Këtë vit, urimi tradicional për lexuesit e blogut, u drejtohet veçanërisht të gjithë atyre që u përfshinë në nismën për ta financuar Peizazhe të Fjalës nëpërmjet dhuratave vullnetare.
Guxuam ta ndërmarrim këtë nismë për shumë arsye – sepse blogu ka gjithfarë shpenzimesh për t’u mirëmbajtur, në kushtet kur po vizitohet mesatarisht rreth 1,500 herë në ditë; sepse nuk duam të kërkojmë pará dhe grante nga institucione të fuqishme dhe biznese, sa kohë që mund të komunikojmë drejtpërdrejt me lexuesin; sepse nëpërmjet vetë-financimit edhe lexuesit ndihen më të përfshirë në ecurinë e blogut, ose pjesë e aventurës.
Kjo është një formulë e re në mediat shqip, të cilën po e eksperimentojmë këtu edhe për të ofruar një shembull financimi alternativ.
Përgjigjja nga ana e lexuesve, kolegëve dhe miqve ka qenë e jashtëzakonshme, deri më sot; kanë dhuruar para jo vetëm njerëz që unë i njoh drejtpërdrejt, por edhe të panjohur, të cilët i besojnë blogut.
Dua të falënderoj veçanërisht, me këtë rast, Eda Derhemin, Carrie Ann Morgan-in, Sonila Agakon, Roland Sejkon, Merita Hariton, Artan Kafexhiun, Iris Asllanin, Lejla Gjinin, Robert Kananajn, Elva Naçon, Kostaq Manthjon, Suela Nanajn, Era Makoçin, Gent Halilin, Eleana Zhakon, Iso Asanin dhe Ardian Gojanin; si dhe të tjerë miq, dashamirës dhe kolegë të cilët më kërkuan t’ua respektoj privatësinë dhe të mos i përmend publikisht.
Për mua vetë, eksperienca e të ndodhurit në skajin marrës të kësaj simpatie kaq të vyer ishte transformuese; meqë gjithnjë kam dashur ta përfytyroj blogun jo vetëm si një laborator të mendimit tonë prej autorësh, por edhe e para së gjithash, si një shërbim publik që ua ofrojmë lexuesve tanë anembanë botës. Dhuratat tuaja më treguan, mes të tjerash, se besimi im nuk paskësh qenë vetëm iluzion, as deluzion madhështie.
Natyrisht, blogu do të mbetet i hapur për lexuesin pavarësisht nga klikimet në buton; dhe ideale do të ishte sikur arrinim një ekuilibër midis nevojave të blogut për fonde dhe leximtarisë falas – por për këtë duhet shumë punë, nga të gjitha palët.
Urimet më të mira, pra, për vitin 2014 – ose vitin e parë të blogut tonë Peizazhe të Fjalës në versionin 2.0. Shpresoj që ky angazhim i ri i lexuesit të përthyhet edhe në kontribute më sistematike dhe konstruktive në komentet dhe, pse jo, edhe në shkrime të mëvetësishme; sikurse shpresoj që dhuratat të vazhdojnë të vijnë…
Në rrethanat kur mediat tradicionale janë në vështirësi të mëdha financiare; dhe kur biznesi i madh dhe politika ofrojnë falas në TV, shtyp dhe Internet materiale të manipuluara për interesat e veta politike dhe ekonomike; në rrethanat kur fjala e shkruar publike i referohet rëndom banalitetit televiziv dhe kur komunikimi publik rrezikon të degradohet në nivelet e pornografisë, Peizazhe të Fjalës përpiqet, herë me sukses e herë më kot, të mbajë të gjallë e të çojë përpara një model komunikimi jo vetëm alternativ, por edhe të mbajtshëm (sustainable), pa ua kruar bishtin lexuesve, pa i ushqyer me junk dhe pa u ofruar emëruesin më të vogël të përbashkët.
Sikur të mos kishim këtë shpresë, krejt mundi ynë këto vite do të kish shkuar kot; mirëpo rezultatet e blogut, në leximtari, jehonë dhe autoritet – për fushën e vet specifike – ma përgënjeshtrojnë këtë.
Gjithsesi, për të vazhduar kështu, na duhen jo vetëm sa më sipër, por edhe fat, shumë fat; dhe çfarë mund të sjellë më shumë fat, se dashamirësia, juaja dhe jona?
Urime sërish, dhe le të mbetemi në komunikim të përditshëm edhe një vit tjetër.
Juaji,
Ardian Vehbiu/ Xha Xhai