MOS MË LINI TË GABOJ

Papa Françesk paska lënë një mesazh në Librin e Shënimeve në Presidencë. Ma do mendja se Papa e ka lënë mesazhin në italishte, ndërsa poshtë një dorë e pasigurt ka shtuar përkthimin shqip.

mesazhi

Dhe, me sa shoh unë, ky përkthim është i gabuar.

Papa shkruan:

Al nobile popolo albanese, con il mio rispe[t]to e ammirazione per la sua testimonianza e la sua fraternità per portare avanti il paese.

Ndërsa përkthimi lexon:

Popullit fisnik shqiptar, falnderimi im e mirënjohja per dëshminë e tij e për vllazërimin dhe per ta çuar përpara në paqe.

Mes disa gabimeve të përkthimit, bie në sy keqleximi i paese si pace – edhe pse pace, në italishte, është e gjinisë femërore (edhe sikur të kish probleme me sytë, përkthyesi – që nuk besoj që ta ketë mësuar italishten nga Radio Vatikani – duhej ta kish kuptuar se il pace nuk shkon). Ky gabim ia shtrembëron kuptimin mesazhit, duke e zhvlerësuar.

Personi që ka shkruar përkthimin ka tek-tuk probleme edhe në përdorimin e ë-ve: të shihet si parafjala për shkruhet dy herë per dhe një herë për, mungesa e ë-së te fal[ë]nderimi dhe të tjera lëkundje.

Nuk po komentoj më tutje – gafa të tilla në instanca nga më të lartat ne i kemi siguruar me markë tregtare, tashmë. Kushedi po na ngushëllon miti i dikurshëm se “nuk ka shqiptar që të mos dijë italisht.”

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, edhe unë nuk po dua të gaboj, por më duket se përkthimin e bëri shoqëruesi i Papës e sipas gjasës përkthyes i tij gjatë vizitës. Po bazohem në pamjet që pashë në TVSH. Kam përshtypjen se shënimi ishte i pa programuar nga protokolli. Pati një moment përhumbjeje nga palët. Kështu m’u duk. Pastaj, si Presidenti shqiptar, ashtu edhe Papa, po prisnin pa ndonjë arsye në këmbë. Nuk kuptohej derisa telekamera dha shoqëruesin tek shkruante diçka në librin e mbresave. Ka mundësi të ketë qenë duke shkruar përkthimin. Por nuk përjashtoj të ketë shkruar mbresat e veta. Nëse ka qenë kështu tensioni dhe emocioni bën të vetën, ndikon disi në cilësinë e përkthimit. Nuk do të ishte e lehtë për askënd të përkthente fjalët e Papës (të shkruara me dorë) tek pret me padurim së bashku me një President vetëm dy hapa larg.
    Mendoj se ka qenë gabimi i protokollit. Shënime të tilla nuk kanë nevojë të përkthehen në çast. Lihen aty. Më pas…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin