KËSHILLIT I DUHET KËSHILLË

Prof. Shezai Rrokaj i jep një intervistë Alida Cenajt të revistës Klan, me cilësinë e anëtarit të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Ndryshe nga shumë anëtarë të tjerë të këtij organizmi të nderuar, prof. Rrokaj ka pasur fatin e madh të studiojë në Perëndim (në Francë) – ku edhe me siguri është njohur me dinamikat e standardit, ligjërimit të folur, dialekteve gjeografike dhe sociale, dhe regjistrave të gjuhës.

Për këtë arsye, zhgënjehem kur nuk gjej, në intervistën e tij, shenja të kësaj kompetence akademike të privilegjiuar.

Meqë e njoh prof. Rrokajn, prirem të besoj se këto mangësi veç pasqyrojnë atmosferën arkaike – për të mos thënë folklorike – që është krijuar në Këshillin Ndërakademik dhe fiksimin e këtyre burrave të ditur me dialektet dhe qeleshet.

Edhe vetë intervistën Klani e ka titulluar “Standard me dialekte” – një titull që unë refuzoj të besoj se mund të ketë dalë vërtet nga pena e profesorit (shpesh titujt e intervistave janë redaksionalë).

Sepse, përndryshe, periudha kur krijohet standardi i një gjuhe ka veçoritë e veta unike, të cilat nuk duhen ngatërruar me periudhat e mëvonshme, kur shtrohet për diskutim nevoja e ndryshimeve në standard. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se, në rastin e parë, është fjala për të zgjedhur format standard mes një morie variantesh (dialektore, letrare, sociale); ndërsa në rastin e dytë është absolutisht e domosdoshme të merret parasysh edhe vetë prania e standardit në sistemin gjuhësor.

Me fjalë të tjera, unë nuk besoj se mund të diskutohet sot seriozisht për standardin me argumente të cilat do të kishin vlerë vetëm sikur standardi të mos kish ekzistuar fare – do të ish njëlloj sikur të diskutonim për digën e Komanit njëlloj sikur ajo të mos ishte ndërtuar tashmë, ose pa marrë parasysh efektet e thella dhe të shumanshme që ka sjellë në ekosistemin e Drinit dhe të luginës përkatëse.

Prof. Rrokaj natyrisht nuk ka nevojë që t’ia kujtoj unë se, nga momenti kur është përcaktuar standardi dhe ka filluar të funksionojë, vetë dialektet e një gjuhe, qofshin gjeografike, qofshin sociale, nuk kanë më statusin që kishin më parë.

Kjo do të thotë edhe – të paktën për mua – se standardi i shqipes duhet ndryshuar për arsye të brendshme, por jo për të pasqyruar ose për të ndjekur “prirjet e reja që kanë dalë”, siç shprehet prof. Rrokaj; sepse këto “prirje të reja” mund të jenë, dhe në fakt në më të shumtën e rasteve janë, edhe ato vetë, efekt i ndërveprimit të standardit me variantet e tjera gjuhësore.

Përndryshe, kërkesa e profesorit se “standardi duhet të përthithë sa më shumë nga gjithë gjuha shqipe, qoftë kjo toskërishtja apo gegërishtja,“ nuk qëndron as në teori as në praktikë, me përjashtim të pjesës kur është truizëm; dhe nuk qëndron sepse sot as toskërishtja, as gegërishtja, nuk janë entitete të pavarura nga standardi; por variante gjuhësore pak a shumë abstrakte, identiteti i të cilave varet në masë të madhe edhe nga raportet që vendosin me vetë standardin.

Edhe një arsye tjetër që sjell prof. Rrokaj, për të mbrojtur nevojën e ndryshimeve në standard, nuk më duket se qëndron:

[S]i çdo standard, ai duhet t’i afrohet gjuhës në përdorim, pra një përzgjedhje midis gjuhës së përditshme të një individi apo të disa individëve dhe trysnisë që ushtron gjuha e shtetit apo standardi nëpërmjet mediave, shkollës apo institucioneve […]Standardi duhet të shkojë drejt gjuhës në përdorim duke reflektuar të gjithë ata elementë që vetë folësit i bëjnë të përditshme.

Në fakt, standardi është po aq i detyruar që t’i afrohet gjuhës në përdorim sa ç’është kjo e fundit e detyruar t’i afrohet standardit; pa përmendur pastaj që vetë koncepti i “gjuhës në përdorim” është pa kuptim, në qoftë se përdoret për të shenjuar një formë gjuhësore ku nuk zbatohet standardi.

Megjithatë, kur vjen puna për mënyrën si do të reflektohet, në praktikë, nevoja për këto ndryshime në standard, prof. Rrokaj shpjegon se, për të sanksionuar ndryshimet është i nevojshëm, mes të tjerash edhe organizimi i një kongresi të ri drejtshkrimor “që të vendosë saktësisht se çfarë është e nevojshme për kodifikim.”

Ndryshe nga studiuesit që bënë Kongresin e 1972-shit, të sotmit duken më të përgatitur përballë sfidave të kohës:

Sot intelektualët tanë marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, kanë formime perëndimore, i njohin mirë problemet teorike të gjuhës, pra mund të gabojnë gjithnjë e më pak në zgjidhjet që ata japin.

Unë nuk dua ta vë këtë në dyshim; por vetëm do të doja të pyesja prof. Rrokajn dhe kolegët e tij të Këshillit Ndërakademik se, nëse ata vërtet “kanë formime perëndimore,” pse refuzojnë të marrin parasysh faktin – e padiskutueshëm – që përpjekjet për të bërë ndryshime në standard, të ndërmarra kohët e fundit për gjuhë të tilla europiane si gjermanishtja, holandishtja, frëngjishtja dhe rumanishtja kanë dështuar, madje ndonjëherë në mënyrë katastrofike?

Gjuhëtarët specialistë të Këshillit me siguri e njohin këtë fakt; prandaj asnjëherë nuk e kam kuptuar se çfarë i bën të mendojnë, ose të paktën të shpresojnë, se akademia dhe institucionet arsimore në Shqipëri dhe në Kosovë – të cilat nuk po kanë pará të paguajnë rrogat e punonjësve të tyre dhe botimet rutinë të revistave shkencore – mund të kryejnë me sukses në një ndërmarrje madhore si reforma drejtshkrimore, në një fushë ku akademitë dhe institucionet arsimore në vende të tjera europiane, si Gjermania, Holanda, Franca dhe Rumania, kanë dështuar?

Çfarë kanë menduar vallë këta burra dhe gra specialistë të fushave përkatëse se ne, shqiptarët, me institucionet tona të mjera buxhetore, mund të bëjmë më mirë se gjermanët, holandezët, francezët dhe rumunët, për të shmangur kostot e mëdha edhe të reformave drejtshkrimore të tentuara, edhe të fiaskos pasuese?

Apo vallë mund ta privatizojmë edhe reformën e drejtshkrimit dhe t’ia besojmë ndonjë firme perëndimore të specializuar?

Dyshimi im është se ata nuk e kanë vrarë mendjen për këtë punë – dhe se shtrimi i nevojës për ndryshime në standard po bëhet për arsye më shumë politike dhe koniunkturale, edhe kur nuk bëhet për arsye thjesht krahiniste dhe folklorike-populiste; dhe se vizioni i standardit si një lloj parlamenti ndërgjuhësor është shkencërisht i gabuar dhe është turp të manifestohet në nivele të tilla si ai që të gjithë presim prej Këshillit Ndërakademik.

Tek e fundit, problemet e sotme të shqiptarëve me standardin, veçanërisht të shqiptarëve në Kosovë, janë rezultat jo aq i distancës së të folmeve lokale me standardin, sesa i mangësve në mënyrën si u është mësuar standardi fëmijëve në ato treva (përfshi edhe profesionalitetin e dobët të shumë arsimtarëve, por jo vetëm; meqë duhet të marrim parasysh edhe prestigjin e standardit, përballë përpjekjeve sa keqdashëse aq edhe të zhurmshme për ta paraqitur si instrument të cilin toskët e përdorkan për të skllavëruar kulturorisht gegët); dhe i dallimeve kulturore shpesh të mëdha midis Shqipërisë – ku u përpunua fillimisht standardi – dhe Kosovës.

Prandaj do të ishte e udhës që specialistët t’i shpenzonin energjitë dhe kohën e tyre të çmuar për të gjetur mënyra si të reformohet jo standardi, por mësimdhënia e tij, sikurse e saktëson edhe vetë prof. Rrokaj në një pjesë tjetër të intervistës ku thotë:

Unë jam i idesë që për popullsi që kanë një largësi më të madhe me standardin aktual, siç janë trevat gege, këtë standard ta mësojnë jo duke u rënë me shkopinj duarve të fëmijëve. Ai duhet mësuar nëpërmjet krahasimit me dialektin për t’i thënë fëmijës që “ti flet shqip në shtëpi, mirë është edhe ajo, por në shkollë, në komunikimet me shtetin, gradualisht duhet të përdorësh edhe këtë formë të re”. Duhet pra një politikë më e butë, më gjithëpranuese, jo shumë konfrontuese midis të folmes së shtëpisë, të rrugës, të qytetit me standardin. Kjo për sa kohë që shoqëria shqiptare është është paraurbane në kuptimin që është e panjesuar, e paintegruar, e pangjizur siç duhet. Si e tillë mendoj se një bashkëjetesë krahasuese në procesin e mësimdhënies, është më e sakta. Gjuha lidhet me perceptimin e botës dhe duke i ndaluar fëmijës pjesën dialektore i ndalon edhe perceptimin dhe varfëron vizionin e tij lidhur me botën që e rrethon. Bashkëjetesa e standardit me dialektet, të mësuarit në mënyrë krahasuese është më dobiprurëse për ngulitjen e standardit sesa një përballje, a thua se janë dy gjuhë të huaja.

E gjithë kjo është absolutisht e drejtë dhe e saktë dhe, do të thoja, në pajtim edhe me rekomandimet bashëkohore të psikolinguistikës dhe të gjuhësisë së aplikuar; por një qasje e tillë nuk ka të bëjë me ndryshimet e standardit vetë; përkundrazi. Ideja është që fëmija të çohet te standardi i shoqëruar për dore, dhe në mënyrë të tillë që standardi të vijë dhe t’i mbivendoset sferës familiare-dialektore pa e shkallmuar, dhe pastaj asaj sociale-informale, ku fëmija ushtron variantet e tjera të shqipes, sërish pa e shkallmuar; por thjesht duke i ripërmasuar të dyja sferat, ose duke ua ripërkufizuar funksionet dh valencat varianteve gjuhësore, të cilat fëmija do të mësojë dhe do të mësohet si t’i përdorë të gjitha në pajtim me kontekstet sociale të përdorimit. Në këtë kuptim, edukimi gjuhësor me standardin do të ishte edhe një edukim qytetar, në kuptimin më të mirë të fjalës.

Nuk ka komente

  1. “Për këtë arsye, zhgënjehem kur nuk gjej, në intervistën e tij, shenja të kësaj kompetence akademike të privilegjiuar”

    Xha xha, nese e njeh vertet personalisht profesorin, atehere duhet ta dish se ai nuk ka shume faj.

    Ne fakt ai ka studiuar ne Tirane per gjuhe frenge, ndersa ne France ka ndjekur nje kurs DEA (diplome d’études approfondies) per gjuhesi te pergjithshme. Ne fakultet ka mbajtur gjithmone kursin e gjuhesise se pergjithshme. Nuk eshte marre kurre me shqipen as si student e as si studiues. Edhe botimet i ka ne lemin e gjuhesise se pergjithshme. Personalisht deri me sot nuk me ka qelluar te lexoj prej tij ndonje kontribut ne fushe te shqipes. Kompetenca e tij akademike eshte e privilegjuar sa te duash, por nuk ka te beje me gjuhen shqipe, historine, dialektet, gramatiken apo me sociolinguistiken e shqipes. Anetaret e tjere te keshillit nderakademik, jemi apo nuk jemi dakord me ta, jane te gjithe gjuhetare te shqipes, me nje barre studime dhe libra mbi shqipen. Madje edhe ti vete, fjala vjen, qe nuk je anetar i atij keshilli, i ke shkruar nja tre libra qe kane per objekt gjuhen shqipe, ndersa profesori nuk ka as edhe nje artikull qe te merret me probleme te shqipes! Pra fajin nuk e ka ai, por ata qe ia kane varur kete këmbore ne qafe.

    1. Ma merr mendja që prof. Rrokajn nuk e kanë përfshirë në Këshill për shkak të eksperiencës së tij albanologjike, por më tepër ngaqë ai është ekspert i gjuhësisë teorike dhe mendohet se njeh mirë ecurinë e gjuhësisë së aplikuar të paktën në Francë. Me siguri do të jenë pritur prej tij iluminime për mënyrën si trajtohen – qoftë edhe vetëm teorikisht – çështjet e reformës së standardit, nga dija gjuhësore moderne në Perëndim; ose për arsyet se pse kjo reformë ka dështuar, bie fjala, në Gjermani, në Holandë dhe në Francë – tri vende nga më të zhvilluarat dhe tri kultura nga më organiket, ku zakonisht nuk është kollaj që të dështojnë ndërmarrje të tilla. Është pikërisht kjo ekspertizë specifike që më duket se mungon, në intervistën e tij.

      1. Permendja ne vecanti e gjermanishtes dhe hollandishtes(nje konglomerat gjuhesor i Vendeve te Ulta, e njohur si Dutch language union) mu duk me interes te vecante per te modeluar “standardin” e shqipes.

        Te dy rastet jane shembull i pluricentrizmit gjuhesor, ku standardi nuk eshte as polici dhe as ligji per te vendosur vulen mbi fatet dhe ecurine gjuhesore ne keto vende te zhvilluara europiane.

        Bile nese do te bejme nje analogji me Keshillin Nderakademik, ai ka atribute te ngjashme me organizmat gjuhesore te ketyre vendeve, – me cilesine e sugjeruesit, – ku autoriteri i organizmit nuk shkon me shume se autoriteti i njohesit profesional, te linguistit; nje korpus anetaresh, njohesish te gjuhes dhe proceseve gjuhesore, qe kane dhene dhe japin kontribute ne gjuhesine e mirefillte dhe ne fund te fundit vecse sugjerojne, nuk japin urdhera.

  2. Rrokaj gabon kur e konsideron standardin si gjuhe qe i duhet vetem shtetit, institucioneve, ligjeve.
    Para se gjithash standardi i duhet shoqerise. Para se te jete gjuhe e shtetit, standardi duhet te jete gjuhe kulture dhe ngjizjeje shoqerore, i vetmi kod i perbashket qe i shnderron nje grup tribush ne nje shoqeri moderne.
    Rrokaj me gjithe ate barre shkolle qe ka duhet ta dije se shumica e standardeve a gjuheve letrare te sotme kane lindur si gjuhe kulture, para se te krijoheshin shtetet perkatese. Me gjithe dinamikat politike e institucionale pergjate historise, ndryshimet e shpeshta te kufijve shteterore etj. gjuhet letrare dhe standardet nuk i ndoqen hap pas hapi ato ndryshime, nuk ndryshuan bashke me to, nuk u perpoqen t’ia pershtatin sistemet drejtshkrimore dialekteve perkatese a gjuhes se popullit, por mbeten si kode te perbashketa kulturore. Te tilla jane, p.sh. italishtja, gjermanishtja, spanjishtja etj.
    Ideja e pershtatjes se standardit me “gjuhen e popullit” permes vendimeve te marra nga keshilla nderakademike a kongrese te reja drejtshkrimore eshte krejt foshnjake. Rrokaj vete e thote me te drejte se “Gjuhën nuk e bëjnë gjuhëtarët, ata e studiojnë, shohin prirjet e saj, por nuk mund të vendosin se si mund të jetë gjuha”. Atehere mua me lind natyrshem pyetja: Ç’dreqin ben profesori ne ate keshill nderakademik? Ne vend qe te beje ate qe duhet te bejne gjuhetaret, pra ta studioje gjuhen shqipe, pse perpiqet te vendose me keshilla ndrakademike a kongrese nga lart se si duhet te jete ajo?

    1. bordet i nderuar, jane per te nderuar veten e jo shoqerine ..

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin