ALTERNATIVA ENVERISTE

Gazeta Shekulli ka përcjellë këto ditë një emision televiziv të ABC-News kushtuar disa dokumenteve të reja të CIA-s për Enver Hoxhën – në kuadrin e një interesi të shtuar për figurën e Hoxhës, ndoshta edhe në përkim të përvjetorit të vdekjes së tij.

Më interesante se vetë materialet e sjella (faktoide krejt të konsumuara për jetën private të diktatorit shqiptar), m’u dukën reagimet e anonimëve në komentet, meqë tani apologjia e Hoxhës dhe lavdërimi publik i virtyteve të tij duket se janë kthyer në mainstream; dhe nuk lidhen më, të paktën drejtpërdrejt, me ndonjë vizion politik të së majtës.

Çfarë e bën aktual dhe urgjent mallin për “komandantin” i ka rrënjët në zhgënjimin e madh të njeriut të rrugës, me mënyrën si kanë shkuar punët pas përmbysjeve të mëdha të viteve 1990.

Në një farë mase, enverizmi vjen edhe si reaksion ndaj pakënaqësisë së thellë, viscerale, të masës me politikanët që janë sot në krye të punëve; dhe me mënyrën si po bëhet politika.

Veçanërisht enverizmi paraqitet si një formë simbolike, nëmos si alternativë e mirëfilltë, ndaj berishizmit.

Kjo masë komentuesish apologjetë të Enverit vjen e përzgjedhur sipas gjithfarë kriteresh që nuk lejojnë përgjithësime me natyrë statistikore – prandaj më poshtë do të marr në vështrim vetëm lëndën e apologjisë, pa u shqiptuar për përhapjen e saj.

Nuk ka dyshim se, për komentuesit e Shekullit, por edhe të mediave të tjera, Enveri po këqyret tani si lideri që u dha shqiptarëve dinjitet – jo aq drejtpërdrejt, sesa nëpërmjet dinjitetit që ia dha shtetit shqiptar, në arenën ndërkombëtare; ose ngaqë “e lartësoi emrin e Shqipërisë në botë” dhe “e bëri Shqipërinë të fortë dhe të paprekshme” sikurse edhe “i bëri shqiptarët zot të vetvetes”.


pa emer

Ata që flasin, veçanërisht vlerësojnë tek lideri virtytin e trimërisë dhe guximit, përballë të huajve; dhe sidomos përballë serbëve dhe grekëve.

Për këtë arsye, sipas një komentuesi, “antienverizmin sot e kanë nxitur serbët dhe grekët.”

Enveri lartësohet, si lider politik dhe udhëheqës shpirtëror i një populli në kontekstin e marrëdhënieve të shqiptarëve me të huajt.

Spikat kështu, te një pjesë e madhe e komentuesve, një lloj vizioni paranoid i botës, të ndarë midis shqiptarëve nga njëra anë dhe armiqve të tyre nga ana tjetër; vizion që duket sikur i ka rrënjët në përvojën e përsëritur të poshtërimit prej “të huajve.”

Sipas këtij kornizimi, hapja e trojeve shqiptare – në Shqipëri dhe në Kosovë – ndaj botës, dhe shtimi i kontakteve me Tjetrin në çdo nivel, përfshi edhe atë kapilar, e kanë futur dinjitetin e shqiptarit të rrugës në krizë, duke i dhënë këtij prova të përditshme të inferioritetit.

Enveri thirret, kështu, si figura mitike shpëtimtare, që do t’u japë edhe një herë dërrmën të huajve – si dikur grekut, si dikur serbit, si dikur rusit – për t’ia kthyer shqiptarit të rrugës, njeriut të thjeshtë dhe të paprivilegjiuar, të papunëve dhe të varfërve, krenarinë e dikurshme dhe të merituar.

Edhe një herë, steriliteti i Shqipërisë burg, të ndërtuar nga Enveri, dhe mbyllja e saj ndaj botës vihen përballë degradimit të shqiptarisë sot, sidomos të brezit të ri; dhe katastrofës sociale të emigrimit.

capitals

Duke e shpërfillur tipologjinë e ndryshme të regjimeve politike të Enverit, përkatësisht të shtetit post-komunist, komentuesit bëjnë me faj lidershipin e sotëm politik për problemet e mëdha të shoqërisë shqiptare, njëlloj siç ia atribuojnë Enverit rezultatet dhe zhvillimet politike të periudhës së mëparshme.

Kësisoj, nëse mbyllja e kufirit dhe e vetë qytetarëve të Shqipërisë në kafaz, në atë periudhë, mund të ketë cenuar liritë individuale, kjo u kompensua për bukuri nga “shtimi i popullsisë,” një e mirë absolute; në një kohë që sot “shqiptarët sillen rrugëve si qen endacakë” dhe po ndodh shkatërrimi i projektuar i këtij populli.”

Njerëzit e evokojnë mendërisht Enverin si njeriun, liderin dhe bariun që do t’i shpëtojë nga katastrofat e sotme; dhe, në shpëtim e sipër, do t’ua pastrojë vetëdijen nga komplekset e humbjes, madje të disfatës në garën e jetës.

Kjo dukuri ka njëfarë ngjashmërie me ankthin që kaplon një kafshë deri dje të zbutur, kur e sheh veten të lirë, në mes të pyllit; dhe mund të interpretohet edhe si pasojë e domestikimit që u bëhet qytetarëve, nën regjimin totalitar.

Masa e apologjetëve të Enverit vjen dhe i ngjan kështu një grigje të mbetur pa bari.

Ky bari dhe profet, që në kohën e vet i udhëhoqi shqiptarët drejt Tokës së Premtuar: lirisë si popull, pavarësisë dhe dinjitetit ndërkombëtar, tani rithirret në skenë si alternativë ndaj lidershipit të sotëm politik shqiptar – joburrnor, të gjunjëzuar ndaj të huajve, të shitur tek armiku, të korruptuar, të etur madje të pangopur për pasurim.

Prandaj edhe apologjinë enverizmit e dëgjon t’ia bëjnë njerëz të thjeshtë, zëra nga poshtë, anonimë; që identifikohen me masën e paprivilegjuar dhe të pagojë; dhe që e kërkojnë dinjitetin e tyre, si individë, tek dinjiteti i grupit të cilit i përkasin.

Kështu Enveri rikthehet në skenë si ikona e kombëtarizmit shqiptar të këtij fillmshekulli.

Është tipike, për këtë lloj kombëtarizmi, që të shpërfillë të drejtat e njeriut në emër të së mirës së përbashkët të kombit; ose, siç thuhej dikur, të bëjë thirrje “për të vënë interesin e përgjithshëm mbi atë personal,” duke kuptuar, me interes të përgjithshëm, interesin kombëtar të shqiptarit.

Dhe këtë përmbysje interesash mund ta energjizojë dhe ta mundësojë vetëm një politikan i cili perceptohet, prej qytetarëve, si lider i vërtetë – dhe jo si oportunist që e përdor pushtetin për të çuar përpara interesat e veta dhe të klanit përkatës.

Shumë njerëz; ose të paktën shumë nga anonimët që komentojnë në gazetat, ia njohin këtë virtyt politik Enverit – aftësinë për t’i bërë njerëzit të sakrifikojnë, në emër të një ideali; çka do të ishte praktikisht e paimagjinueshme, në kontekstin politik të sotëm.

Dhe meqë rrugëdalja nga kriza e sotme ekonomike dhe sociale do të kalojë detyrimisht përmes sakrificës, atëherë figura e Enverit dhe karizma e tij rikthehen vetvetiu, krahas vetëdijes për nevojën e një lideri politikisht perfekt.

 

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, shumë në formë me këtë artikull, por unë do shtoja se më shumë se rikthim tek Enveri, ky fenomen është një artikulim i qartë i rrënjëve të nacionalizmit shqiptar siç e formulojmë e siç e përjetojmë sot. Pavarësisht përmendjes a mospërmendjes së Enverit, nacionalizmi shqiptar trupëzon të tëra vlerat që i visheshin Shqipërisë së ‘forcave të saja’.

    Gjithashtu, ‘shkatërrimi i projektuar i këtij populli’ është një fjali fantastike.

  2. Vertet, shperthimi i kesaj ere te keqe mund te shpjegohet ne nje fare menyre me zhgenjimin nga politika e diteve tona (e tere ketyre viteve), por kur mendoj se gjithsei ne saje te kesaj politike (e te aleancave qe gjen ajo) sot njerzit jetojne me mire, se ne saje te saj ata levizin me shume, kane me shume mundesi per arsim e argetim mund te shprehin e fomulojne hapur problemet e tyre, te protestojne etj., atehere detyrimisht do te kete edhe diçka tjeter. Kam frike se shprehja qe dhuna sjell friken dhe frika ngjall respektin, nuk duhet te jete shpjegim i keq per te kuptuar keta nostaligjike te se keqes. Me keq, kur skllaveria (puna e rende per shume vete, ushqimi i keq, mungesa e çdo lirie, dhuna psikologjike etj), pra kur nje gjendje e tille zgjat shume atehere ajo nis e perceptohet si gjendja (kondicioni) natyrale e njeriut. Po lexoj nje biografi te mbretereshes Viktoria dhe po shoh se si 150 vjet me pare ajo e fillonte diten e saj duke hapur me frike gazetat se çfare thonin per te e per qeverine e saj. Dhe kur mendon se nje gje e tille ishte e paimagjinueshme njezet vjet me pare ne Shqiperi, atehere kam frike se trupi i ketyre njerezve qe shkruajne keshtu banohej nga nje shpirt skllavi. Le te krahasojme dy mjediset sociale dhe do te habitemi me pak me natyren e individeve qe ato kane kultivuar.
    Dhe historia perseritet. Nuk jane keto lloj individesh shqiptare te parët qe ndihen te humbur kur ngrihen ne mengjes dhe te vatra nuk shohin hijen e pater familias. Ndihen te turbulluar, urrejne gjithçka, ulerijne, duan te dalin jashte por kane frike. Askush nuk eshte aty t’u thote nga duhet te shkojne.
    Mbi te gjithe eshte problemi i fqinjeve, i armiqve te perjetshem. Si do behet me ta perderisa ai qe dilte te frengjia dhe tundete shkopin ndaj tyre ne mengjes e ne mbremje, nuk eshte me ne kete bote? “E mira” e nje politike konfliktuale eshte se i mban te ngrohta plaget e paleve dhe sa kohe qe jane te ngrohta ato nuk dhembin aq shume. Kete e kuptoj, por komùentuesve tane nuk u dhembin as sot e kesaj dite.
    Atehere duhet te kete gjesendi tjeter. Befas ata kane mesuar se fqinjet kane nje jete te tere qe e kane harruar ekzistencen e tyre! Eshte e rende. Urrejtja e supozuar e te tjereve ndaj nesh (ndaj disave prej nesh) ishte edhe ajo nje motiv brilant ekzistence. Dhe kur nuk gjen njeri te te urreje, kjo do te thote se ti nuk ekziston. Çfare the? Perserite edhe nje here?
    Dhe do te kete gjithmone nga ata qe do te kerkojne të dalim atje ku ishim.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: