NJË-JA BARBARE

Capture

Më tërhoqi vëmendjen përkthimi që ia kish bërë, gazeta MAPO, titullit të Bienales së 13-të të Stambollit: “Mami, a jam unë një barbar?”

(Titulli i bienales përsërit titullin e një libri të shkrimtares turke Lâle Müldür.)

Të krahasohet ky shqipërim me anglishten “Mom, Am I Barbarian?” dhe turqishten “Anne ben barbar mıyım?”.

Shqipja tingëllon keq.

Një fëmijë normalisht do të kish pyetur: Mami, barbar jam unë? apo Mami, jam barbar unë? – dhe gjithsesi, pa e përdorur nyjën një, e cila nuk ka vend në këto ndërtime.

Tek e fundit, edhe artificialja “Mami, a jam unë barbar?” do të kishte qenë më afër shqipes sonë intuitive.

Kushedi përkthimi i MAPO-s është bërë symbyllur nga italishtja: “Mamma, (io) sono un barbaro?”; edhe pse rregullat e përdorimit të nyjës një në shqipe nuk janë të njëjta me ato të italishtes për nyjën e vet.

Të vërehet edhe se në frëngjishte përkthimi tingëllon: “Maman, suis-je barbare ?”, ose pa nyjen e pashquar.

Arsyen se pse nuk mund të përdoret nyja në shqipe e shpjegon tërthorazi gjermanishtja: “Mama, bin ich barbarisch?”, ku kallëzuesori del në formë mbiemërore.

Dhe mbiemri nuk mund të shoqërohet me nyje të pashquar.

Njëlloj, në shqipe do të thonim: “Mami, jam trim unë?” dhe jo “Mami, jam një trim unë?”; ose “Mami, malësor jam unë?” dhe jo “mami, një malësor jam unë?” e kështu me radhë.

Në fakt, të paktën në anglishte, ka një dallim të hollë midis “I am a barbarian” (shprehje që mund t’ia dëgjonim Çengiz Khanit, po të fliste ky anglisht) dhe “I am barbarian” (në kuptimin kam zakone prej barbari).

Të krahasohen edhe “I am an American” dhe “I am American” – të dyja shprehjet korrekte.

Këtu, kush kërkon të rrëmojë më tepër, mund të lexojë më gjatë për interpretimet e ndryshme që i janë bërë frazës së famshme “Ich bin ein Berliner” të shqiptuar nga JFK, gjatë vizitës së tij në Berlinin Perëndimor, në 26 qershor 1963.

Si edhe herë të tjera, rregullat gjuhësore (gramatikore) janë më të vështira për t’u zbatuar kur bëhet fjalë për diferenca njëlloj korrekte, sesa kur dallojnë mes një përdorimi korrekt dhe një tjetri jokorrekt.

E megjithatë, unë përkthimin shqip me një, në këtë kontekst, do ta quaja në mos të gabuar, të paktën të panevojshëm.

Përkundrazi, në frazën “unë jam një lexues i vjetër i gazetës suaj…”, një ka kuptimin “një nga lexuesit…”; duke e prezantuar folësin si anëtar të një klase (“unë bëj pjesë në bashkësinë e lexuesve të vjetër…”).

Dhe, në fakt, kultplus, një faqe që nuk e njihja më parë, e ka përkthyer emrin e bienales shqip: “Mami, a jam unë barbar?”

Një trajtim më të plotë të përdorimit të nyjës një në shqipe do ta gjeni këtu.

Nuk ka komente

  1. Kur shkruhet se “Mami, barbar jam unë?” apo “Mami, jam barbar unë?” janë shpehje të natyrshme, dhe që “Mami, a jam unë barbar?” është artificiale, e kuptoj që ju dhe unë komunikojmë në gjuhë të ndryshme, edhepse _intelligible_.

    1. Ky koment nuk ka lidhje me temën. E shfrytëzon temën për një fluturim tangencial, drejt një teme tjetër. Ju, zotëri, po e përdorni të drejtën e fjalës dhe të komentit, për të ma prishur kuvendin.

      1. Xha,

        nuk po me duket qe po prishet kuvendi me fluturimin e Alphes, edhepse po pajtohem qe ky eshte tangjencial. Po a nuk sherbejne komentet edhe per keso diskutime fusnotash?

        Perndryshe as une nuk mund ta vertetoj artificialitetin e variantit te trete.

        Sidoqofte, vrojtimi per nyjen e tepert eshte shume me vend. Si zakonisht, tekstet i ke te pjekura e shume freskuese.

        1. Falemnderit. Si rregull, përpiqem t’i shkurajoj diskutimet tangenciale, jo vetëm sepse ma prishin temën, por edhe ngaqë nuk më duket fare produktive që dikush t’u qaset shkrimeve të mia me frymëzimin për të gjetur aty gabime.

          U jam lutur shpesh kolegëve që gabimet, ose “gabimet”, të m’i sinjalizojnë privatisht. Ideja se autorit mund t’ia korrigjojë gabimet lirisht masa e lexuesve është maoiste.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin