LOGJIKA E RI-DHURIMIT


regiftKur më dhuroi miku im i shtrenjtë Gafurri një çakmak po aq të shtrenjtë, vitin që shkoi, me siguri nuk e dinte që unë e kam lënë duhanin prej kohësh; dhe unë nuk ia prisha entuziazmin – aq më tepër që çakmaku më pëlqeu kështu si workmanship (edhe pse jo aq sa për ta filluar duhanin prapë).

E lashë dhuratën e vyer por të pacenuar në një cep, pas pak ditësh madje e harrova krejt; aq sa nisi të grumbullojë pluhur dhe ta humbë lustrën karakteristike të fabrikës, ngaqë i binte dielli paraditeve.

Tani që ia behën festat sërish, u kujtova se duhet t’i dhuroja diçka mikut tim të mirë, Gavroshit, që ndryshe nga unë ka mbetur duhanxhi i sertë, aq sa të gjithë ne ia sjellim nga një stekë, kur na shpien rrugët në dyqanet duty free të aeroporteve të Europës.

Dhe për Gavroshin dhuratë më të përshtatshme se ai çakmak nuk gjej dot.

Dhe këtu nis të më brejë ndërgjegjja, meqë ri-dhurimi konsiderohet si mëkat, midis miqsh.

Çfarë do të mendonte Gafurri, që ma dhuroi çakmakun në fjalë vitin që shkoi, sikur ta merrte vesh që unë ia përcolla atë Gavroshit, të “ripaketuar” si dhuratë timen?

Po Gavroshi vetë, sikur të merrte vesh që çakmaku i blatuar prej meje me aq bujë e mirëkuptim, e kishte origjinën në dëshirën dhe fondet e Gafurrit?

Dhe këtu filloj të arsyetoj. E para, nuk jam i sigurt nëse Gafurri e pat blerë vërtet atë të uruar çakmak, apo mos ia kishin dhuruar edhe atij, duke e ditur sa i pëlqen të tymosë.

E dyta, më ngushëllon ideja se një vit vjetrim mjafton, për ta bërë atë çakmak timin, ose për ta nxjerrë nga statusi i dhuratës të ri-dhurueshme; prandaj unë mund t’ia jap Gavroshit pa merak, ose me të vetmin merak se po i dhuroj diçka të përdorur; por se po i dhuroj një dhuratë, e cila si e tillë, ose si objekt i dhuruar, gjithnjë i përket dhuruesit, virtualisht, po aq sa ç’i përket personit që e merr dhuratën.

Ose si dhuratë vërtet, por jo të re – pa çka se unë çakmakun s’e kam ndezur kurrë; madje nuk e kam nxjerrë as edhe nga ambalazhi i tejdukshëm.

(Këto ambalazhe janë kaq solide, sa kam frikë që as Gavroshi nuk do të marrë mundimin ta nxjerrë çakmakun që andej, por veç do të presë që të kalojë viti, për ta ri-dhuruar detyrimisht edhe ai.)

Saktësim: kur fola më lart për pluhur, kisha parasysh ambalazhin, jo çakmakun vetë. Përkundrazi, drita e diellit i ka bërë dëmet e veta edhe në çakmak edhe në ambalazh.

E treta, sikur unë të shkoja tani në dyqan dhe t’i bleja Gavroshit një çakmak të njëjtë me atë që më dhuroi dikur Gafurri (të po asaj marke dhe të po atij modeli), atëherë kjo kushedi do të ishte më keq sesa t’i kisha dhënë mikut këtë “të vjetrin”, që vegjeton në tryezën time.

Kjo, ngaqë fondet vërtet do të dilnin nga portofoli im, por çakmaku i ri do të ishte më identik me atë që më dhuroi vjet Gafurri, sesa ky imi, që tani ka ndryshuar pak, ka dhënë e ka marrë atome me mjedisin, për të mos folur për fotonet dhe llahtaritë e tjera.

Duke ia çuar Gavroshit çakmakun e blerë rishtas, unë në fakt do të bëja një akt të barasvlershëm me ri-dhurimin, brenda dy-tre ditëve, të çakmakut që më dhuroi Gafurri.

Prandaj, nëse çakmaku i vjetshëm ka kaluar aq kohë tek unë, sa të konsiderohet tani “imi”, atëherë do të ishte më e hijshme për mua të dhuroja këtë objekt “timin”, gjithsesi të ndryshëm nga ai që më dhuroi miku im dikur, sesa të shkoja dhe të bleja një çakmak të njëjtë me të, për t’ia dhuruar Gavroshit.

Natyrisht, mund t’i blej Gavroshit një çakmak të një marke ose modeli tjetër; por ashtu nuk zgjidh dot problemin e çakmakut të vjetër, por gjithnjë të pahapur, që lëngon në një cep të Ilirisë së Poshtme të tryezës sime.

Dhe këtu mund të pyetet – dhe jam i sigurt se lexuesi i vëmendshëm tashmë ka pyetur – nëse është më e rëndë, nga pikëpamja e etiketës, që ta mbaj në shtëpi, ende të paprekur, dhuratën e mikut tim të shtrenjtë Gafurr, apo që t’ia çoj Gavroshit një dhuratë që në fakt ishte menduar për mua.

Sikurse mund të pyetet, nëse kjo dhuratë që më bëri Gafurri, e një çakmaku të shtrenjtë, mua që duhanin nuk e pi, a ishte vërtet dhuratë për mua, meqë fakti që unë nuk pi duhan është tashmë pjesë e identitetit tim; po aq sa ç’është pjesë e identitetit të çakmakut (kësaj vegle të destinuar për t’i shërbyer duhanit), transformimi i tij në pronë timen gjatë vitit që ka qendruar mbi skrivani.

Aq më tepër që unë e kam lënë duhanin që prej një kohe shumë më të gjatë, se ç’ka qëndruar çakmaku pezull, midis pronësisë sime totale dhe funksionit-dhuratë.

Nëse Gafurri e dinte që unë e kisha lënë duhanin, por megjithatë ma dhuroi këtë çakmak, atëherë unë kam të drejtë të mendoj se ai e mori në sy që unë mund ta ri-dhuroja dhuratën e tij; nuk kam të drejtë të supozoj, nga ana tjetër, se ai veproi kështu, thjesht për të më shtyrë të rifilloja duhanin.

Dhe nëse Gafurri nuk e dinte që unë e kisha lënë duhanin, atëherë ai mbetet mik i shtrenjtë, por jo aq i afërt për mua sa të fyhej, sikur unë ta ri-dhuroja dhuratën e tij; pse ai më ka dhuruar diçka pa u shqetësuar nëse unë do ta përdorja dot dhuratën e tij apo jo, sipas vlerës së saj të përdorimit të mirëfilltë. Diçka si t’i dhurosh një abstinenti një shishe vodka; ose një të verbri një Vespa.

Për krahasim, unë dua t’ia çoj Gavroshit këtë çakmak, sepse jam i sigurt që ai vazhdon ta pijë duhanin me dëshirë; dhe kjo siguri imja është po aq faktor në zgjedhjen e dhuratës, sa edhe keqardhja për mospërdorimin e deritanishëm të një objekti potencialisht të dashur, siç është çakmaku i dhuruar prej Gafurrit.

Ekziston edhe mundësia, natyrisht, që Gafurri ta ketë ri-dhuruar ai vetë çakmakun; me ç’rast unë nuk kam asnjë informacion për prejardhjen e kësaj dhurate, ose rrethanat specifike të shndërrimit të një shume të respektueshme parash dhe vullneti të mirë në çakmak, përfshi këtu edhe nismëtarin e transaksionit. Dhe nëse Gafurri ka ri-dhuruar, atëherë ri-ri-dhurimi do të përfaqësonte reagimin tim të logjikshëm ndaj këtij akti dashamirës, por sipërfaqësor.

Historia dëshmon, në fakt, se një objekt i ri-ridhuruar e ka të vështirë të dalë nga rrethi vicioz i shkëmbimeve të mirësjellshme mes miqsh, të cilët nuk i dhurojnë më njëri tjetrit vlera përdorimi, por vetëm simbole të këtyre vlerave; ose sende të cilat e kanë humbur vlerën fillestare të përdorimit, për të marrë përsipër vlerën e përdorimit të dhuratës abstrakte, e vetmja vlerë e përdorimit të së cilës është që ka vlerë.

Çka do të ngatërronte edhe vetë Marksin.

Tani, sikur unë t’ia dhuroja Gavroshit çakmakun në fjalë, dhe ky, i ndodhur bosh në pragfestë, të vendoste t’ia shpinte këtë Gafurrit, gjithnjë për dhuratë, këtë vit ose edhe vitin tjetër, atëherë Gafurri do të mund të konstatonte, jo pa një farë tmerri, se i ishte kthyer në derë çakmaku që më pat dhuruar mua dikur; çka do të ekspozonte, si abuzues ri-dhuratash, edhe mua edhe Gavroshin; pa çka se një ose dy vjet, sikurse e ceka më lart, janë të mjaftueshëm për ta jetërsuar çakmakun e ri-dhuruar, nga identeti që kishte në momentin kur e bleu dhe e dhuroi Gafurri – gjithnjë duke supozuar se Gafurri e pat blerë atë çakmak, dhe nuk ia kishin dhuruar ose ri-dhuruar.

Përndryshe, nëse vërtet do të doja t’i bëja një shërbim mikut tim të shtrenjtë Gavrosh, atëherë do të duhej t’i çoja atij një kit për lënien e duhanit – me çamçakëz ose patch-e nikotine; pa ia imponuar lënien, pa e vënë në siklet e pa e fyer për pasionin e vet të pashëndetshëm; dhe duke ia lënë të hapur mundësinë e ri-dhurimit, meqë ka shumë vetë, në rrethin tonë, që e pinë ende duhanin, përfshi këtu edhe Gafurrin vetë, që e nisi këtë batërdi. Tek e fundit, këto mjete ndihmëse e marifete anti-smoking vijnë me një datë skadimi; ndryshe nga çakmaku që datë skadimi nuk ka – megjithë keqtrajtimin që i është bërë në sallonin ultraviolet të studios sime; dhe kjo datë skadimi ia vë një kufi ri-dhurimit.

Nuk ka komente

  1. Dhurata sado pa vlere apo pakuptim nuk ridhurohet, vetem nese je cingun organik, dhe krijon gjithfare justifikimesh. Eshte njesoj sikur dikush te dhuron nje model shtepie si nje dollhouse psh, dhe tani te fillosh te sterhollosh ne mendje se ai qe ta fali nuk eshte mik I vertete se po te Ishte duhej te te falte nje shtepi te vertete. Me nje fjale dhurata as ridhurohet as perflitet as diskutohet.
    Dhe me qe jemi tek dhuratat a ka ndonje suggestion sesi mund te dhurosh tek Peisazhe te fjales totalisht anonim?

    1. Shkruan:

      Dhe me qe jemi tek dhuratat a ka ndonje suggestion sesi mund te dhurosh tek Peisazhe te fjales totalisht anonim?

      Unë do t’ia ruaja anonimitetin dhuruesit në publik, po të ma kërkonte; përndryshe, do ta refuzoja dhuratën nga një burim që dëshiron të mbetet anonim edhe me mua.

    1. Nuk më duket shumë e hijshme (decent).

      Por jam gati ta diskutoj – sepse edhe vetë nuk është e kam menduar gjatë.

      Të lutem më thuaj edhe ti: pse vallë do të dhuronte dikush në mënyrë anonime?

      E vetmja arsye, më duket se ky person dëshiron të rrijë i fshehtë ndaj meje (sa kohë që unë zotohem se nuk do t’ia bëj publik emrin). Dhe nga një person që kërkon të mbajë maskë me mua, unë – si titullar i këtij blogu – nuk do të dëshiroja dhurata.

      Përndryshe, nëse ky person nuk ka besim te zotimi im për t’ia ruajtur anonimitetin, atëherë sërish nuk është i mirëpritur të dhurojë. Kështu e mendoj në këtë moment. Siç thashë, jam i hapur për debat.

  2. Me falni po e keni zgjatur e zgjatur sa mendova qe ne kete prag viti te ri jeni i ngeshem (nuk besoj qe ju mungojne temat per ti diskutuar). Ridhurimi eshte nje praktike e perdorur ne shoqerine e sotme. Per cfare duhet nje dhurate qe nuk ka nje simbolike te vecante apo nga nje person i vecante. Dhurata sot eshte me teper nje norme detyruese se sa nje shenje e lidhur me ndjenja dhe emocione (Nuk diskutoj ketu dhurata te bera nga njeres te caktuar qe perbejne nje kujtim a simbolike). Per cfare duhet nje locion pas rroje, sado i shtrenjte, kur nuk eshte marka e preferuar e marresit, ose qe i shkakton alergji atij apo asaj, per cfare duhen pjata e gota qe mund te sjellin per dhurate kur ti ke komplete te tilla ne shtepi. Sigurisht nje liber i rralle, me dedikim, i firmosur nga autori dhe qe ben pjese ne ato gjera qe i deshiron ose dhe gjera te tjera te kesaj natyre nuk ridhurohen. Ne se deshiron sinqerisht te gezosh mikun me dhurate, perpiqu te mesosh cfare do te donte ai, kush jane lulet, autoret apo hobet e tij apo dhurata qe mund ti benin pune, dhe atehere, te jeni te sigurte qe mirenjohja do jete e madhe dhe kujtimi do zere vend…

  3. Ndoshta keni te drejte, por nje teme qe lexuesit e tjere e debatojne serozisht, ndoshta e mira do ishte qe cilesimin humor ta kishte me germa kapitale…

  4. “Të lutem më thuaj edhe ti: pse vallë do të dhuronte dikush në mënyrë anonime?”

    Une dua te dhuroj sepse e kam mundesine. Dua te dhuroj, ne kete blog, sepse e shoh te arsyeshme per avancimin e blogut, perkushtimin e autoreve, dhe meqe e kam bere praktike ne donacione qendroj anonim, per arsyen e thjeshte qe e percmoj mirenjohjen. E rendesishme eshte te ndihmosh ne ate qe beson.

    Ky blog me impresionon dhe me ndihmon mua, brezin Tim, dhe ndoshta po te mirembahet, dhe te thote gjithmone te verteten e mirefillte intellectuale sic edhe ate te hidhuren e historise 50-vjec are nen komunizem, do te kete shprese te flase dhe te komunikoje historine ne nje fare menyre edhe tek femijet tane.

    1. Eri, u bëra kurioz dhe kërkova poshtë e lart për një përgjigje – me sa shoh, dhurimi anonim edhe për marrësin është i komplikuar – dhe gjithsesi, i pamundur të bëhet drejtpërdrejt, nëpërmjet sistemit që kemi zgjedhur ne.

      Unë do të kisha vepruar kështu: do t’ia kisha dhënë shumën përkatëse një personi të tretë, dhe do t’i kisha kërkuar të bënte pagesën në emrin tim me anë të PayPal.

      Nëse blogut i vjen një dhuratë nga, bie fjala, Hyung Jinsook, unë do ta konsideroja atë dhuratë anonime; edhe pse Kim Jinsook mund të jetë shoqja jote e zyrës ose e dashura e shokut tënd të dhomës.

  5. “Unë do të kisha vepruar kështu: do t’ia kisha dhënë shumën përkatëse një personi të tretë, dhe do t’i kisha kërkuar të bënte pagesën në emrin tim me anë të PayPal.”

    Ide e mire per donacione te vogla. Megjithate do te mendoj.

  6. “Ndërkohë faleminderit për fjalët e mira në adresë të blogut.”

    Ju jeni at a qe i keni rezistuar kohes, prandaj jam une qe duhet t’ju falenderoj.

  7. Krye satirë.

    Persiatiet e ndërkryera që secili prej nesh i njeh fort mirë i japin kësaj skice kurajon, njerzillëkun dhe humorin.
    Paragjykimi im i ngushtë vërdalliset perkundrejt subjektivizmit të tipit, që, kush nuk përshkon lundrime të tilla të mundimshme në kokën e saj, fatkeqsisht i mungokëkësh dimensioni i nevojshëm i vuajtjes që të distancokërkësh nga zona e rehattë e trapllëkut.

  8. 2xha, do te sugjeroja ta shikoje dhe nje here qasjen “nese s’me thua se deshiron te ngelesh anonim, donacioni yt tek PTF do behet publik”. Ka shume arsye pse nje person qe ben nje donacion ne internet deshiron te ngelet anonim, sikur dhe paranoja per lidhjen/zinxhirin e burimit financiar me kompromentimin e mundshem te tij, packa se nuk besoj se kjo eshte primare.

    Tjeter gje veshtiresia teknike per te qene totalisht anonim pas nje donacioni ne internet.

    Gjithashtu me duket pakez, agresive te themi, qasja qe destinacioni publicistik i donacionit do te dije patjeter identitetin e burimit, sa kohe ketu s’behet fjale per ndonje kontrate apo pritshmeri a mardhenie specifike nje-me-nje (lexues/donator dhe autor/PTF), apo ndonje rrezikshmeri ligjore per destinacionin.

    Duke perfituar nga patemeshmeria e ketij komenti, do desha tju pergezoj per nismen per donacionet. Jo vetem qe s’shikoj ndonje gje te padenje apo problematike me kete (sic qe folur tek tema tjeter) por mendoj se eshte nje model shume i mire publicistik per nje arene relativisht te kufizuar (dhe njeheresh ose jo-cilesore ose goxha te ‘angazhuar’) si ajo shqipfolese ne internet.

    Thene shkurt, me shume te ardhura = me shume kohe per te shkruar dhe mirembajtur nje faqe apo burim publicistik = me shume cilesi.

    Tek e fundit s’e kuptoj fare mendesine e te ndjerit pis nga perfitimet financiare (sikur) prej publicistikes, a thua se eshte ndonje marifet i padenje apo sakrilegj.

    1. Xhib, sa të kalojnë festat, dhe do të përpiqemi të organizojmë një mënyrë tjetër për crowd-funding, paralele me këtë tradicionalen me PayPal.

      Një donacion krejt anonim do të më dukej sikur vinte jo nga shumë larg, por nga shumë afër; dhe do të zgjonte paranojën brenda meje – por e kuptoj se nuk ka arsye për këtë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin