DITË PLAZHI

Kohë pushimesh; kohë haxhillëku buzë Adriatikut – dhe gjithsekush ka diçka për të rrëfyer, nga kontakti ritual me detin.

Gazeta Dita kish botuar dje një seri fotosh nga plazhi i Durrësit, nga të cilat më ngacmoi veçanërisht kjo që do të komentoj më poshtë:

durresi-31-1024x630

Ka një mizëri pushuesish në rërë, po aq edhe në det; pa çka se shqipes i mungon mbiemri që në anglisht është crowded dhe në italishte affollato. Ne themi mizëri ose kallaballëk ose edhe nuk hidhje dot mollën – një mënyrë kurioze për ta shprehur teprinë e trupave me hedhjen e një frute.

Falë turizmit patriotik e kushedi edhe “rrugës së kombit”, Adriatiku ka marrë tashmë pamjen e një Gang-u të shqiptarisë së zbuluar rishtas.

Pa çka se turmat plazhit të Durrësit ka dekada që nuk i mungojnë – madje ishte pikërisht ky mbipopullim, që më bëri ta braktisja atë plazh përfundimisht, në fillim të viteve 1980, në kërkim zonash më të rralluara, më të zbrazëta, më të paprekura.

Atëherë, sikurse edhe sot, Durrësi u shërbente pushuesve edhe për t’u parë ndërsjellazi; ashtu nxiheshin lëkurët, lëpihej kripa, shpërhapeshin ferromonet dhe herpesi, shkëmbeheshin motivet e lehta pop nga valët e RAI-t me lajmet festive të Radio Tiranës nga altoparlantët majë shtyllave të neonit.

Pak ka ndryshuar pra, me përjashtim të turmës vetë; meqë tani të thonë se shumica e plazhistëve të Durrësit vijnë prej Kosove. Nga fotoja këtë nuk e konfirmon dot – edhe pse ta sugjerojnë fort flamujt kombëtarë që shiten te kiosku në mes të rërës, së bashku me çadrat me shqiponjën kuqezi.

Si mund të ndihet njeriu, nën një çadër me simbolet patriotike? Krenar që është shqiptar?

Po më tërheq vëmendjen, në foto, edhe numri i madh i pushuesve në këmbë – edhe pse jo në ecje; si të ngrirë nga një magji, ose të ngecur në një mëdyshje. Ndoshta thjesht ngaqë rëra është e lagur dhe jomikpritëse për të ndenjurat; ndoshta ngaqë ky takëm turistësh nuk kanë dëshirë të ulen, ndoshta ngaqë plazhi sot bëhet ndryshe.

Nëse edhe ky është turizëm patriotik, duket sikur turistët vetë ende nuk kanë mbërritur atje ku duan.

Ka jo një, por dy turma në foto: ajo e miletit, dhe ajo tjetra, e ndërtesave në skenografi, që duket sikur të çjerrin anët e gjoksit me cepat e mprehtë të ballkoneve dhe të betonit. Një ngjeshje që të kujton tsunamin, vetëm se ky i ndërtesave ia ka behur në drejtim të kundërt, nga brendatoka drejt bregut.

Ngaqë ky s’është plazhi që mbaj mend unë, gati duket sikur pallatet janë fotoshopuar në mes të peizazhit, për të krijuar një efekt sa paralel aq edhe kundërvënës – meqë vetë prania e tyre, me format e thata dhe gjeometrike, mjafton për ta shndërruar detin në pellgaçe.

Ndonjëherë mjafton ngushtimi i hapësirave, për t’i përftuar turmat.

Ka edhe shumë ngjyra në foto – jo aq prej flamujve kombëtarë, sa prej kamerdareve dhe dyshekëve pluskues: por të jetë vallë ngaqë plazhistët nuk dinë not?

Natyrisht, nuk e identifikoj dot zonën e plazhit ku është nxjerrë fotoja: pallatet në sfond nuk më thonë asgjë. Nga Durrësi parapëlqej të kujtoj shtrirjen e gjerë dhe përtace sidomos tek Teuta, me dy-tre çadra dhe ndonjë kamerdare të zezë kamioni, që nxehej dhe përcëllonte si zift, nën diellin lakuriq.

Edhe rëra më mbahet mend e trashë dhe tek-tuk me qime të gjelbra barishtesh, ndërsa bregu shpesh i mveshur me një qilim të murrmë leshterikësh që kundërmonin jod.

Në orët e drekës, vinte e ngrihej një erë që spërkaste gjithçka me kokrriza rëre; dhe mua s’di pse do të më kujtohej, rregullisht, Robinsoni.

Të gjithë ne jemi dëshmi e drojtjes, në mos dyshimit me të cilin i është afruar shqiptari buzëdetit – me të drejtë, pse andej i janë qasur bajlozët. E megjithatë, për ne të dikurshmit, vija e horizontit me ato pak anije që prisnin radhën për t’u futur në port, ishte edhe vija që na e mbyllte botën, si qielli prej muri të kaltër, në The Truman’s Show.

Po këtyre të tanishmëve ku u mbaron horizonti?

2 Komente

  1. Fotoja është ngacmuese, vërtet. Problem i vështirë, të peshosh raportin e turmave me horizontin. Imagjino, nganjëherë njeriu e ka të vështirë të peshojë gjëra shumë më pak të koklavitura, si raporti i individit me horizontin e ca raporte të tjera. Këto më shkonin ndërmend, tek lexoja shkrimin tuaj, pasi kisha lexuar më parë një tjetër shkrim, botuar në rubrikën “Analiza” të gazetës Shqiptarja.com, nga drejtuesi i gazetës tjetër Shekulli, (shkrimi, me ç’duket, është importuar nga rubrika “Opinion” e kësaj të fundit – mund ta gjeni tek http://www.shqiptarja.com/analiza/2709/dallaveret-e-deputetit-k-k–234164.html). Horizontet e shtyra e të shtrira i bëkan njerëzit me dhimbje koke, me gjasë, nga lodhja e syve.

  2. Shqiptaret e Kosoves kane nje fjale qe e pershkruan kete gjendje: tollovi. Ne fakt kjo foto, ne dukje banale, ka dicka te bukur brenda. Njerez qe e kane rrethuar detin thuajse ne nje ritual adhurimi. Mua me ben pershtypje numri i madh i tyre ulur buze detit. Tek shqiptaret e Shqiperise ky zakon i dikurshem eshte reduktuar ndjeshem. Ndoshta per shkak te njefare ngopjeje me detin. Ata mjaftohen me uljen ne shezhlonge, mundesisht sa me larg reres se lagur. Deti per ta eshte me teper nje gje utilitare. Ndersa per kosovaret deshirimi eshte aq i madh sa e trajtojne akoma detin si nje mrekulli. Aq e vertete eshte kjo sa edhe nje foto e shkrepur si padashje tregon shumicen derrmuese te njerezve qe veshtrojne detin. Ashtu si shumica e besimtareve qe shikojne nga ikona dhe afrohen sa me shume drejt saj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin