T’I JAPËSH HAKUN

Një fjalë e huazuar nga turqishtja osmane, që shumë policë leksikorë nuk e shquajnë dot sot pse është e shkurtër (kompakte): hak. Në shqipen e sotme, sipas Fjalorit të 2006-ës, kjo ka kuptimet (1) shpërblimi a pagesa për punën e kryer; e drejtë e merituar, që të takon; (2) hakmarrje.

Trajtimi është plot gabime, pse i mungon logjika që do të lidhte mes tyre kuptimet; dhe sidomos ngaqë hak nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptimin hakmarrje, por vetëm merr pjesë në këtë kuptim; siç e tregon vetë shembulli që jep Fjalori (mori hakun e të vëllait), ku nuk mund ta zëvendësojmë dhe të themi: *mori hakmarrjen e të vëllait. Punë e dobët, pas gjase për shkak të tmerrit sakral që shkaktojnë orientalizmat te disa fanatikë të leksikut.

Në fakt, analizën e saktë të kësaj fjale, në degëzimet e saj kuptimore brenda shqipes, e gjen te Fjalori i Dizdarit – i cili që në krye e përkufizon hak si “e drejta, arsyeja, e vërteta, meritimi”; kuptim që sot e dëgjon në shprehje të tilla bisedore, si i hyri në hak, i doli hakut, i vjen hakut, kije inat e foli hakun; në jug ende përdoret ke hak për “ke të drejtë” (angl. you’re right). Ky kuptim i hakut si e drejtë ose diçka që të takon në mënyrë të natyrshme ose të arsyeshme shpjegon edhe përdorimin, aq të shpeshtë sot, në togfjalëshin marr hak(un), i cili pastaj është njëfjalësuar edhe në hakmarrje dhe pastaj në hakmerrem, që nuk janë fjalë popullore. Dizdari vëren se kjo marr hakun ndeshet deri edhe në të folmet e arbëreshëve të Greqisë.

Nga kuptimi i hak-ut si e drejtë që i takon dikujt mund të nxirret edhe kuptimi tjetër, i hakut si shpërblim ose pagesë që i jepet dikujt (angl. fee), zakonisht një personi privat, për punën e kryer. Ky i fundit është specifik, sepse rroga që merr dikush nuk mund të quhet hak; njëlloj siç nuk mund të quhet hak pagesa që bëjmë në dyqan ose pagesa e një fature.

Antropologut do t’i interesojë, këtu, edhe marrëdhënia e tërthortë që vendos fjala hak midis pagesës si njohje e së drejtës të kujt të ka ofruar një shërbim dhe hakut që merret, në hakmarrje.

Në rastin e parë, kur ti i jep hakun dikujt, kjo e drejtë që shkëmbehet është një vlerë materiale, zakonisht një sasi parash. Në rastin e dytë, kur ti i merr hakun dikujt (p.sh. i merr hakun vëllait duke vrarë atë që ta ka vrarë), çfarë shkëmbehet është sërish e drejta, këtë herë për të jetuar (për të mos u vrarë); edhe pse tashmë e thjeshtuar në formën e një “takse të vdekjes”. Sipas këtij metaforizimi, kush vret i rrëmben (grabit) viktimës një vlerë që nuk i takon dhe që pastaj të afërmit e viktimës duhet t’ia marrin (me hir a me pahir), qoftë edhe nëpërmjet një gjesti analog.

Për këtë arsye semantike, të njëjtin koncept të hakmarrjes, qoftë edhe vetëm në kuptimin simbolik, e ndeshim edhe në forma leksikore që rrjedhin prej foljes paguaj ose emrit pagë: duke filluar që nga paguaj në shprehjen do të paguajnë për krimet që kanë kryer; dhe pastaj grupin shpaguaj, shpagë dhe shpagesë. Këtu pagesa është metaforë jo aq e ndëshkimit, sesa e çfarë duhet të bëjë fajtori, për të “blerë” (buy back) pafajësinë. Në raste të caktuara, pafajësia mund të blihet vetëm me vdekje.

Koncepti më ngacmon edhe ngaqë orvatet, me një farë naiviteti të admirueshëm, për t’i thjeshtuar marrëdhëniet sociale dhe etike në marrëdhënie shkëmbimi vlerash monetare – ose gjithsesi të kuantifikueshme. Tek e fundit, të njëjtën gjë bën edhe drejtësia moderne, kur e shpreh dënimin për një krim me vite heqje lirie, ose gjobë monetare.

Anasjelltas, brenda këtij sistemi, paraja vjen dhe metaforizohet në kapital etik, i cili mund madje ndonjëherë duhet të kthehet mbrapsht, për të rivendosur të drejtën: të drejtën e palës së lënduar (së cilës i kthehet “haku”), por edhe të drejtën e fajtorit (i cili paguan “hakun”, ose paguan për krimin a padrejtësinë).

Këtu kushedi do të futej edhe ndonjë frazeologji e tillë si sa të vlen lëkura.

Kjo nuk ka të bëjë, veçse tërthorazi, me konceptin qëndror të gjakut në Kanunin e Lekës; sado që edhe gjaku është i kuantifikueshëm, njëlloj si haku. Megjithatë, Kanuni do të meritonte trajtim më vete.

Dizdari shpjegon, në fjalorin e vet, se shqipja hak i ka trashëguar të gjitha vështrimet që kishte në turqishten osmane (me ndonjë përjashtim që nuk na intereson në kontekstin tonë). Edhe pse disa prej shembujve që jepen atje mund të konsiderohen si krahinore ose të vjetruara, fjala hak ka mbijetuar në shqipen bisedore; madje edhe në atë asnjanëse dhe librore, falë prodhimtarisë leksikore dhe pjesëmarrjes në kompozita të tipit hakmarrje, hakmerrem dhe hakmarrës. Madje fjala hakmarrje ka gjetur truall pjellor në publicistikë dhe, me kalimin e kohës, ka fituar një farë fisnikërie poetike – duke e nxjerrë hakmarrjen nga konteksti i së drejtës zakonore (popullore) dhe duke e futur në hapësirat e së drejtës morale ose sublime, madje me nota heroike. Kjo lidhet me nocionin e viktimës, të cilin e gjen në themelet edhe të ideologjisë kombëtariste të Rilindjes, edhe të ideologjisë marksiste që frymëzoi marrjen e pushtetit nga regjimi komunist në 1944; sepse edhe populli e kombi shqiptar në rastin e parë, ose të shtypurit e të shfrytëzuarit në rastin e dytë (ju t’urët skllevër anembanë) do të gjenin te hakmarrja motivimin moral për të ngritur krye; ose për të vendosur drejtësinë a për të marrë hak për padrejtësitë. Një diskurs më i thelluar për këtë temë, herët a vonë do të ndeshej me problemin e origjinës së dhunës: spontane apo në përgjigje të dhunës së Tjetrit?

Gjithsesi, siç na e konfirmon edhe Dizdari, kuptimi i “së drejtës së pandërmjetësuar” në fjalën hak ka mbijetuar për bukuri në shqipen bisedore; dhe vijon të shërbejë si trung i pemës së kuptimeve të saj leksikore.

Nuk ka komente

  1. Kam nje pyetje xha-xha: A mendon se ka nje ndryshim, diference thelbesore midis konceptit te hakmarrjes dhe te gjakmarrjes?

    Me sa di une, ne te drejten zakonore, te njohur shkurtimisht si kanuni, kam pershtypje se nuk njihet, nuk perdoret termi hakmarrje, por gjakmarrje. Ndoshta jam gabim.

    1. Po natyrisht që hakmarrja është shumë më e gjerë – ti mund të marrësh hak edhe për një padrejtësi të vogël (dikush nuk të foli në rrugë dhe ti merr hak dhe nuk i flet kur e sheh herën tjetër), ndërsa gjakmarrja është kategori specifike e të drejtës zakonore (kryesisht në Kanun). Në fakt, te Kanuni i Shtjefën Gjeçovit edhe mua nuk më duket se del hakmarrje si term – por kjo mund të vijë edhe si pasojë e një ndërhyrjeje në tekst nga ana e mbledhësit, për ta pastruar nga shtresa e orientalizmave.

      1. Xha Xha,

        nuk besoj se eshte çeshtje purizmi gjuhesor. Kanuni edhe pse zakonor, ishte gjithsesi nje kod te drejte qe pretendonte te vinte drejtesi dhe jo te perligjte hakmarrjen. Per padrejtesi qe nuk kishin te benin me “gjakun” kanuni parashikonte pagimin e gjobes ne parà.

        1. Jam dakord: haku dhe gjaku, edhe pse rimojnë, u referohen dy koncepteve të ndryshme të së drejtës zakonore.

          Por unë e gjej të dyshimtë mungesën e fjalës hak në Kanunin e Gjeçovit, të paktën si fjalëkyçe. Kjo mungesë më duket si provë se autori i ka dhënë vetes disa liri leksikore, në përpunimin e tekstit.

      1. E vertete:

        … te kerkosh gjak, nuk shperblehet me gjâ, por me të derdhun të gjakut, bjen ne gjak, gjaku per gjak(shlyhet me), me ju vra kuj miku, ka të drejtë me qitë pushkë për mik e me ja marr gjakun, nuk vriten per gjak, po vrau kend, s’ndiqet per giak, prîndja e tij biejn në gjak, pa besë e pa kenë i ndjekun për gjak. etj.

        Pra me nje fjale, marrje gjaku. 🙂

        Togfjaleshi “gjakmarrje” eshte nje ardhje e voneshme.

  2. …”ti mund të marrësh hak edhe për një padrejtësi të vogël (dikush nuk të foli në rrugë dhe ti merr hak dhe nuk i flet kur e sheh herën tjetër),..

    Me ra ne sy perdorimi i fjales “(pa)drejtesi”. Dicka qe mund t’i shtohet shkrimit tend interesant eshte nje nga kuptimet qe ka fjala hak, te pakten ne turqisht, e trasheguar nga osmanishtja, te vendosesh drejtesine(to do justice, to obtain justice). Mendoj se ka nje ndryshim qe ne shqip nuk reflektohet si duhet – e drejta(right) dhe drejtesia(justice) nuk jane e njejta gje, me duket. Shqipja kete e ka problem te madh, sepse perdor te njejten rrenje, qe nuk reflekton sic duhet ndryshimin thelbesor midis dy termave qe solla ne anglisht. Ne anglisht, sic mund te thoshte Heidegger-i, fjalet jane “self-revealing”, kurse ne shqip, mbeten terma qe duhet t’i shpjegosh kuptimin, te cilin nuk e sjellin ne menyre te natyreshme(What is the thing? – pyetje esenciale e Heidegger-it)

    Fjala “hak” ne turqishten osmane, ka nje kuptim me sublim se sa ne shqip, ku ne ndryshim, kuptimi i fjales eshte me pragmatik, rrethanor, material, sic e shjellove bukur vete. Turqishtja ne kete fjale, ka te kombinuar te drejten, (si dicka absolute, perfekte, me nje perafrim holistik, e drejta e pare dhe e gjykuar nga vete Zotit, si fuqi supreme) dhe vendosjen e drejtesise, te berit e drejtesise karshi dikujt apo nje situate te zhvilluar, para se gjithash si gjykim moral, bazuar ne gjykimin hyjnor, te Zotit, qe poseidon te drejten, si esence e te vertetes(haset jo rralle te perdoret shprehja: kam lene Zotin te marre hak).

    Ndoshta mund te jem gabim, por ne kanun, fjala hakmarrje nuk perfshihet, jo thjeshte per shkak te origjines orientale(ku fjale me origjine te tille orientale jane me “bollek”), por sepse nuk percjellin te njejten ngarkese kuptimore. Gjakmarrja vepron dhe kryhet ne konteksin e disa rregullave te sanksionuare nga shoqeria deri ne detajet me te vogla, vendosjen e nje drejtesie, e drejte e cdo individi apo grupi, duke zbatuar pike per pike rregullat ne fjale.

    Ne kontrast, hakmarrja(shqiptare te pakten) nuk njeh rregulla, sepse gjykohet ne menyre krejt subjektive, individuale dhe zbatimi i saj behet ne shumicen e rasteve si shtyse impulsive, pa rregulla. Per pasoje, hakmarrja ne shumicen e rasteve mbetet nje akt iracional, emocional, qe nuk kerkon te vendose drejtesi, si e drejte qe duhet t’i akordohet dikujt e sanksionuar ne rregulla, ligje strikte (sic eshte ta zeme e drejta zakonore) bazuar ne ofensen(thyerjen e normave, krimin, etj) e bere.

    Hakmarrja si e tille, nuk vendos drejtesi, as eshte e drejte e dikujt, sepse nuk ka peshore morale apo ligje(si), rregulla per te matur caqet brenda te ciles dhe si duhet te veproje. Mbetet thjesht nje akt i vene ne jete nga nje gjykim subjektiv individual, apo i nje grupi njerezish, pa ndonje kanun, ligj apo rregull perpara. Me kujtohet emri i nje grupi qe vepronte sipas gjykimit te tyre: hakmarrja per drejtesi.

    Mendoj se eshte i ngjashem me ate qe quhet vendetta, por qe nuk eshte e njejte me gjakmarrjen. Vendetta dhe hakmarrja mund te shuaje nje familje te tere brenda pak sekondash, pa diskriminuar asnje, pa iu dridhur dora e qerpiku, kurse nje gje e tille nuk ndodh kur merr gjak(gjakmarrja). Mendoj se sot ne Shqiperi, nuk ekziston, vepron gjakmarrja, brenda “te drejtes zakonore”, por hakmarrja pa qitap dhe hesap, ne te gjitha format, pa diskriminuar kerkend.

    1. ReadMe, kur lexova:

      Mendoj se ka nje ndryshim qe ne shqip nuk reflektohet si duhet – e drejta(right) dhe drejtesia(justice) nuk jane e njejta gje, me duket. Shqipja kete e ka problem te madh, sepse perdor te njejten rrenje, qe nuk reflekton sic duhet ndryshimin thelbesor midis dy termave qe solla ne anglisht. Ne anglisht, sic mund te thoshte Heidegger-i, fjalet jane “self-revealing”, kurse ne shqip, mbeten terma qe duhet t’i shpjegosh kuptimin, te cilin nuk e sjellin ne menyre te natyreshme(What is the thing? – pyetje esenciale e Heidegger-it)

      Më shkoi mendja se nuk do ta kesh lexuar këtë:

      https://peizazhe.com/2014/08/10/te-them-te-drejten/

      1. Tani qe po ma rikujton, e mbaj mend qe e kam lexuar, por kalimthi gjate udhetimeve te veres. Koincidoi bukur qe u soll edhe nje here, kete radhe e lidhur me temen, hulumtimin e fjales hak, ne kuptimet qe po diskutohet dhe perqaset dhe pasurohet nga ne.

        Ashtu si edhe ti, i kam menduar shpesh kete dallime. Sic duket punojme ne te njejten linje, projekt. 🙂

  3. Kur thuhet jepi hakun, ne disa kontekste, nenkuptohet nje lloj obligimi ndaj merites qe duhet t’i njihet dikujt. Merite morale, intelektuale a njerëzore, jo gjithmone sinonime e te drejtes. Ne anglisht mendoj se “due”, “give someone their due” e jep kete, sepse due eshte edhe merite po edhe detyrim financiar ose pagese ne kuptim te “fee”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin