SI FLAKA E QIRIRIT

qiri elektrik

Qiri elektrik

Politikani italian Giulio Andreotti është i njohur për shumë gjëra, por jo më pak për batutat e aforizmat e tij shpotitëse. Njëra prej tyre u bë e famshme për aktualitetin të cilës i referohej, por edhe për vlerën e vet universale. “Pushteti konsumon ata që nuk e kanë”, kështu mund të shqipërohej batuta andreotiane, që parafrazonte (duke e mohuar) thënien e konsoliduar se pushteti në realitet i konsumon, i tret dhe i sfilit ata që e mbajnë.

Mendohet se batuta në fjalë e ka autorësinë tek diplomati e politikani francez Charles Maurice de Talleyrand-Périgord – çka përbën punë për historianët e politikës –, por fakt është se famën dhe freskinë, të paktën në Itali, ia dha në realitet Andreotti, të cilit i shkonte për shtat edhe nga përvoja e ushtrimit të pushtetit.

Aforizmi nuk është pa baza, por e njëjta gjë mund të thuhet për të kundërtën. Është e vërtetë që pushteti të konsumon e të sfilit, por është po aq e vërtetë se mungesa e tij shkakton të njëjtat efekte. Këto pohime mund të bëhen edhe falë përvojës personale ose aftësisë së vëzhgimit të gjithsecilit. Megjithatë, disa dallime duhen bërë, sidomos kur flasim për konsumim, çka mund të jetë politik, në nivel pëlqimi të publikut, por edhe personal, d.m.th. psikologjik e mendor.

Si gjithnjë kërkimet shkencore e mbështesin bindjen popullore në atë masë që e hedhin poshtë. Disa vite më parë shtypi njoftonte se thënia e Andreotti nuk ishte e vërtetë, meqë nga studimi amerikan i Northwestern University i Chicago-s dilte se pushteti konsumon ata që e kanë. Sipas atij studimi, që merrej me mekanizmat e autoritetit, pushteti të jep iluzionin sikur je i pagabueshëm, çka shkakton me kalimin e kohës humbjen e arsyes. Sipas autorit të kërkimit shkencor, pushteti praktikisht e deh personin, i cili kujton se mund t’i kontrollojë të gjitha gjërat.

Për të kundërtën njoftonte një gazetë tjetër jo shumë kohë më parë. Titulli? “Pushteti konsumon ata që nuk e kanë. Shkenca i jep të drejtë Andreotti-t”. Në artikull lexuesi mësonte se liderët kanë nivele stresi më të ulëta se sa vartësit, gëzojnë gjithashtu kënaqësi e shpërblime të shumëllojta. Sipas studimit amerikan të botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, i cili maste nivelet e kortizolit, hormonit kryesor të stresit, shefi duket shumë i zënë dhe i stresuar, gjithnjë me axhendën plot angazhime, por në realitet është më i relaksuar se sa ai që nuk ka pushtet. Megjithatë, studiues të tjerë mendojnë se stresi i perceptuar nga truri është diçka tjetër nga stresi i provuar nga trupi.

Pak a shumë të njëjtin rezultat arriti edhe kërkimi izraelit i Tel Aviv University, botuar në revistën Psychological Science, sipas të cilit nuk është e vërtetë që të pushtetshmit jetojnë në vetmi e të trishtuar. Ata që drejtojnë dhe kanë pushtet e ndjejnë veten mirë e të kënaqur, edhe nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërpersonale e afektive. Edhe një herë, shtypi italian na kujtoi se thënia e Andreotti-t nuk ishte pa baza shkencore.

Siç rezulton nga citimet e mësipërme, të cilat natyrisht nuk janë shteruese, studimet janë shpesh kontradiktore. Gjithsesi, duket qartë se thënia e pushtetit konsumues, është marrë më shumë nga pikëpamja individuale, pra nga mënyra se si reagon personi që ushtron pushtetin, se sa nga pikëpamja e pëlqimit të qytetarëve. Ky këndvështrim i fundit nuk është pa interes, e jo pa lidhje me psikologjinë personale e kolektive të një populli.

Po realiteti shqiptar çfarë na tregon? Nuk kemi studime në këtë fushë. Po ta gjykosh nga dëshira e njerëzve për ta marrë pushtetin nuk ka pikë dyshimi. Pushteti nuk të konsumon, përkundrazi, të rigjeneron nga të gjitha pikëpamjet. Përndryshe, si mund të shpjegohen bërrylat për një vend në parlament e/o në qeveri?

Nga pikëpamja e pëlqimit të elektoratit, ose thjesht politik, gjërat duken disi më të thjeshta. Në Shqipëri pushteti nuk e konsumon personin politikisht, përkundrazi, dëmton atë që nuk e ka. Të paktën në një periudhë afatshkurtër. Po të studiohet historia e demokracisë së re shqiptare, por edhe aktualiteti, do të shikohet se pas përfundimit të zgjedhjeve problemet më të mëdha i ka pala humbëse, e cila duhet ta metabolizojë verdiktin negativ të kutive të votimit. Pala fitimtare i gëzohet fitores dhe merret për shumë kohë me shpërndarjen e pushtetit të sapo marrë. Këtu duhet t’i japim të drejtë Andreotti-t. Në periudha afatgjata efektet ndryshojnë, sepse pushteti fillon e bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos kur nuk ushtrohet drejt. Përvoja shqiptare ka treguar se pas tetë vjet pushteti, ky vjen e rëndohet dhe perceptohet si barrë, dhe mazhorancat e konsumuara anojnë të shndërrohen në pakica.

Po nga pikëpamja personale, pushteti i konsumon apo jo politikanët shqiptarë? Vështirë ta thuash me siguri. Po t’i shikosh nga pamja e jashtme nuk duket se pushteti i bën dëm, por kjo nuk e përjashton aforizmin andreotian, sepse po flasim për efektin e mungesës së pushtetit. Shumëkush mendon se pushteti i humbur e konsumon politikanin shqiptar. Ka mundësi, por çështja është më e koklavitur seç duket, sepse pushteti nuk përkufizohet kollaj, meqë mund të shpjegohet si nga pikëpamja sociale (si ndikim i sjelljeve të grupeve shoqërore), ashtu edhe juridike (si autoritet e mundësi për të vepruar). Në këtë kuadër, dhe pa i hyrë temës së nivelit apo të forcës, pushteti zgjerohet si koncept nga politikani tek shkrimtari, nga legjislatori tek gjykatësi, nga arsimtari tek trajneri, nga sipërmarrësi tek nëpunësi. Nejse, Andreotti e kishte fjalën vetëm për pushtetin politik, pavarësisht se mund ta zgjerojmë fushën e veprimit.

Në një libër të vetin me aforizma, Andreotti paska shpjeguar se frazën e famshme e kishte shqiptuar në vitin 1951 si përgjigje ndaj dikujt që kishte kërkuar dorëheqjen (për arsye moshe) të Presidentit italian De Gasperi. Titulli i librit? Il potere logora… ma è meglio non perderlo (Pushteti të konsumon… por është më mirë të mos e humbasësh).

Falë kësaj batute të mëvonshme, edhe ne të Shqipërisë, mund të gjejmë ndonjë shpjegim të mëtejshëm.

Nuk ka komente

  1. Perkthimi me i sakte ne shqip i foljes italisht “logorare” nuk eshte “konsumoj”, por “sfilit”, te pakten ne kontekstin e perdorur ketu. Ju e keni permendur kalimthi ne fillim, por pastaj kembengulni me “konsumoj”. Dikush qe nuk do ta dinte shprehjen origjinale, duke u nisur nga shqipja do ta perkthente italisht: “Il potere consuma chi non ce l’ha” qe gjithesei nuk eshte korrekt…..ne shoqeri konsumi ose jo konsumi qofte….

    1. Përkthimi nuk është shkencë ekzakte. Kjo vlen për mua, por edhe për të tjerët.

      Po përpiqem të shpjegoj përse, në kontekstin tonë, parapëlqeva përkthimin e italishtes logorare me konsumoj dhe jo me sfilit. Kjo e fundit, për dijeni, jepet kështu në Fjalorin e shqipes:

      Sfilit kal. 1. E mundoj keq dikë; i shkaktoj vuajtje të rënda e mundime dikujt, e torturoj. Fashistët e rrahën dhe e sfilitën. E sfiliti sëmundja. E sfilitnin mendime të rënda. 2. fig. I shkaktoj dhembje të mëdha, e lëndoj rëndë. I sfiliste zemrën (shpirtin).

      Po të kemi parasysh shpjegimin e Fjalorit, por edhe përdorimin e zakonshëm në shqip të fjalëve me të njëjtën rrënjë, do të ishte disi e sforcuar ta fusnim në fjalinë “Pushteti sfilit ata që e kanë”, sepse nuk është ideja e stërmundimit, e torturës, as e lodhjes fizike ose psikologjike. Rreziku i këtij përkthimi do të ishte se lexuesi do ta merrte sikur pushteti të stërmundon e të lodh fizikisht. Do të ishte pak reduktive për thënien që morëm në shqyrtim, edhe pse mund të jetë brenda si ide.

      Nga ana tjetër duhet të hulumtojmë kuptimin e foljes logorare në italisht. Pothuajse të gjithë fjalorët e japin me kuptimin e fjalës consumare, edhe në kuptimin figurativ.

      Logorare: consumare a poco a poco, ridurre in cattivo stato; rendere inservibile, inefficace (anche in senso figurato): logorare una giacca, un paio di scarpe; il lavoro lo sta logorando; (Garzanti)
      Logorare: consumare gradualmente per troppo uso: l. le scarpe, i tacchi; ridurre in cattivo stato; fig. estenuare, sfibrare (Zingarelli)
      Logorare: Consumare o deteriorare lentamente qlco. con un uso prolungato SIN sciupare, rovinare: l. le scarpe; anche in senso fig.: l. le proprie forze. v.rifl. Detto di soggetto inanimato, consumarsi, deteriorarsi: la stoffa si è logorata; anche in senso fig. (Sabatini Coletti)

      Pra logorare ka si sinonim foljen consumare, në kuptimin e diçkaje që prishet gradualisht, që konsumohet, sidomos për sendet, çka nuk e përjashton gjithashtu përdorimin figurativ.

      Të them të vërtetën më vajti mendja ta përkthej fillimisht me foljen ha, sepse në shqip ne atë përdorim për sendet: rrobat e ngrëna nga moli, pantallonat e ngrëna tek gunjtë, haja pak cepin drurit, etj., pra me idenë e konsumimit. Mirëpo nuk më tingëllonte mirë: “Pushteti ha ata që nuk e kanë”. Merrte kuptime të tjera. Pastaj desha ta shqipëroj me foljet: gërryej, grij, e ndonjë tjetër. Nuk do të kishte qenë keq: “Pushteti gërryen ata që nuk e kanë”, mirëpo nuk më bindën, sepse m’u dukën të pjesshme, sikurse sfilit, pavarësisht se në pika të ndryshme.

      Tani le të shkojmë tek folja konsumoj dhe si përdoret në shqip. Ja ç’na thotë Fjalori:

      Konsumoj kal. libr. Përdor dhe harxhoj prodhime të ndryshme ushqimore a industriale për të plotësuar nevojat vetjake ose shoqërore; harxhoj një sasi të caktuar drite, uji, lënde djegëse, fuqie etj.; i harxhoj (fuqitë): vet. veta III ia merr fuqinë dikujt, e dobëson. Konsumoj rezervat e fundit. I konsumoi fuqitë. Sëmundja (puna) e konsumoi.

      Këtu gjejmë diçka interesante sepse konsumoj nuk përdoret vetëm me kuptimin e konsumit ushqimor, ose të shoqërisë konsumiste. Kemi edhe përdorimin e dobësimit, marrjes së fuqisë, harxhimit. Shembulli i sëmundjes dhe i punës (pse jo politika?) që të konsumon më duket domethënës. Pastaj kuptimi i kësaj fjale më duket më i përgjithshëm, si të thuash gjithëpërfshirës.

      E përsëris: përkthimi nuk është shkencë e përpiktë.

      P.S. Tani mos më pyet se përse përdora fillimisht fjalët “shkencë ekzakte” dhe në fund “shkencë e përpiktë”. Këtë duhet ta kuptosh vetë.

  2. I nderuar Pishak, krejt dakord me pohimin tuaj se perkthimi nuk eshte shkence ekzakte, apo e perpikte (po te mos e kishe nxjerre ti ne dukje ne P.S. tende mua nuk do te ma kishte terhequr vemendjen irrelevanca ekzakte – e perpikte). Jo me kot ekziston shprehja, madje kane bere edhe nje film, “lost in translation”.

    Ne kete rast problemi eshte pikerisht ky, ne shqip nuk ka njevleres absolut te foljes “logorare”, dhe per mendimin tim, pavaesisht nga argumentet tuaja, perdorimi i “konsumoj” nuk eshte me i qelluari. Eshte e vertete qe ne te treja shpiegimet e fjaloreve italisht sillet folja consumare si baze kuptimore, por gjithnje e shoqeruar me nje plotesim te tipit “a poco a poco”, “gradualmente”, “lentamente”, qe fatkeqesisht ne perdorimin shqip te “konsumoj” nuk perçohet dot.

    Sugjerimi im lidhur me “sfilit” ka te beje pikerisht me kuptimin “e sfiliti semundja” qe e kap idene e gradualitetit dhe kohezgjatjes, ose “e sfilitinin mendime te renda”, qe eshte kuptim qe nuk lidhet me ndonje torture fizike.

    Gjithsesi, pergezime per shkrimin dhe falemnderit per pergjigjen e komentit. Sjellja e kesaj shprehjeje te Andreotit me kujtoi edhe nje tjeter interesante te tij: “A pensare male si fa peccato, ma spesso ci si azzecca”.

    1. Faleminderit për fjalët e mira për shkrimin. Rëndësi ka që të kemi kuptuar thelbin, pavarësisht se do të zgjidhnim fjalë të tjera. Shpesh përkthimi është punë shijesh e tingujsh.

      Edhe kjo batuta e cituar e politikanit italian meriton të analizohet me vëmendje. Ka domethënie të bukur. Gjithsesi, tipike andreotiane.

  3. duhet te kesh qene vete ne te tilla qarqe te kuptosh dhe te flasesh me te njejtin zhargon te politikberesve .. besoj se fjala konsum eshte me afer idese se pushtetarit kur flitet per efektet e pushtetit ..

    mendo perzgjedhjen e fjaleve te andreotit – niset nga premisa se pushtetari konsumohet nga pushteti (jo ne kuptimin e ‘sflitjes’) pse shpenzon energji, nerva, mencuri, por dhe e shijon njekohesisht pushtetin, e konsumon ate .. premise, te cilen andreoti e kthen me kokeposhte

    ideja e sfilitjes permban nje premise tjeter, ate te stermundimit per te miren e perbashket.. pra nje qasje moraliste, e pishaku e refuzon kete qasje, sic shpjegohet ne teorite racionale, se robi e kerkon pushtetin per te konsumuar e realizuar interesat vetjake dhe jo patjeter te komunitetit (pervec nese ka ndonje mbivendosje e perputhje me ato)..

    perdorimi i “sfilitjes” do e ndryshonte teresisht qasjen e kesaj sprove .. sic edhe shpjegohet per ata qe “konsumohen” nga pushteti, .. po ata cfare i stermundon e i sfilit? .. ata nuk i mundon thjeshte ambicia por edhe pasojat e pushtetit te tjetrit – kontrolli – ata konsumohen se qenuri vasal, se perpjekuri, .. pushteti nderkohe vepron me ligjin e mateusit.. kush ka do ti jepet edhe me shume.. ligji i akumulimit te pushtetit.. ai qe ka do ti merret ..

    1. Me vjen keq ta them arsimtar, po pavaresisht nga c’thote Pishaku, mua me duket se ju nuk e keni kuptuar thelbin e asaj qe thote Andreotti. Ate punen qe ideja e sfilitjes lidhet me STERMUNDIMIN PER TE MIREN E PERBASHKET, nuk e marr vesh se nga e nxjerr, po nejse.Kam pershtypjen se levizim ne drejtime te kithta. Shendet!

    2. Pikërisht kjo ka qenë një arsyet e zgjedhjes sime, meqë batuta duhet të komunikonte edhe një farë cinizmi, që ka qenë gjithnjë i pranishëm në batutat e Andreotti-t.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: