TERS

Serinë që ia kam kushtuar disa fjalëve abstrakte të shqipes bisedore, kryesisht me prejardhje nga turqishtja osmane, po e vazhdoj me disa shënime të shpejta për fjalën ters, si emër, si mbiemër dhe si ndajfolje.

Në vështrim të parë, ters shënon diçka që sjell fat të keq; për shembull, 13 është numër ters, ose e kam ters kur pengohem te pragu i derës ose s’na u nda ky ters.

Në përgjithësi, karakterizimi i tipit X është ters shërben si formulë në manualin e përgjithshëm të bestytnive.

Në përdorime të tilla, tersit i kundërvihet ose mbiemri i mbarë, ose ndajfolja mbarë, ose emri mbarësi sipas rastit; ose, përndryshe, emra të tjerë si fat dhe shans.

Kështu kundërvënies standard fat i keq/fat i mirë në shqipen bisedore do t’i përgjigjet kundërvënia ters/fat – ku fat është specializuar në kuptimin “fat i mirë”, si në shprehjen: më sjell fat; ose nuk paskan fat brazilianët sot ose i ecën fati atij ose i doli fati edhe asaj; madje kuptimi “fat i mirë” i fjalës fat është trashëguar edhe në mbiemrin i pafat (në kuptimin “që nuk ka fat të mirë”).

Ka mundësi që fat të jetë specializuar në kuptimin “fat i mirë” edhe falë kundërvënies me ters. Përkundrazi, shans është huazim relativisht i vonë (edhe pse jo fare modern), dhe është specializuar edhe më shumë se fat në kuptimin “mbarësi, fat i mirë”.

Për ters ka interes të ndiqet rruga e “lulëzimit” kuptimor në shqipe. Fjalorët e turqishtes së sotme japin si kuptim kryesor të kësaj fjale “mbrapsht, së prapthi, shtrembër, gabim” dhe që këtej edhe “ana e kundërt, ana e pasme” etj. Ky kuptim është ruajtur në shqipen më shkoi ters (kur gëlltitesh keq, dhe të kalon pak ushqim në rrugët e frymëmarrjes); ose e ke vënë ters (karrigen) (në kuptimin “shtrembër”) dhe, më tej, metaforikisht, në fola ters (“fola shtrembër, fola keq”); njëlloj edhe ma more fjalën ters.

Edhe kuptimi metaforik që del në shprehjen njeri ters (“i vështirë, inatçor, i pakëndshëm, grindavec”, që ndonjëherë e dëgjon edhe të përmbysur, si ters njeri) duket të jetë trashëguar nga turqishtja.

Ndërkohë, nuk po më rezulton gjëkundi për turqishten ters kuptimi i diçkaje që “sjell fat të keq”; por edhe nuk i kam mjetet e nevojshme për ta hulumtuar këtë në osmanishten (dhe as njohuritë e nevojshme). Edhe Dizdari, në Fjalorin e Orientalizmave, i jep shumë pak vend këtij kuptimi te rubrika e fjalës përkatëse – nga ku mund të deduktohet se kuptimi i “fatit të keq” ose “i prishjes së fatit” është zhvilluar më vonë dhe brenda shqipes, në bazë të kuptimit “shtrembër, së prapthi, jo mbarë”.

Dhe, pas gjase, ky zhvillim kuptimor do të ketë ndodhur brenda kundërvënies së ters me fat (si bad luck dhe good luck), dy koncepte me rëndësi kritike, për mendësinë supersticioze – e cila e përdor kundërvënien mes tyre si kyç për të lexuar “shenjat” e çfarëdoshme: dhe me këto shenja mund të hartohet një fjalor i tërë.

Tani, nëse kuptimi i ters si “që sjell fat të keq” është përftuar nga metaforizimi i kuptimit “mbrapsht, shtrembër, së prapthi”, atëherë mund të shtyhemi pak më tutje dhe të supozojmë se, për një lloj mendësie supersticioze të caktuar, fati është vetvetiu i mirë; dhe se e keqja është një lloj devijimi (shmangieje) nga rruga e drejtë si rrjedhin punët.

Natyrisht, kjo mendësi vjen edhe me një teknikë për ta shmangur të keqen, ose tersin – nëpërmjet identifikimit të atyre sendeve ose fjalëve ose veprimeve që e ndjellin.

Madje, edhe atëherë kur e keqja nuk mund të shmanget, ose kur ka ndodhur tashmë, do të kërkohet tersi, për ta racionalizuar humbjen ose dhimbjen. Për shembull, kur të vjedhin shtëpinë ditën e martë, kjo shpjegohet, a posteriori, me faktin që e marta është ters.

Këtu kemi dalë nga gjuha, në kuptimin e ngushtë, për t’u futur në antropologji – dhe pikërisht: identifikimi i ters­it shërben për të na ndihmuar që ta shmangim të keqen, apo thjesht për të na përgatitur për të keqen?

Për shembull, na del përpara një mace e zezë: ters. A mund ta shmangim të keqen duke u kthyer mbrapsht, apo tashmë e keqja nuk mund të shmanget dot më?

Dilema tregon për një dyzim të rëndësishëm në mendësi, meqë ka të bëjë me të menduarit magjik nga njëra anë dhe me fatalizmin nga ana tjetër – të dyja si filozofi praktike.

Përndryshe, lidhja metaforike e fatit të keq me shtrembësinë ose prapësinë e paraqet këtë të keqe gjithnjë si aksident; çka tradhton një vizion për botën si vetvetiu të drejtë.

Pa folur pastaj për rastet kur mjafton perceptimi i diçkaje ters, për ta shkaktuar të keqen: një drejtues mjeti, të cilit ia pret rrugën macja e zezë, mund të hutohet dhe të bëjë vërtet aksident.

Edhe një aspekt tjetër: identifikimi i tersit (ose i tersllëkut, si një gjendje e karakterizuar nga rreziku i tersit) shërben edhe si një valvul shkarkimi për stresin e përgjegjësisë: sepse ia delegon shkakun e së keqes një faktori “objektiv.” Për shembull, në vend që të qortosh veten për pakujdesi, kur të humbi portofoli, mund t’ia faturosh këtë aksident “tersit” – p.sh. një gruaje sybardhë që të vështroi ngulmas te kryqëzimi.

Edhe pse lidhet me mallkimin (jinx) dhe magjinë e zezë dhe mund të vijë si pasojë e këtyre, tersi i referohet, para së gjithash, rastësisë (randomness), ose një të keqeje që mund të ndodhë/do të ndodhë ose ka ndodhur si pasojë e logjikës së universit. Gruaja sybardhë në rrugë nuk është se të mallkoi, as të bëri magji; ajo thjesht e rrezaton tersin pashmangshëm përreth, njëlloj si erën e parfumit ose të sqetullave: është “vegël” e së keqes pa e kuptuar as vetë.

Në fakt, tersi ndonjëherë vetëm e lajmëron të keqen (nëpërmjet shenjave që duhen lexuar ose interpretuar) dhe ndonjëherë tjetër e shkakton; çfarë i jep kuptim të ri shprehjes “të vrasësh lajmëtarin.” Për shembull, merimanga për disa është ters, para orës 12:00 të drekës; por a do të neutralizohet e keqja sikur ta vrasësh këtë merimangë mëngjesore?

Shmangia e tersit (brenda mundësive) nuk mund të kuptohet pa dëshirës për t’iu bashkëlidhur fatit, ose “shansit” – një numër i madh sportistësh, ushtarësh në fushën e betejës, por edhe studentësh që shkojnë në provime etj. mbajnë me vete sende që u sjellin “fat”; ose që arrijnë ta zgjidhin njëfarësoj tensionin e rastësisë në favorin tënd. Në këto raste, që janë gjithnjë më të shumta se ç’kujtojmë, edhe vetëm humbja e një objekti të tillë (e një lapsi të preferuar, ose një kravate të caktuar) do të ishte ters.

Nuk ka komente

  1. Gjeta në Cambridge Learners Dictionary edhe një kuptim tjetër të “ters” në turqishten e sotshme: diçka e papritur që sjell probleme. Në anglisht e dhënë si untoward=unexpected and causing problems. Më duket kuptim afër fatalitetit që shpreh tersllëku në shqip, por prapësëprapë i paprekur nga konotacioni i bestytnive.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin