FIGLIA DI DONNA ARBERESH

(Autorja e tekstit më poshtë, Barbara Gabriella Renzi, është bija e një gruaje arbëreshe me fisnikëri të rrallë, Elsa Musacchio Renzi, nga Portkanuni (Portocannone) i Molise-s, që prej dekadash punon për të mbrojtur, mbështetur dhe popullarizuar traditat unike të komunitetit të saj, tradita me të cilat jeton dhe i shijon me gëzim të ripërtërirë çdo ditë. Nuk kam njohur kurrë në jetë një arbëreshe më të gëzuar për identitetin e saj, se Elsa.

Elsa Musacchio

Elsën pata njohur kur shkova për herë të parë në Itali; së bashku me të shoqin italian, Stefano Renzi, më hapën dyert e shtëpisë dhe u bënë familja ime e dytë, gjatë kohës kur jetoja në Romë. Më pas, kur u ktheva në Shqipëri, në vitin e errët 1990, ishin Elsa dhe Stefano, që praktikisht ma shpëtuan vajzën time ende foshnje, nga një sëmundje e keqe, dobësuese që ia shkaktonte qumështi i helmët i bulmetoreve të Tiranës… duke siguruar për mua sasi të mëdha të një formule ushqimi për fëmijë, të cilat m’i solli pastaj Rando Devole nga Roma.

Barbara Renzin e mbaj mend mirë atëherë kur ende gjimnaziste, me një pasion për “early Genesis” – një grup i prog-rock-ut klasik që edhe mua më do të më pëlqente pastaj shumë, early or not early.

Barbara tani jeton në Berlin dhe është shkrimtare: një profesion që nuk më habit hiç, te një arbëreshe!

Komunikoj me të herë pas here në Facebook, siç komunikoj edhe me Elsën vetë. Këto ditë i kërkova, nëse gjente pak kohë, t’i përgjigjej për mua pyetjes se çfarë do të thotë, për të, që të ishte vajzë e një nëne arbëreshe; madje, aq arbëreshe sa Elsa.

Përgjigjen e saj po e përcjell më poshtë (me përkthimin tim. A.V.)



Çfarë do të thotë për mua, që të jem bijë e një nëne arbëreshe?

nga Barbara Gabriella Renzi

Nuk dua ta nis me përkufizime ose me lista fjalësh, mbiemra të tillë që të përkufizojnë fëmijërinë time ose karakterin e sime mëje. Po ju tregoj virtualisht muret e shtëpisë sime. Jo të asaj të tanishmes, meqë para pak kohësh kam lëvizur në Berlin dhe jam ende e rrethuar nga një rrëmujë kutish. Por në të gjitha shtëpitë ku kam jetuar më parë, gjithnjë kam pasur një pjatë druri, të varur në një cep: një send që ma ka sjellë nëna. Paraqet një shqiponjë me dy krerë. Po të shkojmë në kuzhinë, kam në frigorifer një magnet, me kokën e Skënderbeut. Dhe kur kalojmë në dhomën e gjumit dhe hapim një kuti druri, gjejmë aty ca gjëra të çmuara, një palë vathë prej argjendi, të punuara me filigranë. Gjejeni se nga vijnë?

Barbara Gabriella Renzi duke festuar 30-vjetorin.

Kur i kërkuan tim biri të shkruante një hartim për një personazh historik të rëndësishëm, gjejeni kë zgjodhi? Aq shumë patën ndikuar tek ai rrëfimet e gjyshes, sa edhe zgjodhi të shkruante për Skënderbeun.

Pasi jetova shumë vjet në Mbretërinë e Bashkuar, u transferova në Gjermani. Im bir, në shkollë, nuk gjeti ambient dhe aq të qetë – asgjë alarmante, gjëra që ndodhin. Por ai e gjeti rrugëdaljen kështu: u lidh menjëherë me dy fëmijë shqiptarë, Arbër dhe Marko, që ia bënë ditët më të lehta, madje edhe zbavitëse. Në Këln pata rastin të njihem me një zonjë italiane shumë të këndshme, me të cilën u afruam shpejt. Jo ngaqë kemi shumë interesa të përbashkëta, por ngaqë më tërhoqi shumë, për një arsye që në fillim nuk e kuptoja. Pas ca kohësh që takoheshim dhe rrinim bashkë, zbulova që ishte arbëreshe! Përfytyroni si mbeta gojëhapur. Gjithnjë kisha kujtuar se ishte kalabreze, por pastaj, rastësisht, e dëgjova të bisedonte me një të familjes së vet… dhe e zbulova se ishte arbëreshe. Ja çfarë do të thotë, të jesh bijë e një gruaje arbëreshe: të jesh pjesë e një kulture dhe ta gjesh veten gjithnjë pjesë të asaj kulture, edhe kur nuk e vë dot re.

Nëna ime e mësoi italishten kur shkoi të banonte në Romë: gjuha e saj është ai dialekt i lashtë i shqipes, që flitet në Portkanun. Është krenare për kulturën e saj, dhe për trashëgiminë e saj. Të jesh bijë e një gruaje arbëreshe, do të thotë ta bashkëndash gjithë këtë.

© Barbara Gabriella Renzi & Peizazhe të fjalës™. Përktheu nga italishtja AV. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin