Të gjithë jemi të një mendjeje që shkolla nuk po i shfrytëzon ende mirë teknologjitë e reja: kompjuterin, telefonin celular, Internetin, tabletat; dhe kjo qëndron edhe për shkollat në vende teknologjikisht të zhvilluara, megjithëse eksperimentet dhe risitë nuk mungojnë.
Në lidhje edhe me sa shkroi Lyss në esenë e vet, unë do të kisha përfshirë patjetër elemente të programimit, që në shkollë të mesme, si pjesë e një ndryshimi rrënjësor, i cili të parashikonte edhe futjen e elementeve nga e drejta, ekonomia dhe financa, dhe administrimi i shëndetit.
Megjithatë, programimi mund të jetë edhe jashtëzakonisht i mërzitshëm dhe t’i bëjë nxënësit të humbin përgjithmonë interesin për t’u marrë me zhvillim të softuerit. Nga eksperienca ime, meqë kam ndjekur dikur kurse në C dhe në C++, sa kohë që sfidat mbeteshin abstrakte dhe vetë lënda i ngjante matematikës, më tërhiqte jashtëzakonisht; por sapo u kalua në probleme dhe sfida nga jeta reale, filloi të më dukej vetja si milingonë.
Nga ana tjetër, shahu i përket një paradigme tjetër – asaj që kombinon edukimin abstrakt me zbavitjen; meqë është, në fund të fundit, lojë.
Duke qenë vetë i apasionuar pas shahut, e kuptoj se argumentit nuk i qasem dot me paanësi; nga ana tjetër, meqë edhe i ndjek prej kohësh politikat e FIDE-s, jam pothuajse i bindur se premtimet elektorale të Kasparovit nuk kanë për t’u realizuar ndonjëherë.
Çështja nëse ia vjen apo jo të përfshihet shahu në shkollë, qoftë edhe si lëndë fakultative, më çon te një diskutim pak më i gjerë, që ka të bëjë me hapësirën që i duhet lënë lojës, në shkollën e shekullit 21.
Dhe këtu kam parasysh, sidomos, lojërat kompjuterike.
Një prej lojërave që më ka kushtuar dhjetëra, në mos qindra orë para monitorit, në kapërcyellin e mijëvjeçarit, ka qenë SimCity – një lojë simulimi.
Për ta përshkruar me dy fjalë, aty lojtarit i jepet një buxhet i vogël fillestar dhe një terren i lirë, ku të ndërtojë një qytet – i të cilit lojtari vetë është kryetar i bashkisë.
Banorët e qytetit kanë nevojë për shtëpi banimi, rrugë, shërbime si ato të elektrikut dhe të ujit, rrugë, dhe vende pune; për të krijuar këto vende pune, duhen ndërtuar fabrika gjithfarësh dhe centrale elektrike; nëse nuk ka centrale, industritë nuk punojnë; nëse nuk ka industri, qytetarët mbeten pa punë dhe nuk paguajnë taksa. Disa zona të qytetit janë më të shtrenjta, sidomos ato larg zonave industriale ose afër detit; disa të tjera rrezikojnë të degradohen, për shkak të ndotjes.
SimCity është lojë e vështirë, pse paratë asnjëherë nuk mjaftojnë. Qyteti kërkon investime: shkolla, spitale, transport publik; mirëpo kur lojtari provon të rritë taksat, banorët largohen. Nëse shpenzohen shumë para në punë publike, p.sh. në pompa uji, parqe, kinema dhe teatro, etj., atëherë njerëzit janë më të lumtur, por arka e bashkisë zbrazet. Loja të jep mundësinë që të marrësh borxh – por borxhet vijnë me interes të lartë.
Gjithsesi, kam mësuar kaq shumë nga ajo lojë, për mënyrën si administrohet një qytet, sa ç’do të kisha mësuar, them, nga një kurs urbanistike i nivelit universitar; dhe e kam mësuar duke u zbavitur – ose më saktë, duke u “torturuar”, që të ruaja ekuilibrin midis shpenzimeve dhe të ardhurave. Më shpesh, qytetet e mia nuk mbijetonin; lagjet e reja braktiseshin, sepse banorët nuk i përballonin dot qiratë; termocentralet ndotnin mjedisin dhe mbingarkonin spitalet; ngaqë nuk më dilnin para për policinë, më rritej kriminaliteti, binte cilësia e jetesës, dhe bashkë me të edhe të ardhurat nga taksat; rrugët bllokoheshin nga trafiku, plaste ndonjë zjarr dhe zjarrfikësit kishin qëlluar larg… dhe pastaj, pikërisht kur më dukej sikur i kisha vënë punët në vijë, aq sa të mund të ndërtoja rezidencën time diku në ndonjë kodër, befas gjysma e qytetit më zbrazej nga banorët, meqë kisha harruar të zgjeroja kapacitetin e ujësjellësit!
Varianti i SimCity që kam luajtur unë u pasua nga Sims, një lojë të cilën unë nuk e luajta kurrë dhe që më është dukur gjithnjë humbje kohe. Por lojërat simulime – si lojërat e biznesit, të qeverisjes, të menaxhimit të projekteve dhe të sistemeve komplekse (p.sh. hekurudhave, parqeve të lojërave etj.), mbeten një nga segmentet më të preferuara të tregut të PC Games.
A nuk do të kishin përfituar nxënësit, sikur të viheshin të luanin, qoftë edhe për dy muaj vetëm, një simulim të tillë qyteti, dhe të mësonin ABC-në e administrimit, kontrollit të bilancit, etj. në moshë të mitur, ose atëherë kur njohuri të tilla nguliten më mirë? Secili do të ndërtonte qytetin e vet dhe pastaj, në krye të çdo jave, do të krahasonte rezultatet e veta me të tjerët; me pak punë, këto qytete edhe mund të lidheshin së bashku në një rrjet dhe të hynin në marrëdhënie mes tyre.
Unë madje edhe një vit të tërë nga lënda e historisë do të kisha sakrifikuar, për t’i vënë fëmijët të luanin Civilization, ose ndonjë nga lojërat e shumta strategjike, me karakter historik, p.sh. Age of Empires, ose Total War – për t’i ndërtuar këto lojëra, kanë punuar disa nga mendjet më të holla në fushat përkatëse; dhe fëmijët do të mësojnë pa dyshim shumë më tepër për historinë, po t’ju kërkohet të jenë pjesë e saj – si mbretër, gjeneralë, diplomatë; por edhe si ushtarë të thjeshtë, nëse dëshirojnë.
Idetë e sjella në këto dy shkrimet e fundit duken vërtet shumë të gjetura dhe shpresoj që të aplikohen një ditë. Por përveç të mirave në fushat e ekonomisë dhe administratimit; një edukim më i mirë apo më i duhur i të rinjve sot mund të sjell nesër qytetarë që bëjnë me pak kompromise me fenomene kaq shqetësuese siç; korrupsioni, shkatërrimi i territorit dhe burimeve, ekstremizmi apo padrejtësi të tjera. Besoj se kush ka mundësi duhet të insistojë edhe në këtë drejtim. Më konkretisht; nuk duhet vijuar me lënien e të ardhmes sonë në duar profesorësh që ngjasojnë me ata tre personazhet-mafiozë të skeçeve të Portokallisë të cilët kishin krijuar një Universitet privat dhe “formonin” studentë.
Shahu nuk mund te konsiderohet elitar sic e permend diku Lyss, perderisa pervetesohet me lehtesi dhe luhet nga te gjitha nivelet ekonomike te nxenesve, duke shtuar ketu, qe preferohet edhe nga nxenesit qe klasifikohen si “me nevoja te vecanta”, me deficenca te karakterit emocional apo akademik.
Ne nje qytet si NY, shahu ne shkollat publike eshte shume masiv. mbreteron; nxenesit kane arritur nivele te admirueshme. Shahu eshte i domosdoshem, sepse ndikon ne shume nivele ne permiresimin akademik dhe aftesine abstraguese intelektuale te femijeve.
Linku i meposhtem jep permbledhurazi avantazhet e perfshirjes ne lojen e shahut.
http://www.edutechchess.com/whychess.html
Shahu apo teknologjia ne kurrikulen e shkollave, duke i filluar te dyja heret, nuk jane perjashtuese te njera-tjetres. Bile jane pjese e kurrikules fakultative, por qe perqafohet me entuziazem pothuajse nga te gjithe nivelet e nxenesve.
Shahu i sherben shume pergatitjes se mendjes te programuesve te ardheshem, inovatoreve dhe aplikuesve te teknologjise.