QYTETI I PËRJASHTUAR

Do të ketë ardhur ai brez në Tiranë, për të cilin lagjja e Bllokut nuk shënjon asgjë nga e shkuara totalitare e Shqipërisë, por vetëm një hapësirë të kryeqytetit ku konsumohet jetesa në një mënyrë të lakmuar.[1]

Ky brez do të përjetojë, dhe kushedi po e përjeton tashmë, kthimin tinëzar të bllokut, specie urbane, por edhe sfidë parazitare ndaj qytetit, jetës publike dhe lirisë së individit.

Si lagje e gardhuar e Tiranës, ku jetonin udhëheqësit kryesorë të PPSh-së dhe të shtetit totalitar, blloku u përvijua pas Luftës, dikur në fillim të viteve 1950.[2]

I kishte që atëherë karakteristikat e çfarë sot do ta quanim gated community: ndalim-qarkullimin e lirë të qytetarëve, rojet e armatosura dhe privilegjin e padiskutueshëm, të fshehur nga sytë kureshtarë.

Me kohë, në imagjinatën popullore, blloku erdhi dhe u kthye në vendin mitik, ku “jetonte shoku Enver”, ose një farë Olimpi i totalitarizmit shqiptar – ku perënditë jetonin veç vdekëtarëve.

blloku 2Ky fshat i madh brenda Tiranës, përbënte, në fakt, kulmin e tretë, pervers, të një trekëndëshi, duke përfaqësuar anti-qytetin, përballë qytetit më një anë dhe joqytetit më anën tjetër.

Fjala bllok, si emër i kësaj lagjeje dhe në kuptimin “grup ndërtesash”, duket se është e njëjta me italishten blocco dhe frëngjishten bloc; ndoshta edhe me rusishten dhe serbo-kroatishten блок, me po atë kuptim – një fjalë ndërkombëtare. Në shqipe e ndesh edhe si bllok apartamentesh, bllok shtëpish banimi, etj.; dhe etimologjikisht fjala lidhet, në fjalët burimore, me konceptin e diçkaje masive dhe solide (bllok mermeri).[3]

Megjithatë, pakkush nuk e ka shoqëruar në mendje, këtë bllok ndërtesash në mes të Tiranës, me konceptin e bllokut si pengesë për lëvizjen – sa kohë që lagjja mbetej e bllokuar për publikun; ose e rrethuar me postë-blloqe rojesh.

Kështu i ri-etimologjizuar, blloku vinte dhe përfytyrohej si një tromb në arteriet e Tiranës, ose si një masë që bllokonte, duke ia ndërprerë qytetit karakteristikën e vet ndoshta kryesore: vijueshmërinë e qarkullimit publik, ose lirinë hapësinore.

blloku 3Si qytet i ndërprerë, si displazi në indin urban, blloku përfaqësonte anti-publiken, si skaj të tretë të një trekëndëshi të përftuar edhe nga publikja – e mishëruar më së miri prej Bulevardit të madh përbri dhe privatja, e mbijetuar në zonat e vjetra të Tiranës, në trajtë shtëpish të ulëta dhe kopshtijesh.

Përmbysja e regjimit komunist në fillim të viteve 1990 shënjoi edhe hapjen e bllokut, ose zhbllokimin e Tiranës; çka, paradoksalisht, erdhi dhe e shndërroi këtë lagje deri atëherë të ndaluar në zemrën e kryeqytetit, ose në qendrën jo-zyrtare të jetës publike.

Sot blloku përfaqëson vendin ku jetohet në një mënyrë të caktuar; ose zonën e konsumit të spikatur (conspicuous consumption) në Tiranë, ku të rinjtë kryesisht shihen dhe mërzejnë në kafetë, baret, klubet dhe restorantet me emra joshës, vatra eksperiencash sa intime aq edhe socializuese.

Megjithatë, blloku i sotëm e ka ruajtur, nga i vjetri, natyrën e të qenit i gardhuar, ose i ndarë nga pjesa tjetër e Tiranës; por duke e transpozuar gardhin në një përmasë tjetër, më sublime.

Vendin rojeve të armatosura ua ka zënë paraja dhe transgresioni; çka do të thotë se privilegji vetëm sa është zhvendosur, duke u kamufluar; teksa portat e këtij garnizoni të jetesës chic i janë hapur publikut, pa të cilin konsumi i spikatur nuk mund të realizohet.

Nga një vend dikur i fshehtë dhe i fshehur, blloku post-komunist funksionon tani si skenë për riprodhimin e brezit të ri kryeqytetas.[4]


[1] Ideja për këto shënime më lindi kur po dëgjoja një material të lexuar nga Romeo Kodra, në takimin “Polifoni pa fustanellë”, të zhvilluar në Tiranë në nëntor të vitit 2013; që është botuar edhe në revistën A.K.S. me titullin “Praktika skizogjene dhe proksemika e hapësirës”; megjithë spuntot shumë produktive të esesë së Kodrës, interesi im ndaj temës ka më shumë natyrë semiotike.

[2] Historinë e kësaj lagjeje në Tiranë do ta gjeni të shtjelluar më mirë në esenë e lartcituar të Kodrës.

[3] Nuk e kuptoj pse Kodra e lidh këtë fjalë me bërllok duke iu referuar edhe një etimologjie të Çabejt. Me kuptimin “grup ose masiv apartamentesh a shtëpish banimi”, bllok si term i urbanizimit industrial është huazim libror në shqipen, nga ndonjë gjuhë perëndimore, kushedi edhe me ndërmjetësimin edhe të një gjuhe sllave.

[4] Këtë funksion skenik ose teatral të bllokut e përmend edhe Kodra në esenë e lartcituar, edhe pse jo aq sa ç’do ta kisha dashur unë.

Nuk ka komente

  1. Dallimi midis përjashtimeve parakapitaliste e tejkapitaliste (socializmat realë) dhe përjashtimit kapitalist (edhe në terma hapësinorë) është se në të parët kufiri është i jashtëm/transhendent, ndërkohë që në të dytin është i brendshëm/imanent. Kështu që në bllokun e sotëm, megjithëse nuk ka kufij, trarë, biletë për të paguar etj, prapëseprapë të varfrit nuk qasen dot, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për hapësirat private të lokaleve/pubeve, por edhe për trotuaret ndanë tyre. Të vetmit të varfër që kanë “liri hyrjeje” janë shitësit e vegjël të cigare/çamçakëzëve ose lypësit, por këta për përkufizim janë të padukshëm, ose më saktë nuk janë banorë bllokistë, por thjesht instrumente që plotësojnë nevoja të ngutshme a tepri që kërkojnë lëmoshë. Të varfrit “normalë”, d.m.th. të papunët, punëtorët që s’i lidh puna me të, të keqpaguarit, pensionistët etj. as i afrohen Bllokut, madje edhe po iu ra rruga përmes tij, duket se zgjedhin t’i bien qark. Dhe kjo më së pari prej faktit se përjashtimi (imanent) social-ekonomik i tyre prodhon dhe riprodhohet prej përjashtimit (po imanent) hapësinor dhe estetik. Të varfrit nuk i qasen Bllokut edhe sepse u duket vetja estetikisht të padenjë, e menjëherë të përçmueshëm.

    1. Vërtet: madje prania e këtyre fëmijëve që shesin cigare/bajame të pjekura etj. dhe e lypësve sikur e përforcon natyrën përjashtuese të bllokut: si të ishin këta të paprekshëm (untouchables, në kuptimin “indian” të fjalës) kusht që të tjerët të konfirmojnë opulencën e tyre ose më mirë eksperiencën e konsumit të opulencës – njëlloj si në aeroporte, në mjediset publike afër hoteleve luksoze, etj. Unë vetë e kam kapur një herë veten gafil, duke u habitur pse një prej këtyre fëmijëve që shisnin cigare i kishte sytë bojëqiell – pa vetëdije, prisja që t’i kishte të zinj.

  2. Kam jetuar adoleshencen time ne Tiranen e Re dhe sipas meje, demokratizimi i pare i bllokut ndodhi diku ne mes te viteve ’80 (mbase pasi vdiq Enveri?), kur kufijte e bllokut u retraktuan dhe ushtaret filluan t’u fishkellenin vajzave te pakta qe kalonin atypari. Sot ky detaj duket kaq i parendesishem e madje qesharak edhe per femijet e mi, por mua me kujtohet fishkellima e pare e ushtarit te merzitur tek cepi i rruges Ismail Qemali dhe aty per aty mendova se shefi i rojeve do t’ja kishte marre me gjume..Sipas meje ishte shenja e pare e shkrehjes…..

  3. Pershendetje,
    deshiroja te beja nje nderhyrje specifikuese mbi etimologjine cabejane te ‘bllokut’. Nga serbokroatishtja dhe sllavishtja ‘blloku’ si term eshte derivat i ‘brlog’ – ‘berllokut’ ne shqip, prej te cilit edhe e mora (shih Studime Etimologjike te E. Cabej i cili e merr prej Meyer-it). Ne shqip, si nendarje e lagjes, fjala ‘bllok’ hyn me sistemimin ‘alla sovjetik’ te ndarjes se qyteteve qe qeveria e Enverit ndermori pas clirimit. Dmth ne shqip kemi nje huazim te ketij termi ne dy periudha: e para si berllok (ne geg), dhe e dyta – duke ndjekur evoluimin ne ‘sllavisht’ – si bllok (ne shqipen zyrtare). Keshtuqe besoj se eshte prej ‘sllaveve’ qe e marrim dhe jo prej ‘latineve’ (i referohem ketu termit percaktues te nje pjese te lagjes). Madje deri para clirimit (nuk jam i sigurt 100%, por do ta kontrolloj) per fjalen ‘bllok – nendarje e lagjes’ ne Shqiperi perdorej ‘kuartjer’.
    Personalisht etimologjia prej ‘berllok’ me hap gjithashtu dritare sugjestionuese mbi interpretimin e procesit te territorializimit te kryer prej species sone (Deleuze). Berlloku (sediment, kashte e therrmuar) organizohet ne bllok (cerdhe, hapesire e mbyllur) fale nje sintetizimi prej deshires autoritare te se pavetedijshmes e cila na perket te gjitheve (jo vetem Enverit, jo vetem bllokmeneve apo neo-bllokmeneve …o Zot po citoj Salen!!! Kam nevoje per nje higjenizim gjuhesor!). Organizimi semiotik dhe semantik i hapesires – duke filluar nga ajo urbane e deri tek ajo teatrore (qe perben interesin tim primar) – ne Shqiperi shoh se ka nje analogji vertikale dhe horizontale e cila duhet studiuar ‘ftohtesisht’. Nuk me prekin aspak termat katalogues dhe konceptet qe merren a priori …kur degjoj termat ‘komuniste, komunizem dhe derivate te tjera qe perbledhin brenda qe nga Enveri, te Lenini, Che Guevara apo Pasolini me ngrihen qimet perpjete sepse behet nje mish mash i madh ku mund te flasin te tere ‘demokratikisht’ si ne cdo program televiziv kulinar.
    Shoh gjithashtu qe ne komentet tuaja ka nje lloj habie, cudie, shastisje apo skandalizimi ndaj barbarise tehuajzuese te fenomenit ‘bllok’. Do ishte mire ta ruanim skandalizimin sepse ndihmon ne kunderveprimin ndaj ketij fenomeni, por edhe duhet ndare vrulli i ketij skandali nga arsyetimi dhe komunikimi i dhe mbi kete fenomen. Kam disi me merak renien ne folklorizma apo ekzotizma me te cilat ende katalogohemi ne Evrope.
    Sefundmi, doja te shtoja qe eshte kenaqesi xhaxha ndarja e ketyre argumenteve me ju. Nuk e di, por mbase jeni pjese e atyre pak personave me te cilet mund te kundershtohet lirisht dhe te mos kihet frike qe kur te fillojne e te riflasin do te mbushin gojen me fjale.
    Faleminderit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin