“ANIJA” NË ZBULIM TË NJERIUT

Jemi mësuar ta marrim imazhin e migracionit në trajta të papërcaktuara. Mediat na kanë ofruar prej kohësh pamje turmash e grupesh mbi barka dhe anije, njerëz ngjitur ngushtë me njëri tjetrin, që u ngjasojmë më shumë milingonave, një lloj entiteti amorf, pa identitet, pa fytyra individuale. Pamje primordiale kolektive, që përçohet shpeshherë e padallueshme, ndaj edhe e frikshme. Migracioni na shfaqet rrjedhimisht, me tipare të panjohura, pothuajse në trajtën e hordhisë, që vjen nga deti kërcënueshëm. Sepse turma ka fytyrën e vet, por jo të njerëzve.

AnijaFotografitë e eksodeve ose të anijeve plotpërplot me imigrantë i tregojnë ata pikselë të vegjël. Kur dëshiron t’i shohësh më mirë njerëzit, mundohesh ta mprehësh shikimin, por është e pamundur t’i shquash; pastaj përpiqesh ta zmadhosh imazhin, por ai e humbet si me magji pastërtinë dhe nxjerr disa katrorë të mjegullt. Imazhi mediatik kësi rastesh nuk ka rezolucion të lartë.

Dokumentari “Anija” e Roland Sejkos, fillon pikërisht në këtë mënyrë[1]. Një imazh i pafokusuar, i paqartë, i zbehur, pa ngjyrë, që gradualisht bëhet më i kthjellët, i dallueshëm; kamera fokusohet mbi fytyrat e njerëzve të shkëputur nga turma, në anije ose në molin detar. Disa janë të qeshur, me shpresë, duke përshëndetur, të tjerë janë të menduar, të përhumbur. Turma kthehet në njerëz.

Kamera ndalon së fundi mbi fotografinë e një vajze të vogël,  me vështrim e buzëqeshje të ëmbël, ndërsa era e detit ia ledhaton lehtas flokët gështenjë, shkrepur pikërisht ato ditë marsi 1991, kur Italia u trondit nga ardhja masive e shqiptarëve në brigjet puljeze.

Ricordo molto bene” (Më kujtohet shumë mirë) – thotë në italisht e përmalluar një nga të intervistuarat, tek shikon fotografinë e vet kur ishte e mitur. Janë fjalët e para të dokumentarit. Aspak rastësore.

Kështu fillon aventura narrative e dokumentarit “Anija” të Roland Sejkos, një operacion kinematografik për t’i nxjerrë migrantët nga anonimësia mediatike dhe nga errësira e imagjinarit, për t’u ndriçuar historinë personale, për t’u dhënë dinjitetin e njeriut.

Është e vërtetë ajo që thonë studiuesit: “Filmi dokumentar evokon dëshirën për njohje”[2]. “Anija”, nga kjo pikëpamje, përpiqet ta njohë shikuesin me dukurinë e migracionit të shqiptarëve, vendi i të cilëve kishte mbetur nën hijen e harresës për dhjetëvjeçarë, ndërsa ata vetë, mbi anije, mole e rrugë, shikoheshin me kërshërinë e alienëve. Dokumentari i Sejkos kërkon të hedhë pak dritë mbi eksodin, duke sjellë disa prej atyre njerëzve të padukshëm të turmës, njerëz që kthehen në histori personale, duke u bërë të njohur për shikuesin.

Ka një lidhje të pazgjidhshme midis dokumentarit e kujtesës. Dokumentarët e pasurojnë kujtesën popullore dhe realitetin historik me përmasa të reja[3]. Për spektatorin e huaj, “Anija” është një rast i papërsëritshëm për të mbushur boshllëqet e kujtesës, ose për t’i thërritur nga thellësitë e kohës. Nëse është e vërtetë, siç thotë ndonjë studiues, se historia është njohje kurse dokumentari është memorie[4], atëherë Sejko u ka ofruar protagonistëve të filmit një platformë ku të rrëfejnë kujtimet e tyre, duke pasuruar njëkohësisht kujtesën kolektive, e cila është përherë në përplasje me diktaturën e së tashmes dhe removimin, si mekanizëm psikologjik mbrojtës. Në një farë mënyrë “Anija” u jep thellësi e përmasë historike numrave të tashëm të imigracionit shqiptar në Itali, që kanë kapur tashmë gjysmë milionin.

Vizioni ynë për migracionin kushtëzohet nga mediat, që na gozhdojnë përditë me pamjet e mbërritjes. Ndodh sot e kësaj dite. Por ato sekuenca, janë vetëm një pjesë e vogël e udhëtimit të gjatë të migrantëve, që nga ana e vet është vetëm një segment i udhëtimit të gjatë të jetës, ku gjenden edhe arsyet e largimit nga vendlindja.

Një dokumentar ngjason me kërkimin shkencor, por jo gjithnjë arrin të jetë i ftohtë e asnjanës. Por ndoshta për këtë arsye është më efikas për të na shpjeguar, nëpërmjet emocioneve të forta, motivet që i shtynë shqiptarët të lënë vendin e tyre. Mjaftojnë dy batuta për t’ua kaluar manualeve shumëfaqësh.

Luleshitësja e intervistuar në dokumentar, duke folur për jetën e vet, e thotë shumë qartë: “Kishte shumë arsye që të ikje nga Shqipëria. Të kishe një burrë që nuk e doje, një diktaturë ku nuk mund të flisje lirisht, të mos kishe të ardhme për fëmijët”. Një tjetër emigrant i intervistuar arrin ta sintetizojë ndryshe: “Vitet 1980 ishin pa dëshira e qëllime. Mungonte çdo gjë. Mungonte liria, që është arsyeja kryesore. Ishim hije”.

E sinqertë dhe simpatike përgjigjja e një djali të vogël të intervistuar nga televizioni italian në mensë. Pyetjes “Përse keni ardhur në Itali?”, ai i përgjigjet me fjalë e gjeste njëkohësisht. Merr në dorë bukën e thotë: “Sepse në Shqipëri bukë e ujë, fruta jo. Nuk ka asgjë në Shqipëri”. Me ton krejt tjetër flet një djalosh mbërritur në Itali në vitin 1997, i cili ia kthen disi i mërzitur të pashmangshmes e naives “Përse keni ikur?”: “Sepse atje ka luftë. Kemi ardhur këtu për të shpëtuar kokën”.

Që autori i dokumentarit e konsideron të rëndësishëm raportin midis mediave dhe migracionit, e tregojnë shumë elemente, por në radhë të parë edhe ndërfutja e intervistave televizive italiane të asaj kohe, të cilat qëndrojnë shumë mirë e natyrshëm në vepër, edhe pse filli narrativ fillon me intervistat e protagonistëve të sotëm që kujtojnë të kaluarën.

Vetë materialet filmike, duke filluar nga ato arkivore, përdoren si ilustrime të dëshmive, sikurse janë pamjet filmike bardhezi nga periudha totalitare shqiptare. Mbresëlënëse për spektatorin e huaj pamjet surreale të proceseve për tentativë arratisjeje dhe agjitacion e propagandë kundër të persekutuarve politikë. Ndoshta naive e qesharake pamjet e entuziazmit të turmave brohoritëse për Partinë e Punës dhe diktatorin Enver Hoxha.

“Anija” nuk kufizohet vetëm me eksodin e parë, atë të 1991-t, por trajton edhe krizën e firmave piramidale të vitit 1997 e migracionet pasuese masive drejt Italisë. Janë dy nga fazat më të rëndësishme të migracionit shqiptar, me një tjetër fazë të ndërmjetme, atë të skafeve, të cilave u mungonte spektakolariteti i eksodeve.

Përzgjedhja e të intervistuarve nuk është e rastit. Janë personazhe të vërteta, në një farë mënyre aktorë socialë, sepse flasin si dëshmitarë të një eventi kolektiv. Bie në sy fakti që zgjedhja e tyre nuk ka rënë pré e klishesë së kanonit mediatik, sipas të cilit para telekamerës duhet të vësh gjithnjë emigrantin e suksesshëm, atë që ka shijuar dritat e skenës e të famës. Autori i dokumentarit ka zgjedhur njerëz të thjeshtë, çka nuk do të thotë të pasuksesshëm, për sa kohë suksesi i një personi nuk matet me dritat verbuese të skenës.

Kush është i vëmendshëm do të gjejë tek “Anija” edhe çelësa leximi për historinë e migracionit shqiptar. Edhe nga fjali të thjeshta mund të fillojnë analiza të thella e të shpjegohen aspekte të rëndësishme. “Ishte e vështirë të hipje në anije”, thotë një grua e intervistuar, duke na kujtuar të gjithëve, se vërtet në ditët e sotme imigracioni shqiptar rezulton i ekuilibruar nga pikëpamja gjinore, por në fillim ai karakterizohej nga prania e madhe e meshkujve. Femërzimi i migracionit shqiptar ndodhi gradualisht në vitet e mëpasshme, nëpërmjet bashkimeve familjare.

Galeria e zërave të përdorura në dokumentar është vërtet e pasur. Janë dëshmitarët e eksodit, pra të intervistuarit aktualë, por edhe repertorët e dokumentarëve, intervistat e dikurshme. Ndërthuret bukur edhe zëri deklamativ i dokumentarëve të dikurshëm bardhezi, që e rrit kontrastin, por nëpërmjet tij shpjegon shumë gjëra.

lokandina-anijaQë muzika është fiksim i autorit e dëshmon pasuria dhe pjesët e përzgjedhura, por edhe elemente si kontrapunkti. Disa melodi na çojnë natyrshëm në përmasat e nostalgjisë – siç është rasti i melodisë së ëmbël  të këngës për fëmijë “Qengj i vogël pse mendueshëm”[5], me të cilën fillon dokumentari – të tjera (si valsi p.sh.) na përkundin në krahët e imagjinatës, duke na futur në dimensione onirike. Në këtë lojë ka rol thelbësor montazhi i pamjeve, të cilat ndonjëherë flasin qëllimisht në kontrast me çka thuhet me zë e muzikë.

Lidhja midis pamjeve të së kaluarës me të tashmet bëhet me zhdërvjelltësi. Loja nëpërmjet flashback-ut i vjen natyrshëm spektatorit, edhe kur vjen me forcën bruto të kontrastit. Pamjet filmike janë shpesh në shërbim të fjalëve të të intervistuarve. Kur luleshitësja shqiptare thotë se “Nuk më pëlqenin përrallat”, vijojnë menjëherë pamjet festive të partisë së atëhershme, brohoritjet mekanike për regjimin e asaj kohe; sikurse kundërvihet anija e vjetër Punëtori me anijet kroçera të sotme. Duhet pranuar se këto afrime e kundërvënie nuk bien asnjëherë në didakticizëm.

Si në çdo film, nuk mungojnë momentet e tensionit e të konfliktit. “Anija” flet me objektivitet për mbylljen e imigrantëve shqiptarë në stadiumin e Barit, por edhe për tragjedinë e anijes Katër i Radës, ku humbën jetën 81 shqiptarë. Grushte në bark e mendje për spektatorin, por edhe përkujtesë për ata që mendojnë se historia e migracionit është shenjuar vetëm nga sukseset.

Vështrimi i autorit nuk është neutral, as i largët. Dallohet hapur dëshira për të kapur pjesë nga jeta e jetuar e njerëzve që kanë lënë vendlindjen, por jo se kanë mbetur pa histori personale, por sepse ajo nuk është treguar deri më sot. Sejko e vështron përvojën e bashkëkombësve me diskrecion, me pjesëmarrje të moderuar, në distancën e duhur. Por ai është, gjithsesi, brenda historisë, pjesë e historisë, çka nuk e shmang dot, madje as përpiqet  ta bëjë[6]. Pamjet ndjekin njëra tjetrën si në ëndërr, nga e tashmja në të ardhmen e anasjelltas, me insistimin e atij që dëshiron të tregojë shumë histori personale e njëkohësisht një histori kolektive. “Sejko tregon jetën e mëparshme të migrantëve, sepse të gjithë ata kishin një jetë të mëparshme”[7], çka tregon tërthorazi se spektatori e ndjente këtë mungesë.

Anija lakohet ikonikisht e simbolikisht në mënyrë intriguese. Përballë spektatorit parakalojnë shumë anije, e njëkohësisht një Anije, me tërë potencën e vet alegorike. Anija e djeshme bardhezi, kroçera luksoze, anija e transportit, trageti, anija e nisjes, anija e kthimit, anija e errët, anija me drita, anija e ndryshkur, anija në port, anija në det të hapur, anija e vogël, anija e madhe, anija që mban të gjallë, anija që sjell të vdekur, anija në sipërfaqe, anija e mbytur… E midis shumë anijesh nuk është vështirë të dallosh anijen si simbol të shpëtimit njerëzor, arketipin që na vjen nga koha e arkës së Noes.

Shqiptarët në Itali përbëjnë tashmë një realitet të stabilizuar dhe janë të integruar në indin socioekonomik të vendit, pavarësisht se vështirësitë nuk mungojnë sot e kësaj dite. Por maturia e një grupi dallohet edhe nga fakti se pjesëtarë të tij kanë aftësinë ta shikojnë, ta paraqesin e ta rrëfejnë, edhe artistikisht, jetën e vet; të gatshëm të shikojnë nga pas e tutje, të kaluarën e të ardhmen, hidhërimet e gëzimet së bashku. Një pikëvështrim subjektiv natyrisht, si në rastin e dokumentarit, por që e pasuron vizionin e tërë kolektivitetit.

Por Anija është medoemos edhe ajo e Tezeut, paradoksi i së cilës lidhet drejtpërdrejt me identitetin e migrantit. Anija e Tezeut, heroit legjendar të mitologjisë greke, mbeti e paprekur për vite, sepse pjesët prej druri që i prisheshin zëvendësoheshin vazhdimisht. Arriti një moment që të gjitha pjesët u ndërruan, megjithëse forma mbeti ajo fillestare. Pikërisht ky është paradoksi, e njëjta anije edhe pse në thelb e ndryshme. Me kalimin e viteve, migrantët ndryshojnë pa e kuptuar identitetin e tyre, edhe pse e perceptojnë veten njëlloj. Janë po ata, me të njëjtën kartë identiteti, me të njëjtën datëlindje, por me mendësi tjetër. Të njëjtën metamorfozë pëson vendlindja dhe raporti me atdheun. Që këtej paradoksi i anijes së Tezeut dhe pasojat e tij.

Filmi dokumentar “Anija” i Roland Sejkos na lë edhe tani me qindra pyetje dhe emocione, sepse flet për dje, por edhe për sot, për shqiptarët, po edhe për imigrantët e tjerë. Filmi mbaron me portretet e qarta e në plan të parë  të të intervistuarave, e në fund anija që lundron në një det të qetë, derisa del përfundimisht nga ekrani. Tashmë, personat e intervistuar nuk janë më të panjohur, por familjarë, sikundër është anija me të gjithë ngarkesën e saj simbolike. Fytyrat e dikurshme të turmës kanë më së fundi një emër, por edhe një histori.

 

 


[1] Përsiatjet e këtushme janë paraqitur pjesërisht gjatë takimit “Albanesi d’Italia: 25 anni di integrazione”, zhvilluar më 8 prill 2016 në Romë, ku u diskutua dhe u projektua filmi dokumentar “Anija” me autor Roland Sejko, 2012, Cinecittà Luce Distributore.
[2]  Bill Nichols, Introduzione al documentario, Il Castoro, f. 46. Dokumentari, thotë studiuesi, evokon epistemofilinë, dëshirën për të njohur realitetin.
[3] Po aty, f. 51.
[4] Guy Gauthier, Storia e pratiche del documentario, Torino, Lindau 2009.
[5] Motivi i këngës “Qengji i vogël pse mendueshëm” është përpunuar në piano nga Robert Bisha.
[6] Bashkëjetesën midis pasionit e objektivitetit, vëzhgues të tjerë e kanë vënë re tek përshkrimi që autori Roland Sejko i bën arsyeve të ikjes masive të shqiptarëve, “duke vënë në qendër të filmit refleksionin themeltar për rolin social të imigrantit e për rëndësinë njerëzore të figurës së tij”. Shih Davide Stanzione, Anija (recension), në “Silenzio in sala”, 13.10.2013 (http://www.silenzio-in-sala.com/recensione-anija-la-nave.html).
[7] Margherita Palazzo, Anija/La nave, në “Sentieri selvaggi”, 27 nëntor 2012 (http://www.sentieriselvaggi.it/torino-30-anija-la-nave-di-roland-sejko-tffdoc/)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin