MATERIALIST ME KRENARI

konsumistNuk di kujt t’ia vë fajin, paaftësisë, injorancës, apo qarqeve të zakonshme antishqiptare. Fakti është se Shqipëria në sondazhin e fundit as që rezultoi fare, edhe pse janë marrë në shqyrtim rreth njëzet vende. Nuk është hera e parë, që ne shqiptarët injorohemi nga vëmendja ndërkombëtare. E kam fjalën për kërkimin shkencor mbi materializmin e popujve të ndryshëm.

Sipas sondazhit të shoqërisë amerikane Ipsos, botuar në dhjetor të 2013, kinezët qenkan më materialistët në botë. Praktikisht Kina zuri vendin e parë në përgjigjen ndaj pyetjes “E vlerësoni suksesin tuaj personal nga gjërat që keni?” Në vend të dytë doli India, pastaj Turqia, Brazili, Koreja e Jugut, Polonia, Franca, Afrika e Jugut, Rusia, Argjentina, Belgjika, etj. Në vend të parafundit Spanja, ndërsa në fund fare Suedia. Shqiptarët janë përjashtuar qëllimisht nga sondazhi, përndryshe titujt e gazetave kishte për t’i kapur vendi ynë dhe jo Kina, e cila nuk është se ka shumë nevojë për vëmendjen globale. E ka me përkufizim.

Ku do të ishte Shqipëria në këtë klasifikim? Nuk dua të mëkatoj me mendjemadhësi, por me siguri do të ishim në vendet e para. Po ta pyesësh Benin, shokun tim të shkollës, nuk do të kishte pikë dyshimi. Sendet, objektet, gjërat, madje edhe femrat, meqë jemi në këtë kategori, tregojnë mbi të gjitha suksesin. Po të jesh humbalaq, as femra më koti nuk ta var, nuk t’i hedh qyret, do të thoshte Ergysi. Përndryshe, përse Beni e pastron fuori stradën si këpucët dhe i hip sikur po mbath çizmet? Kostumin Armani e kërkoi në të gjithë Milanon dhe mezi priti sa ta vishte; e inauguroi kur shkoi në lokal me trofeun e fundit, atë këngëtaren bionde turbofolk.

I measure my success by the things I own

I measure my success by the things I own

Po ta kishin pyetur Gimin, do të dilnim jashtë listës si shqiptarë. Kur e pyet si je, nuk të thotë jam mirë, por çfarë ka blerë. Një apartament tek Blloku, një tjetër në Priskë, e një tjetër tek Mali i Robit, ose tek Robi i Malit. Vilën në Gjirin e Lalzit nuk e llogarit më. Tani po mundohet të shtrihet jashtë shtetit. Si puna e Gertës e cila, që kur la burrin, ka filluar të bëjë biznes në Europë. Ka ngritur dy ndërmarrje me fitime të majme, çka e ndihmon që ta bëjë pazarin në Paris. Gojët e liga thonë se ka bërë sukses me ndihmën e dashnorit deputet, të dytin, jo të parin, por suksesi matet edhe me arritjet sentimentale. Çfarë të keqe ka? A nuk jemi vend i lirë? Demokraci do të thotë të kesh sa më shumë e të bësh çfarë të duash.

E mat suksesin me sendet që ke? “Ç’dreq pyetje është kjo?” do të thoshte Çimi. “Po pse, si mund të matet ndryshe suksesi në jetë? Me sa ndeshje shahu ke fituar? Apo me sa libra ke lexuar?”. Këta shkencëtarët e huaj janë të çmendur. Bëjnë pyetje idiote. Më i kuptueshëm do të kishte qenë deputeti i lagjes. Ai e di se gjërat nuk janë të rëndësishme në jetë, edhe pse sillet ndaj tyre si koleksionist i thekur. Për të nuk kanë rëndësi sendet, por mënyra si t’i arrish ato sa herë të teket. Prandaj, edhe i intereson pushteti.

Sondazhi ka një sërë gabimesh. Edhe pyetja e dytë (E ndjen veten nën trysni për të qenë i suksesshëm e për të bërë pare?) lë shumë për të dëshiruar, se është formuluar keq. Presion nga ana e kujt? Gruaja e Visit nuk është se i bëri presion, e la burrin se mbeti pa makinë. Ai nuk qulloste asgjë. Ishte anëtar komisioni për tenderët, por rrotat i grasatonin të tjerët. Doktor Armirin, për shembull, e quanin budalla, vetëm se nuk dinte të merrte pare nën dorë. Bile një pacient i tha: “Do t’i marrësh që ç’ke me të. Po nuk i more do të thotë se nuk do e çash kokën për mua”. I shkreti Armir, kur i mori për herë të parë, iu drodhën duart; prandaj e kapën dhe e rrasën brenda. Prapë, edhe në burg, budalla e quajtën.

I feel under a lot of pressure to be successful and make money

I feel under a lot of pressure to be successful and make money

Ata që shkruajnë pa pare, pra shkronjëtarët siç i kanë quajtur diku, janë të pakuptueshëm. Por edhe atje ku nuk ka kuptim, një kuptim e ka. Diku edhe ata firmosin. Por në cilën borderò? Në cilin han bujtin? Çfarë çorbe hanë? Në qoftë se kanë presion, e kanë nga ata që i porosisin shkrimet, jo nga lexuesit që nuk duan t’i lodhin më sytë me shkronja. Sot askush nuk lexon. I suksesshëm? E si mund të bëhesh i suksesshëm me tastierë? Po nuk qe tastierë muzikore, harroje… Pyetja është shtruar vërtet keq. Përse duhet të të bëjnë presion të tjerët për të bërë pare? Po nuk e kuptove vet, je idiot. Njerëzit nuk kanë pse ta zbrazin të vetën për ta mbushur kungullin ty. Të bësh parë është imperativ botëror, nuk është presion. Me presion është tenxherja, jo shoqëria.

Në këtë pikë Shqipëria do të dilte e para pa hezitim. Kinezët mendojnë se janë më shumë nën presion (68%); pastaj kemi Afrikën e Jugut (66%), Rusinë (66%), Indinë (60%), Turqinë (53%), praktikisht ekonomitë emergjente. Sipas studimit të mësipërm, paska më pak trysni në vendet  e zhvilluara: Italia (25%), Suedia (26%), Japonia (29%), Franca (33%), Belgjika (36%), Spanja (36%). Por çfarë studimi është ky? Ata që e kanë arritur suksesin nuk kanë pse ta kenë më! Apo jo? Por prapë, varet si do ta shprehnin pyetjen. Në Shqipëri nuk të thotë kush: bëhu i famshëm, as fito para. Nuk ta var njeri po nuk pate pare, po nuk pate miqësi, njohje e pushtet, por kjo është tjetër gjë. Gjithsesi, në thelb pyetja mbetet pa kuptim. Duket sikur i suksesshmi dhe i kamuri është në gabim. Atëherë pse të gjithë vdesin për sukses, vdesin për të dalë në televizor, dhe kërkojnë të pasurohen? Institutet nuk na e thonë këtë gjë kaq të thjeshtë. Kinezët nuk janë më të mirë se ne, edhe pse ka shqiptarë, nuk e mohoj, që nuk janë aspak materialistë. Përkundrazi. Por nuk duhet të përgjithësojmë.

Në pikat e fundit, lidhur me optimizmin, shqiptarët do të kishin dalë në vend të parë. Nuk ka diskutim. Tani, nuk kuptohet mirë përse e kanë ndarë pyetjen (1. Optimist ose pesimist për vendin; 2. Optimist ose pesimist për vete e familjen tënde). A nuk janë e njëjta gjë? Në qoftë se vendi yt shkon mirë, nuk të vete mbarë edhe ty? Për shembull: kur thuhet se Shqipëria ka rritje të fortë ekonomike, ta zëmë me 10%, a nuk do të thotë se të gjithëve u është rritur rroga me të njëjtën shifër? Sipas sondazhit, 59% e të intervistuarve janë optimistë për jetën personale, por vetëm një e treta e tyre deklarohen optimistë për vendin. Ka diçka që nuk shkon. Duket hapur. Në Shqipëri përqindjet do të dilnin fiks fare. Më të lartat, në vend të parë, natyrisht. Përkundrazi, të dhënat e sondazhit ndërkombëtar dalin kot më kot. Më optimistë për veten janë: Afrika e Jugut (75%), Brazili (74%), Suedia (73%), Kanadaja (71%), Argjentina (71%) etj. Më pak optimistë duken: Japonia (40%), Italia (47%) dhe Franca (49%). Për vendin janë optimistë indianët (53%), kanadezët (47%), kurse më pak janë francezët (9%) dhe italianët (10%). Ne sapo festuam 100 vjetorin e Pavarësisë. Do të ishim optimistë për vete dhe vendin bashkë. Njëlloj. Edhe për komshiun.

Kërkimi i mësipërm shkencor nuk mund të quhet shkencor për disa arsye. Së pari, nuk merr parasysh Shqipërinë. Eshtë i mangët. Këtë e thamë që në fillim. Por nuk merr parasysh edhe faktorin e relativitetit. Për shembull, për një perëndimor nuk ka rëndësi konsumi i Coca Cola-s, madje e snobon se është më cool sikur të kërkojë ndonjë pije tjetër. Por për shqiptarin, që kanoçen e parë me pije freskuese e ka parë nga vitet nëntëdhjetë, çdo të thotë kjo? Së treti, trysnia e shoqërisë është më elastike se ushkurët. Dikur shqiptarëve u kontrollonin edhe tollonët e ushqimit: një kile mish në javë për familje. Kur kishte. Tani, mishi vjen me mijëra tonelata, por pa ia ditur prejardhjen dhe llojin. Dikur përfundoje në burg se komshiu të denonconte antenën, sot as të hedh sytë, madje nuk të shikon as kur hedh lëvoren e bananes nga ballkoni. Së katërti, sondazhi është zhvilluar nëpërmjet internetit. Në Shqipëri ata që s’kanë internet janë më pak materialistë në sipërfaqe, se do të donin ta kishin (që të blenin sende online). Së pesti, optimizmi është produkt i së shkuarës. Kur je në ferr, edhe dy pika ujë ta sjellin parajsën. Pastaj, siç thotë vinjetisti Altan: “Jam optimist. E shoh gotën gjysmë të mbushur. Me mut”. Edhe ky, një farë optimizmi është. Se mund të ishte e mbushur me diçka tjetër. Pastaj, pesimisti është optimisti i mirinformuar, pra i njëjti person, por me përvojë. Sipas aforizmit, pesimisti thotë: “Jemi në një det me mut”, optimisti ia kthen: “Po ngriu, patinojmë”. Së gjashti, mos ka një farë smire në këto studime? Ndokush ka inat që të tjerët bëjnë pare, që janë më mirë seç ishin më parë. Po hanë thonjtë nga inati, por nuk dinë ç’bëjnë. Së fundi, ç’është materializmi? Pak e dinë, shumë flasin. Kollaj të filozofosh kur e ke barkun plot, pak më e vështirë kur e ke gojën plot. Për materializmin shqiptarët do të mbanin leksione. Duke filluar nga ai dialektiku.

A janë materialistë shqiptarët? Po. E duhet ta themi me krenari. Shqiptarët kanë më shumë materie se dje. Gri e me ngjyra. Tru e pasuri, si ta duash. Le të plasin armiqtë nga inati. Shqiptarët janë më të pasur, janë më mirë e më të mirë. Kanë më shumë makina, autostrada, banka, dyqane, celularë, televizorë… Kanë më shumë pare. Janë më të lumtur. Ah, se gati harrova. Sapo më ra në dorë një studim tjetër, i Northwestern University, sipas të cilit kush është materialist bie në depresion e bëhet asocial. As kam ndër mend ta lexoj. Humbje kohe. Ia kanë ngenë. Çfarë nuk shpikin, ata që nuk ta duan të mirën, ose që nuk na kuptojnë. Le t’i bëjnë sondazhet sipas qejfit: të parët do të dalim ne prapë. Viti i ri do ta tregojë.

Nuk ka komente

  1. Shume e goditur robo. Hera e pare qe hyj ne faqe. Se nuk po u besoja, atyre qe te shajne vazhdimisht… Komplimenta!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin