SA ME ZERO?

Drill2.Disa ndeshje të këtij botërori të futbollit i kam parë në ESPN, me streaming; dhe me këtë rast jam mërzitur për vdekje me statistikat e njëpasnjëshme që më derdh në prehër komentatori përkatës.

Më thonë që në ShBA e kanë zakon të merren me “statistika” të sportit; por unë që nuk ia them shumë për sportet e këtushme, këtë s’e di.

Ndoshta ka ndonjë sport ku statistikat të jenë vërtet me rëndësi për publikun; por sa për futbollin, kam aq përvojë si spektator sa të them se shifrat që vlejnë, u duhen trajnerëve (sa km ka bërë një lojtar, sa herë ka pasuar gabim, etj.); ndërsa ato të tjerat nuk i duhen kujt, madje as kompjuterit.

Sa herë ka ndodhur, në gjashtë edicionet e fundit, që ekipi që i kalon tetëshet me penallti, të fitojë pastaj titullin? Nuk e di dhe nuk dua ta di – është një e dhënë krejt e kotë; po aq e kotë sa edhe numri i vezëve që kish ngrënë për mëngjes Balotelli, ditën e ndeshjes së lavdishme, historike, epike të Italisë kundër Uruguait.

Sa herë i ka qëlluar Uruguait vetë, që të ta ketë filluar një ndeshje të botërorit në disavantazh, dhe pastaj të ketë barazuar?

Nuk e di dhe nuk dua ta di.

Sa janë shanset kozmike që Kolombia të shënojë tani gol nga një goditje këndi?

Nuk e di. Chi se ne frega?

E kështu me radhë. Falë teknologjisë kompjuterike, komentatorëve s’u mbetet veçse të zgjedhin midis shifrave dhe krahasimeve të panumërta, që u dalin përpara syve.

Më thonë se në ShBA lezeti i sportit televiziv janë statistikat: publiku nuk do aq t’ia dijë si do të dalë ndeshja, sesa si do të ndryshojnë statistikat pas rezultatit.

Në një muhabet që bëhej për këtë temë, gjatë një ndeshjeje në ekran, më vajti mendja dhe thashë: amerikanët i kanë qejf këto statistika pa kuptim njëlloj siç kanë qejf edhe lojërat e fatit (gambling), llotarinë dhe bursën.

Me optimizmin e tyre karakteristik, ende besojnë se rastësia (randomness) nuk është veçse nënprodukt i të dhënave të pamjaftueshme.

Kam njohur – këtu në New York – njerëz përndryshe me IQ normale, që më kanë shpjeguar se e kanë një sistem të tyrin për të fituar në roulette.

Di që ka edhe revista dhe botime të tjera, gjysmë okulte, që u kushtohen lotarive dhe lojërave të tjera të fatit; dhe që blihen nga të apasionuarit.

Sa për bursën, më mirë mos e hapim këtu këtë temë – por kushedi ia vlen të rishohësh filmin π të Daniel Aronofsky-t.

Po mjaftohem të vërej, kështu anash, se ata që e dinë paraprakisht se kush do ta fitojë ndeshjen, ose se cili aksion në bursë do të fitojë (ose humbasë) në vlerë pas një ore, nuk është se u vënë shumë veshin statistikave.

Për mua, një nga lezetet e futbollit është se rezultati i një ndeshjeje është gjithnjë pak i paparashikueshëm: mund të ndodhë, siç edhe ka ndodhur, që edhe Davidi ta mundë Goliath-in.

Në shah, bie fjala, për këtë nuk mund të shpresohet; madje as në basketboll, dhe as në volejboll dhe në sporte të tjera që nuk ka pse t’i përmend kot; ku ndeshjet i fiton, si rregull, pala që ka luajtur më mirë (çka edhe mund të vërtetohet me anë të shifrave).

Pa elementin e shansit, futbollit i mbetet vetëm koreografia.

Prandaj më është dukur gjithnjë e mërzitshme, vitet e fundit, të ishe me Barcelonën: një skuadër që jo vetëm gjithnjë fitonte (duke luajtur bukur), por edhe dihej si do të fitonte (duke luajtur bukur).

Është si të shohësh të njëjtin film dhe të hash thonjtë prapë, kur heroi përpiqet të ndalë, me forcën e intelektit vetëm, detonatorin atomik.

Madje fitorja vërtet morale, në futboll, është ajo e të voglit – që i sfidon pritjet dhe rendin e sendeve, nëpërmjet sakrificës dhe fatit.

Ç’hyn këtu statistika, do të më pyesin. Hyn, sepse statistika, sado elementare, është edhe një mënyrë për t’i renditur numrat, ose për të gjetur rregullsitë në çfarë dukej si thjesht kaos; dhe për të pikasur prirjet e ndryshimit në kohë, dhe për t’i izoluar ato prirje mes kaosit ose zhurmës.

Ka njerëz të cilëve statistikat u pëlqejnë, sepse ua lehtësojnë pak ankthin para rastësisë, duke vepruar sipas mekanizmit klasik të një droge qetësuese.

Unë kam pasë pirë shumë duhan, dikur gjatë ndeshjeve që më interesonin; prandaj edhe ua kuptoj hallin këtyre të tanishmëve. Njëlloj siç më qetësonte mua nikotina, i qetësojnë këta numrat nga e kaluara.

Nëse synimi final i statistikave që i jepen publikut është të parashikojnë rezultatin e ndeshjes me ndonjë farë saktësie (siç parashikohet sot moti, në bazë të Big Data), atëherë synimi sa final aq edhe jetik i sportit kompetitiv është që t’i përgënjeshtrojë këto shpresa.

Kjo kushedi lidhet edhe me bastet sportive, të cilat variojnë sipas “forcës” së skuadrave që ndeshen; dhe me bastet kemi hyrë, edhe një herë, në territorin e lojërave të fatit.

9 Komente

  1. Prandaj më pëlqen shumë kur thonë se topi është i rrumbullakët. Pikërisht se nuk i dihet.
    Sa për statistikën këtu duhen cituar dy të mëdhenj në fusha të ndryshme. I pari, Charles Bukowski, lidhur me besueshmërinë e statistikave ka thënë: “Nuk kam besim shumë tek statistikat, sepse një njeri që e ka kokën në furrën e ndezur dhe këmbët në ngrirësin e frigoriferit ka temperaturë mesatare”.
    I dyti, Jean Baudrillard, ka shkruar: “Statistikat janë një formë e realizimit të dëshirës, njëlloj si ëndrrat”. Më duket se kjo e fundit i shkon për shtat atyre që i përdorin statistikat për të luajtur bixhoz.

  2. Ne teresi, edhe pse neper te ka te verteta, ky shkrim me ndjell nje analogji….. i ngjan pak ankimit te atij lexuesit qe pasi ka lexuar nje liber artistik (fiction) cuditet dhe revoltohet perse faqet e fundit te librit i jane kushtuar nje jeteshkrimi te shkurter te autorit dhe thote:” E c’me duhet mua se kur ka lindur ky autor? As e di as qe dua ta di”. Ose dikujt qe ankohet perse aksh liber eshte pajisur me shenime shpieguese te numertuara, sepse numrat e bezdisin gjate leximit etj. etj.

    Argetuese pastaj jane citimet qe sjell Pishaku ketu me lart. I pari, ai i Bukowskit, neqoftese zoteria e tij ka pasur nje moment Seinfeldi dhe ka bere nje shaka, hajde dhe po qeshim pak (ne kete rast i humb serioziteti per citim, ama), neqoftese i eshte dukur se ka pasur nje moment ndricimi dhe ka qene serioz kur e ka thene, vetem se ka demostruar se “di statistica capiva un tubo”.

    Ky i dyti, ka bashkuar ne nje fjali kategori qe nuk kane lidhje me njera tjetren, gje qe u ndodh shpesh filozofeve.

    Duke i permbledhur te dyja ne nje, te dy zoterinjte e shquar kane marre guximin te komentojne nje dege te matematikes, per te cilen nuk disponojne kredenciale publike, me fjale te tjera eshte njelloj sikur nje statisticien lidhur me besueshmerine e gjuhesise (linguistikes) pak a shume te thoshte: “Nuk kam besim shume te gjuhesia, sepse kinezet dhe anglezet perdorin fjale te ndryshme per te emertuar te njejtat sende”.

    1. Shkruan:

      te dy zoterinjte e shquar kane marre guximin te komentojne nje dege te matematikes […]

      Komenti im – që tani e fshiva – buroi nga një keqkuptim imi. I kërkoj të falur kolegut që lëndova, për aq sa mund të vlejë kjo.

      1. Xha Xha e ke keqkuptuar komentin tim totalisht. Kur them “dy zoterinjte” nuk ju referohem aspak juve dhe Pishakut, por Bukowskit dhe Baudrillard-it. Nga ky keqkuptim pastaj rrjedh nje prrua qe une nuk po merrem ta komentoj, sepse nuk dua qe fjala te nxjerre fjalen kot me kot. Po e le me kaq duke theksuar edhe nj here se jemi keqkuptuar.

          1. E çmoj qendrimin tuaj Xha Xha, appology accepted dhe po, vlen. Lexova pjesen e dyte te “Sa me zero?”. Sipas shenimit qe keni vene atje do te mundohem te jap informacion rreth perdorimit te statistikes, si disipline shkencore ne parashikimin e ngjarjeve te ndryshme, si dhe ato sportive. Me duhet te gjej kohe per ta shkruar, por po e premtoj qe do ta bej.

    2. Shkruan:

      Argetuese pastaj jane citimet qe sjell Pishaku ketu me lart

      Nuk desha ta dëboj statistikën nga tryeza e nderuar e shkencës. Punoj me të shpesh, edhe pse jo në nivele shumë të sofistikuara, për temat me të cilat merrem, natyrisht. Kjo nuk më pengon t’ia njoh limitet, e sidomos më autorizon t’ia stigmatizoj përdorimin e keq që i bëhet shpeshherë.
      Meqënëse i paske inat citimet, po të jap dy të tjera. “Nëse i torturon numrat për shumë kohë, do të rrëfejnë gjithshka” (Gregg Easterbrook), çka tregon se numrat duhen lexuar mirë e mbi të gjitha nuk duhen instrumentalizuar. Por më pajtues po më duket gjykimi tjetër: “Statistikat janë si bikini. Çka tregojnë është sugjestive, por çka fshehin është më e rëndësishme” (Aaron Levenstein).

      1. Pishak, si e ke shkruar kete koment nuk eshte se jam kondra. Nqs qellimi ishte “te stigmatizoje perdorimin e keq”, atehere citimet e dyta jane me te pershtatshem. Meqe ra fjala une nuk kam gje kunder citimeve, por citimet ne komentin e pare nuk “stigmatizojne PEDORIMIN E KEQ TE STATISTIKES”. citimet ne komentin e pare “STIGMATIZOJNE VETE STATISTIKEN” te pakten ashtu sic i kuptoj une, ndaj edhe fola per kredencialet publike te personave qe kishin prodhuar ato xhevahire.

  3. Ne fakt, me sa di une, ruleta eshte nje nga lojrat e fatit qe i “nenshtrohet” me shume rregullave te probabilitetit. Keshtu qe personat te cilet kane thene se kane nje sistem te tyrin nuk besoj se jane larg nga e verteta. Madje edhe ne futboll ka sisteme qe jane pergjthesisht fituese megjithese te rrezikshme. Edhe keto kane per baze statistikat. Mirepo ashtu sic permendet ne artikull futbolli eshte nje nga lojrat me kapricioze.

    Dhe meqe jemi tek shprehjet po e permend edhe une nje:
    “Statistikat jane si minifundet. Nuk i tregojne te gjitha!”.
    Nuk e di kush e ka thene. Ndoshta ndonje femer. Sidoqofte meshkujt do te preferonin gjithnje nje trup me minifund sesa me nje fund te gjate…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: