NJË VEND KU TË EMIGROJNË SHQIPTARËT

Pati një farë jehone në mediat tona deklarata që ia bëri Edi Rama Das Magazin, se “E krahasuar me rajonin tonë, Zvicra është e mërzitshme. Për vdekje e mërzitshme. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, kur kam bërë një udhëtim nëpër Zvicër, kam menduar: këtu nuk do të desha kurrë të isha kryetar bashkie, sepse këtu nuk ke çfarë të bësh, nuk ka punë.”

Për të vazhduar menjëherë pak më pas: “Në këtë drejtim duhet të jenë edhe objektivat tona, që ta kthejmë Shqipërinë në një vend të mërzitshëm.”

Kjo e Zvicrës “së mërzitshme” është një nga ato klishetë që kanë qarkulluar për aq gjatë, sa – për ta thënë me Zhizhekun (e përgojuar në atë intervistë) – janë bërë të vërteta.

Dhe meqë ra fjala për klishetë, ja ç’thotë Harry Lime, në filmin “The Third Man” (1949), të cilit ia ka shkruar skenarin Graham Greene:

[I]n Italy for 30 years under the Borgias they had warfare, terror, murder, and bloodshed, but they produced Michelangelo, Leonardo da Vinci, and the Renaissance. In Switzerland they had brotherly love – they had 500 years of democracy and peace, and what did that produce? The cuckoo clock.

Edhe te kjo batutë, lufta, terrori, vrasjet dhe gjakderdhjet, të cilat e bëjnë jetën interesante dhe produktive; i vihen përballë mërzisë së demokracisë zvicerane, e cila nuk ka arritur t’i japë botës veçse “orën me qyqe.” Të parat të shpien mendërisht në një kohë heroike, kur historia u bindej narrativave, jo rregullave; e dyta, ose ora, ka funksionuar gjithnjë si metaforë e burokracisë – ose e një shoqërie që ka vendosur të jetojë dhe të administrohet në mënyrë racionale, ose sipas rregullave; me fjalë të tjera, të një shoqërie ku “gjithçka punon si sahat.”

Kontrastin midis shoqërive heroike dhe shoqërive burokratike e analizon David Graeber, në esenë e tij “The Utopia of Rules, or Why We Really Love Bureaucracy After All,” të botuar në vëllimin The Utopia of Rules: On Technology, Stupidity, and the Secret Joys of Bureaucracy. Melville House. Duke u ndalur gjatë në dallimin kurioz midis universit imagjinar të fantashkencës, të përfaqësuar në mënyrë tipike nga seriali televiziv “Star Trek”, dhe universit të veprave të zhanrit “fantasy” (Lord of the Rings, etj.), Graeber vëren se kontrasti midis këtyre dy vizioneve i ka rrënjët në kundërvënien mijëvjeçare midis shoqërive “heroike” (barbarëve) dhe qytetërimeve “burokratike”.

Tek të parat, thotë ai autor mes të tjerash, pushteti e merr legjitimitetin nga karisma, ose të paktën kujtimi kolektiv i kësaj karisme; dhe meqë autoriteti karismatik gjithnjë themelohet në luftë, atëherë vetë pushteti nuk mund të ekzistojë as të riprodhohet, pa pasigurinë fizike konstante të nënshtetasve. Në këto shoqëri, vazhdon Graeber, figurat me autoritet mirëfilli legjitime janë zakonisht të dhunshme, por nuk e përdorin dhunën për të imponuar rregullat.

Për pasojë, në shoqëritë heroike jeta politike konsiston në masë të madhe në krijimin e narrativave; çfarë haptazi bie ndesh me natyrën mekanike të veprimtarisë burokratike; në kuptimin që procedurat burokratike synojnë të shmangin krijimin e narrativave, të cilat përndryshe shfaqen vetëm atëherë kur ka diçka që nuk shkon.

Deri këtu Graeber. Me siguri Zvicra do të përfaqësonte, brenda modelit të ndërtuar nga ky autor, shembullin e një shoqërie që administrohet në mënyrë burokratike, ose sipas rregullave; dhe ku politika nuk ka nevojë për narrativa që të funksionojë. Këtu ndoshta është vendi të përmendim një tjetër klishe, dhe pikërisht atë që askush nuk pakkush prej nesh e di emrin e Presidentit të Konfederatës Zvicerane; çfarë shënjon, mes të tjerash, edhe orientimin e pushtetit të atjeshëm larg vijave narrative dhe më afër konvencioneve.

Problemi që sjell në tryezë Shqipëria, në këto krahasime me Zvicrën, është se sistemi politik që ka adoptuar Tirana nuk ka ardhur si rezultat as i zhvillimeve të brendshme në shoqërinë shqiptare, as i historisë së shqiptarëve, por thjesht është kopjuar – si të ishte teknologji çfarëdo – nga kultura politike të tjera, prej elitave në pushtet; sepse këto elita kanë besuar vërtet se vetëm kështu do të mund të arrihej modernizimi i sistemit, por edhe ngaqë kanë parë, tek adoptimi i sistemit të ri, një mënyrë të garantuar për të ruajtur privilegjet. Sikur të mos ekzistonin trysni të tilla dhe interesa private për t’u mbrojtur, në kombinim me interesat e tutorëve të jashtëm, shumë prej nesh do ta gjenin akoma të natyrshme që vendi të qeverisej në mënyrë “heroike”; dhe lajmet e mbrëmjes të përcilleshin nga rapsodët me lahutë dhe Parlamenti të organizohej sipas grupesh iso-polifonike.

Për këtë arsye, edhe shumë qytetarë të Shqipërisë ende do të kishin zgjedhur ShBA-të për të emigruar, ndaj Zvicrës; dhe jo vetëm ngaqë ShBA-të trupëzojnë sot autoritetin e dikurshëm të Baba Dovletit; por edhe ngaqë shihen si hapësira sociale ku ende ka vend për kultivimin e narrativave personale, ose për t’u pasuruar me të shpejtë, si versioni post-heroik i luftës; në një kohë që Zvicra, dhe deri diku edhe Gjermania dhe Britania e Madhe kushedi shihen si vende zemërgjera, ku “ka për të gjithë” dhe ku mund të gjejë i lodhuri strehë.

Kështu merr një kuptim të ri edhe ajo që thotë Rama në intervistë, dhe pikërisht se ne duhet të synojmë që “ta kthejmë Shqipërinë një vend të mërzitshëm. Në një vend të mirë për të rritur fëmijët.” Çfarë për mua tani mund të lexohet kështu: le ta kthejmë Shqipërinë në një vend ku të duan të emigrojnë shqiptarët – këta ende të ngecur në mendësinë heroike, që nuk i bën dot vend monotonisë, racionalitetit dhe, në analizë të fundit, rregullimit të jetës sociale sipas metaforës së sahatit, me ose pa qyqe.

7 Komente

  1. Ideja se një kryetar bashkie në Zvicër nuk paska se ç’farë të bëj, dhe se në Zvicër nuk paska punë, të lë me gojë hapur! Por vetëm nëse harron se ai që i thotë këto fjalë është edhe kryetari i qeverisë “etalon”, ose “by definition” të një shteti jofunksional.

    Sido që ta perceptosh idenë e punës, qoftë nga koncepti i “homo faber-it” apo nga ai i “homo laborans”, Zvicra bashkë me metaforën e orës, duhet të ishte me arsye vendi “etalon”, ose “by definition” një vënd ku vërtet ka punë dhe “ku ke se cfarë të bësh”.

    Dikush duhet t’ia kujtojë Ramës se puna dhe zanati kanë kuptim vetëm në një shoqëri të strukturuar dhe të organizuar. Përndryshe njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit.

    Por me sa duket arsyeja a mosarsyes duhet të ketë triumfuar me në fund, bashkë me Donkishotët që këmi në krye të shtetit.

    1. Shumë bukur, Ujku!

      Politikanët tanë edhe snobizmin e kanë demode, të tipit “fundi i viteve ’80, fillimi i viteve ’90” të shekullit të kaluar. Aty ku dhe e mbyllën, siç duket, dhe formimin e vet kulturor, politik, intelektual.

  2. Dy mënyra të ndryshme për ta menduar punën: ta bëjmë një gjë dhe pastaj të rrimë, derisa të prishet; ta bëjmë një gjë dhe pastaj t’i rrimë mbi kokë, që të mos prishet.

    1. Komenti më kujtoi “punën” që ka nisur për prishjen dhe rindërtimin e stadiumit “Qemal Stafa”. Thonë se po ia ruajnë gurët e fasadës qëndrore, për t’u ekspozuar diku në brendësi të stadiumit.

      Vetë nuk a kam shumë të qartë se përse duhet ruajtur kjo fasadë. A janë duke krijuar ndonjë muze arkeologjik brenda stadiumit të ri, a çfarë?

      Kjo sa për të ilustruar se sa bizarre është bërë koncepti i punës në Shqipëri, dhe sidomos ai që promovon kryeministri. Nuk ka metaforë që t’i bëj derman.

      1. Po ia ruajnë gurët? Ky fetishizëm më sjell në mendje fantazmagorinë e një “arkivi të arkitekturës”, ku të ruhen jo planimetritë e ndërtimeve, por copëza gjithfarësh të materialeve që ishin përdorur.

        1. Sigurisht që as Ramës, as edhe ndonjërit të punësuar tek Instituti i Monumenteve nuk i bëhet vonë për gurët e fasadës së Qemal Stafës. Në fakt fetishizmi shërben vetëm për t’u tallur me ata që ngulmojnë se stadiumi duhet ruajtur në formën që është.

          Gjithësesi, duhet të kesh një sens të çuditshëm humori, të përzier edhe me një nivel të lartë antipatie për këdo që mendon ndryshe nga ty, për të qënë në gjëndje të prodhosh shaka/tallje të tilla.

  3. Politikane-qeveritaret e vendeve ‘ne zhvillim’ (nenkupto vendeve ku rrumpalla dhe korrupsioni jane norma dhe ku funksionaliteti eshte perjashtim) shpesh mundohen te mbulojne gropat dhe mafiozerine e tyre me agjitprop te dyanshem: krefjen e egos vendore per skenderbeizma ‘autoktone’ dhe sponto-kritika per vendet perendimore. P.sh. kur per nje vend te Lindjes se Mesme/Afrikes/etj ben buje nje lajm per vrasjen barbare te nje gruaje me gure, apo per numrin e madh te femijeve qe vdesen nga mungesa e ushqimit dhe kushteve minimale te jetes, qeveritaret e atij vendi do flasen per padrejtesine ndaj te zinjve ne Amerike dhe do te perpiqen t’i paraqesin perendimoret si robota injorante dhe monotone. Kuptohet qe teatri i kesaj natyre luhet me se shumti per te mbajtur nen kontroll banoret e tyre.

    Megjithate, keto metoda diversionesh e agjitpropi perdoren me nje fare racioni edhe ne vendet ku shumica e banoreve vuajne nga mungesa e informacionit dhe lirive minimale per tu organizuar e kundershtuar, sepse edhe diktatoret me brutale jane te vetedijshem per limitet e agjitpropit dhe per barutshmerine e nje populli te perdhosur sistematikisht (shiko p.sh. c’i solli Asadit te sotshem superxhiroja, gje qe mbase i ati i tij s’do ta kishte bere), sidomos sot ne kohen e internetit dhe informacionit lehtesisht te aksesueshem.

    Ne kete aspekt, pare thjesht ftohte dhe per arsye analize politike, donkishotizmi dhe karagjozlleku i Rames eshte kurajoz sa i perket agjitpropizmave te drejtuesve ajatolliste te vendeve barane-republike. Kurajoz se Shqiperia s’eshte Kore e Veriut apo Arabi Saudite ku informacioni dhe terrori ndaj banoreve mund te administrohet me nje kontroll te tille shteteror. Nga kendveshtrimi i popullit, kjo e ben njesoj me interesante dele-zimin e shqiptareve qe sot kane Ramen kryeminister.

    Pare shqip-ndryshe, eshte krejt e kuptueshme dhe ne fakt disi monoton fakti qe keto mufka te haeshin nga populli ne nje kohe kur shqiptaret jetonin krejt te izoluar dhe te dominuar ne epruvete-kafazin e Enver Hoxhes dhe politbyrose se tij. Babaxhaneria dhe perplasjet e supozuara te grushtit te shokut Enver mbi tavolinat e revizionisteve komunizem-tradhetare atehere kishin kuptim, si dhe fanarndricueshmeria e Shqiperise perballe mizerabilitetit te popujve qe vuanin nen thundrat imperialisto-revizionisteve. Nje shqiptar qe atehere dukej 15 vjet me i moshuar nga mungesa e elementeve baze te ushqimit i hante keto agjitpropizma ose se s’dinte me shume ose se nqs guxonte te mos i hante do perfundonte ne burg e do ta conte familjen ne kamp internimi.

    Pra shqiptari popull dhe shqiptari politikan benin atehere rolin e tyre te natyrshem sipas konjukturave dhe rrethanave te kohes. Kurse sot ‘ne demokraci’ eshte krejt i panatyrshem roli i shqiptarit politikan qe kaq shpesh e kaq bajatshem tall prapanicen me merzitshmerine e vendeve perendimore ne te njejten kohe qe banoret e vendit te tij emigrojne drejt ketyre vendeve thuajse me te njejtin vrull e deshperim te kohes kur u hap kafaz-epruveta e monizmit. Ne disa aspekte as Enveri i djeshem s’do guxonte te tallej kaq hapur me popullin e tij…e perfytyron dot Enverin p.sh. te thoshte qe ne orar te punes (me rrogen dhe per hallet e popullit) ai bente vizatime tek fletorja e punes, e qe me pas t’i promovonte e shiste vizatimet gjate vizitave zyrtare ne vendet socialiste? Apo qe te thoshte aq troc se ata qe s’paguajne dritat apo kuponin e shitjes se vezeve dhe preshit duhet te perfundojne ne burg? Njesoj eshte i panatyrshem roli i shqiptarit popull te sotshem qe ne shumicen e rasteve ose e ha agjitpropin dhe reprezaljen ose eshte krejt indiferent.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin