AVATAR?

Meqë jemi në kontekstin e një diskutimi për raportet e teknologjisë me krijimtarinë artistike, ndoshta ia vlen të thuhen dy fjalë edhe për fenomenin mass-cultural të momentit, ose filmin Avatar, të James Cameron, i cili është duke u shfaqur anembanë botës, duke u pompuar, nga një pjesë e madhe e kritikës, si e ardhmja e kinematografisë.

Stalker i ka bërë një analizë të mirë filmit, me të cilën pajtohem krejt; përndryshe, kritika pro dhe kundër, por sidomos pro, i gjen kudo në Internet – ose të përmbledhura në Rotten Tomatoes.

E pashë filmin para pak ditësh, në 3D – edhe pse jo në IMAX. Nuk mund të them se u mërzita, meqë filmi teknikisht nuk ka të sharë, madje është konceptuar në mënyrë të tillë për ta lënë publikun gojëhapur. Nëse ka kuptim të flitet për kinema baroke, Avatar do të zinte atje kryet e vendit.

Nga ana tjetër, sikurse e dinë edhe fëmijët, filmi është shumë më tepër se imazh; dhe pikërisht këtu “Avatar” ka dështuar – meqë më tepër se film, është një alegori infantile dhe propagandistike, që e përcjell mesazhin e vet ekologjik, irracional dhe antiteknologjik pa kurrfarë finese. Aq i rreshtuar është filmi, sa më kujtoi ca produkte të lashta e të mjerueshme të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që ilustronin, me anë personazhesh të zbehta dhe stereotipike, vendimet e Kongresit të fundit të PPSh-së.

Avatar është teknologjia e vënë në shërbim të irracionales, shqetësimit për ngrohjen e klimës të kthyer në mit histerikësh, adhurimit për primitiven dhe natyrën, urrejtjes metafizike për njeriun e bardhë dhe konceptin e punës dhe të shfrytëzimit të natyrës.

Filmi vërtet nuk më mërziti, por ama shumë herë më zemëroi. Ndryshe nga Cameron-i, unë e kam të pamundur të adhuroj një kulturë krijesash që jetojnë brenda në pemë dhe që e kalojnë jetën duke iu lutur mëmës natyrë, duke kënduar e kërcyer ritualisht, duke mbledhur lule dhe fruta në pyll e duke fluturuar mbi pata; sikurse e kam të pamundur të ndihem fajtor, meqë i përkas një kulture tjetër, ku të bie bretku në punë, për të arritur qoftë edhe komfortin minimal.

Nga kritikat që i janë bërë filmit poshtë e lart, po veçoj dy që më bënë përshtypje.

Së pari, kontradikta madje hipokrizia implicite e një filmi që mbështetet në arritjet më të fundit të teknologjisë dhe që ka kërkuar financime të tilla që mundësohen vetëm nga akumulimi i kapitalit në shoqëritë moderne, për t’i përcjellë publikut mesazhin se teknologjia është e keqe dhe e pashpirt, prandaj duhet të shkojmë të jetojmë në pyllin primordial për t’u sintonizuar me natyrën.

Së dyti, kontradikta, këtë herë simbolike, e një filmi që e përcjell mesazhin në 3D, por që i ka personazhet rigorozisht në 2D, ose të sheshta.

Për mua, Avatar ishte diçka midis një filmi të animuar në kompjuter (si Finding Nemo), një videoloje grafikisht të mrekullueshme dhe një dokumentari për jetën e nënujshme – me ngjyra marramendëse, korale, peshq rrezëllitës dhe meduza fluturuese. Më tepër sesa një vepër arti, ishte një demonstrim i mundësive shprehëse që i ofron artit filmik teknologjia e imazhimit kompjuterik, filmimit në 3D dhe integrimit të aktorëve të gjallë me figura të animuara.

Prandaj unë nuk do ta konsideroja as në lartësinë e filmave të tillë tashmë të vjetër, si Terminator 1 dhe 2, Aliens dhe Jurassic Park; për shkak të skenarit të keq, të rënduar me klishe dhe me një efekt moralizues që nuk mund të honepset.

Çfarë të thuash më tepër, për një film që e arrin efektin e vet jo aq drejtpërdrejt në sallë të kinemasë, sesa nëpërmjet zhurmës që përfton dhe që i shoqërohet si paratekst? Vallë nuk është edhe kjo ndërhyrje imja këtu, konfirmim i të njëjtit dyshim?

Nuk ka komente

  1. Xhaxha une e pashe filmin ne Shqiperi, gjate vezhgimit pata disa momente reflektimi ngase iken dritat ne kinemane Imperial.

    Une jam i njohur me mitologjine e Gaias, ne te cilen bazohen filma te tjere japonez vizatimor si “Final Fantasy: The spirit within.” dhe “Monoko-Hime”. Te dyja keto filma i rekomandoj dhe besoj se Cameron eshte mbeshtetur edhe tek to dhe jo vetem tek “Vallezim me Ujqerit” dhe “Mogli: Djali i Xhungles”. Mitologjia, apo me mire te them filozofia e Nenes Natyre, apo nje energjie te perjetshme pozitive, nuk eshte e keqe, sidomos nese mendojme se kjo ka motivuar shume levizje pozitive pro-mjedisit. Pastaj edhe si ide me duket interesante, mistike.

    E keqja me AVATAR eshte se kerkon te perfitoj nga keto ide meqe jane bere popullore nder shume njerez. Duke e nderthurur kete dhe me vlera amerikane kulturore. Persa i perket filmit nuk ishte i keq. Ngase ka dicka ne te, si per kritike edhe per popull. Per shumekush qe nuk ka pare asnjerin nga filmat e siperpermendur, as e njeh mitologjine e Gaias, nuk eshte i ndergjegjshem per problemet e mjedisit etj., filmi eshte edukativ. Mos harrojme pastaj qe ky eshte bere per publikun amerikan, e mbase e vetmja menyre per t’i terhequr vemendjen e perqendruar ne konsum eshte pikerisht nepermjet filmave te tille, fantastik, aspak real, large te vertetes se perjetuar.

    Fundja nuk me duket ide e keqe qe nje film te jete si blockbuster por edhe me nje mesazh te thjeshte e pozitiv.

  2. Që te isha me i “ndershem” ne opinionin tim me AVATAR-in, e meqe nuk më ish dhene te shihja deri më tash nje film ne 3D, arrita te gjej nje salle te tille dhe te rishohe filmin ne formatin per te cilin pretendon se mbi te gjitha edhe eshte bere. Keshtu qe po shkruaj disa rradhe per pershtypjet e mia pas ketij rishikimi.

    Më teper se me avancimin e perdorimit te tre dimensionales, nga AVATAR prisja nje reflektim estetik ne perdorimin e saj. Më konkretisht : mu duk paradoksale qe, nje film i xhiruar me kamera 3D, te perdore “flou/focal” (blur/focus), pasi nje gje te tille, e shikojme ne filmat “normale” (2D), ndersa ne rastin ne fjale, nje gje e tille supozohet se e zevendeson relievi ! Ishte ndofta kjo arsyeja qe ne disa momente, filmi me dha dhimbje te lehta koke 🙁 .

    Keshtu qe edhe ne nje shikim te dyte, mu perforcua opinioni se AVATAR nuk eshte veçse nje film i zhanrit aventure, me ngjyra fluo te “lezeçme”, e gjitha kjo e shoqeruar me nje nen-tekst politik foshnjeror (ekologjik, me demek… !). Qe filmi te me mbante lidhur më fort pas vetes, do doja qe te pakten heroi i filmit te ishte më i dyzuar (më i lekundur) ne raport me intrigen e filmit, pra ne ate se anen e cilit do mbante : anen e civilizimit nga vinte (planeti Tokë) apo ate te planetit Pandora. Ndersa ne film, qe ne minuten e 9-te, e kemi te sigurt qe heroi kryesor “eshte çun i mire” 😉 ! Manikeizmi eshte total, ndarja me thike midis te mires dhe te keqes eshte foshnjerore : per asnje sekonde te vetme, nuk pata dyshim se ai do i tradhetonte Na’vis-ët, banoret e planetit Pandora, edhe pse filmi, permes mizaskenes, ben gjoja sikur “nuk i dihet, edhe mund ti tradhetoje, keshtu qe, kujdes i dashur spektator, ki mendjen ke filmi !”.

    Tjeter gje qe me irritoi rendshem kesaj here, jane skenat e ceremonive dhe riteve te Planetit ne fjale. Nje film qe evokon shamanizmin (shamanism) dhe e percjell ate permes imazhesh ceremonish gjigandeske te natyres musolino-hitleriane eshte …per te qare e qeshur ! Meqe i perngjan nje shamanizmi ku evokohet degjimi i zerave te stergjysherve, eshte torturuese qe ne vend te tyre, te degjojme muzike te tipit “Indian Sacred Spirit” apo zerin e Maria Carey-t ne sfond ! Nuk mund te gjente Cameron diçka më origjinale per te reprezentuar (pershfaqur) keto rite (nga ana vizuale) dhe keto zera (nga ana fonike) ?? Jemi vite drite larg elegances qe perdor gjeniu Terrence Malick tek filmi i tij i mrekullueshem “The New World”, teksa pershfaq ceremoni dhe rite spirituale te Indianeve te Amerikes, ne shek XVI.

    Pak, shume pak e ka krruajtur koken Cameron-i kesaj rradhe…

  3. Një kërkim të bësh për box-office të filmit Avatar, të krijohet menjëherë përshtypja se po shemben kinematë nga turmat e njerëzve që kërkojnë me çdo kusht të shohin “çudinë” e radhës të një regjizori që tashmë është i salduar përjetësisht me sistemin fitimprurës të studiove në kodrën H.

    Në dy jave shfaqje në Francë, filmin e kanë parë më shumë se pesë milion e gjysëm njerëz. Në USA, filmi ka mbledhur me shumë se 212 milion $. Pa llogaritur vendet e tjera. Pra, siç shihet, JC me shokët e tij të punës, i janë sjellur për dhejtë vjetë këtij projekti, dhe ia arritën qëllimit? Thonë që 3D do demokratizohet. Por kjo në dëmin e shumë kinemave që do i duhet të bëjnë një investim të rëndësishëm, për të projektuar filmat në 3D apo dhe në dixhital. Dihet se SONY (meqë edhe është pronar e një studioje të famshme të kodrës H; si dhe simotrat të tjera the big five të cilat janë blerë e shitur e riblerë nga kompani të ndryshme: Paramount, MGM, Warner, Twentieth Century Fox, RKO) po punon rëndë për t’i kthyer filmat në file dixhitalë dhe ta varrosi përfunidmisht shiritin. Por a do ia arrijë qëllimit? Kjo do të shihet pas disa vjetësh, pasi tani për tani shiriti akoma ka besnikë dhe ndonjë laborator akoma gjen punë.

    Po filmi i shumë reklamuar kudo anë e mbanë globit tokësor? Cfarë thotë për gati 2h42 minuta? Ku është historia? Si tregohet ajo? Për çfarë na jepen këto lloj ingranazhesh teknollogjike? Që të jemi më të pasigurtë në planetin tokë? Po pse gjithë kjo dshuri për fantastiko shkencoren? Pse?

    Të gjitha këto pyetje si dhe shumë të tjera nuk arrita t’i marr në formën e një përgjigjeje të prerë: ja ku është historia, mesazhi dhe detyrimi që unë i kam njerëzimit!

    Ata që kanë parë shumë filma e dinë se John Ford ka bërë disa filma me indianë. Indianët me shigjeta, të bardhët me pushkë, me intriga, me kurthe, me urrejtje. Indianët me lutje shamanike, të bardhët me gjeneralë të sprovuar, me ushtarë të etur për pushtim.

    Po kështu dhe spanjollët apo portugezët, me Mayat të cilët u shfarosen nga pushtuesit e rinj. Po ashtu dhe JC me jashtë tokësorët të cilët duhet të shfrytëzohen nga tokësorët për ndihma të tjera.

    Kësaj radhe tokësorët nuk arrijnë të fitojnë, megjithë armatimin deri në dhëmb të ushtrisë ultra moderne. Përsonazh me optimizmin e tij arrin të nënshtrojë patën gjikande Towok dhe t’i rrëmbejë zemrën vajzës së krytarit të fisit.

    për mua s’kishte asgjë tjetër ky film që nuk më la gojë hapur me teknologjinë e tij. Në disa plane i hoqa syzet, dhe 2D ishte e mjaftueshme. Nuk e kuptoj këtë konfuzion me arritjet gjoja të mëdha të 3D-së? Për mua është një argument marketingu se si e si t’i shfrytëzojnë konsumatorët. T’i rrjepin ato se përveç çmimit të biletës, duhet të paguash edhe për syzet e kauçukut të shoqëruara me një facoletë të njomur për fshirjen e yndyrës e përdoruesit para nesh.

    Pra me Avatar, apo pa Avatar, nuk besoj se e ardhmja e kinemasë do të ketë ndryshime. Filma si Avatar, Matrix, e të tjera produksione të sofistikuara, bëjnë shumë zhurmë për asgjë, fundja gjithë kinemaja (në shumë raste) bën zhurmë për asgjë, se mbetet dhe konsiderohet si një art i ri, i cili akoma s’ka kaluar moshën e adoleshencës. Presim se si në vitin 1154, tokësorët apo jashtë tokësorët do e përdorin këtë art për t’u argëtuar dhe propaganduar mesazhe dhune e dashurie.

  4. eeeee, o asnjan’s po pse thua finalen e findit mo? ne s’e kemi pare ende?

  5. sa keq!

    Nuk besoj se ia tregova fundin filmit, as dhe enigmën që rri fshehur pas çdo komenti, kritike apo reklame të një filmi.
    E them këtë se që nga fillimi e parashikon (të paktën 99. 9%) fundin.

    1. Me gjithe shkallen tende te larte te parashikimit (e imja ishte kushedi sa here me e ulet !), më duket se ne nuk vijme ketu per te treguar funde filmash 😉

  6. “(U)ne e pashe filmin ne Shqiperi, gjate vezhgimit pata disa momente reflektimi ngase iken dritat ne kinemane Imperial. ”

    Me tranoi kjo fjalia e njerit prej komenteve me siper. Tirana jone e mire, me pretendimin e pavdekshem imperial, te cilin padyshim qe ngarkesa e rrjetit vjen nje cast dhe e hedh pertoke, aty buze Lanes, me nje “trak!” banal.

    Xhaxhai thote: “(K)ontradikta, këtë herë simbolike, e një filmi që e përcjell mesazhin në 3D, por që i ka personazhet rigorozisht në 2D, ose të sheshta.”

    Por nje tjeter kontradikte simbolike plus prodhohet ne kryeqytetin tone, ku filmi hiperteknologjik nderprehet gati ekologjikisht permes, me qirinj. Filmin e Cameron-it, sipas rrethanes se dyfishte antiteknologjike (nje te veten e nje te perftuar me forcat tona), mund ta komentonim me ekuacionin 3D + TR(imperial) = zer0D. (c.d.v.)

    Kinematografine, me shume se gjithcka, e kam pare perhere si nje lloj sporti tavoline, midis shahut dhe ping-pongut. Performanca e spektatorit mban ritmin e filmit me teper se e anasjellta. Dhe ja ku ikin dritat e kinemase Imperial dhe na rikthejne per pak luksin klasik te lexuesit: momenti clirohet nga fiziciteti imponues, mendja del nga ingranazhi i konvejerit, per te ecur zbathur sipas ritmit meditativ me te cilin procedohet gjetke, ne arte me “intelektuale” se sensuale.

  7. Si pjesetar i nje brezi te apasionuar pas fantastiko-shkencores dhe si kritik medioker kinematografie 🙂 nuk mund ta humbisja rastin per te pare nje film te pompuar me aq zgjuarsi dhe zhdervjelltesi manaxheriale. Nga filmi mbeta po aq i kenaqur sa nga nje “flix” i realizuar mire por me pak vlera. Teknologjia 3d mua nuk me beri pershtypje fare sepse nuk arriti te amplifikoje asgje nga nga ndonje vlere e filmit. Ishte thjesht nje loje interesante teknikisht per tu pare.

    Ndersa thenieve se ky film eshte nje nga filmat me te mire fantastiko shkencor do ti pergjigjesha qe te shohin nje film tjeter fantastiko-shkencor te dale pak jave/muaj me pare e te titulluar “Moon” (2009, Sam Rockwell). Krahasimi me pas mund te behet relativisht lehte.

  8. Thuhet se filmi Avatar, një produksion që ka kushtuar më shumë se treqind filma regjizorësh të talentuar (300-500 milionë $), ka kaluar një miliard $ fitime (nga shitja e biletave).
    Shihet se ka bukur ka funksionuar “loja mashtruese” skenaristike, teknologjike e rrethit JC: ekologji, toka jonë që po shterrohet nga lëndet e para, frika nga pushtimi, dhe vazhdimi i jetës, kushdo qoftë njeriu.

  9. Mua Avatar me ngjau kryekeput ritregim i Pokahontas dhe Kapiten Smithit. Nderkohe, me ka marre malli per nje fund alla 100 vjet vetmi, ku autori te dergoje nje furtune apokaliptike, apo thjesht te demonstroje shkaterrimin total te botes qe ka krijuar vete.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin