ! Nje media elektronike me autore shqiptare ne gjith Swiss !
    Mendoja se nuk egzistonte, thjesht per nevojen e ndertimit te frazes gjuhesore , konceptimit te fjalise !
    Sepse pa perjashtim te gjitha mediat e tjera te shkruara , nga bashkeatdhetare tane kane si parim bashkepunimin – mirekuptimin dhe me kryesorja te drejten e autorit !
    Une nuk di kush i ka shkruar keto rreshta me nje indinjate primitive qe ne fillese te saj , duke u kapur me vonesen e ditur prej organizatoreve, e jo me permbajtjen e qellimit te shkuarjes ne ate salle !
    Ashtu si edhe ju zoterinj ( me falni nese jeni gjinia femerore) , shumica e te ftuarve vinin nga zona perreth Bernes dhe meqe ju jetoni dhe e njihni situaten e ketushme, duhet te njihni faktin e daljes nga puna me oren 18:00 dhe trafikun e nje dite te premteje, si eshte ne te gjithe Swiss ! Ky fakt nuk perjashtonte edhe artistet.
    Ndaj dhe te gjithe edhe ju besoj , permes ketyre kushteve , qe ne ftesen e bere – marre, ishit te vetedijshem se Koncerti do fillonte me 20:00. – Per dijeni , kjo ftese e publikuar nga ju nuk eshte Ftesa e dale nga organizatoret –
    E meqenese ky shkrim eshte bere menjehere pas daljes nga ajo salle , pa asnje mbrese artistike, por mbrese akomodimi, te pakten kishit shkruar edhe faktin se aq shume te ftuar erdhen ne salle sa organizatoret shtuan kapacitetin e karrigeve deri ne 350, kur ajo salle lejonte 250 vende ! Pra, ne kohen qe ju qendronit ulur ne pritje te koncertit, organizatoret po benin veprimin me njerezor-human, s’po linin ne kembe familjare nena e femije !
    E meqenese ne kete shkrim ju permendni vetem emrin e nje artisteje , jo per performimin e saj dinjitoz, por per marrjen e saj me fonine, duhej te denjonit te pakten te shikonit pozitiven-profesionalen ne kete pike .
    Meqe ju pretendoni se e njihni kete fushe, duhej edhe te dinit se eshte me normalja dhe me kryesorja, pra eshte parim, njohja e artistit me mikrofonin !
    Zoterinj ! Kushdo nga ju qe e ka shkruar e lejuar kete shkrim e titull me germa te medha KURR MË ( per 28-Nentor) Duhet te njiheni me faktin se, relaizimi i nje koncerti ketu ne Swiss, nuk behet pas vrapit te nje mllefi, ulur ne kompjuter; as duke marre artikuj te gatshem nga media e shkruar ne vendlindje dhe i boton me iniciale, sikur botimi i saj !
    Per te realizuar nje koncerti ketu, me artiste qe jetojne e kultivojne artin e tyre ketu, ne radhe te pare duhet t’i gjesh ku jane ; t’i mbledhesh nga qytete te ndryshme per prova ; t’u perzgjedhesh materialin per temen e duhur, duke u shkuar aty ku jetojne dhe me kryesorja;- nese ne Tirane kur percaktoje nje salle per ç’fafje , kishe te drejte ligjore te ushtroheshe ne te jo 1-dite , por gati 1-jave ….ketu ne gjithe Swiss.salla per nje koncert te jepet maksimumi 2-ore para !
    E pra zoterinje, meqe dini te shkruani duke bere sehire, provojeni nje here te vetme , jo organizimin , por marrjen e nje ambienti ketu per promovimin e medias suaj te shkruar dhe , po vij une t’ju thur vagje me deshire ! Pa pike mllefi, ju siguroj ! Do dije t’ju qaj halle, do dij t’ju kuptoj !
    ….. Ndjesia e vatme pas publikimit te ketyre rreshtave, ishte…. Sa keq ! Jeni kaq te mjere !
    Ndersa per mua edhe pse mes rrethanash te veshtira, ndihem e nderuar qe bashkepunova me Artiste si : Pianistaja Ermira Zyrakja/ kengetarja me nje vokal brilant Mimoza Nazarko/ artisten e kompletuar si ne vokal dhe kitare Elina Duni / Violinisti virtuoz Edmond Basha /apo Grupet : Polifonik-Rapsodet apo i valles”Shota” qe e mbajne gjalle jeten e tyre artistike vetem prej Pasionit – Dashurise per muziken, pa asnje te ardhur financiare !
    Vertet jam krenare per gjithe artistet mbarshqipetare ketu ne Swiss , qe denjesisht kontribojne me artin e tyre , ne ruajtjen e kultures sone qindra- vjeçare !

    Respekte per perpjekjen-mundin tuaj,
    Mira Bregu

  4. Zonja Mira Rai Rei Bregu,

    Veç dy-tre gjëra të vogla për lexuesit e këtij blogu.
    Ftesa, jo vetëm mua, por edhe kujt ishte me mua, i qe dërguar nga Eliverta Radomi me këtë nënshkrim elektronik:

    Eliverta Radomi
    Botschaftsrätin
    Botschaft der Republik Albanien
    Pourtalesstrasse 45 A
    CH- 3074 Muri b.Bern
    Tel: 0774166430
    Fax: 0319526012
    embassy.bern@mfa.gov.al
    eliverta.radomi@mfa.gov.al

    Zgjidheni me të nëse është e duhura apo jo. Ne s’na kishte lënë mendja të thyenim këmbët të arrinim në 7. 30 pa arsye. Meqë po merreni me ftesën, nuk falen gabime drejtshkrimore alla “marrinpjesë”.

    Në lidhje me sallën, as mos u lodhni të më mbyshni mendjen se vështirësitë e mosrespektimit të orarit kanë të bëjnë me sallën e Reformierte Kirche, kam organizuar me ta disa evente në bashkpunim me shoqata bamirëse (si p.sh. HEKS, Mission Plus, Indikamino) e koncerte live, të gjitha projekte të përpikta, me llogari kohore të bëra më përpara (e di, sepse kam qenë prezent në mbledhjet parapërgatitore), që afishojnë atë orë kur njerëzit kanë të drejtën e Perëndisë të presin nisjen e eventit, pa lëvizur akrepi i Swatchit nga minuta e caktuar. Primitivet i madh mos të mësosh prej tyre.

    Harrojeni llogjikën, meqë s’e bëmë ne si duhej, hajdeni bëjeni ju. Ja, një primitivizëm i dytë dhe epidemi në mendësinë shqiptare. Në vend që të bëhet autokritike e të konsiderohen mënyra përmirësimi, i kalohet përgjegjësia tjetrit. Matini forcat mirë para se të futeni në valle. Të ftuarit duhet të rrinë drejtë për detyrat e tyre, dhe kjo është të arrijnë në kohë.

    Titulli “KURRË MË” respekton rregullin dhe formatin e blogut, këtu titujt shkruhen me shkronja të mëdha.

    Disa vërejtje rreth natyrës e cilësisë së fletë-rrufesë suaj: një shkrim i spërkatur me pikëçuditëse nënkupton o lumturi o mllef të madh. Besoj, se këtu bëhet fjala për të dytën. Mllefi sqaron edhe përçartje të tipit: “nese ne Tirane kur percaktoje nje salle per ç’fafje , kishe te drejte ligjore te ushtroheshe ne te jo 1-dite , por gati 1-jave ….ketu ne gjithe Swiss.salla per nje koncert te jepet maksimumi 2-ore para !” Për herë tjetër, mes fjalës dhe pikëçuditëses nuk ka boshllëk, pra “para!” jo “para !”. Duhet ta reflektoni kaq kulturë drejtshkrimore, sepse na përfaqësoni kulturorisht në këtë vend perfeksionistash (komentin tuaj në këto çaste po e lexojnë zviceranë dashamirës). Apo duhet të vijmë ne ta shkruajmë edhe komentin? Swiss, është mbiemër i anglishtes Switzerland, e ngatërroni me Suisse. Sigurisht edhe Schweiz, Svizzera, apo Svizra janë emërtime për Zvicrën si vend. Nuk di cilët nga gjuhët nacionale flisni ju, por edhe Switzerland do t’ua kisha falur.

    Në shenjë përgjegjësie qytetare,

    një qytetar që synon përmirësim

  5. Arsyetohet organizatorja duke thene se ne Zvicer, sallat jepen dy ore para, kupto pas kesaj qe ne Zvicer fillimet me vonese jane buke e djathe. E pabesueshme. Pastaj, me zi akoma, organizatoret thote Mira e dinin qe orari ishte 8.00, ndonese ftesa thote 7.30. Pra tallen me te ftuarit, s’kane piken e respektit per kohen e tyre dhe ndershkojne ata qe jane korrekt. Ta kete manipuluar njeri ftesen? S’ka kuptim, as gjase. Apo ka patur disa ftesa, nje me oren 8.00 e te tjera ne 7.30. Me pak fjale, rremuje, fshat, tubim katundi. Militchi e quan kooperative, po jo, se kooperativa ka qene me e organizuar. Pastaj si struci, fshihet Mira duke thene pse s’permend programin dinjitoz. Si mund te besosh dinjitet nga fakte te tilla jodinjitoze, të përforcuara nga prononcimi i regjisores Mira. Cfare niveli argumentimi! Do kishte bere mire te heshte e te vinte mend per vitin tjeter, Mira dhe ambasada që ia besoi asaj kete pune.
    Deri tani me kishte ardhur keq per nje grup te vogel njerezish, ndaj keshilla ime që gjemohen me keto amatorizmat tane. Tani, prononcimi i Mires po me ben te ndjehem keq në rrafsh te gjere. Kush na prezanton ne jashte Shqiperise, pas komentit ketu, te vesh kujen!!!

    1. Bono, të kuptoj ku e ke fjalën për paraqitjen dinjitoze apo jo. Unë për këtë s’dua të shprehem hiç, koncerti ështe punë shije. Korrektësia është e padiskutueshme. Duhet ta kisha nuhatur që nga dërgimi i ftesës me email si attachment, pa asnjë rresht prej dërguesit, veç nënshkrimi e Eliverta Radomit. Gati e kujtova spam. Për ta krahasuar me dy vite më parë, më ka ardhur ftesë e dërguar personalisht (hard copy), drejtuar mua me emër mbiemër, e saktësuar që mund të ftoja me vete partneren time, dhe se duhet të ktheja përgjigje nëse do merrnim pjesë. Pra, bëhej fjalë për ftesa të kontrolluara dhe për një organizim me laps në dorë. Jo e tillë këtë vit.

  6. Militschi, nuk e di si te te jap te drejte sepse per nje kohe shume te gjate mendoja se vetem diaspora ne NY vuante nga kjo semundje pa sherim.

    Te ngushellohesh te pakten se ne kete rast duke patur mbeshtetjen e ambasades, dhe nje organizator me emer e mbiemer, di se ku te ankohesh. Ketu ne NY nuk mbahet mend hera e fundit qe konsullata te marre persiper te organizoje nje mbremje dinjitoze (dhe nuk do te arrije kurre per aq kohe sa skenen kulturore e kane marr ne dore ca hijena qe tere kohes te kujtojne O sa mire me qene shqiptar!).

    Kete vit Ministria e Kultures mbeshteti Javen e Filmit e cila fillimisht eshte parade mode e pastaj aktivitet kushtuar kultures. Por jo shume ndryshe nga promovimi i librit te Fevziut tek Pallati i Brigadave.

    Te ngushellohesh gjithashtu se te pakten nuk keni paguar nga $150 per njeri per nje mbreme ku nga 200 vende te pronotuara duhet bere vend ne tavolina per 100 te tjere per te cilet organizatori fut leket ne xhep e nuk pyet se tani nuk ka me vend ne tavoline as te heqesh xhaketen. E gjitha ne emer te patriotizmit dhe dashurise per kulturen qe kane shqiptaret te thone.

    Ketu cdo aktivitet kulturor (qe vetem kulturor nuk eshte) sherben per te llastuar ego patriotike qe me kulture nenkuptojne cifteli e qeleshe e per te mbushur xhepa me patriote te ndrydhur qe kane akoma nostalgji per produkte kulturore ne shqip dhe nuk u behet vone shume te diferencojne ne kualitet. Kane pritur gjithe vitit per pak kulture kush po pyet se presin dhe nje ore.

    Te ngushellohesh se te pakten kishit artiste si Elina Duni. Ketu mbizotron tallavaja! Nese do vinte Elina mezi do mbushej nje salle me 50 veta. Kjo nese aktiviteti do behej ashtu sic meriton Elina. E nese do e merrte persiper nje promovues tallavaje edhe Elines do i beheshin 200 veta qe ndihen AUTOCHTONOUS!

    Te falenderoj qe guxove te hapesh debatin edhe pse e prisja reagimin qe me eshte thene me mijera here “ne po bejme pune heroike pa lek e ne te miren e kombit, ti po deshe beje vete me mire”. Kam hequr dore sepse eshte e pamundur te luftosh me nje mori idiotesh qe te vetmin talent kane te te kujtojne se e dashkan Shqiperine e kulturen me shume se ti!

    Ne gjithe vitet qe ndjek aktivitetet shqiptare ne NY mbetem e zhgenjyer. Por jo nga kualiteti i dobet e nga mendesia e nje fshati ne feste sepse ai stan ate bulmet do kete.

    Ajo qe me vret eshte se shfaqjet e Angjelin Prejlocaj, ne ekspoziten e Anri Sales, Adrian Pacit apo artisteve te tjere te shumte qe prezantohen ne galerite e skenat me dinjotoze ne NY ndiqen nga 5-10 veta.

    Ne nuk duam kulturen. Ne duam te konsumojme sa me shume shqiptarizem e te shohim e te shihemi nga te tjeret.

    Tani vone qe publiku eshte ngopur disi me aktivitete kane filluar t’i reklamojne keto si nje mundesi e mire per te deshmuar traditen dhe kulturen shqiptare tek te tjeret.

    Me solli nje kolege amerikane broshuren e Albanian Film Festival qe u zhvillua ne fillim te tetorit dhe me shume takt mundohej te me beje me dijeni per gabimet e shumta te shtypit!

    S’i thoja dot se personat qe e kane marr persiper organizimin e festivalit nuk kane bere asnje dite shkolle as ne Amerike as ne Shqiperi.

    Si t’i thoja se keta persona nuk dine te lidhin dy fjale e te flasin per filmat qe do te shfaqin.

    Si t’i thoja se keta persona pasi te mbaroje festivali s’do kujtohen me per kulturen deri vitin e ardhshem.

    Si t’i thoja se keta persona nuk e dine se ka shqiptare te tjere qe kane programuar per festivalet me me emer ne NY e se kane vertet aftesine te ekspozojne keta filma te nje audience pertej asaj shqiptares.

    Si t’i thoja se keta nuk me perfaqesojne mua e as ate qe di une si kulture shqiptare. Popull qe vetem di t’u shkel syrin gjerave!

  7. Po, pikërisht, po shndërrohemi në një popull që di ose t’u shkel syrin gjërave (tashmë edhe e shoqëruar me njëfarë ironie shabllon e foshnjërake), ose të ekzaltohet me patetizma patriotike, siç thua ti, “o sa mirë me qenë shqiptarë”, jo larg pasthirrmave të zonjës regjisore, e cila e ka marrë shkrimin tim për sulm ndaj artit shqiptar.

    Ne nga ajo mbrëmje u kthyem të zhgënjyer, falenderoj PTF që i dha platform eksperiencës sonë. Ana financiare nuk qe ngushëllim, paguam ca. 90 USD për bileta treni, plus mundin e kohën, gjëja më e vyer sot. Nuk qe kosto e vogël për një zhgënjim. Nga ana tjetër unë i rezistoj ngushëllimit, ngaqë çon në pasivitet ose në qëndrimin “epo rëndësi ka që bëhet diçka”. Është diskutuar kjo në blog këtë muaj, uroj të reflektohet dikur rreth tij.

    Sidoqoftë, edhe ne u ngushëlluam deri diku me bindjen se ky organizim nuk na përfaqësonte. Shih përgjigjen e regjisores Mira Rai Rei Bregu — papërgjegjësinë rreth ftesave, baltosjen rreth medemek marrjes së shkrimit prej meje/nesh, përçartjen drejtshkrimore — të kuptosh mospërputhjen e vizioneve. Ngul këmbë se kritika ime dhe kujt ishte me mua i drejtohet organizatorëve, sepse një organizim i zotë di të shpalos edhe vlerat e amatorit, ashtu sikurse një dritëshkurtër, për mos të thënë i rëndomtë, ia heq edhe talentit shkëlqimin, njësoj si asaj perlës që hidhet në baltën e derrave. A ka faj perla? Jo, as derri, por mendja njerëzore, në këtë rast, më e pagdhëndur edhe se kafsha.

    Më gëzoi komenti yt, përcjell dritë edhe mes territ që kaplon ambasadat tona.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin