DIVERSIONE

5554933129_97d0bb60d0_zNë Tiranë, meqenëse ekzekutivi ka synuar dhe në fakt arritur një prani pothuajse konstante në mediat – TV, rrjete sociale, Internet – është përfshirë edhe ai në diversion në shkallë të gjerë.

Ndodhi aksidenti me helikopterin që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës; iu dhanë publikut një mori faktoidësh dhe hipotezash që pastaj rezultuan të rremë e të paqena: që nga cilësia e karburantit, te kutia e zezë që qenkesh dëmtuar; dhe të tjera që duken të paktën të tërhequra për flokësh, si ajo që helikopteri transportonte mermer për vilën e ministres së Mbrojtjes në Vermosh (a thua se mermeri në raste të tilla qenkësh vetvetiu fatal).

Kësaj tallavaje mediatike, iu bashkua edhe ekzekutivi, me titujt dhe dekoratat që u ngut t’ua jepte viktimave të aksidentit, Dëshmorë të Atdheut, ende pa u zbardhur mekanika e asaj çfarë kishte ndodhur.

Tani pritet t’u akordohen tituj dhe nderime të tjera edhe të gjithë atyre që u rropatën për nxjerrjen e helikopterit nga uji; dhe më tej, hetuesve të kësaj ngjarjeje të trishtuar, por ende të pashpjegueshme.

Hetimi i çdo aksidenti ka nevojë për kohë dhe qetësi; ose pikërisht ajo që i mungon ndërveprimit të çartur mes pushtetit, mediave dhe publikut. Paradoksalisht, diversioni arrin ta sigurojë këtë privatësi, sa kohë që i tungon të ngeshmit të merren me budallallëqe.

Për fat të keq, ky avantazh taktik ka kosto të larta në afat të mesëm dhe të gjatë: herët a vonë, deri edhe qytetari më i humbur i Republikës do ta ketë kuptuar se informacioni falas i jepet për konsum dhe argëtim – por jo për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin