MEMECLLËK

Historia që solli këtu Pishaku, për prostitutën nga Shqipëria, në Caserta të Italisë, që aq shumë nuk dinte italisht, sa tutori ia kish shkruar tarifat për klientët në shpinë të dorës, më bëri të mendoj për gjuhën që u duhet të flasin imigrantëve pa letra.

Ideja, ose më mirë realiteti i një shqiptari të imigruar rishtas përtej Adriatikut, por që megjithatë nuk e flet italishten, ende u duket absurde edhe italianëve, edhe tanëve këtej; edhe pse italianëve ca më shumë – meqë këta ishin mësuar ndërkohë t’i shihnin shqiptarët si italianë të llojit tjetër, ose si shëmbëlltyrën e vet të përmbysur.

Mirëpo kohët kanë ndryshuar. Imigrantët e fillimviteve 1990, ishin të etur për të folur; sepse ashtu edhe shpresonin – ëndërronin – për t’u integruar në shoqëritë pritëse, për të jetuar edhe ata si vendësit, si të tjerët, si gjithë bota; italishtja e tyre, e mësuar prej televizionit, ishte gjuha e kujt sapo ishte ngritur në këmbë, për të kërkuar vendin e vet në rendin europian të sendeve.

Këta të sotmit janë normalizuar tashmë; njëlloj siç janë normalizuar, të them, imigrantët meksikanë në ShBA, të cilëve nuk u duhet fare anglishtja, për të përmbushur përsosmërisht rolin e tyre social, në zgrip të shoqërisë amerikane – ndryshe prej kamerierit në restorant, busboy-t nuk i duhet goja, që të ta rimbushë kanën me ujë çdo pesë minuta.

Çfarë do t’i hynte në punë italishtja, prostitutës në Caserta? Kushedi klientët e saj të mundshëm do t’ia kishin preferuar italishten me theks, ose parodinë e kukullës, manekinit, simulakrit, që kërkon të vendosë marrëdhënie me ta përtej karnalitetit dhe pasionit seksual; por, përndryshe, transaksioni monetar – që është edhe thelbi i rolit social të prostitutës – mund edhe të shprehet ndryshe, të shkruhet me stilolaps mbi shpinë të dorës, njëlloj siç ngjitet etiketa e çmimit mbi një mall në supermerkato.

Edhe çmimi flet – nuk mund ta harroj dot ulërimën “mila lire”, që të zaptonte dikur veshët gjatë vizitës së detyrueshme në tregun e Porta Portese-s në Romë (“pleshti”); të dalë prej gjithfarë aparatesh shqiptimi, nga të katër anët e zoo-s planetare; dhe, pa dyshim, prej qyqarësh që nuk dinin fjalë tjetër në italishte, veç asaj etikete zanore – mila lire, të vendosur mbi pirgun piramidal prej akriliku të trikove dhe tutave të përdorura.

Në treg, edhe prostitutës nuk i duhet më shumë se aq – një mila lire, si arsyeja lakuriqe e ekzistencës; ose gjuha e reduktuar në minimumin e mbijetesës: një shenjë udhëzuese, për paratë që do të ndërrojnë duar.

Imigranti shqiptar tashmë i normalizuar nuk ka nevojë të dijë italisht; sepse gjendet i kredhur në një botë ku për kontaktet me vendësit gjuha nuk do t’i duhet më … derisa t’i përfaqet rendi publik, në trajtat e ligjit, policit, karabinierit; ose edhe shoqëria civile, me OJQ-të dhe kamera-mikrofonët e mediave.

Për imigrantin ilegal, të shfrytëzuarin dyfish, rendi publik është diçka për t’u shmangur – meqë ky lloj imigranti jeton në intersticet sociale, ose në hapësirat e ri-negociuara pa fund midis rendit dhe jo-rendit. Nëse kjo shmangie dështon, atëherë rendi vetë mishërohet si marrje në pyetje.

Kam njohur, më shumë se ç’do të kisha dashur, shqiptarë të ardhur në Itali, në fillimvitet 1990, me dëshirën e zjarrtë për t’u bërë pjesë e shoqërisë italiane – këta ishin bashkatdhetarët e mi që iknin prej Shqipërisë së atëhershme; dhe që nuk kërkonin aq supë, strehë, jastëqe, brisqe, vitamina dhe shampo kundër zbokthit, sa përfilljen prej vendësve.

Dhe këta i kam parë të ndihen mirë deri edhe gjatë marrjes në pyetje, kur u është dhënë më në fund mundësia për ta ushtruar kompetencën e tyre në italishte – sy më sy me hetuesit italianë; duke i shijuar fjalët e shqiptuara si të ishin sheqerka.

Kjo i bënte të lumtur edhe vetë italianët; sepse rendi publik e kërkon Tjetrin në gjendje të komunikojë dhe ashtu edhe e miraton.

Më kujtohet – dikur në 1993 ose 1994 – kur policia në Napoli kish kapur dy prostituta shqiptare dhe i kish mbyllur në burgun e Poggioreale-s, me shpresë se ndonjë prej tyre do të denonconte tutorët e vet. Njëra prej tyre, edhe pse beratase, kish treguar një pasaportë jugosllave; dhe ndoshta për këtë arsye hetuesia kish sjellë në burg një përkthyese të serbo-kroatishtes.

Isha i pranishëm, kur përkthyesja serbe, me zell-egërsinë e ftohtë të dikujt që i jepet mundësia t’i shërbejë shtetit, cilitdo shtet, përpiqej t’u shpjegonte italianëve – të mërzitur për vdekje – që kjo prostitutë kinse kosovare i kish dokumentet të falsifikuara, sepse një kosovare e mirëfilltë do ta fliste patjetër serbo-kroatishten.

Ndërhyrja ime, se një shqiptare nga Kosova nuk ishte e detyruar ta fliste këtë gjuhë tjetër, e mori sakaq përgjigjen therëse: “mos u tregoni kaq sipërfaqësor, ju lutem.”

[Në filmat e Kinostudios, këtë lloj përkthyesi që bashkëpunonte haptazi me “fashistët” do ta kishin vrarë me atentat, mu tek dera e burgut.]

M’u duk ironike, edhe atëherë, që prostitutës shqiptare që nuk dinte aq italisht sa të mos kish nevojë për përkthyes, sapo i ishte kërkuar që të fliste një gjuhë tjetër “zyrtare” – si për të përligjur pasaportën që mbante, së paku në sytë e hetuesve të saj.

E megjithatë, prostitutave shqiptare hetuesia u pëlqente; nuk i tregonin tutorët e tyre, e dinin se deri në mbrëmje do t’i kishin liruar, dhe ndërkohë zbaviteshin duke praktikuar italishten me gjithfarë burrash italianë horny, me të cilët nuk ishin gjë të detyruara të ndanin shtratin sakaq.

Të çuditshme këto imigrante, që e përjetonin dinjitetin e tyre njerëzor pikërisht në rrethanat kur u kufizohej liria!

Ishin kohë të tjera, pra; kur edhe një prostitute të ardhur me skaf prej Shqipërie i lejohej të ëndërronte, në mënyrën e vet, madje edhe gjatë një muhabeti të shtruar me hetuesit. Imigrantët ende shpresonin, në grup, se mund të shkriheshin e të treteshin në shoqëritë pritëse; dhe shumë prej tyre ia arritën vërtet.

Prandaj ndoshta të ngjall trishtim imazhi i kësaj prostitutës së tanishme nga Shqipëria, që nuk komunikon dot me italianët, përveçse me çmimin që ia kanë shkruar me stilolaps në shpinën e dorës; sepse askush prej nesh, përfshi edhe aspirantet e mirëfillta për prostituta, nuk e kishin parashikuar që, si pasojë e normalizimit, shqiptarët do të përfundonin në fund të pellgut – si qenie pa gjuhë; në të dy kuptimet e këtij togfjalëshi fatal.

Nuk ka komente

  1. Nuk besoj se ka te beje me “normalizimin”.

    Emigrantet qe nuk e flasin gjuhen e vendit gjithmone kane ekzistuar, Ata jane te shumte dhe u perkasin kategorive te ndryshme. Pergjithesisht jane njerez me nivel tejet te ulet kulturor qe per arsye te ndryshme nuk duan e nuk u intereson te integrohen.

    Vite me pare ne Rome me ka qelluar te takoj nje djale te ri nga Berati – asokohe tutor i nje prostitute me te cilen me pas kam marre vesh se u martua – i cili, edhe pse ishte ne Itali prej pese vjetesh, as e fliste e as e kuptonte italishten.
    Kam degjuar edhe per emigrante shqiptare pa leje qendrimi qe jetojne prej vitesh ne fshatrat arbereshe ku flitet arberisht, qe nuk e dine italishten sepse u mjafton arberishtja per te folur ne fshat.

    Ne Gjermani me ka qelluar te takoj gra kosovare, kryesisht shtepiake, qe, sikurse “koleget” e tyre turke, nuk flasin e as kuptojne gjermanisht.

    Ne Itali kam pasur rast te takoj shume kineze qe nuk e flasin fare italishten, nderkohe qe te tjeret mezi e flasin. Nuk me ka qelluar te takoj asnje kinez qe ta flase mire. E njejta gje mund te thuhet edhe per emigrantet nga vendet e Magrebit. Grate e tyre qe nuk punojne, nuk e flasin gjuhen.

    Ndersa ne Shqiperi gjate viteve ’70 dhe ’80 kam njohur gollobordas dhe dropullite qe kishin veshtiresi te medha me shqipen.

    Nderkohe qe, nga ana tjeter, kam takuar shume emigrante shqiptare qe gati-gati e kane harruar shqipen, apo gjithsesi nuk duan ta flasin ate, e flasin per faqe te zeze, gjithe bezdi dhe vetem kur jane te detyruar.

    1. Shkrimi im ishte specifik për emigracionin nga Shqipëria në Itali – dhe nuk synonte ndonjë përgjithësim për emigracionin në përgjithësi, madje as atë të shqiptarëve në përgjithësi.

      Çështja është nëse historia e vonë e imigracionit shqiptar në Itali po tradhton një rënie të dëshirës për të komunikuar me tjetrin.

      Në fillim të viteve 1990, shqiptarët që kapërcyen Adriatikun ndiheshin pjesë e botës, edhe pse të mbajtur të mbyllur me zor brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

      Tani duket sikur kjo nuk po ndodh më; çfarë edhe më shtyu të shkruaj. Është fakt që gjithnjë e më pak gjen shqiptarë që të flasin mirë italishten, mes brezit më të ri.

      Ka një humbje shprese, pra; dhe bota nuk na tërheq më si më parë, në një kohë që marrëdhëniet e shqiptarit me jashtë po reduktohen më tepër në atë çmimin e shkruar në shpinë të dorës.

      Përndryshe, shembuj që bien ndesh me prirjen e përgjithshme gjithnjë mund të sillen – por nuk më duket se ngrenë peshë në argumentin tim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin