SI I NDËRRON MBRETI GRATË

06-Ahmet-ZoguIncesti i supozuar ish-mbretit Zog me njërën prej motrave, sipas një raporti të CIA-s të deklasifikuar, ka pushtuar faqet e mediave të Tiranës, pas botimit të dokumentit nga “Dita”.

Nuk ka arsye të dyshosh për autenticitetin e raportit, edhe pse nga gjuha e përdorur aty, dëshmia duket më shumë si hearsay.

Reagimet ndaj këtij lajmi vetëkuptohen, madje edhe ato që nuk vijnë të zgjyrosura me politikën e ditës, ose paragjykimet anti-malok.

Disa e kanë shfrytëzuar këtë “zbardhje” (ose duhet ta quaj “nxirje”?) për të shpjeguar se kështu e kanë zakon myslimanët ose arabët; dhe duke sjellë me këtë rast shembuj martesash mes kushërinjve të parë, siç ka ndodhur edhe në vetë familjen e Zogut.

Këta ngatërrojnë martesat endogamike dhe të një-gjakshme, të cilat kanë pasur dhe kanë një funksion social të caktuar në shoqëritë myslimane (siç ndodh edhe sot e kësaj dite në botën arabe) me tërheqjen seksuale brenda familjes, diçka krejt tjetër – sa kohë që martesat endogamike kanë qenë rregullisht të kombinuara në tavolinë.

Të tjerë sjellin në muhabet malokërinë e Zogut, ose argumente të ngjashme prej taverne.

Unë do të sugjeroja pak kujdes, duke u bazuar në dyshimin se një jurist amerikan mund edhe t’i ketë lexuar gabim dinamikat e marrëdhënieve brenda një familjeje malësore shqiptare, ku lidhja e vëllait me motrën është e privilegjiuar – edhe pse jo në kuptimin seksual! – ndaj lidhjes së burrit me gruan. E para është sublime, e dyta jo.

Edhe pse nuk kam ndonjë simpati për Zogun si mbret, as mendoj se mbretërimi i tij ka qenë legjitim, nuk më lë shije të mirë kjo njollosje që i bëhet, për incest, në bazë të një raporti spiunësh.

Në hyrjen që i bën botimit të këtij dokumenti te “Dita”, Habjon Hasani e sqaron mirë se, kur është fjala për figura me potencial politik subversiv, si ish-mbreti Zog, veset seksuale do të gjurmohen me kujdes të madh nga agjenturat, meqë shpesh do të shërbejnë si bazë për shantazh.

Megjithatë, dokumenti nuk provon asgjë, përveçse që hartuesi i tij besonte në incestin e Zogut me të motrën Sanije – së cilës edhe emri i shkruhet në një formë të panjohur.

Juristi amerikan, mik i familjes i Zogut, mund të ketë ngatërruar për incest familjaritetin e madh të mbretit me motrën, ose ta ketë gjetur të pashpjegueshëm autoritetin e motrës ndaj të vëllait, në një kohë kur mbretëresha ishte lënë në hije nga familja, si kukull e përdorur.

Nuk përjashtojmë dot as një farë qasjeje orientaliste, të një perëndimori ndaj dinamikës familjare të ndërlikuar në një familje si ajo e ish-mbretit.

Gjykimi im, për aq sa vlen: dokumenti është interesant në vetvete, por nuk provon asgjë.

“Dita” do të bënte mirë që ta shoqëronte botimin me një intervistë marrë ndonjë biografi të Zogut ose të familjes mbretërore. Përndryshe, ka rrezik që thashethemi të përfundojë në fakt historik të gdhendur në mermer.

Nuk ka komente

  1. Dokumenti eshte vene ne dispozicion te “Dites” nga ndonje njeri i afert me Sigurimin. Ky material, madje qe ate e ka hartuar CIA ka kohe qe qarkullon ne disa rrethe si nje e dhene e njohur per Sigurimin e qe sigurisht njefaresoj eshte bashkeshoqeruar me thashethemin(!) tjeter se Isuf Mullai kishte lidhje intime me Geraldinen. Edhe ideja qe Kastriot Myftaraj qarkulloi per nje lidhje te supozuar te Enver Hoxhes me motren e vogel te Zogut, u “zbulua” se doli ne drite si ide, pak pas vdekjes se Mullait.

  2. Xhaxha. Mendoj se eshte pjese e te njejtit fenomen me komentimet. Turma e uritur pret ushqimin e rradhes, dhe media nuk ja kursen.
    Sa per dokumentin, per arsye ideologjike e them me keqardhje, duket dukshem keqkuptimi,

  3. “Heroi i Heshtur”, kjo qe ju thoni se dokumenti eshte vene ne dispozicion nga ndonje njeri i afert me sigurimin, nese do jete e vertete, sjell nje pasoje tronditese: Te gjithe perdoruesit e internetit edhe ne Kine, edhe ne Indi edhe ne Australi jane nen efektin e dokumenteve qe u ve ne dispozicion Ish-Sigurimi i Shtetit.

    Sepse, i dashur Hero i Heshtur, dokumentet qe kane dale sot tek DITA, jane te aksesueshme nga cilido planetar qe futet ne google dhe kerkon me kete kerkim-kod: “OBOPUS” Geraldin

    Kerkim-kodin nuk na e ka dhene Sigurimi, OBOPUS eshte emri i operacionit te CIA-s qe permban nje mal me dokumente, ndersa Geraldina sic mund ta dish eshte kriter logjik kerkimi kur do te kerkosh mbi familjen mbreterore shqiptare.

    Me fal per ne vijim, por vetem te paaftet menderisht mund te dalin ne konkluzione pa testuar me pare justifikimet dhe shpjegimet qe ka dhene DITA per menyren se si e siguroi informacionin.

    Dhe une qe mendoja se “Heronjte e Heshtur ishin ku e ku me te sofistikuar dhe te mprehte… 😛

    1. Po, ke te drejte qe e paska publikuar CIA. E ben CIA edhe kete pune, njesoj si “Dita”. Po per nje cast mendova se ky dokument do kishte shpetuar pa dale me valixhen e Shkelzenit qe njoftonte para ca kohesh, jo CIA, por “Dita”. Vetem se deri te kerkim-kodi qe “nuk ua ka dhene Sigurimi”, kerkohet gjithsesi nje orientim. Por burimi i gazetes pranohet ne kete rast, qofte edhe per te shmangur pasojat tronditese per te cilat flsini ju. Di me siguri qe Sigurimi e ka patur ne dispozicion kete dokument, por me sa duket ka ruajtur mire kodin e heshtjes. Mbase kjo ua qeteson pak trazimin qe patet nga zhgenjimi nga heronjte e heshtur.

  4. Ky dokument me shume sesa per Zogun eshte domethenes per Geraldinen.

    Nga i ka marre keto informacione avokati amerikan?
    Ne mos qofshin fryt i fantazise se spiunit, i bie t’i kete marre nga e shoqja, qe paskesh qene kusherire e Geraldines, pra nga vete Geraldina.

    E ç’mund te thuash per nje grua-mbreteshe qe akuzon te shoqin-mbret per incest?

    Sipas kujtimeve te Geraldines, ishte pikerisht kjo qe i mbushi mendjen mbretit tone te ikte, sepse, gjithnje sipas saj, Zogu kishte ndermend ta priste Italine me pushke.

    Keshtu eshte kur i degjon shume grate. 🙂

  5. Ndoshta avokati-spiun raporton fjale te te treteve, se duket e veshtire te kete pasur nje afrimitet te tille me “Oborrin mbreteror” sa te mesonte c’fare behej ne dhomen e gjumit te Ahmetit. Dhe mesa kuptohet nga shkrimet e Cetin Saraçit dhe te tjereve; prej njerezve te asaj lloj Bahçeje mund te presesh çdo fjale e çdo lloj te pabere.
    Perndryshe jane shume interesante te dhenat mbi floririn e vjedhur ne banken e Shqiperise. Kuptohet qe ato te ardhura i duheshin Zogut per te mbajtur familjen dhe pasuesit ne mergim, dhe deri ne njefare mase edhe nuk mund te gjykohen shume rende. Mund te thuhet se Ahmet Zogu kishte pergjegjesine e shume veteve mbi supe te cileve duhet t’ju siguronte jetesen ne nje vend te huaj, dhe ne fund te fundit nuk kishte asnje alternative tjeter perveçse “marrjen borxh” te pasurise se shtetit shqiptar. C’fare nuk kuptohet eshte se perse nuk i kerkohen kthimi i kesaj pasurive trashegimtareve te tij, siç do ti kerkohej çdo trashegimtari te nje borxhliu qe ka nderruar jete. Sipas ligjit shqiptar nese pranon trashegimine e dikujt, pranon njekohesisht edhe borxhet, ose perndryshe i njejti ligj parashikon edhe mundesine e heqjes dore prej kesaj trashegimie.

    1. Shume dakort me ju, por a kemi ndonje vendim gjyqesor qe te kete denuar mbretin e veteshpallur per vjedhjen e floririt te shtetit shqipetar?

      1. Jo nuk e besoj, megjithese nuk eshte çudi qe gjate diktatures te kete ndodhur edhe ndonje gjyq i tille. Flas parimisht, duke u mbeshtetur ne informacionin e mirenjohur se ekzistojne deshmi siç edhe dokumente (ne Banken e Shqiperise) sipas te cilave ne 6 prill 1939 eshte terhequr i gjithe ari i Shtetit me urdher te Ahmet Zogut. Them se Shteti shqiptar ose Banka e Shqiperise, kane te drejte dhe duhet t’jua kerkojne kete ar trashegimtareve, por me tej nuk i di mire detajet dhe procedurat ligjore qe ndermeren ne raste te tilla. Nese i intereson ndokujt, ne fakt edhe mund ti gjej dhe ti sjell ketu eventualisht

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin