TË UDHËTOSH PA BILETË

pulmanKur studioja në Romë, si pasuniversitar, merrja nga shteti italian një bursë fare modeste: 600 mijë lireta në muaj (në atë kohë, rreth 400 dollarë). Kombinimi i këtyre pak liretave me nevojat e një shqiptari të lëshuar nga zinxhirët e Shqipërisë autarkike kish efekte veçanërisht toksike – sidomos për një person të vdekur kulturalisht urie, si puna ime.

Mes përpjekjeve patetike që bëja në atë kohë për të kursyer para, ajo që më ka futur në mendime më pas ka qenë që hipja pa biletë në urban. Një biletë autobusi kushtonte 700 lireta; po të bleja një abone mujore, çmimi binte shumë – e megjithatë, të gjithë ne, studentë e pasuniversitarë shqiptarë, udhëtonim pa biletë.

Në urbanët e Romës nuk kishte faturino; por vetëm një automat që e stamponte biletën, në pjesën e pasme të autobusit. Kompania e transportit publik e Romës (ATAC) dërgonte kontrollorë herë pas here; por këta mbanin uniformë, dhe ne i pikasnim në kohë (nga kapelet me strehë) dhe dilnim nga autobusi në momentin që i shihnim në stacionet.

Gjoba po të të kapnin pa biletë, ishte 50 mijë lireta; mua s’më kapën ndonjëherë, por gjithnjë i mbaja 50 mijë lireta me vete, që të mos më dilnin probleme me policinë; të palosura me kujdes dhe të futura në të njëjtin këllëf plastik transparent ku mbaja edhe permesso di soggiorno-n.

Nuk di si ia përligjja vetes atëherë këtë shkelje; dhe nuk është se më vriste shumë ndërgjegjja. Vija nga Shqipëria e viteve 1980, ku gjithçka mbikëqyrej drejtpërdrejt – dhe nuk më ishte formuar mirë kultura e pasurisë së përbashkët, ose the commons; kujtoja se mund t’ia hidhja sistemit, i cili më dukej fare i lirshëm.

Kam pasë bërë plot budallallëqe atëherë, për të kursyer: p.sh. haja Würstel në vend të mishit, ose prisja të më dërgonin me pako djathë të bardhë nga Shqipëria; ndonjëherë piqja edhe bukën vetë, në furrë. E gjithë kjo, për shkak të trysnisë së paparë për të blerë plaçka dhe për t’i çuar në Tiranë. Dua të them se udhëtoja pa biletë jo ngaqë kisha gjë kalamaj për të ushqyer, ose shpenzimet e spitalit të ndonjë të afërmi a të vetes për të përballuar; por thjesht nga një simptomë e grykësisë të fukarait.

Ndonjëherë qëllonte që ndonjë shokun tim e kapte kontrolli – dhe ky paguante gjobën përkatëse, ose 50-mijë liretat fatale. Më pas, vite më pas, më ka ndodhur të pyes veten se vallë këta qyqarë, që ngecnin në rrjetën shpirtmadhe të ATAC-ut, nuk po paguanin edhe biletat e mia, shkelësit të shkathët.

Kur kam lexuar më vonë për mënyrën si organizohen sisteme të tilla, si transporti publik, për t’u mbrojtur nga free riders, ose përfituesit parazitarë, kam mësuar se, në fakt, këta që kapen dhe paguajnë gjobat, mbulojnë me ato gjoba edhe kostot e biletave që s’i kanë paguar të tjerët – duke marrë parasysh, në këtë rast, edhe koston e pagave të kontrollorëve, numri i të cilëve rritet ose pakësohet në varësi të të ardhurave që siguron sistemi nga shitja e biletave.

Në ato vite, kur gjithnjë e më shumë bashkatdhetarë të mi po dilnin në Europë, mjeshtëria e të qenit free rider po shndërrohej në një lloj profesioni – kështu të gjithë pak a shumë specializoheshim në blerjen e sendeve të lira, të vjetruara dhe të përdorura, ose shfrytëzimin e dyqaneve për diplomatët, ose heqjen e IVA-s dhe plot marifete të tjera; dhe këtu futej edhe udhëtimi pa biletë, në transportin publik.

Kjo ishte vetëm preludi i çfarë do të ndodhte më pas – kur, me dyndjet e mëdha të vitit 1991 dhe më pas, me qindra mijëra shqiptarë u shndërruan në free riders të sistemit social europian-perëndimor, i cili nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë këtyre trysnive.

Nuk është vendi këtu që të zgjatem më tej për temën; por të gjithë kemi dëgjuar për kërkesat për strehim politik, të mbështetura në dokumente të rreme; pasaportat që shisnin kosovarët dhe të tjerë, në Shqipërinë e atyre viteve; tregtinë me vizat dhe emigracioni ilegal (skafet, etj.); trafikun njerëzor; dhe plot mënyra të tjera, për të përfituar me hile nga sistemi i andejmë.

Për një periudhë të gjatë, shqiptarët në Europë e panë veten të ngecur në një zonë gri, midis ligjit dhe paligjshmërisë; ose në situata të tilla ku edhe thjesht mbijetesa do të ishte e pamundur, pa shkelur ligjet; fatmirësisht shumica janë sistemuar tashmë, dhe janë çliruar prej dilemave etike.

Një situatë të ngjashme gjeta edhe me bashkatdhetarët në ShBA, kur erdha në 1996; të njëjtat mashtrime për azil politik, pretendime për persekutime dhe gjakmarrje; pozime si homoseksualë e si rom; dhe më pas si kosovarë të përndjekur e të përdhunuar prej serbëve.

Nga njëra anë, shumë prej nesh e bënin këtë nga halli dhe dëshpërimi; sikurse shumë të tjerë e bënin nga lakmia, ose nga shtysa për të gëzuar të mirat e një jete në Perëndim, të cilat në Shqipëri nuk do t’i arrinin dot.

Por ç’të thuash kur një masë e madhe bashkatdhetarësh gënjyen, për të përfituar nga ndihmat që dha shteti i NYC (ose ndihmat federale), për viktimat e 11 shtatorit; pa përmendur të gjithë ata të tjerë që mashtrojnë, rregullisht, për të përfituar dëmshpërblime; nga sigurimet e makinave ose, më keq akoma, nga sigurimet shoqërore?

Më thonë: të gjithë bëjnë kështu. Ndoshta, unë nuk jam në gjendje të them se çfarë bëjnë “të gjithë.” Por, në rrethanat kur dikush gënjen dhe një tjetër jo, sepse nuk e lë ndërgjegjja etike, edhe pse janë në rrethana të njëjta, atëherë problemi është moral.

Përndryshe, çfarë gjithnjë më ka shqetësuar, në komunitetet e shqiptarëve, është lehtësia me të cilën përcillen marifete të tilla, ose admirimi i hapur, i kolektivitetit, për free riders, ose për të gjithë ata që arrijnë t’ia hedhin sistemit dhe të përfitojnë prej tij, madje ndonjëherë (në rast dëmshpërblimesh për aksidente të stisura) edhe të pasurohen.

Kur kam dëgjuar dikur, në Itali, të thuhej se të ishe shqiptar nuk ishte përkatësi identitare, por profesion, e kam shpërfillur këtë si shaka në rastin më të mirë dhe racizëm në rastin më të keq; por, në të vërtetë, toleranca jonë e jashtëzakonshme për free riders, gatishmëria me të cilën i përligjim, i kuptojmë, ua qajmë hallin, i konsiderojmë si tanët, e shpesh jemi gati deri edhe t’i emulojmë, i jep komunitetit, dashur pa dashur, tiparet e një organizate parakriminale, e cila ekziston dhe funksionon në mos duke iu kundërvënë ligjit, së paku duke i rrëshqitur anash.

Natyrisht, free riding është mëkat venial; tek e fundit, një person që e lexon një libër të tërë në librari, ose ai tjetri që këput lulet në park për t’ia çuar një buqetë nënës në spital, janë edhe ata free riders, njëlloj si unë që udhëtoja pa biletë, ose ai tjetri që martohet për letra. Për disa, këto janë shkelje, për të tjerë krime; kostoja sociale e dukurisë nuk mund të matet saktë. Një grup ose komunitet i vogël me free riders, brenda një komuniteti të madh që dukurinë e dënon, mund të ketë sukses (këtë e shpjegon edhe teoria e lojërave, ose parabola e ujqërve dhe deleve); madje të ketë aq sukses, sa të dalë në krye të komunitetit.

Nga ana tjetër, kur një shumicë anëtarësh të komunitetit duan t’i bien qylit – për ta thënë shqip – atëherë rezultati është gjithnjë negativ: ujqërit e mbetur pa dele do të hanë njëri-tjetrin. Nëse të gjithë qytetarët e Romës do të provonin të udhëtonin pa biletë, atëherë kompania e transportit ose do të falimentonte, ose do të rikthente në punë faturinot – çka do të sillte, logjikisht, rritjen e çmimit të biletave, për të përballuar rrogat e faturinove dhe shpenzimet e tjera.

Prandaj një student xhepshpuar mund të udhëtojë pa biletë në urban me kusht që të tjerët biletën ta kenë prerë; ashtu kostoja e biletës së tij përballohet nga komuniteti. Dhe kur komuniteti fillon ta kuptojë se çfarë po i shkaktojnë free riders, atëherë do të reagojë negativisht ndaj tyre; sikurse edhe ka ndodhur, me shqiptarët dhe të tjera grupe në zgrip të shoqërive në Perëndim; sepse këta free riders, me kalimin e kohës, rrezikojnë t’i shkatërrojnë të gjitha sistemet dhe strukturat e amortizimit social.

Këto vitet e fundit kemi dëgjuar shpesh të thuhet, nga ana e zyrtarëve të BE, se Europa mund t’ua kthejë shqiptarëve regjimin e vizave, në qoftë se këta do të vazhdojnë me kërkesa të shpërpjesëtuara për strehim politik dhe ndihma sociale. Edhe një herë, përpjekjet e disave për t’ia mjelur sistemit deri edhe pikën e fundit të qumështit, rrezikojnë të kthehen mbrapsht si kosto për të tjerët, që kushedi kanë edhe më shumë nevojë, për të shfrytëzuar mekanizmat e mbrojtjes sociale që ofron Perëndimi.

Dashur pa dashur, opinioni publik në Perëndim, përfshi këtu edhe opinionin zyrtar, krijon një përshtypje të llojit profilues për të ardhurit; kjo ka ndodhur me shqiptarët, sikurse ka ndodhur me arabët, me romët, me nigerianët, me rumunët, etj. Një gjykatës i ndodhur para një kërkese të kopsitur mirë për azil politik, edhe pse me dokumente të falsifikuara, nuk mund të mos ia njohë azilantit kërkesën; edhe kur, me intuitë, e ndien se e kanë mashtruar. Në fakt, free riders nuk shfrytëzojnë aq sistemin si të tillë, sesa dobësitë e sistemit; njëlloj siç futen pa biletë kalamajtë në stadium, duke kaluar përmes një të çare në gardhin rrethues. Kjo bën edhe që dukuria e free riding ta vërë sistemin e amortizimit social në rrezik që para se ky sistem të fillojë të komprometohet nga ana ekonomike.

Italianët sot e kësaj dite, në ShBA, e vuajnë profilimin si mafiozë, ose si komunitete parakriminale, të sunduara nga omertà-ja dhe admirimi për shkelësit e ligjit; me gjithë suksesin e jashtëzakonshëm të Italisë në botë, dhe të vetë italo-amerikanëve, që shkëlqejnë në të gjitha fushat: shkencë, art, politikë, televizion, financë.

Tani, nëse free riders janë shqetësim për komunitetin shqiptar në NYC ose në përgjithësi në ShBA, për këtë nuk di ç’të them; vetë shoh plot simptoma të dukurisë dhe, sidomos, më shqetëson toleranca e theksuar ndaj mashtrimit, ose lehtësia me të cilën ne u rrejmë institucioneve dhe njëri-tjetrit. Por unë me siguri nuk jam personi më i përshtatshëm, për të profiluar komunitetin; edhe pse refuzoj të pranoj që free riding është një vulë turpi që të gjithë ne e kemi sjellë me vete, nga Ballkani dhe që nuk mund ta shlyejmë dot; dhe aq më keq, që kjo është mënyra jonë për të reaguar ndaj një sistemi në thelb të padrejtë, i cili ushqehet me varfëri; ose, më keq akoma, ndaj një sistemi që e shohim thjesht si mundësi plaçkitjeje.

Mund të them vetëm se, nëse jashtë Shqipërisë free riding te shqiptarët kthehet dhe i godet komunitetet e këtyre si boomerang, në Shqipëri duhet të jetë një nga pengesat më formidabël, edhe pse pak të përfolura, për konsolidimin e shoqërisë civile dhe etikën e komuniteteve. Të paktën kaq gjë ma kanë mësuar njëzet e kusur vjetët, që kam jetuar larg vendit.

BIBLIOGRAFI MINIMALE:

CLAVIER, MELANIE, “Qyli në Ballkan: një perspektivë antropocentrike,” Analet e Shoqërisë së Hapur, XIV, f. 6-42, Tiranë 2002.

Nuk ka komente

  1. Surpriza eshte e lezetshme. Te lumte xha -xha!
    Besoj se konfesimi te ka cliruar.
    Personalisht rri me koken lart se pervesha menget dhe qe ne fillim kam bere abonim vjetor per udhetimin urban ne Rome.
    Pres te lexoj temen e radhes tjeter.
    Te- tezja

  2. “…toleranca jonë e jashtëzakonshme për free riders, gatishmëria me të cilën i përligjim, i kuptojmë, ua qajmë hallin, i konsiderojmë si tanët, e shpesh jemi gati deri edhe t’i emulojmë, i jep komunitetit, dashur pa dashur, tiparet e një organizate parakriminale, e cila ekziston dhe funksionon në mos duke iu kundërvënë ligjit, së paku duke i rrëshqitur anash.”

    Xha Xha, me kete pohim ke permbledhur me se miri thelbin e qendrimit te shoqerise shqiptare ndaj ligjit. Te tille jemi vertet! Rezultat i perzierjes se frymes anadollake qe trasheguam nga Perandoria Osmane dhe pasojave te Njeriut te Ri socialist. A do te behemi valle ndonjehere qytetare?

  3. Ah Xha Xha, xhaxha, më zure: sinqerisht kujtova se një zonjëzë me emrin Melani paskësh shkruar për qylin ne Ballkan…më gënjeu sidomos perspektiva antropocentrike.
    Po pas shkundjes së mirë pyeta veten: e po si i bëhet që askush nuk ka shkruar për këtë? Mbase sepse e pranojmë aq shumë sa kemi pushuar së vëni re?
    Pyeta sërish veten: teksa i biem qylit tek të mirat e përbashkëta, pse atëherë zihemi me bërryla (në mos me grushta) kush e kush të paguajë kafetë te klubi i lagjes? Dhe ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Kudo nëpër Ballkan të këndellet shpirti teksa miku apo kolegu në mënyrë kategorike të njofton që nuk ka ndërmend të të lejojë të paguash kafenë, birrën, drekën apo darkën. Të njëjtën gjë bën edhe ti, sigurisht, me po aq pathos njofton synimet e tua te panegociueshme mbi marrjen përsipër të transaksionit… duket sikur bëjmë ҫmos të mos dukemi qylaxhinj, jo po që të mos kujtojë ky që unë po i bie qylit këtu, dhe hajt o burra shprehim me zemërgjerësi virtytet e pamohueshme…

  4. Shkrimi është shumë i bukur. Më pëlqeu pa masë.

    Xha Xha, lidhur me rrëfimin e paudhësive të moshës, them se ke bërë pa dashje dy “vepra penale”: E para që nuk e paske paguar biletën e autobusit. Kjo është e rëndë. Shpresoj ta kesh ende kartëmonedhën e destinuar për gjobë. Në lireta natyrisht. E dyta, sepse ke prekur privatësinë e kolegëve, që ndërkohë mund të jenë bërë personalitete e të kenë deklaruar se e kanë respektuar gjithnjë ligjin në jetën e tyre. Ti thua: “Megjithatë, të gjithë ne, studentë e pasuniversitarë shqiptarë, udhëtonim pa biletë”. Ka mbetur vetëm që të tregosh se kush shikonte nga dera e parme e autobusit dhe kush në mes. Unë e di, por nuk e them 🙂
    Për fat të mirë ekziston parashkrimi, ndërsa privatësia në atë kohë nuk ekzistonte si koncept. Ishim të gjithë të skeduar.

    Rëndësi ka që tani biletën e paguajmë të gjithë, edhe pse kushton më shumë, por për arsyet që i shpjegoje fare mirë më lart.

    1. Ke të drejtë! Madje versioni im mund të bjerë ndesh me paraqitjen që i kanë bërë eksperiencës të tjerët, në autobiografitë përkatëse të autorizuara.

  5. Në fakt,secili nga ne ka bërë dikur ndonjë “proçkë” të vogël.Madje thuhet,mbase me të drejtë,se njeriu duhet të bëjë ndonjëherë mbi udhë e nën udhë.(Vetë personalisht jam ndëshkuar me 4800 dhrahmi më 1998.Kisha prerë biletë,por duke patur duart të zëna me çanta-ishte autobusi i fundit që do të më çonte në Praktorinë e Athinës,për t’u kthyer në Shqipëri -nuk pata mundësi të futja në automat biletën që e mbaja me dhëmbë.Autobusi u nis menjëherë, shoferi mbylli automatin dhe fatorinua ndodhej brenda tij).
    Nga gabimet mësohet.Por denduria e shfaqjes së tyre,tregon se ka një problem të madh MORAL.
    Ju xha xha keni folur hapur,si në të gjitha shkrimet tuaja,për “zgjuarësinë”për t’ia hedhur tjetrit ,për të jetuar dhe pasuruar pa punuar,vetëmburje me përmbajtje në thelb raciste në barcoletat që qarkullojnë në Shqipëri.
    Për dukuri të tilla ulëritëse të shoqërisë shqiptare shkruante një shekull më parë Faik Konica.Por fakti është se vese të tilla janë ende mbizotëruese te ne,mbizotëron “admirimi i hapur, i kolektivitetit”.Njerëzit që i mbartin ato janë në modë:të zotë,të ditur,të shkathët,energjikë-model për t’u arritur.
    Nuk ka si të ndodhë ndryshe,sa kohë që këndohet dhe vallëzohet në delir me ritmin e këngës “Hedhin valle tre hajdutë”. Dhe kryesorja,sa kohë që klasa politike do të shpërndajë një moral të tillë.

  6. I gjithe debati mbi free-rider me kujtoi edhe nje aspekt tjeter, ate te perceptimit te tjetrit nga te tjeret si free-rider, nderkohe qe s’je i tille. Kam parasysh ketu rastin e personave me dy apo madje dhe me tre nenshtetesi, qe interpretohet nga “njenenshtetasi” si nje njeri qe do te perfitoje ne kurriz te shteteve-njerka dhe shkon nga fryn era. Shprehje te tilla, si “pi nga dy nena” u mvishen ketyre qengjave-bastarde dhe i stigmatizojne si “bukeshkale. Kjo mendesi gjen shprehjen e saj ne pyetje banale te stilit: Voton ne te dyja vendet? Po perse i mban te dyja nenshtetesite? Nuk te mjafton nenshtetesia e origjines dhe leja e qendrimit? Perse duhet medoemeos te marresh nenshtetesi te dyte, apo se ke perfitime sociale, politike dhe ekonomike?
    Ana tjeter e medaljes eshte kur ndodh qe bashkeatdhetaret e tu, te cilet per njeren apo tjetren arsye, nuk kane nenshtetesine e vendit qe i strehon perkohesisht dhe vjellin vrerin e tyre, here ne forma me brutale, here me te sofistikuara, mbi “atdhemohuesit”.
    Per keto kategori je gjithmone nje free rider….

  7. Xhaxha,

    Ngaqe e hengra me ate bibliografine minimale dhe doja t’i mbushja vetes mendjen qe nje referat mbi kete subjekt egziston, po te sjell ketu nje te tille qe nuk i merr gjerat nga ana antropocentrike por nga ana e normave sociale. Nje nga pyetjet kryesore te ceshtjes se normave sociale eshte sa te rendesishme jane keto per devijimet nga ligji. Problemi eshte se ne shumicen e rasteve egziston nje lloj denimi per devijimin nga ligji, dhe kerkuesi qe kerkon ti jape pergjigje kesaj pyetje nuk mund te dalloje dot se c’pjese e mungeses se devijimit i detyrohet normave sociale dhe c’pjese i detyrohet denimit direkt.

    Per t’iu pergjigjur kesaj pyetje, dy ekonomiste perdoren nje eksperiment natyral ne Nju Jork. Perpara vitit 2002, gjobat e parkimit per dipllomatet e Kombeve te Bashkuara ishin pjese e imunitetit dipllomatik, dmth qe nuk egzistonte ndonje lloj denimi per gjoba te papapaguara. Mbas 2002-shit, ligji ndryshoi dhe gjobat e parkimit te papaguara mbartnin nje forme denimi (deri dhe tek heqja e targave dipllomatike). Natyrisht, para 2002-shit, e vetmja arsye qe nje trup dipllomatik te paguante gjobat ishte nje lloj ndergjegje e brendshme (normat sociale), ndersa pas 2002-shit, ishin te detyruar me ligj.

    Ne faqen 8 gjendet nje tabele rezultatesh. Shqiperia eshte ne vend te shtate me rreth 86 gjoba te papaguara. Ky eshte numri i gjobave TOTALE. Po ta rillogarisesh ate numrin per koke, do te shohesh se vetem Cadi na e kalon, sepse kemi rreth 28 gjoba per koke (ne ate kohe kishim vetem 3 dipllomate). Mbas 2002-shit, ky numer bie ne 1.9 gjoba per koke per Shqiperine. Nga fundi i listes gjenden vende si Suedia, Norvegjia, Japonia dhe cuditerisht Turqia. Po te besh nje eksperiment statistikor te thjeshte, korrelacioni midis numrit te gjobave te papaguara dhe nivelit te korrupsionit ne vendin e origjines se dipllomateve eshte midis 48-57 (fq 18).

    Per mua kjo eshte nje menyre krijuese dhe e qarte per te sqaruar nivelin e normave sociale ne Shqiperi dhe ne Ballkan (ver re qe ish Jugosllavia dhe Bullgaria jane ne maje te asaj listes). Kjo nuk eshte e vetmja menyre per te gjetur statistikisht efektin e normave sociale, egziston nje literature e tere ne “behavioural economics” qe mundohet ti gjegjet kesaj pyetje, por nuk di te jene bere shume eksperimente te tilla ne Shqiperi apo ne Ballkan.

    Nejse, e solla ketu si lloj deshmie per argumentin tend.

    Bibliografi minimale:
    Raymond Fisman and Edward Miguel. Corruption, Norms, and Legal Enforcement: Evidence from UN Diplomatic Parking Tickets, Journal of Political Economy, 2007.
    http://www2.gsb.columbia.edu/faculty/rfisman/papers/old/JPE07%20-%20parking.pdf

    1. I dashur mik,

      e shkruajta këtë ese të vogël me ty në mendje; por tani komenti yt më shpuri te një shkrimi im i vitit 2006, botuar – nëse nuk gaboj – te “Bota shqiptare,” të cilin po e përcjell më poshtë. Në atë kohë mbaj mend se, kur e nxora shkrimin në Alb-Club, Pëllumb Kulla ma kundërshtoi me argumente konkrete, duke vërejtur se as autorët e studimit, as unë që i referohesha atij studimi, nuk kishin marrë parasysh vështirësitë praktike të parkimit për makinat e konsullatës shqiptare.

      KUR PARKON SHQIPTARI

      Jeta e përditshme në mjediset urbane sidomos në qytetet e mëdha do të vështirësohej shumë, sikur banorët e atjeshëm të fillonin t’ia shpërfillnin normat, herë të shkruara e herë të pashkruara, herë të logjikshme e herë absurde, që rregullojnë përdorimin vetjak të hapësirës publike. Aq më e vërtetë është kjo për metropole me sipërfaqe vetvetiu të kufizuar për shkaqe gjeografike, të tilla si ishulli i Manhattan-it brenda konglomeratit urban të New York-ut, ku miliona qytetarë të pasur e të varfër, vendas e të ardhur, amerikanë e të huaj, të larë e të palarë, jetojnë e punojnë në vetëm 60 km2. Në rrethana të tilla, edhe një problem relativisht minor si parkimi i automjetit privat vjen e shndërrohet në çështje me interes të përbashkët, pse hapësira e përdorshme është e pakët, ndërsa kërkesat për ta zaptuar të panumërta. Siç mund të pritej, vendparkimet e ligjshme në Manhattan janë relativisht të rralla e ndonjëherë tepër të shtrenjta, në një kohë që policia urbane tregohet e vëmendshme dhe e pakursyer në shpërndarjen dhe vjeljen e gjobave për parkime të paligjshme.

      Një numër banorësh, ose më mirë “përdoruesish” të Manhattan-it, mbeten megjithatë të përjashtuar nga ky sistem shtrëngimesh dhe ndëshkimesh – ata mijëra diplomatë të huaj akredituar pranë Kombeve të Bashkuara ose në konsullata të ndryshme, e që gëzojnë imunitet ndaj përndjekjes prej organeve lokale të ruajtjes së rendit, sidomos kur është fjala për kundërvajtje të thjeshta. Natyrisht, imuniteti diplomatik njihet dhe respektohet botërisht për arsye madhore e të vetëkuptueshme, edhe pse shumë diplomatë në praktikë e shfrytëzojnë për nevojat e tyre private. Deri vonë (2002), diplomatët në Manhattan mund t’i parkonin automjetet e tyre ku t’u shkrepej dhe t’i shpërfillnin krejt gjobat përkatëse, pa u shqetësuar se kjo mund t’u sillte ndonjë farë pasoje të pakëndshme. Vendasit nga ana e tyre gjithnjë e kanë përcjellë me indinjatë të madhe tolerimin e kësaj kaste të privilegjiuarish nga administrata metropolitane.

      Sjelljen e individit në publik komuniteti nuk mund t’ia besojë krejtësisht normave etike individuale. Mirë do të ishte që gjithkush të motivohej vetvetiu nga ligjësitë etike të bashkëjetesës qytetare, por në praktikë ligjësi të tilla kanë nevojë për t’u mbështetur nga rregulla dhe norma praktike, të zbatueshme po të jetë nevoja edhe forcërisht nga organet e rendit publik. Funksionimi i komuniteteve të mëdha e shumëmilionëshe në mjedise të hiperpopulluara si Manhattan-i varet në masë të madhe nga gatishmëria e banorëve për t’i njohur këto rregulla e ligjësi si të vetat. Individi që kërkon të parkojë makinën e vet në qytet detyrohet të marrë parasysh që do të gjobitet nga policia në rast se parkon paligjshëm, madje edhe kur nuk begenis të kuptojë e të arsyetojë se rregullat e parkimit synojnë t’ia ruajnë cilësinë e dinjitetin jetës së përditshme në qytet.

      Për diplomatët e huaj parkimi i paligjshëm është, përkundrazi, kryesisht çështje etike vetjake, meqë këta përjashtohen nga kërcënimi i ndëshkimit financiar. Të nisur nga ky konstatim i thjeshtë, dy ekonomistë amerikanë – Ray Fisman dhe Edward Miguel – studiuan statistikat e kundërvajtjeve të parkimit në Manhattan gjatë viteve 1997-2002, sipas shtetësisë së diplomatëve, për të parë nëse mund të gjendej apo jo ndonjë lidhje statistikisht domethënëse midis numrit të madh të kundërvajtjeve për diplomat dhe indeksit të korrupsionit për shtetin përkatës (studimi mund të këshillohet falas në Internet, në adresën http://www.cid.harvard.edu/bread/papers/working/122.pdf). Duke u nisur nga një përkufizim pune i korrupsionit si “abuzim i pushtetit për të nxjerrë përfitime private”, autorët e vështruan parkimin e paligjshëm prej diplomatëve të huaj si simptomë të mendësisë korruptive, meqë në raste të atilla privilegji formal i imunitetit që buron prej detyrës, përdoret për të përfituar privatisht nga hapësira publike.

      Sipas këtij studimi, mes 146 shteteve me misione diplomatike në NYC, tre diplomatët nga Shqipëria zënë vendin e shtatë në krye të listës së zezë, me 84.5 kundërvajtje parkimi për diplomat, në një kohë që njëzet vendet me më shumë shkelje të tilla janë Kuvajti (246.2 shkelje për diplomat), Egjipti (139.6), Çadi (124.3), Sudani (119.1), Bullgaria (117.5), Mozambiku (110.7), Shqipëria (84.5), Angola (81.7), Senegali (79.2), Pakistani (69.4), Bregu i Fildishtë (67.1), Zambia (60.4), Maroku (60.0), Etiopia (59.7), Nigeria (58.6), Siria (52.7), Benini (49.8), Zimbabve (45.6), Kameruni (43.6), Serbia dhe Mali i Zi (38.0). Katërmbëdhjetë anëtarë të kësaj elite harbutësh ndërkombëtarë i përkasin kontinentit afrikan, çka e përfshin objektivisht Shqipërinë në një lagje kulturore e gjeografike prej së cilës gjithnjë dëshirojmë të distancohemi.

      Arsyet që e shtyjnë një diplomat të parkojë paligjshëm nuk mund të reduktohen, megjithatë, në një diskutim buzëhollë rreth motivimeve etike të sjelljes dhe harbutërisë të personave që përfaqësojnë Shqipërinë në New York. Mund të përsiatet se diplomatët nga vendet e lartcituara, duke përfshirë aty edhe tonin, janë vetvetiu të varfër ose paguhen keq dhe nuk i kanë mjetet financiare për të përballuar parkimin në një qytet të shtrenjtë si Manhattan-i; sikurse mund të përsiatet edhe se shtetet përkatëse nuk kujdesen për t’u siguruar vendparkime të përshtatshme atje ku jetojnë e punojnë, sado përkohësisht. Megjithatë, një vështrim i shpejtë i vendeve në fund të tabelës e bën etikisht të pambrojtshëm pozicionin e Shqipërisë në krye të listës, sa kohë që ndër shtetet me më pak kundërvajtje, krahas Danimarkës, Zvicrës e Norvegjisë, gjenden edhe Mongolia me vetëm 10.2 shkelje për diplomat, Kirgizistani (5.2), Turkmenistani (5.8), Taxhikistani (4.3) dhe Moldavia (0.7). Mes fqinjëve tanë në Ballkan, nëse Bullgaria dhe Serbia-Mali i Zi na bëjnë shoqëri në kamaren e turpit, Greqia e Turqia, përkundrazi, nuk kanë asnjë kundërvajtje (zero), Rumania e Maqedonia rreth 3 shkelje për diplomat, Kroacia 6.5, Slovenia 5.2.

      Nuk ka arsye, natyrisht, që të nxirren përfundime rreth karakteristikave etike të një kombi duke i studiuar sjelljen një grupi profesional aq specifik sa diplomatët. Njëlloj e logjikshme do të ishte të thuhej edhe se, karriera e suksesshme e funksionarit publik në vende si Shqipëria, Çadi ose Mozambiku kushtëzohet nga profili i ulët etik individual ose gatishmëria për të përfituar privatisht në kurriz të së mirës publike. Mirëpo të dhënat statistikore, në tërësinë e tyre, përmbajnë një të vërtetë që nuk mund të shpërfillet, sado të diskutueshme t’ia gjejmë premisat. Aq më tepër kur në këto sjellje të papërgjegjshme të diplomatëve shqiptarë nuk e kemi të vështirë të gjejmë diçka nga vetvetja, ose nga ajo filozofi praktike e rrugës që tanimë është shndërruar në formulë magjike të suksesit në xhunglat politike dhe ekonomike në Shqipëri. Duam apo nuk duam ne, diplomatët janë mëkëmbës jo vetëm të administratës shtetërore dhe forcave politike në pushtet, por edhe të vullneteve kultivuar në klimat politike mbizotëruese.

      Mund të pyetej, me këtë rast, se ç’e shtyn një njeri të shkelë pa teklif e në mënyrë të përsëritur rregullat e thjeshta të bashkëjetesës urbane atje ku jeton – ose të pështyjë atje ku ha. Një përgjigje e pranueshme do të ishte se këta funksionarë e kanë marrë Manhattan-in “në përdorim”, pa e përvetësuar e pa e bërë dot “të tyrin” e duke e konsideruar hapësirën publike si kullotë për të livadhisur kuajt, çka tradhton edhe njëfarë armiqësie e karshillëku plebeas ndaj komunitetit mikpritës dhe vlerave konstitutive të atij komuniteti. Autorët e studimit të mësipërm shqyrtojnë, ndër të tjera, edhe hipotezën e një korrelacioni statistikor domethënës midis abuzimit të diplomatëve me imunitetin dhe opinionit të pafavorshëm ndaj SHBA në vendet përkatëse – çka në rastin e Shqipërisë nuk duhet të qëndrojë, përveçse po të përfytyrohet Manhattan-i si simbol i një bashkëjetese urbane ndaj së cilës abuzuesit ndiejnë zili, inferioritet, urrejtje ose thjesht përbuzje.

      E lehtë do të ishte edhe që ky turp statistikor t’i faturohej mendësisë së njeriut të ri socialist, përkufizuar nëpërmjet raporteve të drejtpërdrejta vertikale me autoritetin, jo horizontale brenda komunitetit. Prej kohësh studiues e sociologë e kanë vënë re vështirësinë e madhe të shqiptarëve sot për të vendosur marrëdhënie të shëndetshme me hapësirën publike, por nuk është e qartë nëse kjo dukuri ka të bëjë me efektet anësore të totalitarizmit, apo me konsolidimin e pamjaftueshëm të jetës urbane historikisht në Shqipëri. E vërteta është se abuzime të tilla me hapësirën publike si ato të diplomatëve tanë në Manhattan ndodhin aq rëndom në Tiranë e gjetiu, sa tani pothuajse pranohen si të mirëqena nga opinioni. Nëse dëshira për të përfituar privatisht gjen përligjje në kontekstin kaotik të një shoqërie kapluar nga ethet e pasurimit patologjik e të ekonomisë së tregut çapraz, mungesa e kompensimit të kësaj mendësie nëpërmjet adoptimit dhe respektimit të rregullave të bashkëjetesës do marrë si një nga faktorët përcaktues për mendësinë korruptive në vend, sa kohë që dinakëria individuale shndërrohet detyrimisht e rregullisht në handikap të komunitetit.

      Më në fund, te kjo gatishmëri për të shfrytëzuar privilegjin e detyrës zyrtare nga ana e diplomatëve, nuk mund të mos shihet pasioni i vjetër i ofiqarit shqiptar për vulën, titullimin, çelësin që t’i hap të gjitha dyert, ose “carta bianca-n”; ose për ta konsideruar karrierën publike si zhvendosje drejt një hapësire ku rregullat e bashkëjetesës dhe në përgjithësi të etikës nuk ka pse të respektohen më. Tek e fundit, kërkesat për privilegje e tituj i kanë shoqëruar për shekuj me radhë përpjekjet kolektive të shqiptarëve në histori, deri në atë shkallë sa grupe e komunitete të jenë identifikuar me privilegjet që u janë njohur prej autoriteteve të ndryshme. Një pasion i tillë sot mund t’i referohet fare mirë edhe psikologjisë primitive të krekosjes, fodullëkut, megalomanisë, kapadaillëkut e arrogancës macho; por në kontekste të gjera sociale, brenda dhe jashtë Shqipërie, vjen e na e pengon afrimin ndaj qytetërimit, përveçse na e modifikon gjeografinë dramatikisht, duke na degdisur në antipodet e çka dëshirojmë të dukemi në sy të planetit.

  8. Domethene prape vone ne mbledhje une…

    Me duket se argumenti i Kulles nuk ze dot vend sepse nuk ka pse veshtiresite e parkimit per misionin shqiptar duhet te jene me te medha sesa ato te psh Turqise. Llogjikisht nje mision dipllomatik me i madh ka kosto me te medha per makine sesa nje mision i vogel si ai i yni. Kjo ndodh sepse me nje apo dy makina parkimi ne rruge eshte me i thjeshte, me 20 eshte i pamundur.

    Nejse, une nuk jam ne dijeni te ndonje studjimi tjeter ne eterin akademik qe te jete specifik per Ballkanin.

    Gjithmone kur behen argumente te tilla si ky i yti me lart, gjeja e pare qe me vjen nder mendje eshte marredhenia e individid me shtetin (ose elitat). Dhe jam gjithnje e me i bindur qe shteti krijon ne popullate njefare eksperience (beliefs) persa i perket te ardhmes qe cyt nje lloj equilibri qe mund te jete i keq (Shqiperia) ku te gjithe besojne qe normat sociale nuk ekzistojne apo i mire (Suedia) ku njerezit jane te bindur qe sjellja e mire eshte optimale sepse keshtu do te sillen dhe te tjeret.

    Po pate kohe dhe nerva hidhi nje sy kesaj:

    http://economics.mit.edu/files/7913

    Evolucioni i normave sociale si funksion i nderhyrjeve shteterore (prominent individuals sic e quajne autoret).

  9. Ja një dëshmi që vjen dhe i shtohet argumentit që pata sjellë për free riders shqiptarë, para pak ditësh.

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri Nicholas Cannon akuzon zyrtarët vendorë dhe OJQ-të shqiptare se kanë bërë biznes me gjakmarrjen.

    Ja çfarë ka thënë pikërisht ambasadori, sipas gazetës MAPO:

    OJQ në këtë vend kanë përfituar duke shfrytëzuar këtë temë për të marrë fonde ndërkombëtare. Çdo vit emigrantët përpiqen të kërkojnë azil në vendet perëndimore me historira të komplikuara të gjakmarrjes, shumica prej të cilave unë besoj që janë të pavërteta. OJQ dhe zyrtarët e qeverisjes vendore kanë zhvilluar një biznes me të ashtuquajturat certifikata të gjakmarrjes.

    Ideja, me sa kuptoj unë, është se zyrtarë dhe OJQ u kanë shitur certifikata azil-kërkuesve, që këta t’i përdorin për pretendimet e tyre të rreme.

    Në afat të gjatë, viktimat e vërteta të këtij karnevali do të jenë të gjithë ata që kanë arsye, për shkak të gjakmarrjes, që të largohen nga Shqipëria: askush nuk do t’i besojë më.

    Të vërehen edhe dy aspekte të tjera dytësore: (1) që disa OJQ kanë shfrytëzuar “mitin” e gjakmarrjes për të thithur fonde nga Perëndimi dhe (2) i njëjti “mit” i gjakmarrjes, i fryrë nga free-riders dhe spekulatorët e tjerë, ka shërbyer për ta pikturuar Shqipërinë si vend të egër, ose si një Afganistan në mes të Europës.

    1. Une di per doktore psikiater qe buken e gojes e nxjerrin kryesisht ne mos eksluzivisht duke leshuar certifikata marrezie, certifikata per trauma dhe gjendje post-traumatike nga me te cuditshmet, trauma pergjithesisht te shkaktuara nga dhuna barbare e serbeve ndaj nje banori te Ndroqit p.sh., ose perdhunime te padegjuara nga klane tribale qe lulezojne ne mes te Vlores ose Tiranes, dhe jo ne Bjeshket e Bekueme.

      Di per kryeredaktore gazetash qe jane gati te rishkruajne dhe te fotografojne editoriale te vitit 1997, 2005 ose 2010, ku pershkruajne demonstrata qe nuk kane ndodhur kurre, por gjate te cilave dikush eshte rrahur keq, aq keq sa sot mezi lidh dy fjale dhe rrjedhimisht e meriton azilin. Ta benin per shpirt te babes apo per solidaritet social, apo per nje lloj patriotizme te semure, kush nga ne nuk do ua bente hallall (une besoj se po), por e bejne per shuma stratosferike, te zinjte shqiptare qe ua kane nevojen.

      Historia me e fundit e Ciles me tre femije qe rrezikon deportimin. Cilja,nene e tre vocerrakeve qe nuk e meritojne deportimin, a thua se e meritojne deportimin femijet e meksikaneve qe deportohen cdo dite. Cilja genjen paturpesisht, p.sh., sepse sot nuk ka asnje gjase qe Cilen ta rrembejne klane barbaresh dhe ta detyrojne te prostituohet, dhe jo vetem per ceshtje moshe, por sepse ka kohe qe nuk ndodhin gjera te ketilla ne Shqiperi. Por Cilja qan para kamerave, meksikanet jo.

      Keshtu, deri sa te bie ty ne pjese qe nje nga keta genjeshtare te paturpshem te jete nje i afermi yt qe ka rrezikuar koken seriozisht neper burgjet meksikane para se te mberrinte ne token e lirise. Ose nje shoqja jote qe nuk ka pasur rruge tjeter per t’u legalizuar ne Perendim. Fillon ta mesosh se si te qaje ne menyre sa me te besueshme, cfare duhet te kujtoje qe qarja te duket sa me e vertete dhe e ndjere, sesi ulen syte poshte nga turpi i gjerave te padegjuara qe mund te pesoje nje femer nga banda qe nuk kane ekzistuar kurre. Kishe gje probleme me etiken apo me dinjitetin e munguar ti?, e pyet veten. Dakort, vere veten ne vendin e tjetrit, deshiron te emigrosh por muret qe te kane ngritur nga te gjitha anet jane me te larta se Muri i Berlinit, dhe atehere, si i behet, vazhdon te pyesesh veten, apo eshte kollaj per ty, eshte kollaj te ndjehesh ne rregull me ndergjegjen kur ti nuk ke qene kurre e detyruar te genjesh per te emigruar.

      Eshte pune shume e ngaterruar qe une besoj se do te mund te zgjidhet perfundimisht vetem me hyrjen e Shqiperise dhe Kosoves ne BE. Por numri i jashtezakonshem i azilkerkuesve mund te jete vertet nje pengese serioze per integrimin, dhe perfitimi, perfitimi ekonomik i ketyre matrapazeve te OJQ-ve eshte vertet motiv turpi per ne.

      1. “Kishe gje probleme me etiken apo me dinjitetin e munguar ti?”

        Jane te pakte ata emigrante shqiptare qe ne nje menyre a ne tjetren nuk u eshte dashur t’i bejne llogarite me kete pyetje. Kush ka braktisur femijet e prinderit, kush eshte shtirur si kosovar, kush detyrohet te genjeje.

        Une i kam pare gjithmone si ata te arratusurit nga burgu a nga kampet e roberise per te cilet e drejta supreme e jetes dhe e lirise perligj shkeljen e ligjit dhe te konvencioneve morale.

        Pervoja te ngjashme kane kaluar edhe kombe te tjera.
        Deri ne vitet ’80 emigrantet italiane ne Zvicer detyroheshin te mos deklaronin femijet, t’i mbanin me vite te mbyllur ne shtepi, pa i derguar ne shkolle, me porosine te mos benin zhurme, se i degjonin fqinjet. Kjo sepse leja e tyre e qendrimit nuk lejonte bashkime familjare.

        Kete vere sherbeva si vullnetar ne nje nga qendrat e emigranteve qe zbarkonin brigjeve te Italise nga Afrika. Perpara atyre njerezve qe kishin kaptuar male, shkretetira e pyje me kembe, ishin plaçkitur, rrahur e perdhunuar, kishin sakrifikuar dhe varrosur nje femije rruges per te shpetuar tjetrin, tek i shihnim te dilnin nga deti si te vdekurit nga varri, konvencionet e mia mikroborgjeze e humben çdo lloj kuptimi.

  10. Nje lloj solidariteti social qe ne duhet ta kemi me me hallexhinjte mes nesh, thua ti. Dakort jam. Por nga ana tjeter vendet evropiane ndjehen te permbytura nga nje fluks gjithmone e ne rritje te azil-kerkuesve. BE-ja ka adoptuar keto vitet e fundit nje sere direktivash qe ne thelb mundohen ta riperkufizojne te drejten e azilit, duke e limituar gradualisht dhe njohur vetem ne ato raste kur rreziku i diskriminimit ose dhunes se supozuar per motive politike, fetare, ose identiteti seksual, per t’i rene sa me shkurt, lypset te jete aktual ne momentin e kerkeses se te huajit.

    Ajo qe ndodh random eshte se ne pergjithesi, azil-kerkuesit qe vijne nga vendet afrikane, e kane te lehte te provojne aktualitetin e rrezikut ne fjale, meqe shume nga keto vende jane aktualisht te perfshira ne luftra civile, beteja te perditshme mes klanesh, etj. Problemi me shqiptaret e Shqiperise ose Kosoves eshte se nga momenti qe qeverite e ketyre vende pretendojne (sipas meje me te drejte) qe vendet respektive e kane kaluar tashme stadin e stabilizimit te demokracive perkatese, dhe jane madje kandidate dinjitoze per t’u futur ne BE me te drejta te plota dhe ne te ardhmen e afert, automatikisht ua veshtiresojne nenshtetasve te vet procesin e kerkimit te azilit, sepse me perkufizim, nje vend kandidat nuk lypset te kete probleme diskriminimi te grupeve te ndryshme sociale, homoseksualeve, sa per shembull, ose romeve, ose femrave te pambrojtura, etj.

    Thene shkurt, shqiptareve do t’u duhet te sakrifikojne mbi altarin e BE-se aq shume te deshiruar, edhe te drejten e azilit per personat me te pafat mes nesh. Sfida u ngelet ne dere institucioneve shqiptare, mundet fare mire te zgjidhin njehere e mire probleme tragjike si gjakmarrja, sipas meje e vetmja arsye e vertete sot per sot qe te mund te legjitimoje kerkesat e azilit te shqiptareve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin