PASHKËT E DHJETORIT

Bujar NishaniNga ResPublica mora vesh se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, në urimin e vet formal për Krishtlindjen, paska bërë një nga ato gafat e mrekullueshme, epokale, të tilla që të shkruajnë historinë e këtij institucioni në shekuj.

“Gëzuar ditën e shenjtë të Ringjalljes,” u thotë Presidenti besimtarëve të krishterë, sot më 24 dhjetor; duke e quajtur më tej Krishtlindjen literalisht “festë të Ringjalljes” dhe duke vazhduar pastaj me ritualet diskursive të rastit.

Nuk po zgjatem në aspektin thjesht humoristik të kësaj gafe; madje as në atë teologjik, që do të kërkonte elemente të ringjalljes edhe në aktin e thjeshtë të lindjes së Jezusit – meqë pa Krishtlindje nuk do të kishim Pashkë; dhe pa Pashkë nuk do të kishim as urimin që e ka përdorur, z. Nishani, tjetër për tjetër.

Por dua vetëm të vërej se këtij shqiptari që kemi në krye të shtetit nuk i ka rënë në sy gabimi; ngaqë ai thjesht nuk e di se çfarë është Krishtlindja dhe çfarë përfaqëson ajo për besimtarët e krishterë.

Nuk e di sepse ai vetë i krishterë nuk është; dhe kushedi edhe ngaqë është rritur në atmosferën e rreptë antifetare, të Shqipërisë së viteve totalitare.

Pa përjashtuar edhe që Presidenti ynë mund të ketë lexuar ndonjë gjë nga Botimet Helga dhe ta ketë ngatërruar lindjen e Krishtit me Solsticin e Dimrit, i cili për disa paganë thuhet se përfaqëson rilindjen (ringjalljen?) e Perëndisë Diell.

Gjithsesi asnjë detyrim nuk ka Presidenti i një Republike laike, si kjo e Shqipërisë, që të dijë hollësi për lindje, ngjallje dhe ringjallje të një figure për disa të shenjtë, si Jezusi – edhe pse mirë do të ishte sikur të dinte diçka, kështu për kulturë të përgjithshme.

Detyrimi për të ditur dhe verifikuar bie mbi ndihmësit e tij, që ia kanë përgatitur tekstin fatal të përshëndetjes.

Dhe meqë ra fjala, në një shtet me disa komunitete fetare dhe me një numër të madh agnostikësh dhe ateistësh si Shqipëria, ndoshta nuk i takon Presidentit të Republikës, që të japë urimet zyrtare për Krishtlindjen; sepse qëllon që Presidenti nuk merr shumë erë nga ajo punë, dhe ashtu një shtet i tërë bëhet gaz i botës dhe citohet në Tutkun Qitapet, anembanë rruzullit.

Le t’u shërbejë kjo gafë si përkujtesë, shtetarëve të palodhur, që t’u lënë ndonjëherë vendin të tjerëve, në punë të fesë, të kulturës dhe të shoqërisë civile; ose t’u hiqen sysh dhe veshësh qytetarëve, së paku ato pak ditë feste në vit, që nuk janë ende të ndotura me politikë.

Shënim: tani për tani, teksti inkriminues i urimit për besimtarët “kristianë” (pse jo të krishterë?) mund të lexohet akoma në faqen zyrtare të Presidencës.

Nuk ka komente

  1. Nuk e di c’ka bere vaki me institucionet me te larta kendej e andej kufirit, po sinqerisht kesaj I thone literalisht ‘te tallesh menderen’ me festen me te shtrenjte per ne besimtaret e pervuajtur kristiane.

    Krishtlindje te kthjelleta – eshte hera e pare qe e degjoj ne jeten time, hiq Natalet e fundit ne Itali. Se pse me erdhi nder mend tanga e Presidente Jahjages, e ekspozuar bujarisht per publikun ne nje vend te shenjte kristian….

  2. Pse kaq i ashper me Presidentin? Fundja per invaliditet ne njohuri te ceremonialit mund ta akuzojme. Apo ndoshta detekton ndonje lapsus qe lidhet me termin Rilindje, nje bicim infektimi institucional nga progresi?

  3. “Gjithsesi asnjë detyrim nuk ka Presidenti i një Republike laike, si kjo e Shqipërisë, që të dijë hollësi për lindje, ngjallje dhe ringjallje të një figure për disa të shenjtë, si Jezusi…”

    Presidenti nuk ka detyrim te jete ekspert ne çeshtje te holla teologjike, por nje njeri qe nuk di ç’jane krishtlindjet dhe pashket, une nuk do ta emeroja as stallier te presidences.
    Ky president jo vetem qe nuk di vete, por nuk eshte ne gjendje as te shfrytezoje ndonje keshilltar me mend qe ka aty, si Amik Kasoruhon. Nga stili dhe menyra sesi eshte shkruar mesazhi, duket se eshte dora e “ekspertit” te çeshtjeve fetare Ndriçim Kulles.

  4. Ne mesazhin e Presidentit me rane ne sy nja dy hollesira:
    Se pari, urimet e rastit autori i quan shprehimisht “detyrime te pashmangshme”. Pra nuk eshte se mezi ç’priste te uronte besimtaret e krishtere, por ç’te beje se eshte i detyruar. Nderkohe qe nje mesazh normal do te permbante togfjalesha si “kenaqesi e madhe”, nder i veçante” etj.

    Se dyti, ne gjithe mesazhin e urimit per krishtlindjet autori nuk e permend asnje here emrin e Krishtit, lindjen e te cilit kremtojne besimtaret. Nuk ia nxe goja, a thua se eshte tabu!

  5. E kam të vështirë e nuk po dua ta besoj që presidenti i një vendi, që presupozohet të ketë një kulturë minimale – e për mua të dish ç’festohet këto ditë hyn në formimin bazë të çdo njeriu me fillore – nuk di çfarë janë Krishtlindjet, aq më tepër kur emërtimi e thotë vetë: lindja e Krishtit.
    Por po dua të besoj që do të jetë ngatërrim lajmërimesh të llojit “copy and paste”, që janë të regjistruar për kësi rastesh e ndonjë sekretare ka publikuar të gabuarin, atë për Pashkët.
    Sidoqoftë e vërteta, e gjitha kjo nuk është thjesht lapsus, por simptomatike për maturinë e seriozitetin e munguar të organeve tona shtetërore, sublimimi i të cilave duhej të qe Nishani.
    Kjo nuk është gafë, ky është turp!

  6. Pa llogaritur ketu gjemen e madhe te moskorrekteses politike qe ka kohe qe gelon ne kryeqendren e Botes se Lire (Ameriken e Veriut – US of A and Canada), dhe qe do vije ne Europe detyrimisht – Blasfemine e urimit “Merry Christmass”.
    Ne kemi urimin e bukur Globalist – Gezuar Festat!
    Tutkunlleku presidencial, i mbeshtetur nga injoranca-gjitheperfshirese e keshilltareve (keto terma jane ne mode sot), nga liability neser mund te kthehen ne asset (pasi te jemi bere Europiane te mire), neser kur te arrijme ne Prajsen e Globalizmit do jemi nje hap perpara Jeziterve eurpiane.
    Kur kemi ish_Presidente_Kryeministra, sot kryetare de fakto opozite qe duke qene kardiologe japin e marrin ne fusha qe s’jane te tyret (psikiatri etj), c’te keqe ka qe nje hic i vene ne piedestal (Presidenti i Republikes se Shqiperise) te brockullise keshtu?
    Eshte me shume ceshtje mode si per shembull Shen Valentini apo Nata e Valpurges…….

      1. Per kete duhet ti hedhesh nje sy rregulloreve te brendeshme te cdo kompanie me te pakten 15 veta ne te gjithe Ameriken e Veriut.
        Orjentimi eshte – Happy Holidays. vs, Merry Christmass. Nese je cifut, nuk ta merr njeri per ters nese permend Hannukah…..

  7. Nuk është e thënë që Presidenti t’i njohë hollësitë e kremtimeve fetare. Atij i takon t’i urojë besimtarët në emër të Republikës që përfaqëson.

    Mbaj mend që kur u zhvillua ceremonia e lumturimit të Nënë Terezës, disa e ngatërruan me shenjtërimin. Janë dy procese të ndryshme fetare. Përveç besimtarëve katolikë, nuk mund të pretendohet që t’i njohin të gjithë. Megjithatë, ekspertët duhet t’i dinë këto hollësi, sepse janë “hollësi” të rëndësishme për të interesuarit. Marrësit e urimit mund ta interpretojnë keq mesazhin. Eshtë njëlloj sikur t’i shkosh tjetrit në dasëm e ta urosh për datëlindjen. Mund të mendojë se e ke bërë thjesht formalisht, sa për sy e faqe.

    Pra kush duhej të merrej me këtë punë, ndonjë zyrë a këshilltar, nuk e ka bërë mirë detyrën e vet.

    1. Nuk është e thënë që Presidenti t’i njohë hollësitë e kremtimeve fetare… shkruan.

      Lindja e Krishtit nuk është ndonjë hollësi fetare, por masa me të cilën matim kohën prej 2000 vjetësh. Dikush që nuk e di këtë nuk mund të emërtohet ndryshe përveçse “injorant”. Aq më tepër që me mundësitë e informimit sot e kësaj dite (me një gugllim të thjeshtë ta zemë) mund të mësosh për disa minuta se ç’janë Krishtlindjet.

      Problemi e shoh diku tjetër: tek “lëshimi” që këta njerëz i lejojnë vetes, duke mos patur as më të voglën drojë nga publiku, i cili, me sa duket, është mësuar me broçkullat e tyre. Në këtë kuptim kjo gafë rri shumë mirë përkrah “replikave” të Berishës e përgjigjeve të Ramës të së djeshmes, në mund të quhen kështu cilësimet që u përdorën nga të dyja palët, cilësime që të bëjnë të kuptosh se pse ne nuk jemi ende të denjë për Europën.

      1. Dua të them që nuk është Presidenti ai që ulet e i shkruan këto mesazhe. Ia bëjnë të tjerët. Shpeshherë me kopjo/ngjit. Por kësaj radhe nuk e paskan përdorur. Për fat të keq.

  8. Në Përmet,festën e Krishtlindjes e quajnë edhe “Pashkët e vogla”,ndërsa festën e Ringjalljes të Krishtit “Pashkët e mëdha”.

  9. I’m wondering se cili do jete denimi i rastit, ne rast se formulimi i mesazhit nuk i dedikohet direkt Presidentit, por dikujt prejt stafit te tij. Mbasi, Pallati i Presidences eshte me mire te quhet Pallati i Makbethit. Presidenti eshte bere me shume i njohur ne publik per gafat e tij nastradineske, sesa per praktikat e tij makbethiane te pezullimit apo pushimit nga detyra te punonjesve te ketij institucioni….

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin